Lajme Shqip Wednesday, 04 September 2013 12:12

Prishtinë – Prokurori italian, Maurizio Salustro dhe pala mbrojtëse, sot do ta paraqesin fjalën përfundimtare në rastin “Kleçka”, në të cilin akuzohen Fatmir Limajt dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij. Pas fjalës përfundimtare të prokurorit dhe të palës mbrojtëse, trupi gjykues ka vendosur që t’i lërë në dispozicion edhe datën 10 dhe 11 shtator për seancë nëse ndonjëri prej avokatëve të të akuzuarve ka për të thënë pas fjalës së prokurorit.

Ndërkohë dje është liruar nga arresti shtëpiak Fatmir Limajn dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij.

Kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, ndaj të akuzuarve për krime lufte Fatmir Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, do ta jap vendimin përfundimtar me 17 shtator./RTK/

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 16:43

Prishtinë – Para pak çastesh gjykata ka liruar Fatmir Limajn dhe të gjithë të tjerët nga arresti shtëpiak.

Këtë e ka konfirmuar për Express Tomë Gashi avokati i Limajt. Gashi beson se lirimi është një paralajmërim i mirë i cili mund t’i paraprij aktgjykimit lirues që pritet të ndodh me 17 shtator.

Me 17 shtator vendimi për ‘Kleçken’

 

Trupi gjykues do të marrë vendimin e tij përfundimtar në Rastin Kleçka me datë 17 shtator.

Lajmi është konfirmuar për Express nga avokati Tomë Gashi i cili mbron në këtë proces Fatmir Limajn.

“Tani dihet data e përfundimit të gjykimit të z.Fatmir Limajt dhe 9 ish-ushtarëve të UÇK’së. Sot jemi njoftuar se kryetari i trupit gjykues do të shpallë aktgjykimin për Rastin Kleçka më 17. O9.2013 dhe në atë ditë do të kemi vendimin përfundimtar në rigjykimin maratonik për Limajn dhe të tjerët. Nesër Prokurori, z.Salustro, do të paraqes fjalën përfundimtare, pas tij këtë do ta bëj mbrojtja e Limajt dhe pastaj më datën 10 dhe 11 shtator do të pasojnë fjalët përfundimtare të avokatëve të tjerë. Përfundimisht do ta kemi verdiktin definitiv më 17.09.2013. Mbrojtja e Limajt është e bindur se mund të kemi vetëm aktgjykim lirues për Fatmir Limajn dhe 9 bashkëluftëtarët e tij, ngase me asgjë nuk është vërtetuar e kundërta e lirimit të F.Limaj dhe të tjerëve në maj të vitit 2012. Ne kemi pasur një rigjykim epilogu i tè cilit në bazë të ligjit dhe drejtësisë është ditur nga dita e parë”, ka thënë Gashi.

 
Lajme Shqip Monday, 02 September 2013 15:10

Prishtinë – Trupi gjykues në rastin “Kleçka”, ka vendosur që të mërkurën t’u mundësohet fjala përfundimtare prokurorit, Mauricio Salustro dhe e mbrojtjes së të akuzuarve në këtë rast. Fjala përfundimtare ishte paraparë që të jepet nesër, por kjo u shtye për një ditë më vonë, për të mërkurën, me kërkesë të prokurorit Salustro. 

Menjëherë pas Salustros fjalën e tij përfundimtare do ta jap avokati i Fatmir Limaj, Karim Khan nëpërmes video-linkut nga Tribunali i Hagës. Krejt kjo pasi që është e pamundur që Khan të vijë atë ditë në Kosovë.

Po ashtu, sot pasdite pritet që Trupi Gjykues të marrë vendim për ndërrimin e vendbanimit të Limajt, kjo pasi që ai ndodhej në paraburgim në Malishevë.

Limaj ka kërkuar që të vijë dhe ta vazhdojë paraburgimin në Prishtinë për shkak se ka filluar shkolla dhe se vajzat e tij duhet të shkojnë në shkollë, transmeton Express.

Njëri prej avokatëve mbrojtës të të akuzuarave, Bajram Tmava, ka kërkuar nga Trupi Gjykues pasi që të gjitha provat janë mbyllur ka kërkuar që të gjithë të akuzuarit të lirohen por prokurori Salustro ka refuzuar.

