Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 11:23

Tiranë-Shumë e rëndë është ajo që ka ndodhur me 502 fëmijët romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur nga institucioni shtetëror bamirës, “Agia Varvara” në Greqi, në vitin 1998 dhe për fatin e të cilëve askush nuk thotë gjë.

Deputetja e SYRIZA-s Maria Janakaki, e cila e ngriti çështjen në Parlamentin grek, tregon se interesimi i saj për këtë çështje bie në vesh të shurdhër. “Sa herë që jam përpjekur për të marrë përgjigje nga institucioni kam ndeshur në një mur të lartë. Më kanë thënë se fëmijët kapërcyen gardhin dhe ikën”, thotë ajo.

Teksa Ministri i Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtat e Njeriut, Haralambos Athanasiu urdhëroi një hetim të ri nga e para për skandalin, është vendosur prokurori i ri për çështjen. Ai duhet të hetojë sesi për 15 vjet, jo një e dy, por plot 502 fëmijë janë zhdukur nga institucioni ” Agia Varvara”. Gjithçka e ka fillesën në vitin 1998, kur ministri i atëhershëm grek i Rendit Publik urdhëroi të ndalohet biznesi i shfrytëzimit të fëmijëve, pas një aksidenti me makinë në Selanik me dy fëmijë shqiptarë të rrugës.

Gjatë aksionit, policia mblodhi nga rruga 615 fëmijë shqiptarë, të cilët u dërguan në qendrën për mbrojtjen e të miturve “Agia Varvara”, qendër që varet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mirëqënies.

Disa prej këtyre fëmijëve u riatdhesuan në Shqipëri, ku dhe kanë gjetur familjet e tyre. Rreth 60 prej tyre u morrën nga familje kujdestare apo shkuan në jetimore në Greqi.

Veçse për 502 fëmijë të tjerë, fati vazhdoi të jetë ndoshta edhe më i vështirë, pasi në rrethana misterioze u zhdukën nga institucioni dhe askush nuk i kërkoi.

Në vitin 2002 organizata “Terres des Hommes” filloi hetime për fëmijët e rrugës nga Shqipëria dhe tha se fëmijët iu ishin shitur trafikantëve nga disa punonjës të institucionit, me çmimin 500 € secili.

Sipas organizatës, shumë prej fëmijëve të zhdukur nga Fondacioni u blenë nga kontrabandistët për 500 €, për shfrytëzim ekonomik, për të lypur, për prostitucion apo për shitje të organeve. Mediat greke flasin për një bashkëpunim të mafias shqiptare dhe asaj greke, që përfitojnë nga shitja dhe shfrytëzimi i fëmijëve. Një hetim i Avokatit të Popullit në Greqi në mars 2004, doli në përfundimin se nuk ka pasur tregti me fëmijët.

Në vitin 2007 papritur kërkimi ndaloi, megjithatë prokurorët gjetën probleme serioze në funksionimin e institucionit, pritjen e fëmijëve në të, ku bashkangjitën edhe përgjegjësitë e Ministrive të Rendit Publik dhe asaj të Punës, për trajtimin e çështjes.

Në qershor 2012 çështja u ripublikua nga Komiteti për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve të OKB-së.

Para disa ditësh u ngrit në Parlament nga deputetja e SYRIZA-s dhe për pasojë ministri i Drejtësisë kërkoi rihapje të dosjes.

Megjithatë ka shumë pak gjasa që ne të dimë se çfarë ka ndodhur me këta njerëz, kush dhe pse dhunoi këta fëmijë, duke stigmatizuar përgjithmonë shpirtrat e tyre të pafajshëm…?! /Ballkanweb/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 12:01

Tiranë – Avokati i Popullit organizoi sot paradite një tryezë të rrumbullakët ku bën thirrje pë zgjidhjen e situatës ku ndodhen më shumë se 37 familjet rome të cilat u dëbuan nga kampi që kishin ngritur tek ish ndërmarrja artistike pasi trualli ishte pronë private.
Në tryezë janë të ftuar edhe Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, përfaqësues nga Ambasada amerikane, si dhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Punës dhe Cështjeve Sociale

Avokati i Popullit tha se “romët po dëbohen padrejtësisht” dhe i kërkoi Burgajt të hetojë, raporton Shqiptarja.

“Duhet zgjidhje emergjente për çështjen e romëve. Duhet të përmbushim kriterin e 11 për marrjen e statusit”- tha Totozani, i cili bëri një panoramim të situatës së familjeve rome, ku fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi.

