Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 14:00

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative të njohur si ROSU, Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Abdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Kerqeli, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi akuzohen nga prokurorja e EULEX-it, Natasha Vicary, se kanë rrahur dhe keqtrajtuar 10 truproja të ministrit serb, Aleksander Vulin. Njëmbëdhjetë policët e njësisë elite të Policisë së Kosovës kanë dalë të martën para drejtësisë për shkak të dyshimit se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ata kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e truprojave të ministrit serb pa portofol, Vulin.

Në seancën e dytë fillestare që nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, kryetari i trupit gjykues, Vladimir Mikula, u ka thënë palëve se vendimin nëse do të ketë gjykim apo do të hidhet aktakuza poshtë, do t’ua komunikojë me shkrim. Paraprakisht prokurorja Natasha Vicary ka lexuar aktakuzën, derisa mbrojtja ka kërkuar hedhjen poshtë të saj dhe shpalljen e provave të papranueshme.