Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 13:46

Kualifikimi për herë të shtatë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, duke barazuar rekordin e Aleks Ferguson, nuk ka qenë i lehtë për Zhoze Murinjon, i cili ka parë se si pasioni i tifozerisë mund të jetë një armë më shumë për çdo skuadër. Trajneri portugez ka pranuar se ka mbetur i mahnitur nga mbështetja e tifozerisë turke në ndeshjen që Reali i tij ka luajtur në Stamboll përballë Gallatasarajit vendas.

“Nuk mendova nëse rrezikonim kualifikimin pasi nuk kisha kohë as të nervozohesha. Unë nuk kam kohë të ndjej nervozizëm kur gjendem në pankinë gjatë një ndeshje. E dija që Gallatasaraj ishte një skuadër e fortë. Ata nuk luajtën me 11 lojtarë në këtë ndeshje, ata luajtëm me 50 mijë tifozë të pabesueshëm. Kjo ishte një ndeshje e vështirë për ne dhe ata e merituan fitoren në këtë sfidë”.

“Në këtë lloj ndeshje, ne mund të humbnim gjithçka dhe të fitonim asgjë. Tani na pret një gjysmëfinale ndaj një ekipi të madh, nuk e dimë ende ndaj kujt, por ajo do të jetë një sfidë e shkëlqyer. E dimë që do të jetë e vështirë por tani është koha t’i gëzohemi arritjes dhe të mos shfaqemi nervozë”, tha Murinjo, i cili ka lëshuar edhe një batutë rreth të ardhmes së tij.

“Në fund të sezonit, do të flas me atë që më takon të flas, që para se të jetë president është miku im. Do të ulemi dhe do të diskutojmë qetësisht, ashtu siç bëjnë dy miq”, deklaroi portugezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 12:41

Kristiano Ronaldo ka shpëtuar për të disatën herë Real Madrid, duke kualifikuar skuadrën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve falë golave të tij. Por lojtari ka pasur kritika në adresë të skuadrës e cila u shfaq nën nivel dhe rrezikoi seriozisht t’i jepte lamtumirën turneut po të mos ishte për yllin portugez.

“Jam shumë i lumtur për kualifikimin, por duhet ta dimë që në futboll nuk duhet t’i dhurohet asgjë kundërshtarit. Shpresoj që kjo ndeshje të na shërbejë si shembull për të ardhmen”, ishin fjalët e futbollistit pas përfundimit të takimit.

Lojtari u largua nga fusha e lojës duke çaluar për shkak të një goditje të marrë, por insistoi se gjithçka ishte e kalueshme dhe se në këto momente po kalon një formë të shkëlqyer.

“Jam në gjendje të mirë dhe ndjehem i motivuar. Edhe ekipi është shumë mirë, më kanë dhënë pasime të mira dhe unë mundohem vetëm të bëj punën time që është të shënoj sa më shumë gola”, deklaroi portugezi, i cili në këtë sezon ka shënuar në momentet më të vështira për skuadrën e tij duke zgjidhur çdo situatë për madrilenët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 12:39

Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, ka pranuar se besonte për disa momente se skuadra e tij mund të realizonte përmbysjen e madhe dhe të kualifikohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke mundur Real Madrid me 4 gola diferencë.

“Kur rezultati shkoi 3-1 unë fillova të mendoj se mund të kalonim në gjysmëfinale. Deri në ato momente as që më shkonte ndër mend. Pas golit që iu anulua Drogba ishte momenti i vërtetë kur ne filluam të gjithë ta besonim një gjë të tillë”, shpjegoi trajneri turk pas ndeshjes.

“Këta ishin tifozë të pabesueshëm dhe kjo ishte një atmosferë e pabesueshme gjithashtu. Më gëzon fakti se kemi luajtur me kaq shumë pasion dhe u dhamë njerëzve kaq shumë kënaqësi. Më duhet të falënderoj Murinjon dhe Real Madrid, ai erdhi në dhomat e zhveshjeve tona pas ndeshjes për të përgëzuar lojtarët tanë”.

