Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 05:08

Beograd -Branisllav Mlladiç, kushëriri i Ratko Mlladiç, ka pranuar se e ka fshehur për pesë vjet ish-kreun ushtarak të serbëve të Bosnjes në shtëpinë e tij.

Bëhet fjalë për të njëjtën shtëpi ku Mlladiç u arrestua në maj të vitit 2011, në fshatin Lazarevo, 80 kilometra në veri të Beogradit.

“Për pesë vjet Ratko ka qëndruar në shtëpinë time. Pasi pati një iktus, kisha frikë se do të vdiste tek unë”, ka treguar Branisllav Mlladiç.

Kushëriri ka pranuar në gjykatë fajin e tij në këmbim të një dënimi prej një vit e gjysmë burg, me të drejtën për të kërkuar lirimin me kusht.

Ratko Mlladiç po gjykohet në Hagë për një seri akuzash të rënda, mes të cilave genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera ndaj popullsisë jo serbe.

Në veçanti, gjenerali konsiderohet përgjegjës për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, që muajin e kaluar shënoi 17-vjetorin e saj.

Në seancat e fundit, 70-vjeçari ka pasur një sërë problemesh shëndetësore, për shkak të të cilaveu shtrua në spital dhe gjygji u shty disa here. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 July 2012 10:42

Britani – Personi Dejvid Harland, dëshmitari i dytë i prokurorisë në procesin gjyqësor kundër Ratko Mlladiqit, e ka përshkruar ish komandantin serb të Bosnjës si një “njeri të dhunshëm”, i cili duket se “nuk kishte kurrfarë strategjie tjetër, por atë të terrorit të popullatës civile”.

Zoti Harland e kishte parë Mlladiqin, tash 70 vjeçar, tejet luftarak, derisa konflikti vazhdonte, duke bërë kërcënime të tmerrshme për enklavat e mbrojtura nga Kombet e Bashkuara, siç ishte Srebrenica, pasi forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e tij, i kishin humbur territoret në pjesët e tjera.

Mlladiqi i ka hedhur poshtë të 11 pikat e aktakuzës për gjenocid, krime të luftës ddhe krime kundër njerëzimit, për dyshime se i ka orkestruar mizoritë serbe gjatë luftës, e që kishte kulmuar me masakrën e vitit 1995, në Srebrenicë, ku ishin vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë, në mizorinë më të keqe në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Dëshmia e zotit Harland është kryesorja për prokurorët, pasi ai e kishte takuar Mlladiqin afërsisht 20 herë dhe shpeshherë kishte marrë shënime si pjesë e detyrës së tij si oficer i Kombeve të Bashkuara. Ai, po ashtu, ka dëshmuar edhe në proceset e tjera në Hagë, përfshirë edhe atë të mentorit politik të Mlladiqit, Radovan Karaxhiq, dhe ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq gjatë procesit në Hagë.

Derisa Tribunali tashmë shpeshherë ka dëshmuar se krime masive ishin bërë gjatë luftës multi-etnike në Bosnjë Hercegovinë, sfidë për prokurorët në rastin e Mlladiqit është që ta ndërlidhin atë me mizoritë.

Zoti Harland, britanik, që tash e udhëheq Fondacionin Zviceran për Paqe, tha se Kombet e Bashkuara i kishin marrë me seriozitet kërcënimet e Mlladiqit. “Mendoj se pikëpamja jonë për kërcënimet ishte se ai ishte njeri i dhunshëm. Nëse do të paraqitej rasti për t’i kryer këto kërcënime, ai me gjasë do ta bënte këtë. Por, ato realisht nuk ishin deklarata të planeve”, tha Harland.

I akuzuari Mllaldiq i kishte kushtuar kujdes procesit, shpeshherë duke e shikuar një numër të madh të letrave dhe hartave, të shpërndara në tavolinën e tij. Megjithëqë kishte vuajtur nga tri goditje, shëndeti i tij duket se ishte përmirësuar prej zbulimit të tij pasi për 16 vite ishte fshehur.