 
Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 14:11

Prishtinë – Tre ekspertët e psikiatrisë të cilët kanë hartuar raportin e psikiatrisë së dëshmitarit të ndjerë Agim Zogaj i njohur si “X” nuk janë paraqitur në seancën e sotme për tastin “Kleçka”.
Edhe pse Prokurori i rastit Maurizio Salustro kishte paraparë që sot t’ua merrte dëshmitë lidhur me raportin e hartuar nga ata, shkruan Express. 
Gjatë seancës u bë e ditur se vetë Salustro ka vendosur që të mos i marrë fare në pyetje ata ekspertë, por ka propozuar një ekspertizë të re nga një ekspertë tjetër i pavarur.
Këtë kërkesë Porkurori Salustro e ka prezantuar sot edhe para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Mirëpo kjo kërkesë e Prokurorit është kundërshtua nga mbrojtja e të pandehurve.
Mes këtyre dy qëndrimeve, trupi gjykues ka vendosur që të marrë përsipër propozimin e një eksperti të pavarur i cili do të hartojë një raport krejtësisht të ri mbi gjendjen psikiatrike të dëshmitarit Zogaj.
Por siç u njoftua kjo procedurë do të marrë kohë. Gjë që nuk i pëlqeu fare Fatmir Limajt, të akuzuarit kryesor në rastin “Kleçka”.
Limaj tha se ai dhe të pandehurit e tjerë që gjenden në arrest shtëpiak po bëhen viktima të zhargitjeve të Prokurori Salustro që po ia bënë procesit gjyqësor me kërkesat e tij të pafundme.
“Kërkojmë mirëkuptim që ne të mos pësojmë nga pakënaqësitë e raporteve, të cilat i ka Prokurori, prandaj ne pajtohemi me propozimin e gjykatës për një ekspert të pavarur të propozuar nga Gjykata”, tha Limaj.
Kryetari i trupit Gjykues Malcolm Simon ka vendosur që me 2 shtator të mbahet seanca e radhës, ku pritet të dëgjohet raporti i ekscerptit të pavarur.
“Mund të ndodh që raporti të pranohet si i lexuar, por ju keni kohë që të parashtroni të gjitha pyetjet që keni për atë ekspertë”, iu drejtua Simon palës mbrojtëse.
Ajo që karakterizojë seancën e sotme ndërkaq ishte një kërkesë e çuditshme e mbrojtësit të Naser Shalës. Avokati kërkoi nga Prokurori që të mos luajë më me kresat për arrest shtëpiak pasi Gjykata të vendos t’i heqë ato.
Por në këtë kërkesë Salustro si me ironi iu përgjigj: “Unë vijë prej Romës dhe bazohem në Ligjet që i kemi shpik ne atje”, ishte përgjigja e Salustros.

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 09:55

Prishtinë – (E plotësuar) Vendimi për rastin Kleçka pritet të merret ka fillimi i shtatorit të këtij viti.

Kështu ka deklaruar gjatë seancës së sotme kryetari i Trupit Gjykues për Rastin Kleçka, Malcolm Simons. Është ky muaj kur do të mbahet fjala përfundimtare për këtë rast.

Në seancën e sotme është paraparë që të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi avokatët kanë hequr dorë nga kjo kërkesë, raporton Express. 

Për këtë arsye seanca ka vazhduar me disa çështje teknike ndër të cilat u fol edhe për raportin psikologjik të të ndjerit Agim Zogaj, mundësinë e dhënies së dëshmive të dy zyrtarëve të forenzikës që kanë bërë autopsinë e trupave të zhvarrosur si dhe mundësia e heqjes së masës së arrestit shtëpiak të të pandehurve në rastin Kleçka.

Trupi gjykues ka propozuar që me datën 16 të dëgjojë dëshminë e Sesilia Kropa, arkeologe e forenzikës e cila ka qenë pjesëmarrëse në zhvarrosjen e mbetjeve mortore, si dhe dëshminë e Marek Gasior patologut, i cili ka bërë raportet e autopsisë së këtyre trupave që janë zhvarrosur. “Plani është që ai të dorëzojë një raport për autopsinë, dhe për të kemi pyetje shumë të shkurtra”, ka thënë Simons, kryetar i trupit gjykues.

Prokurori Mauricio Salustro ka kërkuar që të dorëzohet edhe një raport shtesë i vlerësimeve psikiatrike si pjesë e provave të cilin do tija bashkëngjitin raportit të vjetër e tija dorëzojnë mbrojtjes. Mirëpo kjo gjë nuk është pranuar nga mbrojtja e të pandehurve.

