Lajme Shqip Sunday, 27 April 2014 12:46

Sot pritet të bëhet promovimi i ditarëve (1966-2014) të Akademikut Rexhep Qosja, ku rrëfehet për ngjarjet më të rëndësishme dhe pengjet që i kanë mbetur profesorit,- pendesa e thellë për marrëdhënien me gruan dhe fëmijët, por edhe mosguximi për të mbrojtur studentët që arrestoheshin zënë vend në ditarët e profesor Rexhep Qosjes. Akademiku rrëfen në “GSH” përmbajtjen e ditarëve (1966-2014), jep një gjykim për politikën shqiptare sot, për letërsinë shqipe, suksesi i së cilës u shënua para 1990-ës, për emrat e saj, për mungesat e saj dhe nuk lë jashtë vëmendjes Festivalin e Librit dhe Artit, mangësitë e posterit dhe vlerësimin për çmimin “Ardian Klosi”. 

Keni nisur botimin e ditarëve nga viti 1966 deri më 2014. Pse i mbajtët ata ditarë dhe pse fillojnë më 1966? 

Ditarët kapin kohën prej 1966 deri në 2014. Do doja të bëheshin 50 vite, sepse aktualisht janë 48, por kjo, nëse unë jetoj më gjatë. Ditarët mbahen për të thënë ato gjëra të cilat njeriu nuk mund t’i thotë lirisht, në mënyrë publike zakonisht. Pra, thuhen ato të cilat nuk mund të thuhen lirisht në kohën kur ndodhin ngjarjet, dukuritë, fenomenet për të cilat shkruan. Stefan Cavjg thotë se ditari është bisedë me Zotin, e njerëzit mund ta kuptojnë këtë fjalë në mënyra të ndryshme, unë e kam kuptuar kështu si e thashë: në ditar thuhen ato që nuk thuhen publikisht.

Ditari fillon në vitin 1966, për arsye se në atë vit, ka ndodhur një ngjarje shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në të cilën janë qëruar hesapet me UDB-në dhe me ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, nënkryetar i Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviç. Qërimi i hesapeve me UDB, që ka bërë tmerre në Kosovë, sadokudo i ka zgjeruar mundësitë tona për t’u shprehur, dukshëm më lirisht se përpara dhe për të bërë disa punë, që përpara nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë, në përgjithësi në Kosovë. Në Ditar, duke filluar prej asaj ngjarjeje, jam marrë me dukuri të ndryshme, me figura të ndryshme politike, intelektuale që kanë vepruar në atë kohë, që kanë vepruar mirë, por më shumë jam marrë me veprimet që më janë dukur që nuk janë në pajtim me kohën dhe me ardhmërinë e Kosovës dhe popullit shqiptar. 

A u jeni treguar besnik të atyre që keni shkruar në atë kohë në ditar, edhe pse përgjatë viteve mund të ketë ndodhur që të keni ndryshuar mendim, për çështje e persona të ndryshëm? 

Aty janë portretet e një vargu vetjesh, personazhesh, personalitetesh politikë, shtetarë, intelektualë e krijues të ndryshëm, gazetarë e publicistë. Unë i kam paraqitur ngjarjet ashtu si kanë ndodhur në një moment të caktuar, por edhe individët, ashtu si kanë vepruar në një çast, në një situatë, në një ditë, e nëse në një ditë tjetër, në lidhje me ngjarje të ndryshme, ata kanë vepruar ndryshe, unë i kam paraqitur ndryshe. Nëse në një situatë ata kanë vepruar mirë, në pajtim me interesat e përgjithshme, e jo sipas interesave të tyre a grupeve të tyre, i kam paraqitur me përkushtim e me simpati, por nëse kanë vepruar në kundërshtim me interesat e përgjithshme, unë i kam paraqitur ashtu si kanë vepruar. I njëjti person, e njëjta figurë politike, shtetare, tek unë, mund të paraqitet në një situatë dukshëm pozitive e në një situatë tjetër, në lidhje me ngjarje të tjera, mund të paraqitet dukshëm negative. 

Domethënë, nuk ka nota subjektivizmi? 

Unë jam përpjekur të jem objektiv deri në fund, çka nuk është e lehtë, në ditarë e në kujtime sepse kanë përmasa subjektive. Keni hedhur në kujtime edhe ditarët mbi Kongresin e Drejtshkrimit. Si e shihni atë kongres sot? 