“Familjet rome po kalojnë momente të vështira, dhe dëbimi i tyre është i padrejtë. Koha nuk pret, duhet zgjidhje”- nënvizoi më tej Totozani.

Në emër të Federatës së romëve, Xheladin Taço kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.

Edhe ambasadorët e huaj, shprehën shqetësimin për situatën. “Jemi të shqetësuar për aktet e shpërguljes së familjeve rome. Të gjenden zgjidhje për to”- tha zv/ambasadori amerikan i pranishëm në tryezë.

Një përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme tha se po analizohen të dhënat që janë mbledhur këto ditë për mundësinë e hetimit.
Nga ana e tij përfaqësuesi i Ministrisë së Punës propozon që romët të shkojnë të jetojnë në çadra që do ngrihen në Sharrë dhe shtëpi me qera ose do ngrihen shtëpi prej druri.

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:26

Tiranë – Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka reaguar të hënën lidhur me situatën e krijuar pas largimit të disa familjeve rome nga trualli i ish ndërmarrjes artistike, tek kryqëzimi pranë Pallatit me Shigjeta.

Përmes një deklarate për shtyp, MPÇSSHB thekson se gjatë kësaj periudhe ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve. Njëkohësisht ky institucion është treguar i gatshëm për zgjidhjen e këtij konflikti duke i akomoduar familjet rome të shpërngulura në Qendrën Pritëse Kombëtare të Rehabilitimit të Familjeve Rome që ndodhet në zonën e Sharrës, afër Kombinatit.

“Kjo sipërfaqe, me Vendim të Këshillit të Ministrave, është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, ku me një buxhet të Ministrisë është nënshkruar dhe kontrata për rikonstruiksionin e shtatë godinave që ndodhen në këtë Qendër. Ministria e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me aktivistë të Amnesty International, me Komisioneren Antidiskriminim, me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, për të zgjidhur këtë problem kompleks, siç është strehimi i romëve dhe i shtresave të tjera vulnerable”, thuhet në deklaratë, raporton Ballkanweb.

Në këtë deklaratë të MPÇSSHB theksohet gjithashtu se ky institucion ka menaxhuar dhe më parë situata të tilla. Këtu përmendet situate e ngjashme e vitit 2010 ku u bë nevojë emergjente strehimi i disa familjeve rome të zhvendosura nga “Stacioni i Trenit”. 
Sipas kësaj ministrie “Qendra e Sharrës është në një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë dhe nga koordinimi i të gjitha institucioneve mund të ofrojë zgjidhje për menaxhimin e situatës së krijuar nga konflikti”, thekson ministria.

Në përfundim të deklaratës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u bën thirrje disa institucioneve që të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj.

Romët jetojnë prej mbrëmjes së të shtunës në trotuare, ku kanë improvizuar disa baraka, në mënyrë që të mbrohen nga dielli përvëlues i këtyre ditëve. Pas kësaj situate, ka pasur një deklaratë të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, për marrjen e masave urgjente për strehimin e tyre.

“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë, të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara, për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekse për këto familje, si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm, në respekt të standardeve ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor”, – u shpreh Totozani.

Një ditë më parë ka reaguar edhe kompania e ndërtimit “Park Construction Albania shpk”, e cila do bëjë në këtë zonë një objekt banimi. Sipas kompanisë, familjet rome nuk janë dëbuar, por ata janë larguar me dëshirën e tyre dhe kanë rënë dakord, dhe se për çdo familje disponon mandat-pagesën që kanë firmosur. Ndërkohë që ka hedhur akuza ndaj institucionit të Avokatit të Popullit se ka manipuluar të vërtetën.

“Avokati i Popullit, gjatë gjithë kohës ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve, por në mënyrë të qëllimshme ka manipuluar me deklaratat e veta opinionin publik”,- bëri të ditur kompania.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 August 2013 12:23

Tiranë – Organizata e njohur e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka dalë sërish me një deklaratë në mbrojtje të romëve në Shqipëri.
Në deklaratë thuhet se rreth 37 familje rome në Shqipëri rrezikojnë të dëbohen me forcë nga vendbanimet e tyre.
Romët janë strehuar prej dhjetë vitesh në Qendrën e Krijimit të Punimeve të Artit në Rrugën e Kavajës, por pronari i tokës do i largojë romët, pasi aty do ndërtohet, shkruan tema. 
Disa shtëpi janë shkatërruar tashmë, ndërkohë që autoritetet nuk kanë ofruar asnjë strehim alternativ për romët.
Kjo është e disata herë që Amnesty International del me deklarata për çështjen e romëve në Shqipëri, megjithatë askush nuk e ka vënë ujin në zjarr.