Lajme Shqip Saturday, 03 August 2013 14:42

Prishtinë –Shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka heshtur përball akuzave për joprefesionalizëm sa i përket ekspertizës që i kishte bërë kufomës së Hamdi Sopës. Avokati i Familjes Sopa, Tomë Gashi thotë se nuk po merren me gabimet e Gërxhaliut për shkak se nuk po besojnë se ai qëllimisht ka hartuar një raport joprofesional. Sidoqoftë, EULEX’i po i vazhdon hetimet për këtë rast.
“I ndjeri nuk ka bërë vetëvrasje, ai është vrarë. Le ta sjellin kë të duan kështu do të dalë përgjithmonë”.
Kështu u ishte përgjigjur Arsim Gërxhaliu dyshimeve se raporti mjeko-ligjor në rastin e Hamdi Sopa ishte joprefesional.
Mirëpo, gjashtë muaj më vonë, një ekspert mjeko-ligjor i EULEX’it ka konstatuar diçka tjetër për “Rastin Sopa”.
Ky ekspert ka hedhur dyshime se konstatimet e raportit të Arsim Gërxhaliut nuk janë të sakta duke hapur mundësinë që Hamdi Sopa të jetë vetëvrarë.
Pavarësisht kontestimeve profesionale nga eksperti i EULEX’it dhe akuzave të avokatit Tomë Gashi, Arsim Gërxhaliu ka vendosur të mos e thotë asnjë fjalë.
Gazeta Express prej dy ditësh ka provuar të marrë një qëndrim nga Gërxhaliu, por ai nuk ka dashur të thotë asgjë në lidhje me “ekspertizën” që e kishte bërë kufomës së Hamdi Sopës.
Avokati i Familjes Sopa, Tomë Gashi thotë se nuk dëshirojnë të merren momentalisht me gabimet e ekspertit të mjekësisë ligjore, raporti i të cilit kishte dërguar në paraburgim tre anëtarët e Familjes Sopa.
Hamdi Sopa kishte vdekur më 29 janar të këtij viti, ndërsa gjashtë ditë më vonë prokurori i rastit Blerim Isufaj kishte dhënë urdhër për arrestimin e gruas dhe dy vajzave të viktimës.
Gruaja e Hamdi Sopës, Teuta dhe dy vajzat Artina e Erna kanë qëndruar në paraburgim deri më 31 korrik, kur edhe është marrë vendimi për lirimin e tyre.
Në atë kohë, Arsim Gërxhaliu kishte konstatuar se ish-zyrtari i Qeverisë Hamdi Sopa është vrarë, duke u goditur me thikë disa herë në stomak para se të hidhej prej katit të nëntë të banesës.
Sidoqoftë, avokati i Familjes Sopa, Tomë Gashi thotë se njëherë për njëherë nuk janë duke u marrë me Arsim Gërxhaliun, pasi nuk besojnë se me qëllim ka gabuar kur ka nxjerrë konstatime rënduese për familjaret e Hamdi Sopës.
“Arsim Gërxhaliu nuk duhet të shkojë në burg sepse unë nuk dua të besoj se ekspertiza e gabuar është bërë me qëllim”, ka thënë Tomë Gashi, për Express, të premten.
Gashi thotë se meqë kanë gabuar në “Rastin Sopa”, mjekët kosovarë të mjekësisë ligjore kanë mundur të gabojnë edhe në raste tjera.
“Nëse po shihet se ka edhe gabime që i kanë dërguar një familje të tërë në paraburgim për gjashtë muaj, atëherë kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur gabime edhe në raste të tjera.
Por, rasti më i rëndë është i Dono Asanajt”, ka ngritur dilema Gashi.
“Mirëpo, unë nuk jam kompetent të vlerësoj nëse rasti i Dino Asanajt është kështu apo ashtu. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, EULEX’i konfirmon se rasti i vdekjes së Hamdi Sopës ende është nën hetime.
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi ka thënë se ende është herët të flitet për mbyllje te hetimeve apo ngritje të ndonjë aktakuze.
“Rasti është ende nën hetime. Ne nuk mund të spekulojmë paraprakisht për asnjë rast që është nën hetime se a do të ngritët aktakuzë apo do të mbyllet rasti. Hapat e mëtutjeshëm varen nga prokurori i rastit. Sidoqoftë, në momentin kur prokurori merr një vendim, palët dhe publiku do të informohen”, ka thënë Krasniqi, për Express.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 16:40