Dëshmitari i parë i prokurorisë, myslimani nga Bosnja, Elvedin Pashiq, e përfundoi paraqitjen e tij me kërkesën e përcjellë me lot, për ndihmë në gjetjen e trupit të babait të tij. Të hënën, ai i tha gjykatës se ishte ndarë nga babai i tij nga focat serbe në vitin 1992, kur ai i kishte 14 vjet, dhe më kurrë nuk e kishte parë. Prokurorët thanë se babai i tij ishte në mesin e afro 150 burrave që ishin masakruar nga serbët në fillim të luftës. “Më mungon babai im”, tha Pashiq me lot në sy. Ai kërkoi nga çdokush që ka informacione për vend-ndodhjen e trupit të babait të tij, “që të tregoj për ta gjetur babanë”.

Procesi kundër Ratko Mlladiqit ka filluar në maj dhe mund të zgjasë tri vjet. (“Daily Telegraph” )

 
Lajme Shqip Thursday, 12 July 2012 12:48

Hagë – Ish-lideri ushtarak i serbëve boshnjakë gjenerali Ratko Mlladiç sot në mëngjes është dërguar në spital për shkak të “masave parandaluese” pasi është ndjerë keq gjatë procesit gjyqësor kundër tij në Tribunalin  ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi.

“Mlladiç nuk ndjehej mirë dhe u transferua në spital për çdo rast”, deklaroi Nerma Jelaçiç, zëdhënës i Tribunalit të Hagës. Mlladiç akuzohet për 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai mohon të gjitha akuzat që i janë ngritur për periudhën 1992-95 në Luftën e Bosnjës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 July 2012 20:11

Hagë – Në Tribunalin e Hagës ka filluar paraqitja e dëshmitarëve në rastin kundër ish komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjes, , dy muaj pas pezullimit të gjykimit.

Si dëshmitar i parë i Prokurorisë u paraqit Elvedin Pashiçi nga Komuna e Kotor Varoshit, i cili i ka shpëtuar ekzekutimit të 150 deri në 200 njerëzve nga ushtarët serbë në Grabovicë.

Më dëshminë e tij, prokuroria ka kërkuar të tregojë se si e ka trajtuar udhëheqja serbe popullatën joserbe në vitin 1992 në 20 komuna ku e mori pushtetin. 

Elvedin Pashiq ka treguar se si është dashur të ikë nga fshati i tij Hrvaçani kur ishte 13 vjeç. “Atë natë kur nisën granatimet e rënda ne ishim të strehuar me fqinjët tanë, mbase 6 familje së bashku, ka qenë e tmerrshme”, ka thënë për agjencinë Reuters, Pashiq.

Zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelaçiq ka folur për fazën e gjykimit të Mlladiqit. “Ne jemi në fazën kur përfundimisht dëshmitarët mund të nisin dëshmitë në këtë rast. Kemi njoftime nga prokuroria që thonë se do të paraqesin dëshmitë e 413 dëshmitarëve, 200 nga ta do të sillen në gjykatë, ndërkaq të tjerat do të përdoren nga gjyqet e mëhershme”, tha Jelaçiq.

Mlladiq akuzohet për gjenocid për shkak të rolit që ka pasur në rrethimin e Sarajevës dhe për orkestrimin e vrasjes së 8 mijë burrave e djemëve boshnjakë në Srebrenicë më 1995.

Dëshmia e Pashiqit pritet të pasohet nga ajo e këshilltarit të Kombeve të Bashkuara, Dejvid Harlend, i cili do të përqëndrohet në rrethimin e Sarajevës prej 1993 deri më 1995. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 17:34

Hagë – Prokuroria e Gjykatës së Hagës nuk i ka dorëzuar disa dëshmi mbrojtjes së Mlladiçit, ndërkohë që këtë duhet ta bënte ligjërisht. Sipas rregullave në fuqi, mbrojtja duhet të ketë të drejtën të studiojë provat e prokurorisë, para fillimit të gjykimit.