Unë në atë kongres kam qenë anëtar i këshillit organizues si drejtor i Institutit Albanologjik. Më kanë propozuar e zgjedhur me Idriz Ajetin, anëtar të këshillit organizues dhe kam marrë pjesë në të gjithë takimet e kongresit, madje kam qenë edhe në kryesinë e tij. E kam përshkruar në vija të përgjithshme se si është zhvilluar ai dhe kam përshkruar një numër intelektualësh, shkrimtarësh, gjuhëtarësh, shkencëtarë e historianë dhe individë të tjerë me të cilët jam takuar. Disa i njihja më para e disa i kam njohur aty. I kam paraqitur në ditar ashtu si i kam parë, çmuar e përjetuar krijimtarinë e tyre, duke u përpjekur të jem objektiv në paraqitjen e tyre dhe në paraqitjen e tyre në kongres dhe kontributin që kanë dhënë ata në të, për gjuhën, për standardin. E kam parë si një ngjarje të madhe, si një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në historinë e popullit shqiptar, sepse një popull-një gjuhë standarde, ose një popull-një gjuhë, ky ka qenë parimi ynë. Me këtë ide ne kemi mbajtur në Kosovë atë që njihet si Konsulta Gjuhësore. 

Ju trajtoni në këto ditarë edhe raportet shkrimtar-shtet, në Kosovë dhe në Shqipëri. Cilat janë në fakt këto raporte? 

Nuk ka shumë dallim mes raportit shkrimtar-shtet në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtu ka mbizotëruar doktrina e realizmit socialist, që ka vënë kufizime, dhe kufizime të forta krijuesve, në mënyrë të veçantë shkrimtarëve, historianëve, krijuesve të shkencave shoqërore. Në Kosovë nuk ka qenë doktrinë e detyrueshme realizmi socialist. Jugosllavia është shkëputur me realizmin socialist në vitin 1948, por megjithëse realizmi socialist nuk ka qenë doktrinë e obliguar, doktrinë politike shtetërore, megjithatë, edhe në Kosovë shkrimtarëve u janë vënë kufizime. Nuk kemi mundur të shkruajmë si duam e çfarë duam në mënyrë të veçantë për traditën tonë, për letërsinë, për krijimtarinë, për studimet albanologjike, etj. Nuk kemi mundur të shkruanim si të donim, ka pasur disa kufizime që u janë vënë ideve, qëndrimeve, atdhetarizmit dhe pikëpamjeve tona, e në mënyrë të veçantë qëndrimit tonë ndaj Shqipërisë. Jugosllavia në vazhdimësi është sjellë me censura politike, ideologjike ndaj Shqipërisë, duke na kufizuar edhe ne krijuesve./gazetashqiptare/

 
Lajme Shqip Friday, 11 April 2014 12:48

Akademiku Rexhep Qosja i është bashkuar zërave kundër themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë që do të merret me gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së. Kjo është e para herë në historinë politike të Europës, që po bëhen përpjekje për themelimin e një gjykate të tillë.

 Në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re”, Qosja ka thënë, “unë jam me zemër e me mendje kundër themelimit të kësaj Gjykate të quajtur Speciale”, duke shtuar se gjykatat e tilla “dinë të shpikin rezultate, për çka institucionet e Kosovës është dashur të jenë më këmbëngulëse”.

Qosja ka folur edhe për FARK-un, për të cilin ka thënë se është krijuar me qëllim që UÇK-së të mos i njihet statusi si forcë çlirimtare e Kosovës.

Ndërsa, dje në një intervistë për mediat e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se deputetët e Kuvendit duhet të japin votën e tyre pro Themelimit të Gjykatës Speciale. Sipas Thaçit kjo do ta pastronte Kosovën nga pretendimet spekulative të Dick Marty-it. 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 29 March 2014 16:36

Akademiku Rexhep Qosja ka refuzuar të përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që ka ndërmend ta hartojë ASHAK-u. Në një letër drejtuar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Qosja shpjegon dhe arsyet se përse nuk pranon të bëhet pjesë e hartimit të fjalorit enciklopedik.

 

Ai shpjegon se fjalori në fakt përcjell vetëm frymën e ideologjisë së LDK-së. Qosja jep disa nga arsyet përse e kanë shtyrë të marrë këtë vendim.

