Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 11:40

Jashtë Championsit, më pas humbja me Granadan që komplikoi edhe më shumë pozicionin në kampionat. Grushtin e radhës Barcelona e mori në finalen e Kupës së Mbretit me disfatën kundër Realit të Madridit në Mestalla në një takim që nxori në dukje problemet e blaugranave, si dhe ka shtuar pasigurinë për të ardhmen. Gjithsesi trajneri Tata Martino është i bindur se fati i tij nuk do të ndikohet nga kjo El Clasico, teksa tentoi t’i japë moral skuadrës për një sprint të fundit deri në finish të sezonit.

 
“Ndiej keqardhje të thellë për këtë humbje, është një goditje tepër e rëndë. Falënderoj tifozët që erdhën dhe na mbështetën dhe në të njëjtën kohë u kërkoj ndjesë që nuk mundëm të fitonim. Panorama ekzistuese nuk është në favorin tonë, por do të japim gjithçka nga potenciali ynë deri në fund të sezonit. Kjo skuadër është e njohur për aftësitë në të shënuar, krejt papritur golat avulluan. Një e ardhme e ndritur ndodhet përpara, edhe pse tani nuk jemi në formë të mirë. Për sa i përket të ardhmes sime, nuk mendoj se varet nga kjo humbje apo nga ato të javës së shkuar”, ka theksuar Martino.
 
I trishtuar për disfatën në Kupën e Mbretit foli edhe Xavi Hernandez. Mesfushori i katalanasve tha se finalja në Mestalla u vendos nga detajet, duke pranuar se Barcelona e pagoi kryesisht për gabimet veta në lojë. I pyetur për këtë jave tragjike të blaugranave, kapiteni deklaroi se skuadrës i kanë munguar golat në momentet më vendimtare, në një kohë kur rastet për të shënuar kanë qënë të shumta. Në garë për një trofe të vetëm, Xavi pranoi se lufta në La Liga është shumë e vështirë, por kërkoi nga ekipi të qëndrojë i bashkuar deri në takimin e fundit të kampionatit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 April 2014 13:02

Real Madrid dhe Barcelona do të përballen sot në mbrëmje në një finale të shenjuar nga frika. 

Frika e Barcelonës: të mbyllë sezonin pa asnjë trofe dhe të humbasë një tjetër finale ndaj rivalëve të përjetshëm. Frika e Realit: një tjetër humbje do të thotë që gjatë këtij sezoni nuk i kanë mundur kurrë katalanasit.

Kupa e Mbretit është titulli që të dyja këto klube e shohin më afër sot për sot. Kampionati aktualisht është në duart e Atletico Madrid, ndërsa në Ligën e Kampioneve madrilenët kanë një përballje të vështirë në gjysmëfinale kundër Bayern Munchen. Përsa i përket katalanasve, u eliminuan në çerekfinale nga Atletico Madrid.

Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti, ka kërkuar nga skuadra e tij “guxim dhe përgjegjshmëri” për këtë ndeshje: “Nuk duam thjesht të bllokojmë kundërshtarin, por të tregojmë virtytet tona duke luajtur me të njëjtin stil, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë sezonit.”

Nga ana e tij, “Tata” Martino u tregua shumë i sinqertë në prag të kësaj finaleje: “Sido që të shkojë kjo ndeshje, unë mendoj se sezoni ynë nuk ishte pozitiv. Nuk do të justifikoj me fitoren e mundshme të Kupës ato që nuk bëmë në kompeticionet e tjera.”/ Top Channel/