Nuk dihet saktësisht e për çfarë provash bëhet fjalë. Ori ka thënë se gjykatësit janë duke analizuar pasojat e këtij veprimi. Gjykatësi ka thënë gjithashtu se gjykimi do të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Prokuroria ka pranuar gabimet që ka bërë dhe nuk është ankuar në vendimin për të shtyrë gjykimin.

Mbrojtja e Mlladiqit, ndërkaq, ka kërkuar një pushim gjashtëmujor të gjykimit. Në ditën e dytë të gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, prokurorët e Tribunalit të Hagës kishin paralajmëruar paraqitjen e provave që tregojnë se trupat e komanduara nga ai, kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Masakra në qytetin verilindor të Bosnjës është vlerësuar si mizoria më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Mlladiq, 70 vjeç, përballet me 11 akuza, që përfshijnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurorët po ashtu kanë thënë se ai ka udhëhequr fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja, si dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Mlladiqçi ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza. Nëse shpallet fajtor, Mlladiç mund të përballet me burgim të përjetshëm. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 12:48

Hagë – Në ditën e dytë të gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, prokurorët e Tribunalit të Hagës kanë thënë se ka prova që tregojnë se trupat e komanduara nga ai, kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Masakra në qytetin verilindor të Bosnjës është vlerësuar si mizoria më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Mlladiç, 70 vjeç, përballet me 11 akuza, që përfshijnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurorët po ashtu kanë thënë se ai ka udhëhequr fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja, si dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Mlladiç i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza.

Gjykimi kundër tij ka nisur të mërkurën. Nëse shpallet fajtor, Mlladiç mund të përballet me burgim të përjetshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 May 2012 11:06

Hagë – Gjenerali serb i Bosnjës, Ratko Malldiç, sot paraqitet para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës për ish Jugosllavinë në Hagë, i akuzuar për genocid dhe për udhëheqje në vrasjen e afro 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë, më 1995, që është cilësuar si masakra më mizore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiçi, tashmë në moshën 70 vjeçare, është pothuajse protagonisti i fundit më i rëndësishëm i luftërave ballkanike të viteve të 90-ta, që del para kësaj gjykate. Ai është i akuzuar edhe për rrethimin 43 mujor të Sarajevës, me ç’rast ishin vrarë më se 10 mijë njerëz me snajperë, armë automatike dhe artileri të rëndë.

Lista e akuzave kundër tij, derisa ishte komandant ushtarak i serbëve në luftën në Bosnjë në vitet 1992-1995, fillon me gjenocid e me vrasje, e vazhdon me aktet e terrorit dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Mlladiç, është arrestuar në maj të vitit të kaluar, pasi ishte fshehur per 16 vjet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 08:00

Hagë-Një gjyqtar në gjykatën e OKB-së në Hagë, tha se gjykimi i ish shefit të ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mlladiç, i akuzuar për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992-95, duhet të hapet në mars.

Alfons Orie, tha se ai pret që të planifikojë seancën dëgjimore para gjyqit më 26 mars dhe hapjen e deklaratave më 27 mars. Duke cituar një ekspert mjekësor, Orie tha se Mlladiç, 68 vjeçar, ishte i aftë të dalë në gjyq.

Mlladiç u arrestua në Serbi më 26 maj, pas 16 vjetësh në arrati. Ai po përballet me 11 akuza të përgjithshme duke përfshirë edhe gjenocid për masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 ku më shumë se 7000 burra e djem muslimanë u vranë gjatë një periudhe prej gjashtë ditësh. Por ish gjenerali serbo-boshnjak ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij.

