12
 
Lajme Shqip Thursday, 22 November 2012 18:24

Tiranë – Pas një procesi që zgjati më shumë se katër vjet, Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, të pandehurin Ilir Kumbaro.

Ilir Kumbaro u dënua nga Gjykata me 15 vjet heqje lirie, ndërsa Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, dy te pandehurit e tjere ne kete proces, u shpallën te pafajshem.

Me heret, Prokuroria kishte kërkuar 13 vite burg për Ilir Kumbaron dhe pushim të çështjes për dy të akuzuarit e tjerë të çështjes “Remzi Hoxha”, Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini.

Në një reagim të shpejtë menjëherë pas mbyllje së seancës, i biri i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha u shpreh se drejtësia i vrau të atin për të dytën herë.

Ai kërkoi që drejtësia të vihet në vend, duke mos shprehur dakordësi për vendimin e dhënë nga Gjykata. Hoxha theksoi se gjykata duhet te denonte edhe fajtoret e tjere per zhdukjen e te atit.

Aktualisht, Ilir Kumbaro rezulton person në kërkim, pasi iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor të vitit 2011.

Biznesmeni shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha rezulton i zhdukur qe prej vitit 1995.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 13:16

TIRANE -Shkon drejt përfundimit gjyqi ndaj tre ish-SHIK-ve që vijon prej pesë vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda për çështjen e Remzi Hoxhes. Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli sot konkluzionet për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjen e bisnesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.

Në seancën e zhvilluar të martën në Gjykatën e Krimeve të Rënda, perfaqësuesja e prokurorisë, Elisabeta Imeraj, kërkoi shpalljen fajtor për çështjen dhe dënimin me 13 vjet burg për ish -punonjësin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Ilir Kumbaro, që aktualisht është në kërkim. Ndërkohë, prokuroria është tërhequr nga akuzat e ngritura kundër dy ish -punonjësve të tjerë të SHIK-ut, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. 
 
Pretenca u lexua nga prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila ka punuar gjatë kësaj kohe me dosjen e shumëpërfolur pas vdekjes së prokurorit Xhevat Hana, që i nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Prokurori i ndjerë Xhevat Hana solli në sallën e gjyqit dhjetëra dëshmitarë, si dhe prova të tjera për të provuar fajësinë e tre të pandehurve.

Më 21 tetor bëhen 17 vite nga zhdukja e biznesmenti shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut, Avni Koldashi, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro janë akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e Hoxhës.

Ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro nuk i dihet vendndodhja, pasi ai iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Kumbaro u arratis në një kohë që në Shqipëri, Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve, u mbyll në shtator të këtij viti, menjëherë pasi Gjykata e Lartë mori përgjigje nga SHISH, se në arkiv s’ka dosje gjurmimi për Remzi Hoxhën. Nga kërkimi rezultoi se emri i Remzi Hoxhës, i Ziso Kristopulit dhe i Avdyl Loshajt nuk ekzistonte në asnjë dokument të arkivit së Shërbimit Informativ Shtetëror.

Djetë ditë më parë kishte dështuar dhënia e pretencës për shkak të mungesës e prokurores së çështjes. Djali i biznesmenit shqiptari maqedonas, i zhdukur në vitin 1995 në Tiranë, Ardian Hoxha, “kërcënoi” me Kanun para Gjykatës për Krimet e Rënda pasi mësoi dështimin e seancës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 July 2012 11:03

Tiranë  – Ilir Kumbaro, ish-SHIK-si i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, nuk gjendet në Britaninë e Madhe. Zyrtarisht autoritetet britanike i janë përgjigjur Gjykatës së Krimeve të Rënda, se Kumbaro nuk gjendej dhe për këtë arsye pyetja e tij për llogari të procesit që zhvillohet në Tiranë, prej vitit 2008 nuk mund të realizohet.

Gjyqi ndaj Kumbaros dhe dy të akuzuarve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, kishte “ngecur” prej më shumë se shtatë muajsh në pritje të ardhjes së përgjigjes nga Anglia, për pyetjen e të pandehurit Kumbaro. Ish-shiksi u arrestua në Angli pas 12 vitesh në kërkim, por vendimet e drejtësisë shqiptare i lanë “rrugë të lirë” për të rifituar lirinë, çka bëri dhe të mos realizohej dot ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Me një vendim të fundit në tetor të 2011-ës, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, “rrëzuan” Kumbaron dhe i ndezën dritën jeshile për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Pak ditë pas këtij vendimi Ilir Kumbaro u zhduk pa gjurmë dhe pavarësisht kërkimeve të policisë britanike ende nuk është bërë e mundur kapja e tij.

