Tag Archives: real-bajern
|

Arjen Roben ka treguar se ka zgjedhur vetë të mos gjuajë 11-metërsh në fundin e ndeshjes mes Bajern Mynih dhe Real Madrid, për të evituar një tjetër përballje me Iker Kazijas. Lojtari shënoi nga pika e bardhë në minutën e 27-të e kohës së rregullt të takimit, por vendosi që të mos shfaqej të gjuajtjet përballë ish-shokut të skuadrës në fund të 120 minutave.
“Kazijas dhe unë e njohim njëri-tjetrin pasi kemi luajtur bashkë dy vite radhazi. Gjithmonë është më e vështirë të shënosh gjuajtjen e dytë. Kjo është arsyeja pse unë vendosa të mos gjuaja më penallti”, ka treguar Roben.
Holandezi ka shfrytëzua rastin për të thumbuar Franc Bekenbauer, i cili e kishte kritikuar pasi humbi 11-metërshin në sfidën e kampionatit me Borusia Dortmund.
“Do të dëshiroja të dëgjoja çfarë ka për të thënë z. Bekenbauer tani. A kam folur me të më përpara? Jo, dhe as që e ndjej të nevojshme aktualisht. Kjo nuk ishte hera e parë që gjendesha përballë Iker Kazijas, por gjuajtja ime ishte e saktë dhe e fortë aq sa duhej”, u shpreh ai.
Ndërkohë, mesfushori tjetër i Bajern, Bastian Shvajnshtajger, ka pranuar se kjo ka qenë një ndër ndeshjet më të lodhshme të karrierës së tij dhe se i gjithë ekipi nuk kishte më energji as të festonte.
“Jemi të gjithë të vdekur por të lumtur, nuk e di se ku i kemi gjetur energjitë për të vazhduar të vraponim. Penalltia ime? Erdhi një moment kur nuk kisha më forcë, por fatmirësisht arrita ta mbledh veten në kohën e duhur. Thjesht e ndjeja brenda vetes idenë që topi do të përfundonte në rrjetë”, tregoi futbollisti që gjuajti penalltinë e fundit për ekipin bavarez. (LajmeShqip.com)
|

Karl Hainc Rumenige ka treguar për mediat gjermane se si presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka cilësuar portierin Manuel Nojer si më të mirin në botë. Gardiani i përfaqësueses gjermane priti dy penallti kundër madrilenëve, pikërisht përballë dy futbollistëve më të shtrenjtë në historinë e këtij sporti, Kristiano Ronaldo e Kaka.
“Presidenit i Realit, Florentino Perez, ishte ulur ngjitur me mua dhe tha ‘Mauel Nojer është portieri më i mirë në botë’. Kjo ishte ndeshja më emocionuese e karrierës time dhe po ju kujtoj që karriera ime fillon 40 vite më parë”, tregoi Rumenige pas ndeshjes.
Ndërkohë, një vlerësim për gardianin gjerman ka ardhur edhe nga legjenda e Realit, Emilio Butragenjo, i cili është pjesë e stafit drejtues të klubit spanjoll.
“Penalltitë janë gjithmonë si një monedhë e hedhur në ajër. Por duhet ta pranojmë që Nojer është një portier i madh, ka shumë intuitë. Ishin penallti të gjuajtura mirë, por ai i parashikoi saktësisht, janë më shumë meritë e Nojer sesa gabime të Kristiano Ronaldos dhe Kaka”, tregoi “El Buitre” që është shquar gjithmonë për gjuajtjet e sakta nga pika e bardhë e 11-metërshave. (LajmeShqip.com)
|

