Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 14:52

Prishtinë – Me një minutë heshtje, Komuna e Prishtinës përkujtoi Remzi Salihu, ish drejtor i drejtorisë së arsimit, i cili është vrarë vjet në vendin e tij të punës. Bashkëpunëtorët e vlerësuan lartë kontributin e tij për fushën e arsimit. Kryetari Isa Mustafa, veçoi Salihun si njeriun më punëtor në komunë.

“Kemi komunikuar çdo ditë që arsimin në vendin tonë ta çojmë përpara, të zhvillojmë arsimin edhe në fshatra, të ndërtojmë shkolla, por asesi nuk kam pritur që një problem në arsim dhe që kjo do t’i ngjajë Remzi Salhiut, sepse ai ka qenë një prej figurave më të sjellshme në Komunën e Prishtinës”.

Zyrtarët komunalë paradite vizituan edhe familjen e të ndjerit, dhe vënë kurora me lule edhe në varrin e tij në varrezat e fshatit Prapashticë. Remzi Salihu është vrarë një vit më parë, në vendin e tij të punës nga Gani Sahiti, nga fshati Graxhenik i Kamenicës, ish-arsimtar i biologjisë. Ky i fundit po mbahet në paraburgim, derisa ende nuk ka nisur proces gjyqësor ndaj tij.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 October 2011 12:03

Prishtinë (PLOTËSUAR, E martë, 4 tetor, 12:03) – Komuna e Prishtinës, të martën, po mban zi me rastin e vrasjes së drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Sot është edhe dita e varrimit të tij.

Në mbledhjen komemorative, Kuvendi Komunal nderoi figurën e Salihut dhe çmoi lartë kontributin e tij në fushën e arsimit.

Sot nuk punohet në Komunën e Prishtinës e as në institucionet shkollore.

Kryetari Isa Mustafa, nga Uashingtoni, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, e ka quajtur vrasjen akt makabër, Ndërsa ka ftuar mësimdhënësit dhe nxënësit që prej nesër t’i kthehen mësimit normalisht. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 11:47) – Policia e Kosovës sapo e ka konfirmuar vrasjen dhe tha se po zhvillohen hetimet për zbardhjen e saj.

Sipas burimeve të portalit, vrasësi i drejtorit të Arsimit, Remzi Salihut, është Gani Sahiti, arsimtar në shkollën Dabishecit, në Prishtinë, njëherit kandidat për drejtor shkolle.

Besohet se ai e ka kryer vrasjen në shenjë hakmarrje, për shkak se i është pamundësuar të jetë drejtor i shkollës.

Pas kryerjes së krimit, ai është vetëdorëzuar në polici.

******************************

Prishtinë – Është vrarë në zyrën e tij, të hënën, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.

Burime të portalit kanë bërë të ditur se ai është qëlluar për vdekje në zyrën e tij, sot në mëngjes.

Bëhet e ditur se ai është goditur me gjashtë plumba, në vendin e tij të punës. (LajmeShqip.com)