Në kushtet kur Kumbaro nuk gjendet, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga pyetja e tij. Seancën e djeshme gjyqësore, përfaqësuesit e akuzës kanë paraqitur dhe provat shkresore dhe janë vetëm një hap larg kërkimit të masës së dënimit për tre të pandehurit. Zgjidhja e ngërçit për pyetjen e Kumbaros i hapi rrugë dhe zhvillimit normal të procesit. Por, pikërisht tani kur Gjykata kishte mundësi të firmoste për fatin e të akuzuarve, Kumbaro, Sefgjini dhe Koldashi, fillojnë pushimet vjetore, ndaj seanca e radhës është shtyrë për tu zhvilluar në muajin shtator 2012-të. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 13:49

Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptar Remzi Hoxha, i zhdukur 16 vite më parë, i ka drejtuar një letër të hapur Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, të cilin e ka akuzuar se kishte bashkëpunuar me Serbinë.

Në letër thuhet gjithashtu se pikërisht pse babai i tij dinte për takimet sekrete të Sali Berishës me Sllobodan Millosheviçin dhe Kiro Gligorovin, ish-presidentin e Maqedonisë, është vrarë nga njerëzit e Berishës, në atë kohë president i Shqipërisë.

“Me shumë dhembje ju drejtohem sot juve si reagim ndaj deklaratave tuaja për ‘ata që punojnë për Serbinë’, për shkak se nuk dua të bëhem pjesë e politikës tuaj ditore dhe lojërave tuaja për pushtet, megjithatë do të shprehem sepse ju nuk po e thuani të vërtetën. Për më shumë, ishin informacionet se ‘kush punonte me Serbinë dhe për Serbinë’ që ju shtynë të zhdukni babain tim, Remzi Hoxhën”, thuhet në fillim të letrës së Ardianit, drejtuar kryeministrit shqiptar, Berisha, në të cilën theksohet se familja Hoxha për 16 vitesh është përmbajtur dhe nuk i kishte dhënë kahje politike çështjes së zhdukjes së Remzi Hoxhës.

“Me këtë letër/vepër nuk jam duke e mbrojtur z. Rama për të cilin jeni deklaruar se punon për Serbinë dhe nuk dua që kjo të kuptohet si e tillë, por thjesht dua që t’ua rikujtoj juve se kush me të vërtetë ka punuar me Serbinë dhe për Serbinë. Për më shumë, familja jonë nuk është e pozicionuar me asnjë parti politike, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, dhe është ‘mbi-politike’, pra me popullin. Pra, ne nuk jemi as me të majtën, as me qendrën, e as me të djathtën”, thuhet në letër në të cilën i kërkohet Berishës se e ka për obligim t’ia sqarojë popullit Shqiptarë fatin e Remzi Hoxhës.

“Babain tim, Remzi Hoxhën, njerëzit tuaj me ju në krye si President i Shtetit, e keni zhdukur mu për shkak të frikës së zbardhjes së veprave tuaja me Serbinë dhe për Serbinë. Ju, Sali Berisha, duhet t’i tregoni popullit Shqiptarë për takimin tuaj me Sllobodan Millosheviçin dhe Kiro Gligorovin, më 31 Maj, 1993, në Shën Naum të Maqedonisë, dëshmitar i të cilit ishte edhe babai im. Ju po ashtu duhet t’ia tregoni popullit Shqiptar takimin e Bashkim Gazidedes me Arkanin (njeriu që ishte udhëheqës i masakrave ndaj Shqiptarëve), në Shkodër”, thuhet në letër, e cila vazhdon me akuza ndaj Berishës për mbështetje të tij ndaj Serbisë, në kohën sa kjo e fundit ndodhej nën sanksione të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ju, Sali Berisha, ishit ata që ndihmuat Serbinë me naftë për ta ndezur edhe më tepër luftën në Ballkan, dhe për t’i mbushur me naftë tanket e paramilitarëve dhe ushtarëve Serb që masakruan mbi 10 000 Shqiptarë, që dhunuan nënat, motrat dhe vajzat Shqiptare, e që dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milionë Shqiptarë, kur e gjithë bota i kishte vënë embargo Serbisë. Ju, Sali Berisha, ishit ata që ndihmuat këta Serbë, që sot janë duke u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të cilët akoma kërkojnë ta marrin një pjesë të Kosovës. Ju, Sali Berisha, ishit ata që burgosët Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Hashim Thaqin, e shumë patriotë të tjerë Shqiptarë të cilët u vranë nga po këta Serbë, dhe ndoshta nga nafta juaj. Andaj, ju lutem mos u merrni me këtë temë sepse na e shtoni dhembjen edhe më shumë. Në fund ju pyes juve: ‘Kush qenka ai që punon me Serbinë dhe për Serbinë?”, përfundon letra e hapur e Ardian Hoxhës drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

 
Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 08:30

Londër-Një ndër-kriminelet më të kërkuar në Britani, Ilir Kumbaros, iu hoq pajisja elektronike e monitorimit të lëvizjeve të tij nga një gjykatë britanike pesë muaj më parë dhe ju zvogëluan në numër paraqitjet e detyrueshme në polici për të konfirmuar vendndodhjen e tij në Londër.