Zhoze Murinjo e ka të vështirë si gjithmonë të pranojë humbjen dhe pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, është munduar që të kthejë vëmendjen drejt një turneu ku Reali i tij po dominon, në kampionatin spanjoll.
“Do të kem kohë për trofeun tim të tretë të Ligës së Kampioneve. Ishte një gjysmëfinale e luajtur si e barabartë mes dy skuadrave që kanë luajtur dy ndeshje dhe asnjëra nuk ka qenë më e mirë se tjetra. Ata shënuan një penallti më shumë dhe kjo mund të na ndodhte edhe ne. Ne luftojmë edhe për titull, ata jo. Kjo do të thotë diçka. Gëzimi pas fitores së “El Clasico” mendoja se do të na jepte diçka më shumë por nuk ndodhi kështu pasi na mungoi freskia fizike. Tani do të fitojmë titullin. Për mua kjo ka një kuptim të veçantë pasi po e fitojmë kundër skuadrës që të gjithë po e cilësojnë si më e mira në univers”, ishin fjalë e tij.
Më pas, ia ka vlerësuar veten dhe lojtarët e tij, që luajnë në këto nivele ndërsa ka fajësuar kalendarin me shumë ndeshje të ekipit të tij. “Është e vështirë për një ekip të arrijë në dy gjysmëfinale në dy vite radhazi dhe një trajner të arrijë në gjashtë të tilla në 8 vite. Prandaj e meritonim të kalonim por Bajerni kishte më shumë fat. Penalltitë i gabon kush i gjuan dhe ata që gabojnë janë gjithmonë personat që kanë më shumë guxim. Pseudomadrilenët do të jenë të gëzuar sot”.
“Lojtarët e mi janë supernjerëz dhe trishtohem kur njerëzit harrojnë që Mesi humbi një penallti vendimtare, ashtu siç bënë sot 3 lojtarët tanë. Ata janë më të mirët e për këtë arsye luajnë në këto nivele. Këto djem vrapuan 2 orë si kafshe dhe në fund gabuan. Kjo është të arrish në limitet njerëzore! Edhe Barcelonës i ndodhi e njëjta gjë pasi luajti të shtunën”.
“Finalen e Ligës së Kampioneve do ta luajë ekipi i dytë në Gjermani dhe ekipi i pestë në Angli. Në Itali arrita të ndryshoja gjëra në kalendar për të ndihmuar skuadrën, si për shembull të luanim të premten, por këtu në Spanjë nuk më dëgjon askush. Duam më shumë se titullin kampion sepse kemi mundësi reale të përmirësohemi. Do të vazhdoj këtu”, ishte premtimi i Murinjos. (LajmeShqip.com)
|

Bajern Mynih është finalisti tjetër i këtij edicioni të Ligës së Kampioneve, pasi ka arritur të kalojë në gjysmëfinale favoritët e Real Madrid. Ekipi gjerman kishte fituar 2-1 ndeshjen në shtëpinë e vet, por në “Santiago Bernabeu” është mundur me të njëjtin rezultat. Gjithçka është vendosur nga penalltitë ku vendimtare kanë qenë goditjet e gabuara të Kristiano Ronaldo, Kaka e Serxho Ramos.
Ndeshja ka filluar menjëherë nën ritmin e Real Madrid që vetëm pas 4 minutash ka gjetur golin e avantazhit me anë të Kristiano Ronaldos, i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit pas penalltisë së fituar nga Di Maria. Bajerni provon të reagojë dhe i afrohet shumë golit me Riberi e me Gomez, ku i pari dërgon topin mbi traversë me portë të boshatisur, ndërsa i dyti ndalet me saktësi nga Kazijas.
Po në momentin kur duket se bavarezët mund të shënojnë, vjen goli i dytë, me të njëjtin autor, Kristiano Ronaldon, i cili përfiton nga pasimi i saktë i radhës i Ozil për të dërguar topin në rrjetë. 2-0 dhe është vetëm minuta e 14-të e kësaj sfide.
Tani gjermanët nuk kanë çfarë të humbin më dhe hidhen tërësisht në sulm duke krijuar aksion pas aksioni. Në minutën e 25-të, Pepe gabon duke shtyrë Gomez në zonë dhe për gjyqtarin hungarez Kasai nuk ka dyshime, 11-metërsh në favor të ekipit gjerman. Roben gjuan me saktësi nga pika e bardhe dhe tashmë rezultati është 2-1, ashtu si në sfidën e parë.
Ritmi i ndeshjes nuk bie dhe të dy ekipet provojnë disa herë të shënojnë deri në vërshëllimën përfundimtare të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, pritet që lojën ta bëjnë vendasit, por në fakt ndodh e kundërta, pasi është Bajern që kontrollon topin dhe provon të vërë në vështirësi mbrojtjen madrilene, ndërsa skuadra e Murinjos i kthehet armës së preferuar, kundërsulmit, për të tentuar golin e kualifikimit. Por asgjë nuk ndryshon dhe dy ekipet shohin veten të shkojnë drejt kohëve shtesë.
Si zakonisht, në faza të tilla triumfon frika dhe dy skuadrat mundohen që të jenë të kujdesshme, duke mos lënë shumë hapësira prapa. Ndonëse Reali ka një dominim të lehtë në lojë, nuk arrin të çajë mbrojtjen hermetike të skuadrës gjermane e cila nuk lejon më Kristiano Ronaldon të tregohet i rrezikshëm para portës së tyre. Ndaj finalistja e dytë e këtij edicioni të Ligës së Kampioneve vendoset nga penalltitë.
Reali i nis ato si mos më keq, me Kristiano Ronaldo e Kaka që gabojnë gjuajtjet e tyre, të neutralizuara nga Nojer, ndërsa Alaba e Gomez nuk gabojnë nga pika e bardhë. Por Bajerni vë gjithçka në diskutim me gabimet e Kros e Lahm, që ndalen nga Kazijas. Fatmirësisht për ta, është edhe Serxho Ramos që nuk ka qetësinë e duhur dhe dërgon topin shumë lart mbi traversë, ndërsa Bastian Shvajnshtajger transformon me saktësi gjuajtjen e tij duke çuar Bajernin në finalen që luhet në stadiumin e tij në Mynih dhe ku padyshim është favorit. (LajmeShqip.com)
|