 

Qosja tregon se në këtë fjalor në të vërtetë cënohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi.

 

Më tej, në letrën e tij, Rexhep Qosja thotë se Fjalori në të vërtetë përmban idenë serbe, për ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe të kombit të shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari.

 

Po ashtu, ai shpjegon se në staf ka nepotizëm në përzgjedhjen e përpiluesve të Fjalorit.

 

Në fund, Qosja shprehet se refuzon të bëhet pjesë e stafit të përpilimit të një fjalori të tillë. /albeu/

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 February 2014 15:06

Akademik Rexhep Qosja në pjesën e dytë të intervistës për “Epokën e re” ka thënë se shkaku për përçarjen në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit dhe i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

“Më vjen shumë keq pse ka ndodhur kjo ndarje, madje, përçarje në PDK. Shkaku për këtë përçarje është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i cili po e drejton partinë pa demokracinë sot të pashmangshme në partitë moderne dhe duke kultivuar kultin e individit dhe e dyta, i Fatmirit dhe i Jakupit, që mendojnë, si Hashimi, se gjithmonë duhet të jenë të parët a të dytët në pushtet thuajse nuk ka të tjerë të aftë e të merituar për ato pozita”, i ka deklaruar ‘Epokës së re’ Qosja.

Pas kësaj ndarje, sipas Qosjes, humbja do të reflektohet në të dy anët. “Besoj se pas kësaj ndarjeje PDK-ja do të pësojë jo pak, kurse partia e Jakupit dhe Fatmirit do të fitojë edhe më pak!”, ka thën akademik Qosja.

Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për kandidimin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për kryeministër. Ai ka thënë se propozimin e Kryesisë së LDK-së, që Mustafa të jetë kandidat për kryeministër, e sheh si fyerje dhe nënçmim të rëndë të mendjes dhe të ndjenjave të shqiptarëve të Kosovës.

Akademik Rexhep Qosja e ka vlerësuar qeverisjen në Shqipëri të drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, qeveria e sotme e Shqipërisë, në krye me Edi Ramën, e ka filluar një proces, në të vërtetë një reformë, me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. “E ka filluar procesin e nxjerrjes së Shqipërisë prej një gjendjeje anarkike, në thelbin e saj primitive, e për ta sjellë në një gjendje normale, emancipuese dhe të emancipuar.

Ky është proces që, po s’u ndal prej ndonjë dhune fatale, do ta sjellë demokracinë e vërtetë dhe evropianizmin e vërtetë të shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare – me politikën, me arsimin, me kulturën, me shëndetësinë, me ekonominë, me marrëdhëniet njerëzore të saj.

Qeveria e sotme e Shqipërisë në krye me Edi Ramën e ka filluar edhe një proces me rëndësi të përtashme dhe historike për Shqipërinë dhe për Kosovën: e ka filluar procesin e integrimeve shqiptare, të integrimeve në radhë të parë arsimore, shkencore, kulturore, ekonomike, bujqësore, tregtare, teknologjike e të tjera”, ka thënë Qosja.

Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për situatën e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ai e vlerëson të nevojshëm formimin e një këshilli a komisioni, i cili do të merret me çështjen e diplomave të shkollave të mesme të disa pedagogëve universitarë, me dokumentet e magjistraturave e të doktoratave dhe me mënyrat e zgjedhjes e të përparimit në grada shkencore e pedagogjike të pedagogëve të Universitetit, mandej edhe të universiteteve private dhe, pse jo, edhe të instituteve shkencore, por edhe me mësimdhënien dhe punët e tjera të pedagogëve në Universitet.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 February 2014 15:00

Akademiku Rexhep Qosja ka thënë se ka ardhur koha të ndërrohet skena politike në Kosovë, pasiqë sipas tij, kjo e tashmja është bërë “bajat”.

“Mendoj se ka ardhur koha për ndryshime pasiqë sic thotë populli këta politikanë më janë bërë bajat”, ka thënë Qosja gjatë emisionit “Shqip” mbrëmë në Top Channel.

Në këtë emision ai ka hedhur kritika të ashpra ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërkaq ka thënë se “nuk mund të thotë se kohën e fundit nuk është i zhgënjyer edhe nga kryeministri Hashim Thaci”.

Ndërkaq kryeministrin Edi Rama e ka lavdëruar sërish duke thënë se ai parasegjithash është një intelektual.