Kështu shkruan e përditshmja “The Daily Star” e Londrës në një shkrim me titull “Më tregoni se ku ma keni varrosur babain”, ku djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha flet për gazetën britanike ku i lutet Ilir Kumbaros të tregojë të vërtetën e babait të tij të zhdukur.

Ilir Kumbaro që prej afro 20 ditësh ndodhet në arrati dhe për të është lëshuar urdhër arresti nga një gjykatë e Londrës ku ai nuk u paraqit në seancën e rradhës së ekstradimit të tij në Shqipëri menjëherë pasi Gjykata Supreme e Shqipërisë kërkoi dërgimin e tij në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

Djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, Ardian Hoxha thotë se nuk e kupton se si një akt i tillë, idiotesk, të mund të merret nga autoritetet britanike, kur e dinin se ai ishte një kriminel i kalibirit të lartë.

Sipas Ardian Hoxhes, “Ilir Kumbaro është personi që fizikisht e morri babain tim nga vendi i punës dhe më pas e torturoi atë dhe bëri që babai im të vdiste nga torturat dhe më në fund bëri që trupi i tij të zhduket. Ai është personi që e pa për herë të fundit babain tim. Kumbaro është personi që di vendodhjen e trupit të babait im. Ndaj të lejosh një njeri të  tillë të zhduket i shkakton akoma më shumë dhimbje familjes sime dhe njerëzve që e njihnin babain tim”, thotë Ardiani, djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, për të cilin akuzuohet Ilir Kumbaro.

“Ajo që ne kërkojmë është të dime ku janë eshtrat e babait tonë, që t’i bëjmë një varr ku të prehet dhe të dimë që është i vdekur. Është shumë e vështirë të jetosh me një ndjenjë të tillë cdo ditë”, thotë Ardian Hoxha për gazetën angleze.

Kërkimet për Ilir Kumbaron ende vazhdojnë dhe autoritetet britanike besojnë se ai fshihet nga miqtë e tij, megjithëse ka edhe dyshime se ai mund të jetë arratisur drejt Kinës. (TCH)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 December 2011 19:42

Londër-Autoritetet britanike kanë shpenzuar deri tani rreth 100 mijë paund nga të ardhurat e taksapaguesve në përpjekje për të kapur ish agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.  

E përditshmja britanike “Daily Star”, në një artikull të ditës së dielë zbulon faturën ekonomike që Ilir Kumbaro i ka kushtuar shtetit britanik, ndërsa hedh hije dyshimi se ai mund të ketë ikur në Kinë.

Një javë pasi i shpëtoi gjyqit të ekstradimit për në Shqipëri,  gazeta citon “burime të mirë informuara”, ndërsa informon se Kumbaro ka përdorur pasaportën e tij britanike për të udhëtuar në Kinë disa herë dhe dyshohet se ndodhet atje i fshehur.

Në artikull, “Daily Star” tregohet shumë kritike me autoritetet britanike, që “nuk verifikuan prejardhjen e Ilir Kumbaros, i cili u fut në Britani si shtetasi kosovar Shaqa Shatri, që vinte për të shpëtuar nga lufta në Kosovë, ku i kishin vrarë gruan dhe djalin.

Më pas, pikërisht me gruan dhe djalin e vrarë ai bënte një jetesë luksoze në Londër, falë të ardhurave që i derdhte shteti për paaftësinë fizike dhe mendore që kishte pësuar nga “trauma”.

Fatura e tij mund të llogaritet në mbi 100 mijë paund dëm ndaj taksapaguesve britanikë, gjatë kohës së qëndrimit në Angli”.

Ilir Kumbaro fitoi një betejë të mëparshme ndaj shtetit shqiptar kundër ekstradimit, për shkak të dokumentacionit të parregullt, por autoritetet tona riparaqitën dosjen në Britani, ku u fiksua një seancë gjyqësore për të përcaktuar se çfarë do të bëhej me kërkesën e ekstradimit.