Sulmuesi i Bajern Mynih, Mario Gomez, është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e ndeshjes së nesërme përballë Real Madrid dhe përmbysjeve spektakolare që kanë realizuar në fushën e tyre spanjollët. Por ai mendon se asgjë nuk mund të frikësojë skuadrën e tij që është mësuar të luajë në nivele të tilla, aq më tepër një stadium futbolli. “Ne, “Santiago Bernabeu” nuk na ngjall asnjë lloj frike”, ishin fjalët e sulmuesit.
Për golashënuesin më të mirë të Bajernit në kampionat (25 gola) dhe në Ligën e Kampioneve (12 gola), gjëja më pozitive do të ishte të shënohej në portën madrilene në këtë takim. “Neve mund të na vlejë edhe nëse shënojmë një gol në minutën e fundit”, theksoi autori i golit të fitores 2-1 pikërisht në këtë minutë të ndeshjes së parë mes dy skuadrave në “Allianz Arena” një javë më parë.
Mario Gomez ka treguar se ka parë me vëmendje ndeshjen e të shtunës mes Barcelonës dhe Realit, si dhe ka përgëzuar shokët e tij të kombëtares, Sami Kedira dhe Mesut Ozil për suksesin e kësaj skuadre. Për më tepër, Gomez e Kedira janë shokë të ngushtë, pasi kanë qenë pjesë e Shtutgartit kur kjo skuadër u shpall kampion në vitin 2007. Por ai e di që mesfushori nuk do t’i dhurojë asgjë në fushën e lojës, ashtu si edhe e anasjellta. “E përgëzoj Sami për golin e shënuar në këtë sfidë, por të mërkurën në darkë nuk jemi shokë”, tha ai.
Sulmuesi, ndonëse i lindur dhe i rritur në Gjermani, ka origjinë spanjolle dhe ka treguar për mediat e këtij vendi se ka ftuar në stadium të gjithë familjen e tij që jeton në Granada. (LajmeShqip.com)
|

Kristiano Ronaldo beson se tifozeria mund të jetë faktori kryesor në duelin përballë Bajern Mynin që luhet të mërkurën në darkë në “Santiago Bernabeu”.
“Shpresoj që golin e parë ta bëjë “Santiago Bernabeu”. Tifozeria duhet të jetë faktori më i rëndësishëm që në momentin kur hyjmë në fushë e lojës, pasi ne i ndjejmë gjëra të tilla. Kjo është një ndeshje vendimtare dhe lojtarët e ndjejnë afërsinë e tifozerisë, na jep më shumë besim”, tha ai.
Megjithatë, portugezi e njeh vështirësinë e kësaj ndeshje kundër skuadrës gjermane. “Do të jetë një betejë deri në fundin e takimit. Do të jetë një ndeshje me shumë adrenalinë pasi e dimë që na duhet të fitojmë. Bajern është një skuadër e madhe dhe të gjithë e dimë që do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë. Humbëm 2-1 jashtë fushë kundër tyre dhe duhet të fitojmë, pas jemi të ndërgjegjshëm që një sukses na çon në finale”.
“Rezultati i ndeshjes së parë nuk ishte as pozitiv, as negativ. Ata luajtën në shtëpi dhe fituan po ne shënuam një gol që vlen shumë. E dimë që Bajern do të luajë në kundërsulm por e dimë gjithashtu që do të na respektojë maksimalisht pasi luajmë në fushën tonë”.
“Shqetësimi më i madh është reparti i avancuar i tyre. Gomez është një ndër golashënuesit më të mirë të Ligës së Kampionëve dhe Roben e Riberi janë të rrezikshëm gjithashtu. Duhet të kemi kujdes se secili prej tyre mund të bëjë diferencën”.
“Kush do të luajë në finale? Shpresoj që të jetë Reali, kundër Barçës apo Çelsit nuk ka rëndësi, shpresojmë qe ne të jemi aty. Është e rëndësishme të arrijmë aty për Madridin, lojtarët dhe të gjithë tifozët që kemi në botë”, deklaroi futbollisti portugez i Realit. (LajmeShqip.com)
|

