Lajme Shqip Sunday, 21 April 2013 09:20

Robin Krasniqi nuk ka qenë i suksesshëm në tentativën e tij për të marrë titullin botëror WBO për peshat deri në 79 kilogram,  pasi është mundur me pikë nga kampioni i botës në fuqi, uellsiani Natan Kliverli. Pavarësisht dominimit të Kliverli në 12 raundet, askush nuk e priste që 26 vjeçari Krasniqi të rezistonte deri në fund të ndeshjes së zhvilluar në Londër.

Kliverli ka dominuar ndeshjen që në raundet e para, ndërsa Krasniqi ka provuar në të gjitha mënyrat që të dëmtojë kampionin me gjuajtjet me të djathtën. Por uellsiani ka reaguar mjaft mirë në çdo moment të vështirë, sidomos në raundet 7-8, duke shmangur me klas gjuajtjet e kosovarit, i cili nuk njihte humbje prej 38 ndeshjesh radhazi dhe ishet kthyer në sfidantin numër 1 për brezin.

Në fund, vendimi i gjyqtarëve për fitoren e Kleverli me pikë ka qenë unanim, por kampioni i botës ka pranuar se Krasniqi e kishte çuditur në mënyrë pozitive në këtë sfidë.

“Ai pësoi shumë goditje por nuk rrëzohej ndaj mu desh që të vazhdoja me planin tim të goditjeve pa pushim. Mendoj se ishte një ndeshje e mirë pasi edhe ai ishte i fortë. Unë u çudita që ai përfundoi ndeshjen në të 12 raundet, pasi e godita rëndë që në fillim dhe prisja të rrëzohej. Por ai rezistoi, tregoi që kishte uri për fitoren dhe vazhdoi të luftonte deri në fund”, ishin elozhet e kampionit Kleverli për boksierin kosovar që garon për Gjermaninë.

Duke pasur parasysh se planet e Kleverli janë për një tjetër ndeshje për mbrojtjen e titullit, para se të provojë të unifikojë brezat me kampionin e IBF, Bernard Hopkins, Krasniqi duket se do të tentojë të ngjitë shkallët në renditjet e federatave të tjera gjatë kësaj periudhe. Në këtë mënyrë, ai do të rifitojë të drejtën e një tjetër sfide për titull brenda 2 viteve të ardhshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 19:46

Robin Krasniqi ka vendosur të tallet me rivalin e tij të radhës, kampionin e botës, Natan Kleverli, duke i bërë dhuratë atij një fund. Boksieri kosovar më në fund ka mundësinë të luftojë për titullin ndaj mbajtësit të brezit në WBO për peshat deri në 79 kilogram, pas shumë shtyrjeve të njëpasnjëshme të kësaj sfide.

Ndaj ai është përpjekur ta festojë në mënyrë shumë origjinale, duke i dhënë uellsianit një fund ku shkruhej “Princesha”. Kleverli e ka pranuar me humor këtë gjest, por më pas nuk ka ngurruar të lëshojë kërcënime në adresë të boksierit kosovar që garon për Gjermaninë.

“Ndoshta do ta vesh në ring të shtunën këtë fund, por ai do të duket shumë keq kur një djalë me fund ta rrahë në ring. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, pasi ka kundërshtarë që vijnë të uritur për të më marrë titullin. Flitet për unifikimin e titujve ndaj Hopkins, por unë nuk shoh aq larg. Më parë duhet të merrem me Krasniqin. Ai është një boksier i mirë dhe jam i përgatitur për këtë ndeshje”, tha Kleverli që ka qëndruar pushim që në tetor për shkak të problemeve fizike.

Ndërkohë, Krasniqi është shfaqur mjaft i vendosur që të shfrytëzojë në maksimum shansin që i është dhënë për të arritur në majën e boksit botëror, pasi ka fituar 38 takime radhazi.

“Nuk kam ardhur këtu për pushime, kam ardhur për të fituar titullin. Kur të kthehem përsëri në Londër, do të them se 20 prilli është dita ku unë fitova luftën. Kam shumë respekt për Natan, ai është kampioni i botës, por unë do të kthehem në Gjermani me brezin e kampionit. Dukej sikur nuk e dëshironin një sfidë të tillë, por tani jemi këtu dhe askush nuk mund ta shmangë”, tha boksieri kosovar që ka pritur me padurim këtë mundësi prej rreth një viti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 August 2012 08:01

Boksieri kosovar që garon për Gjermaninë, Haxhi “Robin” Krasniqi, ka arritur të fitojë me KO takimin e tij për titullin vakant WBO International duke mundur turkun Sedar Sahin.

Krasniqi ka treguar se vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer, duke dominuar ndaj kundërshtarit të tij, të cilin e ka hedhur në tapet përfundimisht në raundin e katërt, ndërsa kishte dominuar edhe në tre raundet e para. Ai ka treguar në këtë mënyrë se shkëputja prej 7 muajsh nga ringu (ndeshja e tij e fundit ishte në janar), nuk i ka dëmtuar formën.

Me këtë fitore, ai jo vetëm ka siguruar një titull ndërkombëtar, por i ka dhënë më shumë mundësi vetes që të ngjitet në klasifikimin e WBO, ku aktualisht mban vendin e sfidantit të pestë për kampionin Natan Kliverli.

Ky i fundit kishte planifikuar të ndeshej me boksierin kosovar, por më pas anuloi dy herë përballjen mes tyre për shkak të problemeve shëndetësore. Pritet që shumë shpejt, Krasniqi t’i bëjë një tjetër sfidë kampionit, duke synuar titullin WBO, arsye pse po zhvillon vetëm ndeshje të vlefshme për renditjen në këtë Federatë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 16:35

Një virus gripal është bërë shkak që të shtyhet ndeshja për titullin WBO të boksierit kosovar Robin Krasniqi, i cili pritej të zbriste në ring në fundin e këtij muaji përballë kampionit Natan Klivërli.

Ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej në Londër më 28 prill, me kampionin uellsian që do tw mbronte titullin botëror përballë të riut të talentuar kosovar që ka ngjitur shumë shkallë në renditjen botërore falë sukseseve të regjistruara në vitin 2011, mes të cilave edhe fitoren e titullit evropian WBO për kategorinë deri ne 79 kilogram.

“Nuk kam qenë në gjendje të stërvitem pasi kam qenë në shtrat me një infeksion viral dhe nuk kam kohë mjaftueshëm për të rikuperuar atë që kam humbur në stërvitje në mënyrë që të sigurohem që jam plotësisht në gjendje të përballoj sfidën. Kam pranuar këshillën e doktorit që më ka thënë se duhet të pushoj plotësisht para se të rifilloj stërvitjen. Më vjen keq pasi shpresoja të luftoja me Krasniqin që të synoja titull të konferencave të tjera”, ishte deklarata e kampionit Klivërli.

Promotori Frenk Uorren ka bërë të ditur se kjo ndeshje nuk është anuluar, thjesht është shtyrë në një datë tjetër kur të dy boksierët të jenë në gjendje të mirë për t’u përballur në ring.

Aktualisht, Robin Krasniqi është sfidanti i katërt në radhë për titullin e konferencës WBO për peshën deri në 79 kilogram. (LajmeShqip.com)