Fatmir Limaj ka kërkuar që nëse kjo gjë pranohet nga Trupi Gjykues atëherë edhe psikiatri që e ka bërë raportin e parë të të ndjerit duhet të dëgjohet duke dhënë dëshminë para gjykatës.

“Pasi t’i shohim raportet ne do të donim të dëgjonim edhe dëshminë e mjekëve që kanë mjekuar Agim Zogajn”, ka thënë Limaj.

Derisa Artan Qerkini, avokati i Besim Shurdhajt ka kërkuar nga trupi gjykues që edhe njëherë të vlerësoj vendimin për arrest shtëpiak të të pandehurve.

Ai ka kërkuar të di nëse është e nevojshme të vazhdohet ose jo masa e arrestit dhe pasi mbrojtja ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmive të dëshmitarëve.

I vetmi Taulant Hoda, avokat i Shaban Shalës ka kërkuar që klient t’i vazhdohet arresti shtëpiak.

“Klienti i imë jeton në një zonë të thellë rurale. Nëse arresti shtëpiak vazhdohet me paraqitje në stacion policor klienti i imë nuk ka stacion policor afër andaj ne i preferojnë arrest shtëpiak”.

Seanca e radhës mbahet me 16 korrik ku dëshminë e tyre pritet ta japin një arkeolog dhe një patolog i forenzikës së EULEX-it të cilët kanë bërë zhvarrosjen e mbetjeve mortore pas luftës.

 

Vazhdon seanca në rastin “Kleçka”

 

Prishtinë – Sot do të vazhdoj seanca gjyqësore në rastin “Kleçka”, në të cilën do të dëshmoj dëshmitari i propozuar nga i akuzuari Naser Krasniqi.

Ndërsa, mbrojtja e Fatmir Limajt nuk e ka parë të arsyeshme të propozoj dëshmitar pasi sipas avokatit mbrojtës të Limajt, Tomë Gashi gjithçka është shqyrtuar dhe në këtë rast vendimi i drejt dhe i ligjshëm është lirimi i Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Gashi ka thënë për Kosovapress se sot në ora 10;00 do të vazhdoj seanca për rastin “Kleçka” me dëshmitarin e propozuar nga Naser Krasniqi.

“Sot vazhdon shqyrtimi në ora 10:00, ku do të merret në pyetje dëshmitari i cili është propozuar nga ana e Naser Krasniqit. Po ashtu do të merret në pyetje me 4 korrik dhe me 10 korrik dëshmitarët e propozuar nga Naser Krasniqi, ndërsa mbrojtja e Fatmir Limajt deri me tash ende nuk ka propozuar asnjë dëshmitar të mbrojtjes duke konsideruar se rasti është shqyrtuar mjaftë dhe të gjitha provat dërgojnë në një drejtim që është lirimi i Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, dhe me provat e njëjta që janë shqyrtuar dy vite më herët duhet të merret vendimi vetëm, i drejt dhe i ligjshëm që është dhënë edhe në maj të vitit të kaluar e që do të duhet të ishte aktgjykimi lirues për Limajn dhe bashkëluftëtarët tjerë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se ata kanë të drejta ligjore dhe nëse eventualisht do të ketë nevojë ata mund të propozojnë dëshmitar, sa i përket dispozitave ligjore, mirëpo sipas tij, deri me tash kanë konsideruar se gjithçka është shqyrtuar dhe gjithçka dërgon në një dërgim që është lirimi i Fatmir Limajt.

Ndërsa, sa i përket masës së arrestit shtëpiak, Gashi ka thënë se është duke u bërë një lojë lidhur me masat që po i caktohen Limajt, por pret që sot kryetari i trupit gjykues ta sheh të udhës që ta ndërpres masën e arrestit shtëpiak.

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 22:08

Prishtinë – Deputetit Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte në rastin e njohur si “Kleçka”, i është kthyer arresti shtëpiak.

Zyrtarët e EULEX-it nuk e kanë mohuar lajmin, por kanë thënë nuk mund as ta konfirmojnë, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk u është dërguar palëve, raporton KTV. 

Pas ankesës së prokurorit Maurizio Salustro, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që 10 të akuzuarit në rastin “Kleçka” t’iu kthehet masa e arrestit shtëpiak, e cila iu ishte hequr më 6 qershor. 
Seanca e ardhshme gjyqësore për këtë rast do të mbahet më 3 korrik. Rasti “Kleçka” u kthye në rigjykim pasi në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Supreme vendosi t’i marrë si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor, Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X.