Karl Hainc Rumenige pret që ndeshja e kthimit e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynih dhe Real Madrid t’i ngjajë një udhëtimi në “ferr”. Bavarezët kanë një avantazh minimal falë fitores 2-1 në fushën e tyre me gola të Riberi dhe Gomez, ndërsa Ozil shënoi për madrilenët golin jashtë fushë që mund të rezultojë shumë i vlefshëm në sfida të tilla.
“Ne kemi respekt të jashtëzakonshëm për Real Madrid po nuk e kemi frikë, edhe pse presim një ferr të vërtetë në stadium”, tha Rumenige për “AFP”.
“Goli i minutës së fundit na ka dhënë ne një shans të vogël por do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të kualifikohemi në finale”.
“Ne duhet të jemi tërësisht të përqendruar dhe të japim një paraqitje të jashtëzakonshme ne mbrojtje”.
Por Rumenige është i mendimit që skuadra e tij nuk duhet të qëndrojë vetëm në mbrojtje kundër Realit, por të përpiqet që të shënojë sa më shpejt një gol.
“Ne duhet të mundohemi të vëmë në vështirësi mbrojtjen e tyre që të shënojmë një gol. Të kthehemi në mbrojtje dhe të mbrohemi nuk do të sjellë asgjë përballë një skuadre kaq të fortë sulmuese”.
Tifozët e Bajernit shpresojnë te një sukses për të zhvilluar më pas finalen e Ligës së Kampioneve në stadiumin e tyre, pasi “Allianz Arena” është caktuar si impianti pritës i ndeshjes së19 majit.
“Sigurisht që ëndrra jonë e madhe është të arrijmë finalen që luhet në shtëpinë tonë dhe do të bëjmë maksimumin për ta realizuar këtë ëndërr. Do të ishte diçka fantastike, askush nuk ka arritur të shkojë në finale në stadiumin e vet”, tha ai. (LajmeShqip.com)
|

Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, beson se Real Madrid do të përmbysë deficitin e një goli të ndeshjes së parë kundër Bajern Mynih në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
Sipas tij, skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo nuk e meritoi ta humbte ndeshjen që u vendos nga goli i minutës së fundit, i shënuar nga Mario Gomez, që vulosi rezultatin 2-1 në favor të bavarezëve.
“Ndeshjet mes klubeve historike mund të shkojnë gjithmonë kundër parashikimeve. Ishte një ndeshje e madhe por do të kishte qenë shumë më e drejtë po të kishte përfunduar në barazim. Goli i Mesut Ozil i jep shumë shanse Real Madrid, pasi ata kanë potencial të pabesueshëm sulmues”.
“Të shënojë dy apo tre gola në shtëpi është diçka që Real Madrid e bën zakonisht”, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane “Kicker”
Një barazim pa gola do të kalonte Bajernin në finale, po Del Boske nuk mendon se ekipi gjerman do të luajë një lojë mbrojtëse në “Santiago Bernabeu”.
“As Madridi e as Bajerni nuk mund të dalin kundër asaj që kanë treguar gjatë të gjithë sezonit. Të dy trajnerët do të bëjnë të pamundur që një gjë e tillë të mos ndodhë. A ka avantazh Heinkes prej të kaluarës te Real? Futbolli në ditët e sotme është më transparent për shkak të televizionit. Nuk mendoj se Heinkes di më shumë rreth Madridit se sa di Zhoze Murinjo rreth Bajernit”, përfundoi trajneri i përfaqësueses spanjolle. (LajmeShqip.com)