“Edi Rama është një intelektual. Mendoj se ai do të bëjë ndryshime të mëdha në Shqipëri”, ka thënë vec tjerash Qosja. /Lajmeshqip/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 05 January 2014 13:25

Politika aktuale e Shqipërisë dhe e Kosovës, por edhe e kaluara komuniste, emrat e përveçëm të tyre, gabimet në qeverisje, roli i intelektualit, si edhe një replikë ndaj Rexhep Qosjes, janë pikat që trajtohen në një intervistë të publicistit Fatos Lubonja. Publikuar në “Express”, “GSH” boton sot, pjesët kryesore të saj, ku sulmohen fort politika e kultura e vjetër dhe intelektualët e historianët ‘patriotë’. Teksa mohon të jetë mbështetur tek miqtë e Serbisë, sa u takon akuzave që i janë bërë Haradinajt, Lubonja rithekson qëndrimin e tij në këtë pikë.

Shkrimtari Rexhep Qosja në një intervistë tha se Fatos Lubonja mbështetet shumë tek studiues dhe publicistë të huaj që janë miq të Serbisë, kur flet për politikanët ose, siç tha ai, kur “bën demitizimin” e historisë dhe politikës, duke përmendur shkrimin tuaj në “Sudosteuropa Mittelungen”, për Ramush Haradinajn. Cila është përgjigja juaj? 

E ndaj prononcimin e Qosjes në dy pjesë. NË TË PARËN ai mbron të drejtën time të fjalës, duke kritikuar sulmet banale që u hodhën ndaj meje në Kosovë pas shkrimit mbi Haradinajn si dhe mbron rolin e intelektualit që dekonstrukton mitet, duke i përpjekur të luftojë kësisoj kundër “pushtimit shpirtëror” dhe “manipulimit të njerëzve”. E për këtë do e falënderoja krejt sinqerisht, nëse nuk do të shihja se në pjesën e dytë në një farë mënyre ai e zhvleftëson këtë punë pasi, sipas tij, dekonstruktimin e paskam bërë duke u bazuar në studiues që janë miq të Serbisë. 

Së pari, vë në dukje se dekonstruktimin e miteve nacional– komuniste, mbi të cilat u ndërtua ideologjia e pushtetit të Hoxhës, unë e kam ndërmarrë – me një frymë kritike antiautoritare në emër të emancipimit, lirisë dhe të së vërtetës, – pas një pune të gjatë, më së pari me vetveten. Frymën kritike ndaj këtyre miteve e kam zhvilluar hap pas hapi si rezultat i refleksionit mbi realitetin shqiptar, duke përdorur sigurisht dhe filtrin e leximit të mjaft autorëve, që në kohën e Hoxhës kanë qenë të ndaluar, pikërisht se të vërtetat e tyre nuk përputheshin me të vërtetat e ideologjisë në fjalë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për autorët e historisë shqiptare, por për filozofë, psikoanalistë, historianë, shkrimtarë etj…. 

Kur bëhet fjalë për studimin e historisë nuk mund të mos përmend emrat e veprat e Hobsbawm, Anderson, Gellner, Bauman etj. (edhe këta miq të të gjithë botës) tek të cilët janë bazuar edhe studiuesit që janë marrë më konkretisht me Shqipërinë si Nathalie Clayer apo Oliver Schmitt psh. Kur bëhen fjalë për historinë dhe identitetet kombëtare, që janë edhe tema jonë e nxehtë e debatit, këta nuk e shohin historinë si një kontinuitet teleologjik që zgjat në shekuj drejt një synimi të caktuar – siç na e kanë mësuar ne – por si një varg rastësish dhe diskontinuitetesh, që ndërtohen sipas rrethanave. Po ashtu, identitetin nuk e shohin në njëjës, por në shumës dhe jo sipas një qasjeje esencialiste; çka do të thotë se – për t’iu referuar psh. identitetit shqiptar – ata nuk e shohin shqiptarinë si një bërthamë e ngurtë e pandryshueshme qysh në krye të herës, por si konstruksion i lëvizjes nacionaliste (shqiptarizmës)të shekullit XIX, madje në një proces dyshimi sipas rrethanave gjeopolitike… 

Mua duke lexuar prononcimin e Qosjes më erdhi menjëherë ndërmend parathënie e librit “Historia e Shqiptarëve” e shkruar nga Oliver Schmitt, i cili, kur flet për studiuesit dhe historianët shqiptarë shkruan se këta i ndajnë studiuesit e huaj në pro dhe antishqiptarë. 