“Këta lojtarë duhet t’i përgëzoj edhe unë, pasi kanë mundur një nga skuadrat më të forta në botë. Që nga fillimi, qëllimi im ishte të ndërtoja një Gallatasaraj që të nderonte tifozët. E shoh që një gjë e tillë ka ndodhur dhe jam i lumtur që kam mbajtur premtimin tim”, ishte deklarata krenare e Terim pas përfundimit të takimit ku tifozët festuan me skuadrën sikur të ishte kualifikuar në gjysmëfinale. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 23:45

Real Madrid është kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve mes drithërimave të një ndeshje mjaft të bukur në Stamboll përballë Gallatasarajit vendas. Spanjollët janë mundur 3-2 nga vendasit, por kanë kaluar në turin tjetër falë fitores 3-0 të ndeshjes së parë dhe një prove të shkëlqyer të Kristiano Ronaldos që më dy golat e tij ka shuar çdo shpresë të ekipit turk. 

Portugezi kaloi në avantazh skuadrën e tij që në minutën e 7-të, duke bërë që Gallatasaraj të kishte nevojë për 5 gola që të bënte mrekullinë. Por turqit në pjesën e parë janë shumë të ndrojtur dhe të pasaktë para porte, ashtu si në fakt edhe vetë futbollistët e Realit që humbin disa herë mundësinë për të dyfishuar shifrat.

Por gjithçka ndryshon në pjesën e dytë, me aktivizimin e Amrabat në vend të Altintop. Gallatasaraj fillimisht gjen barazimin me Ebue, e pastaj shënon dy gola brenda dy minutave me Shnajder e Drogba, ku ky i fundit tregon nuhatjen e tij para porte më një gjuajtje me thembër për të dërguar topin në rrjetë.

I gjithë stadiumi i beson mrekullisë dhe rreth 50 mijë tifozë mbështetin si të çmendur skuadrën vendase në kërkim të golave të tjerë. Por Reali kthehet në mbrojtje dhe arrin të administrojë rezultatin, ndërsa në minutën e 93-të shënon golin e qetësisë me të zakonshmin Kristiano Ronaldo që tërheq skuadrën në gjysmëfinalet e turneut. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 10:04

Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, nuk e sheh si të mbyllur sfidën mes ekipit të tij dhe Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ndonëse kampionët e Turqisë u mundën 3-0 në Madrid në ndeshjen e parë, Terim pret një betejë të ndezur në Stamboll dhe ka premtuar se skuadra e tij do të bëjë gjithçka ka në dorë për të tentuar mrekullinë.

“Gjithçka është e mundur në futboll, por kur luan kundër Real Madrid, gjërat nuk janë aq të thjeshta. Gallatasaraj do të provojë gjithçka. Unë jam i bindur për ambiciet dhe entuziazmin e lojtarëve të mi. Ne kemi përgatitur veten për çdo lloj rezultati”, u shpreh ai para gazetarëve.

“Real Madrid është një prej skuadrave më të mira në botë. Ne deshëm të luanim futboll përballë Real Madrid dhe e bëmë një gjë të tillë. Mendoj se do të zhvillojmë një ndeshje argëtuese përballë tifozëve tanë. Rezultati nuk do të jetë i rëndësishëm. Objektivat tanë nuk ndryshojnë kurrë, pasi nëse Gallatasaraj vendos një objektiv, do të mundohet ta përmbushë atë”, deklaroi trajneri turk.

Skuadrës turke do t’i mungojë në këtë sfidë sulmuesi Burak Jilmaz për shkak pezullimi. Lojtari ka qenë në një formë të shkëlqyer në këtë edicion të Ligës së Kampioneve duke shënuar 8 gola. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 April 2013 19:14

Didier Drogba ka zbuluar në një intervistë të dhënë për UEFA-n se si Gallatasaraj është një klub me shumë ambicie, që i ka vënë objektiv vetes të fitojë Ligën e Kampioneve në një të ardhme të afërt. Kjo është arsyeja që ka shtyrë sulmuesin të pranojë ofertën turke, duke pasur parasysh se mund të tentojë të fitojë përsëri këtë turne, ashtu si një vit më parë me Çelsin.

