Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 11:02

Futbollisti portugez i Real Madrid, Kristiano Ronaldo, ishte shumë i lumtur me fitoren e arritur nga skuadra e tij në “Santiago Bernabeu” përballë APOEL, të përfunduar me suksesin 5-2 që kaloi madrilenët në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.

“Objektivi u arrit, kemi siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Tani na pret Bajern, një sfidë shumë e vështirë”, ishin fjalët e futbollistit portugez pas ndeshjes.

Lojtari ishte protagonist i takimit me dy gola të shënuar në këtë sfidë, ku një prej tyre erdhi me një goditje dënimi perfekte. Futbollisti ishte kritikuar se nuk po arrinte të gjente rrugën e rrjetës me goditjet e dënimit por duket se ai është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme. “Më në fund edhe goditjet e dënimit po përfundojnë në portë, shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”.

Por ai çuditërisht, nuk e sheh skuadrën e tij si një finaliste të mundshme të Ligës së Kampioneve pasi i trembet shumë forcës së Bajern Mynih. “Sfida me Bajernin është e komplikuar. Unë nuk e shoh veten në finale, pasi ata janë një skuadër që mund të fitojë Ligën e Kampioneve në këtë edicion”, ishte deklarata e kujdesshme e Kristiano Ronaldos. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 09:16

Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, nuk kursehet asnjëherë kur bëhet fjalë për polemika dhe pas fitores 5-2 të ekipit të tij ndaj APOEL, duket se e ka patur mendjen më shumë te sfida tjetër gjysmëfinale, përballja Çelsi-Barcelona.

“Barcelona shkon në finale, sepse ata janë të mirë. Ata nuk janë favoritë, ata janë super-favoritë. Dua të jem i sinqertë, nuk mendoj se finalja do të jetë Real-Çelsi. Një prej skuadrave mund të jetë Bajern apo Barcelona, por nuk mendoj se ka mundësi të jetë Real-Çelsi dhe të gjithë e dimë përse”, tha ai duke aluduar për një ndihmë të mundshme në favor të katalanasve e bavarezëve.

Një ditë më parë, Zlatan Ibrahimoviç kishte shprehur”solidaritet” me Murinjon i cili sa herë që luan në “Kamp Nou” kundër Barcelonës, ankohet për gjyqtarët, ashtu siç bëri Milani. “Pse, vetëm tani e kuptoi ai? Ibra është një djalë inteligjent, unë mendoj se ka kohë që e ka kuptuar një gjë të tillë”, ishte batuta e Murinjos rreth dy penalltive të dhëna kundër Milanit në përballjen me katalanasit.

Në fund, disa fjalë edhe për Bajernin, rivalin e radhës dhe një prej pretendentëve kryesorë për fitoren e trofeut. “Bajern është një rival shumë i fortë. Është një ekip që e njoh mirë pasi është thuajse i njëjtë me atë që munda me Interin në finalen e dy viteve më parë dhe kanë lojtarë individualistë të mëdhenj. Unë dhe lojtarët po presim me padurim atë që do të jetë një gjysmëfinale e madhe”, tha Murinjo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 22:12

Real Madrid ka vulosur kalimin në gjysmëfinalet  Ligës së Kampioneve duke fituar 5-2 përballë qipriotëve të APOEL, surprizës së këtij edicioni, ndërsa i kishte mundur 3-0 një javë më parë në shtëpi. Në “Santiago Bernabeu” ka qenë gjithçka shumë e thjeshtë për madrilenët të cilët kanë treguar superioritet të dukshëm deri tani në këtë turne, ndërsa në gjysmëfinale i pret detyra e parë e vështirë përballë Bajern Mynih. 

Murinjo i jep një ditë pushim Ozil, Ksabi Alonso, Benzema, Kedira e Arbeloa, duke kthyer mes titullarëve Kaka e Shahin. Reali sulmon që nga minuta e parë, ndërsa APOEL mbrohet në të gjitha mënyrat. Por rezistenca e ekipit mik zgjat vetëm 26 minuta, aq sa i duhet Kristiano Ronaldos të shënojë golin e  parë pas një asist të Marselo. Mbrojtësi brazilian është protagonist edhe 10 minuta më vonë kur jep pasimin për golin e dytë të shënuar nga Kaka.

APOEL vazhdon të qëndrojë i  mbyllur në gjysmëfushën e tij, por në rastin e parë që i shfaqet në minutën e 67-të, Manduka arrin të mposhtë Kazijas, për të vënë për pak minuta në dyshim rezultatin e kësaj sfide. Në minutën e 75-të, Kristiano Ronaldo shënon me goditje dënimi të jashtëzakonshme dhe rivendos avantazhin e dy golave. Më pas është Kallehon që çon sfidën në shifrat 4-1. Një penallti e fituar nga Adorno dhe e transformuar saktësisht nga Solari nuk prish festën e tifozëve madrilenë, të cilët duartrokasin gjatë rikthimin me gol nga dëmtimi i gjatë të Di Marias, i cili shënon dhe vulos rezultatin përfundimtar 5-2.

Real Madrid do të luajë pas dy javësh ndeshjen e  parë të gjysmëfinaleve në Gjermani përballë Bajern Mynih, ndërsa ka avantazhin se luan sfidën e dytë përsëri në fushën e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 21:02

Kristiano Ronaldo ka pranuar në një intervistë të dhënë në faqen e internetit të Real Madrid se kjo skuadër është në rrugën e duhur për të fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve.

Sipas tij, gjysmëfinalja është thuajse e sigurt, pasi APOEL e ka të pamundur të rikuperojë një disavantazh prej 3 golash në “Santiago Bernabeu”. “Nuk dua të jem hipokrit, kualifikimi është i siguruar në 90%. Ekziston vetëm 10% i zakonshëm në futboll ku mund të ndodhë gjithçka. Por them se ne jemi në rrugën e duhur për të fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve”.

Lojtari portugez më pas ka kujtuar shkurtimisht edhe karrierën e tij, që nga akademia e deri tani. “Ka filluar gjithçka shumë herët në Madeira e pastaj u transferova në Lisbonë kur isha 11 vjeç. Kam luajtur te Sporting Lisbona për 7-8 vite, kam luajtur te Mançester Junajtid e tani jam te Real Madrid. Gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt për mua, por unë kam arritur të përfitoj nga çdo mundësi që më është dhënë. Kam kaluar vite të mrekullueshme në Portugali, në Mançester dhe që prej dy vitesh e gjysmë këtu, gjërat kanë ecur siç duhet. Po tregoj një nivel të mirë futbolli dhe shpresoj që të vazhdoj në këtë rrugë”, tha CR7.

Edhe ai, si të gjithë futbollistët e tjerë, ka kaluar momente të vështira, por tregon se si ka arritur t’i kalojë ato. “Në këto momente të vështira dallohen lojtarët dhe personat e mëdhenj. Mësoj shumë nga gabimet e mia, por ato janë pjesë e njerëzve dhe profesionistëve. Gjithmonë dëshiroj që të bëj sa më pak gabime që të jetë e mundur, pasi dihet që sa më shumë të bësh, aq më pak fiton”, u shpreh golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll. (LajmeShqip.com)