SË DYTI besoj se jetojmë në një kohë kur një studiues serioz mund të jetë mik i serbëve, por edhe i shqiptarëve njëherësh, e madje unë jam ndër ata që mendojnë se edhe shqiptarët e serbët duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre duke filluar që nga pastrimi i leximit të historisë së tyre të përbashkët nga fryma nacionaliste. Nuk besoj se sot ka studiues seriozë perëndimorë që i dedikuakan vite të jetës së tyre shkencës së historisë që e bëkan këtë për t’i shërbyer një shteti kundër një tjetri. Më vjen keq të them, por Qosja ushqen kulturën e vjetër të bazuar mbi teoritë e konspiracionit. Dhe ajo që është e hidhur në këtë pohim të Qosjes është fakti se studiues e historianë të tillë, që i kanë kushtuar vite të tëra jete historisë së Shqipërisë si Oliver Schmitt apo Nathalie Clayer, për të shkruar libra aq të vyer siç janë “Në fillimet e nacionalizmit Shqiptar”, “Arbëria Venedikase” apo “Skënderbeu” në vend se sot të jenë të nderuar e librat e tyre të bëhen pjesë e studimeve në universitetet tona janë bërë pre e sulmeve të bazuara në teori konspiracioni me rezultat mbajtjen e shqiptarëve, veçanërisht të rinjtë, pikërisht nën atë që vetë Qosja e quan “pushtim shpirtëror” e “manipulim”. 

Përsa i përket rastit Haradinaj përsëri mund të them se Carla del Ponte, psh., të cilës i jam referuar, nuk njihet kurrsesi si proserbe, përkundrazi serbët e kanë akuzuar si antiserbe duke e etiketuar edhe me fjalën “kurvë” për aktivitetin e saj në Hagë.

 

Z. Qosja heziton të flasë për probleme madhore të Kosovës siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, për shkak të afërsisë me pushtetin aktual. Por kur është fjala për zhvillimet në Shqipëri tashmë dihet diskursi i tij prej militanti të Partisë Socialiste? Si e komentoni këtë? 

Duke u nisur edhe nga përvoja në Shqipëri mund të them se kemi të bëjmë me një fenomen të njohur që e kemi kaluar të gjithë në këto demokracitë e reja që po ndërtojmë. E kam fjalën për rreshtimin e intelektualëve, gazetarëve, shoqërisë civile në një llogore apo në një tjetër të pushtetit politik – ndoshta pse thellë-thellë aspirojnë edhe ata pushtetin dhe jo të vërtetën. Personalisht sa zhgënjimet e vazhdueshme me politikanët aq edhe ruajtja e vizionit tim për botën më kanë bërë të distancohem nga kjo praktikë. Mund të mbështetësh një forcë politika apo një tjetër për aq sa morali dhe vizioni yt i botës shkojnë bashkë me të, përndryshe duhet dalë nga ajo llogore. Kush mbetet nuk bën më rolin e intelektualit të angazhuar, por të militantit dhe fanatikut ose, edhe më keq, të atij që ka bërë kompromise mbi moralin dhe vizionin e tij për ndonjë interesa banal. Në kushte kur ndodhemi ne, si këtej edhe andej kufirit, me klasën e korruptuar politike që kemi sa në një krah edhe në tjetrin mendoj se ajo që kemi më së shumti nevojë është forcimi i rolit të arbitrit midis pushtetarëve politikë në formën e forcimit të drejtësisë, medieve dhe shoqërisë civile.

 

Në prononcimet e tij, Qosja ka shfaqur shpesh konsiderata për regjimin e diktatorit Enver Hoxha… Ai ka thënë se regjimi Hoxhës “i ka dhënë popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme”. Si e komentoni këtë? 