“Unë kam një marrëdhënie të veçantë me Ligën e Kampioneve, pasi ishte një trofe që mu desh ta prisja shumë për ta prekur. Për 9 sezone radhazi e kam ndjekur këtë trofe dhe kur arrita ta fitoja ishte kulmi i karrierës time. Ndaj është një kënaqësi e madhe të kthehem përsëri në këtë turne dhe të dëgjoj himnin e tij në fillim të çdo ndeshje”, tha 35 vjeçari.

“Te Gallatasaraj jam shumë i lumtur. Kam gjetur një klub që është ambicioz, me një projekt të shkëlqyer. Në një të ardhme ata duan të fitojnë Ligën e Kampioneve dhe kjo është një zgjedhje e shkëlqyer për mua”.

“Klubi ka bërë emër në arenën ndërkombëtare, ka fituar Kupën UEFA dhe tani aspirojnë për diçka edhe më të mirë. Mendoj se kjo është pjesë e fatit në jetën time futbollistike, pasi desha të përjetoja edhe një herë pasionin e futbollit në këto nivel”, deklaroi sulmuesi që ka detyrën e vështirë të udhëheqë skuadrën e tij në përmbysjen 3-0 të humbjes së parë përballë Real Madrid nëse ëndërron të shkojë në gjysmëfinalet e turneut në këtë edicion. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 April 2013 09:28

Gallatasaraj kërkon që Burak Jilmaz të luajë në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madrid, me pretendimin se është ndëshkuar pa të drejtë për simulim nga gjyqtarin norvegjez Moen. Kërkesa e klubit turk ka mbërritur në zyrat e UEFA-s dhe do të merret në shqyrtim gjatë kësaj jave, para ndeshjes së të martës përballë Real Madrid.

Drejtori sportiv i Gallatasarajit, Sedat Dogan, ka kërkuar nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-s që të anulohet kartoni i verdhë i dhënë ndaj sulmuesit turk në minutën e 77-të të ndeshjes së luajtur të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. Argumentimi i klubit turk bazohet mbi pamjet filmike që vërtetojnë se Serxho Ramos shkeli këmbën e djathtë të Jilmaz brenda zonës së rreptësisë së Realit, ndaj rrëzimi i sulmuesit nuk ishte një simulim, shkak për të cilin gjyqtari norvegjez Moen i tregoi kartonin e verdhë.

Ky karton i verdhë ishte i treti për sulmuesin turk në këtë edicion të Ligës së Kampioneve dhe kjo është arsyeja pse ai do të mungojë në ndeshjen e kthimit kundër Real Madrid në Stamboll.

“Burak nuk ka bërë asgjë të gabuar, nuk ka simuluar. Nëse u rrëzua në zonë, është sepse Ramos i ka shkelur këmbën, ndaj mendojmë se ky është një karton i verdhë që nuk duhej dhënë. Presim përgjigje të shpejtë nga UEFA për kërkesën tonë”, shpjegoi Dogan. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 11:40

Rafael Varane është kthyer brenda pak kohësh në një nga shtyllat e Real Madrid, me paraqitjet e jashtëzakonshme që po dhuron në qendër të mbrojtjes edhe në ndeshje shumë të rëndësishme. Elozhet për të kanë ardhur edhe nga kundërshtarët, ku këtë radhë ka qenë Didier Drogba i cili ka folur mjaft mirë për mbrojtësin francez, i cili e ndali shpesh në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të së mërkurës.

“Nuk më besohet që Varane është vetëm 19 vjeç, ai është një nga mbrojtësit më të mirë që kam pasur përballë si kundërshtarë në karrierën time”, janë fjalët e sulmuesit të njohur që ka luajtur kundër të gjithë mbrojtësve më të mirë të 10 viteve të fundit në futbollin evropian.