 
Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 10:28

Nju-Jork – Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës Serzh Bramerc duhet t’ia prezantojë sot Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportin e rregullt për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën në Hagë, nga i cili në masë të madhe varet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.

Me këtë, raporti i shkruar i Bramercit, i cili ndryshe konsiderohet si raporti më i ashpër i rregullt gjashtëmujor, sot do të zbutet me referim gojor, në të cilin ai do të shpreh kënaqësi për shkak të arrestimit dhe ekstradimit të ish-liderit ushtarak të serbëve boshnjak Ratko Mlladiq dhe për shkak të punës së kryer në mënyrë të mirë nga ana e policisë, shërbimeve të sigurisë dhe organeve tjera kompetente të Serbisë.

“Edhe pse në pjesën e shkruar do të konstatoj shumë mangësi, në fjalimin gojor do të shprehi kënaqësi nga arrestimi i Mlladiqit”, deklaroi Bramerc javën e kaluar dhe shtoi se edhe një numër i madh e politikanëve me përkushtim kanë punuar me qëllim që Mlladiqi të gjendet para Tribunalit.

“Bramerc nuk do ta ndërrojë raportin, i cili është përgatitur para arrestimit të Mlladiqit, por gojarisht do ta njoftojë KS-në për ndodhitë e reja”, deklaroi këshilltari i kryeprokurorit, Frederik Suinen, lajmëroi Tanjug.

Sipas Suinen kjo është një procedurë e zakonshme në rastet e tilla dhe raporti gojor do të konsiderohet si një pjesë e dokumentacionit zyrtar.

Suinen ka refuzuar të thotë nëse sot Bramerc, para KS-së bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës do ta vlerësojë si të plotë.

Ai theksoi se kjo do të kuptohet në seancën e Këshillit dhe shtoi se prokurori në çdo rast do ta lavdërojë mënyrën e favorshme të zhvillimit të ngjarjeve.

 
Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 09:08

Hagë – I akuzuari për krime lufte, Ratko Mlladiç sot do të dalë për herë të parë para gjykatësve në Hagë, ku do t’i lexohen zyrtarisht akuzat për gjenocid si dhe 10 akuza të tjera lidhur me konfliktin e Bosnjes në vitet 1990. Ai është akualisht nën përgjegjësinë e Gjykatës së Hagës.

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës Serzh Bramerc do të jetë personalisht në gjykatë sot kur Mlladiçit t’i kërkohet të reagojë ndaj akuzave për gjenocid, vrasje dhe përndjekje:

“Ai ishte figura më e fuqishme ushtarake në Bosnje gjatë luftës. Ai akuzohet për krime që tronditën ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar. Këto krime simbolizojnë brutalitetin e luftës në Bosnjë-Hercegovinë”.

Ndër to përfshihen rrethimi 3 vjeçar i kryeqytetit të Bosnjes, Sarajevë, dhe masakra e vitit 1995 në Srebrenicë, ku u vranë afro 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Zyrtari i Gjykatës së Hagës Xhon Hoking u takua me Mlladiçin në aeroportin e Roterdamit të martën në mbrëmje, i shoqëruar me një mjek dhe një përkthyes. Zoti Hoking tha se ish udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjes dëgjoi me kujdes dhe kuptoi dokumentat që iu paraqitën, si dhe rregulloret e gjykatës:

“Ai tregoi bashkëpunim të plotë. Ne i shpjeguam të ndaluarit privilegjet që gëzon kushdo në pozitën e tij, për shembull lidhur me komunikimin, telefonatat, të drejtat për të pasur vizita dhe për përfaqësues ligjorë. I gjithë procesi shkoi shumë mirë”.

Duke përmedur të drejtën e privacisë, zoti Hoking nuk dha hollësi specifike për shëndetin e Mlladiçit. Por ai tha se i akuzuari është në gjendje të tillë shëndetësore, si fizike dhe mendore që mundëson nxjerrjen e tij para gjykatës sot.