 

Unë bëj pjesë ndër ata që degradimin dhe të keqen që po ndodh sot në Shqipëri, që ka shkaktuar edhe mungesën e dinjitetit ndërkombëtar të Shqipërisë, e shoh kryesisht si pasojë të së djeshmes, si anën tjetër të medaljes së atij regjimi. Madje metaforikisht këtë që po ndodh sot e kam quajtur kalbëzim i kufomës së madhe të komunizmit… 

Ja psh. një nga pasojat më të rënda të komunizmit tek ne sipas meje ishte zhveshja e njerëzve nga personaliteti dhe nga përgjegjshmëria individuale ndaj komunitetit sepse ishte shteti që merrte përsipër edhe t’i formonte njerëzit sipas modelit të tij edhe të merrte të gjitha përgjegjësitë për komunitetin. 

Ana tjetër e medaljes së këtij njeriu të papërgjegjshëm ndaj të tjerëve është pikërisht kapitalizmi që po ndërtojmë.

 
Lajme Shqip Thursday, 26 December 2013 15:07

Bash kur kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Edi Rama, festonte fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, bashkëshortja, znj.Linda, u nis drejt Prishtinës. Atë fund qershori, do t’i bënte një vizitë në shtëpinë e tij në Prishtinë, akademikut Rexhep Qosja. Një prej mbështetësve më të fortë të të porsazgjedhurit për të qeverisur Shqipërinë, në datën 25 të atij muaji festonte ditëlindjen. Në pjesën e fundit të intervistës për “Gazeta Shqiptare”, profesor Qosja rrëfen dromca të takimit dhe ndan me ne mendimin për Linda Ramën. 

Ndërkaq, përkundër përshtypjes që mund të krijohet, ngase ka një dashamirësi e respekt të ndërsjellë (shprehur publikisht) mes kryeministrit Edi Rama e Rexhep Qosjes, akademiku thotë se ata janë takuar vetëm dy herë: së pari, kur Rama qe ende kryebashkiak e së dyti për 100-vjetorin e Pavarësisë. Profesori, nuk pranon të jetë “këshilltar” në hije i Ramës, veçse lë të kuptohet se është bota e librave dhe e artit që i përpjek kohë mbas kohe me njëri-tjetrin. 
Zgjedhjet e fundme në Kosovë, fituesit e humbësit dhe arsyet që çuan në këto përfundime, vijnë fort mirë përmes një analize. 

Rikthehemi tek zgjedhjet në Kosovë, të cilat, duket se treguan që nuk ka më bastione partish. Qëndron ky konstatim? 

Është e vërtetë se disa nga ato që ju i quani bastione partish kaluan në duart e disa partive të tjera. Megjithatë nuk mendoj siç po mendojnë e po shkruajnë disa gazetarë, publicistë e veprimtarë politikë: nuk mendoj se këto zgjedhje ishin revolucionare! Them kështu për arsye se në numrin më të madh të qyteteve dallimi në numër të votave mes fituesve dhe humbësve ishte kryesisht i vogël. Kjo tregon se elektorati ynë me një pjesë të madhe të tij nuk sheh ende krejt ç’duhet të shihet në jetën politike kosovare. 

Cilat parti, sipas mendimit tuaj, dolën më keq në këto zgjedhje? 

Është një bindje më e përgjithshme se në këto zgjedhje më së keqi kaluan dy partitë e krijuara prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe këto janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ju mund të shtroni pyetjen pse ndodhi kjo? Janë disa arsye, por kryesoret mund të jenë: e para është zyrtarizmi i tyre jodemokratik dhe veçimi prej popullit dhe, e dyta është pasurimi i shpejtë, shumë i shpejtë i disa zyrtarëve të vegjël e të mëdhenj të këtyre dy partive. Mendja e shëndoshë nuk mund të pajtohet që një, ta themi, i varfër i djeshëm për dhjetë vjet të bëhet milioner i sotëm me pasuri që përmban pallat, firma, dyqane, aksione në firma, pompa benzine, vetura luksoze të djemve e bijave, kursime jashtë Kosovës e të tjera. Të pasuruarit ndoshta nuk mund të marrin me mend se te shumë qytetarë, në mënyrë të veçantë te ata të shtresës së mesme, është krijuar disponim negativ për ta. 

Zgjedhjet, për shumëkënd në Kosovë e në Shqipëri ishin befasuese… 

Ishin befasuese. Dhe, ishin befasuese në radhë të parë sepse nuk fitoi kandidati politikisht dhe kombëtarisht më i merituar për të fituar: Agim Çeku. Dhe, ky drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefi i Shtabit të saj të Përgjithshëm, shumë i autoritetshëm, me prestigj të paluhatshëm, me merita historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që kishte program shumë të mirë, që u paraqit jashtëzakonisht bindshëm në fushatë, humbi sepse partisë së tij, Partisë Demokratike të Kosovës, ka ardhur duke iu zvogëluar elektorati edhe ashtu i paktë në kryeqytetin e Kosovës. 