Paraqitjet e shkëlqyera të Varane kanë bërë që Murinjo të harrojë një prej lojtarëve të preferuar të tij, portugezin Pepe, i cili ka përfunduar në stolin e rezervave dhe vështirë se do të kthehet mes titullarëve deri në fundin e sezonit, nëse trajneri i qëndron idesë se francezi formon një dyshe perfekte në qendër me Serxho Ramos. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 18:14

Ksabi Alonso dhe Serxhio Ramos janë bërë përsëri protagonistë të një tentative për të marrë një karton të verdhë me dashje, në mënyrë që të dalin “të larë” para gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. Dy futbollistët e kanë bërë edhe më parë një gjë të tillë në këtë turne, në vitin 2010 ndaj Ajaksit, me urdhër të Zhoze Murinjos, në një skenë që bëri bujë edhe në aty periudhë. Këtë radhë nuk kishin nevojë për instruksione pasi kanë bërë gjithçka vetë në perfeksion. 

Në minutën e 90-të të ndeshjes, Ksabi Alonso shkakton faull pranë zonës ndaj Ebue. Gjyqtari vërshëllen me të drejtë por Serxho Ramos vjen me shpejtësi dhe shkelmon topin në shenjë nervozizmi, dukë marrë kartonin e verdhë. Më pas, është Ksabi Alonso që i afrohet gjyqtarit dhe dialogun me të pafundësisht, derisa “xhaketa e zezë” nxjerr nga xhepi kartonin e verdhë. Të dy lojtarët duken shumë të qetë më pas, ndonëse rezultojnë të skualifikuar për ndeshjen e kthimit ndaj Gallatasarajit të një jave më vonë. E gjithë kjo lëvizje është bërë që ata të jenë “të pastër” për takimet gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, pasi mendohet që ndeshja e kthimit kundër skuadrës turke do të jetë vetëm një formalitet.

Por UEFA ka bërë të qartë se do të fillojë një hetim rreth kësaj ngjarje, pasi rregullorja për raste të tilla ka ndryshuar dhe parashikon që ndëshkimi për raste të tilla të jetë dy ndeshje, pra duke bërë që dy lojtarët spanjollë të humbin edhe një gjysmëfinale të mundshme. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 10:00

Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, ka kritikuar paraqitjen e gjyqtarit Svein Odvar Moen gjatë çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve ku ekipi turk u mund nga Real Madrid me rezultatin 3-0, duke pretenduar se norvegjezi u frikësua nga emri klubit spanjoll. Sipas Terim, ishin dy penallti që duheshin dhënë në favor të skuadrës së tij, e para kur Khedira preku topin me dorë në zonë në pjesën e parë të ndeshjes, dhe e dyta në pjesën e dytë kur Serxho Ramos kreu faull ndaj Burak Jilmaz. 

“Gjyqtari ishte i trembur nga emri i Real Madrid. Ai nuk është një gjyqtar për nivele të tilla. Nëse nuk e sheh një penallti për prekje të topit me dorë, atëherë ai nuk duhet të jetë këtu. Të gjithë thanë penallti, por vetëm gjyqtari nuk tha asgjë. Real Madridi është favorit për të fituar këtë turne dhe gjërat nuk ecën për ne. Çfarë mund të bënim më shumë?”, ishte komenti pas ndeshjes i trajnerit turk.

“A na mundi gjyqtari?  Jo, por ai vërshëlleu në disa pjesë shumë interesante të lojës. Unë nuk i kam parë nga afër pretendimet për penallti, por të gjithë thonë se ato ishin penallti që duheshin dhënë. Real Madrid nuk ka nevojë për gjyqtarë, por kur këta të fundit nuk shohin se çfarë ndodh, atëherë nuk ke ku përfundon. Ai mori edhe shumë vendime të tjera të gabuara”, deklaroi trajneri turk rreth kësaj teme.

“Golat që mund të kishim shënuar në pjesën e parë mund të kishin ndryshuar gjithçka. Ne do të punojmë shumë në ndeshjen e kthimit, por Madrid është në një pozicion më të favorshëm për të ecur para. Mua nuk më pëlqen të flas për gjyqtarët, nuk flas kurrë për ta. Por gjyqtari këtë radhë ishte i tmerrshëm”. (LajmeShqip.com)