Në seancën e fiksuar në fillim të dhjetorit, 56-vjeçari nuk u paraqit dhe që prej atëherë është shpallur në kërkim nga policia, pasi askush nuk e di se ku ndodhet. Kumbaro kërkohet për pengmarrje dhe torturë nga shteti shqiptar.

Besohet se është çelësi për zbardhjen e misterit të Remzi Hoxhës, shqiptaro-maqedonasit që figuron i zhdukur që prej vitit 1995, pasi u mor në pyetje nga Shërbimi Informativ Kombëtar

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 16:46

Londër-Autoritetet britanike kanë shpallur në kërkim ish punonjësin e SHIK-ut Ilir Kumbaro, i kërkuar lidhur me akuzat për rrëmbim dhe torturë. Siç raporton BBC, Policia Metropolitane kërkon të gjejë 58 vjeçarin Ilir Nazmi Kumbaro, pasi ai nuk u paraqit në seancën dëgjimore të ekstradimit që ishte planifikuar javën e kaluar.  

Një inspektor i policisë, në njësinë e ekstradimit, Pete Rance, tha se beson që Kumbaro ndodhet ende në Britaninë e Madhe, por mund të jetë larguar nga Londra ndërsa po fshihet nga miqtë e tij.

Policia ka lëshuar një apel për gjetjen e Kumbaros ndërsa ka publikuar edhe një nr telefoni për këdo që ka informacione për të.

Ish-agjenti i shërbimeve sekrete Ilir Kumbaro, akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995, ndërsa i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë, Shaqa Shatri.

BBC njofton se lirimi me kusht u dha nga Gjykata e Lartë në Londer pas një apelimi ndaj vendimit të mëparshëm, që i refuzonte atij lirimin me kusht nga frika se nuk do të paraqitej në gjykate.

Policia britanike kërkon tashmë informacion për vendndodhjen e Kumbaros nga publiku duke kërkuar qe ata të njoftojnë njësinë e ekstradimit në numrin e telefonit të dhënë ne faqen e internetit të BBC.

Vetëm pak kohë më parë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “burg pa afat” për ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro, vendim i cili i hapi rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 16:30

Tiranë – Arratisja e Ilir Kumbaros në Londër mban peng edhe zhvillimin e procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-SHIK-save, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia Remzi Hoxha ka dështuar, pasi Gjykata e Krimeve te Rënda është në pritje të letërporosisë së dërguar autoriteteve të drejtësise në Londër për dëshminë ose ekstradimin e Kumbaros.

Ne fakt procesi në Tiranë zvarritet prej disa javësh pasi edhe më parë nuk ishte bërë e mundur të merrej dëshmia e Ilir Kumbaros, i cili pretendonte se ishte shtetasi kosovar Shaqa Shatri. Tashmë me arratisjen e Kumbaros, kanë mbetur pezull si procesi i ekstradimit të tij nga Gjykata e Londrës, ashtu edhe procesi për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në Tiranë.

Sakaq, Gjykata e Krimeve të Rënda është në pritje edhe të një letërporosie dërguar autoriteteve të drejtësisë në Maqedoni, ku i kërkohet gjykatës së Shkupit që të dërgojë në Tiranë vendimin që e ka shpallur biznesmenin Remzi Hoxha të vdekur.

 
Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 21:04

Londër – Në kohën kur drejtësia shqiptare priste ekstradimin, ish-funksionari i shërbimit sekret shqiptar, Ilir Kumbaro është “zhdukur”.

Sikundër, informojnë edhe mediat vendase Kumbaro, i njohur edhe si Shaqa Shatri nuk u paraqit në seacën në ngarkim të tij sot në Gjykatë.

Kjo ka bërë që policia londineze të nisë veprimet për arrestimin e tij.

Prokurorja e çështjes, e cila është përfaqësuese e palës shqiptare në këtë gjykatë është shprehur se Kumbaro kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe se kishte mundësitë dhe mjetet në dispozicion për tu zhdukur dhe për t’iu shmangur drejtësisë.

Ndërsa, avokati i Kumbaros është shprehur  vetëm se kishte kontaktuar me familjen e tij.

Kumbaro akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995. Atij i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë ,Shaqa Shatri. (NOA)

 
Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 19:59

Tiranë – Gjykata e Lartë ka lënë të premten në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, “arrest me burg” ndaj Ilir Kumbaros, ish-agjent i SHIK, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbim dhe torturë.

Vendimi i Kolegjit të Bashkuar, i hap rrugë kërkesës së prokurorisë për ekstradimin e Kumbaros nga Anglia.

Ish-punonjësi i SHIK, Ilir Kumbaro, është një nga katër personat e akuzuar për çështjen e rrëmbimit me pasojë rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.

12