Dhe, fitoi Vetëvendosja? 

Nuk fitoi Vetëvendosja, së cilës po ashtu iu zvogëlua numri i votave në shumicën e qyteteve, por fitoi anëtari i saj, Shpend Ahmeti. Nuk e njoh këtë djalë, nuk e kam takuar ndonjëherë, por me sjelljen e tij, me mendimet e tij, me modestinë e tij, në përgjithësi me moralin e tij politik social ai lë përshtypje jashtëzakonisht të mira. Në qoftë se do të sillet, do të veprojë dhe do të mendojë siç po paraqitet e po mendon tani unë do të doja që Kosova të ketë më shumë Shpend Ahmeta dhe më shumë Mimoza Kusara-Lila. Të ketë më shumë Shpenda e Mimoza që edhe në zgjedhjet e herave të tjera ta lirojnë Kosovën prej atyre të cilët na kanë bindur se në vend se për Kosovën mendojnë për pushtetin e vet dhe leverditë e veta. 
Profesor, dimë që pas fitores së Partisë Socialiste të Shqipërisë më 23 qershor, ju patët një vizitë në shtëpi nga zonja Linda Rama dhe morët një buqetë lule edhe me rastin e ditëlindjes suaj, që ishte më 25 qershor. 
Shpesh, ndoshta më shpesh se ç’ju shkon mendja juve, unë kam vizita në shtëpi dhe marr buqeta lulesh jo vetëm për ditëlindje, prej dashamirëve e lexuesve të mi nga Kosova, nga Shqipëria, madje edhe nga shqiptarë të diasporës. Këta mysafirë, herët më të shpeshta, vijnë të më urojnë dhe të më falënderojnë për librin tim që kanë lexuar si dhe për shkrimet që botoj në gazeta për çështje, dukuri, probleme politike në Shqipëri e në Kosovë, për politikanë që kritikoj dhe për qytetarë që mbroj prej sulmeve të tyre politike. Një prej këtyre mysafirëve të mi të çmuar ishte edhe zonja Linda Rama. Ajo erdhi të më falënderonte për shkrimin me të cilin e mbrojta prej akuzave të gënjeshtërta të kryeministrit të Shqipërisë dhe të trabantëve të tij politikë dhe publicistikë. Ajo erdhi të më falënderonte për mbrojtjen prej fanatikëve partiakë politikë të cilët, duke trilluar gënjeshtra për Linda Ramën dhe për familjen e saj fisnike, mendonin se do ta përtrollisnin politikisht kryetarin e Partisë Socialiste, bashkëshortin e saj, Edi Ramën. Zonja Linda Rama, grua me edukatë shembullore familjare, me kulturë të gjerë, me natyrë e me sjellje të fisme, bëri çka bëhet gjithnjë në Evropë: shpërbleu mirësinë me falënderim, me mirësi. Dhe, erdhi të falënderojë intelektualin për mbrojtjen e së vërtetës dhe të dinjitetit të një qytetareje të akuzuar padrejtësisht. 

A mund të na thoni, këshillohet zoti Edi Rama me ju? 

Me kryeministrin e sotëm të Shqipërisë jam takuar gjithsej dy herë: herën e parë me rastin e zbulimit të bustit të Naim Frashërit para disa vitesh në Tiranë dhe, herën e dytë, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Po mund të them se me Edi Ramën jam takuar dhe takohen më shpesh në librat dhe në shkrimet e mia publicistike dhe në librat, në artikujt e në veprat e tij artistike. Si unë ashtu, besoj, edhe Edi Rama mendojmë se këshillat e marra prej librave dhe shkrimeve të tjera janë më të thella, më të qëndrueshme e më afatgjata sesa këshillat gojore. 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 December 2013 15:18

Akademik Rexhep Qosja reagon në akuzat e Fatos Lubonjës për Ramush Haradinajn e udhëheqësit e UÇK-së në tërësi. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, Qosja e konsideron Lubonjën si intelektual modern që si pakkush tjetër bën demitizimin e historisë dhe politikës.

