Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 23:45

Reali i Madridit ka kaluar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve duke mundur CSKA të Moskës në një sfidë ku fillimisht shfaqi pasiguri, e më pas dominoi me lehtësi. Një sukses i lehtë po të mendohet rezultati përfundimtar 4-1, por edhe një provë e forcës ofensive të kësaj skuadre që gjeti rrugën e rrjetës me të tre sulmuesit, Higuain, Kristiano Ronaldo e Benzema. 

Në fakt ndeshja në “Santiago Bernabeu” fillon me dy drithërima në portën e madrilenëve ku Doumbia humbet dy raste radhazi. Por miqtë arrijnë të ruajnë portën e tyre nga kundërpërgjigjet e vendasve deri në minutën e 26-të, aq sa i duhet Higuain të dërgojë topin në rrjetë pas një kombinimi perfekt Kedira-Kaka. Reali vazhdon të rrezikojë, ku Ronaldo tenton në të gjitha mënyrat të gjejë portën, por pa sukses dhe pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të madrilenëve.

Sulmuesi portugezi hakmerret në minutën e 10-të të pjesës së dytë, kur lëshon një predhë nga 35 metra duke gjetur të papërgatitur portierin Çepçugov të cilit i ikën topi nga duart dhe përfundon në rrjetë. 2-0 dhe shpresat e rusëve janë shuar thuajse përfundimisht. Benzema shuan çdo sinjal përmbysje me golin e tretë në minutën e 70-të, ndërsa Xhagoev në minutën e 77-të shënon golin e nderit për ekipin rus. Rezultati përfundimtar 4-1 vuloset nga Kristiano Ronaldo pas një pasimi të shkëlqyer të Benzema.

Gjithçka do të ishte perfekte për Realin po të mos kishte qenë për kartonin e verdhë të marrë nga Ksabi Alonso, i cili si rrjedhojë e dy kartonëve të tillë, do të mungojë në ndeshjen e parë të çerekfinaleve. (LajmeShqip.com)