Prishtinë – Janë liruar nga paraburgimi Artina, Teuta dhe Erna Sopa të dyshuara për vrasjen e babait dhe bashkëshortit Hamdi Sopa.
Ky vendim është sjellë nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas ekspertizës së EULEX’it e cila në tërësi ka mohuar dyshimet e bazuara për kinse implikimin tyre në rastin e vdekjes së dyshimtë të Sopajt.
Këtë e konfirmoi për Express mbrojtësi i njëres nga vajzat, avokati Tomë Gashi.
Hamdi Sopa, ka vdekur në rrethana të dyshimta pasi dyshohet se është hedhur nga kati i nëntë i banesës së tij rreth orës 15:00 më 29 janar të këtij viti,në lagjen Aktash në Prishtinë.
Ai ka punuar më herët si zyrtar për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, për shumë vite.
Derisa të dyshuarat kryesore janë gruaja e tij Teuta Sopa dhe vajzat Artina dhe Erna Sopa. Hetimet ndaj të trijave dhe rastit në tërësi janë duke vazhduar hetimet.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 13:02

Prishtinë – Raporti nuk është i saktë.Përveç që është plotësisht i trilluar, ai përbën shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Ky është vlerësimi që ka dhënë për Express, Nita Sopa, vajza e të ndjerit Hamdi Sopa.

“Ky shkrim përplot trillime dhe pa asnjë fakt paraqet shkelje te te drejtave te njeriut, te dy motrave dhe nenës sime te cilat tash e 5 muaj po mbahen plotësisht te pafajshme ne paraburgim”, ka thënë Nita të martën për Express.

Sipas saj të gjitha ato që po thuhen e po shkruhen nëpër media, janë shpifje që po ia shtojnë dhimbjen për ditë e më shumë. Kjo pasi ajo vet është pajtuar me faktin se babai i saj tashmë i ndjerë është vetëvrarë.

“Sa do e dhimbshme të jetë për mua, fatkeqësisht më është dashur të pajtohem që i ndjeri babai im, ka bërë vetëvrasje dhe kjo do të dëshmohet së shpejti”, pohon ajo.

“Mirëpo ajo qe po ma shton këtë dhimbje tani, është se sistemi dhe individët e papërgjegjshëm po m’i vrasin edhe motrat dhe nënën”, thotë Nita, duke i lutur të gjitha mediat që të kenë konsideratë ndaj dhimbjes dhe tragjedisë që po përjeton ajo dhe familja.

“Iu lus mos u merrni me shpifje”.

Ky reagim vjen vetëm pak orë pasi mediat publikuan një raporti përfundimtar të autopsisë së viktimës Hamdi Sopa duke pretenduar se ky raport konfirmon vrasjen e ish-zyrtarit të Qeverisë Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Thuhet se prokurori i rastit Blerim Isufaj ka një muaj që e posedon raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në të cilin shpjegohen shkaqet e vdekjes së Sopës pesë muaj më parë, pas hedhjes së tij nga kati i nëntë i banesës.

Ky raport konstaton se shenjat në trupin e viktimës nuk kanë të bëjnë me një vetëvrasje, por vrasje. Gjetjet e këtij raporti janë të njëjta me ato të raportit preliminar që i ishin dorëzuar prokurorit një javë pas vdekjes së Sopës, gjë e cila pati shtyrë prokurorin të urdhëronte arrestimin e tri të dyshuarave Teuta, Artina dhe Erna Sopa për vrasjen e bashkëshortit, përkatësisht babait të tyre.