“E perceptoj Lubonjën si intelektual modern që si pakkush tjetër bën demitizimin e historisë dhe politikës. Por, në prirjen demitizuese të tij shoh një gabim: mbështetjen, kur më të paktë e kur më të madhe, në gjykimet e të huajve, para së gjithash të disa studiuesve e publicistëve evropianë-francezë, gjermanë, grekë, italianë a të tjerë, që në të vërtetë janë miq të hapët a të fshehtë të Serbisë”, – thotë akademiku Rexhep Qosja.

Ndërsa jep ato që në gjykimin e tij janë të mirat a gabimet e publicistit Lubonja, profesori, kujton se Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e kjo nuk duhej harruar assesi prej publicistit, ashtu sikundër i kujton se Haradinaj me luftën e bërë çliroi vendin e mbrojti familjet shqiptare. Ndër-kaq, vetë akademiku nuk lë jashtë vëmendjes, ndoca kritika për presidenten Jahjaga, që ndërrohet e vishet me shtrenjtë se Angela Merkel e Hillari Klinton. Zgjedhjet në Kosovë janë një tjetër pikë ku ndalet gjatë profesor Qosja.

 
Lajme Shqip Monday, 23 December 2013 15:15

Profesor Rexhep Qosja ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete jo të dy popujve po të një populli–të popullit shqiptar, që një ditë pashmangshëm do të bëhet një shtet.

Qosja duke u ndalur te marrëdhëniet e sotme Shqipëri-Kosovë, thotë se ato vazhdojnë të jenë marrëdhënie kryesisht të thjeshta, të varfra, pa bashkëmarrëveshje thelbësore, pa marrëdhënie në disa fusha, pa të cilat marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të bëhen të rëndësishme.

“Po marrëdhëniet e sotme Shqipëri-Kosovë vazhdojnë të jenë marrëdhënie kryesisht të thjeshta, të varfra, pa bashkëmarrëveshje (komunikim) thelbësore, pa marrëdhënie në disa fusha, pa të cilat marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të bëhen të rëndësishme, prandaj as thelbësore, të pasura sa do të duhej të ishin. Janë edhe më tej të varfra, dëshpërueshëm të varfra marrëdhëniet në fushat e ekonomisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës, të shkencës. Në fushën e shkencës këto marrëdhënie janë aq të pakta sa mund të quhen të sabotuara. Pse janë të tilla këto marrëdhënie? Sepse përcaktohen prej atij lloj atdhetarizmi që Faik Konica e quante atdhetarizëm i mëhallës. E kur atdhetarizmi lokal bëhet histori e provincializuar dhe politikë fshatare, e thotë një mendimtar anglez, atëherë rezultat i saj është komedia më e thjeshtë. Po si duhet të jenë, si duhet të pasurohen marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë sot duhet të diskutohet në mënyrë të organizuar, në ndonjë organizim shkencor, në të cilin do të jenë njerëz të politikës, të shkencës, të kulturës, të ekonomisë”, ka thënë Qosja.

Ai i sheh të pavend akuzat që ju bënë kryeministrit Rama për shfaqjen e fotografisë së Enver Hoxhës në varrezat e dëshmorëve.

Sipas tij, ish-kryeministri tregon se shumë nga zyrtarët e sotëm shqiptarë nuk janë liruar prej mentalitetit komunist.

E ndërsa e gjykon poshtërues për shqiptarët krahasimin që i bëri Sali Berisha ish-diktatorit me Hitlerin, ai kritikon madje edhe deputeten e Partisë Demokratike Mesila Doda. Kjo e fundit, i sugjeroi publikisht Ramës të kërkojë falje për shfaqjen e portretit të udhëheqësit komunist në Festën e Çlirimit.

Në pjesën e dytë të intervistës për “Gazeta Shqiptare”, akademiku nuk lë jashtë vëmendjes as takimin e kryeministrit Rama me lobuesit amerikanë Patton Boggs apo marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Greqinë e Turqinë.

Nga ana tjetër, sa i takon marrëdhënieve me Beogradin, ai e këshillon Ramën që të mbështetet në mendimet e një numri më të madh njerëzish, të një grupi a këshilli, i përbërë prej historianësh, studiuesish të disa fushave shkencore, politikanësh, publicistësh me dije historike e me përvojë politike. /BW/