12
 
Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:17

Beograd- Kisha Ortodokse serbe ia ka dhënë urdhrin Shën Sava Johan Kvales i cili ka lobuar, që Tribunali i Hagës ta lirojë Ramush Haradinajn, ankohet “Kurir” i Beogradit. Kjo dekoratë i është dhënë ish- ambasadorit norvegjez në Kosovës për kontributin që Mbretëria norvegjeze dha në përkrahjen e ndërtimit të Konakut të Prizrenit. “Kurir” shkruan se asgjë nuk do të ishte kontestuese sikur Kvale, para tri vjetësh, të mos e kishte ftuar me një letër Tribunalin e Hagës ta lironte liderin e AAK-së Ramush Haradinaj. 

Në këtë letër Kvale ndër të tjera kishte shkruar: “Kosova është shtet i ri që përpiqet ta gjejë rrugën drejt zhvillimit të plotë të demokracisë parlamentare e Aleanca për Ardhmëri është partia e vetëm që ka profil të qartë, falë, para së gjitha, Haradinajt”, transmeton Koha.

“Fali Zot”!. shkruan në legjendën e fotografisë në të cilinë shihen ambasadori norvegjez Kvale dhe patriarku serb Irinej. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 14:46

Prishtinë- Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë në një intervistë për Tribuna ka komentuar deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me fenë islame. Imami Krasniqi ka vlerësuar se liderët politikë e kanë humbur vizionin dhe orientimin dhe, sipas tij, ata janë lodhur nga dështimet e njëpasnjëshme, ndaj shpëtimin e vetëm, siç ka thënë ai, e shohin në përkrahjen ndërkombëtare.

“Ndaj paraqitja e kujtdo më “katolik se Papa”, duke sakrifikuar identitetin e tij fetar për hir të karrierës, e bën njeriun mjaft qesharak e kontrovers para atyre studiuesve që e njohin më mirë së ne historinë e Ballkanit. Duke synuar, si shumë të tjerë, që përmes mohimit të identitetit fetar të fitojnë simpatinë perëndimore, liderët tanë po harrojnë se po humbin ditë e përditë mbështetjen dhe përkrahjen vendore, pra atë të popullit. Ndërsa, me sa di unë, demokraci do të thotë ‘populli sundon’, e jo ‘ndërkombëtarët sundojnë’”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, deklaratat e Haradinajt se “ai ka lindur mysliman, por s’e di pse është mysliman për shkak se asnjëherë në jetën tij nuk ka qenë në xhami”, do ta dëmtojnë partinë e tij dhe elektoratin potencial. “Në fakt, mendoj se, ai votuesit tashmë i ka të humbur, ata moti ia kanë kthyer shpinën që kur deputetët e tij vollën vrer kundër Islamit dhe myslimanëve dhe që kur partia e tij pranoi zyrtarisht Kqirën (Anton Kqirën) i cili, në stilin e vajtueseve serbe, vajtoi Millosheviqin pse nuk i preu e nuk i griu 1.9 milion shqiptarë myslimanë sikur që i kishte masakruar në Bosnjë”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj interviste Krasniqi ka folur edhe se si do të ishte i gatshëm ta presë në xhaminë e tij Haradinajn, ndërsa i ka bërë thirrje këtij të fundit dhe gjithë liderëve politikë të kthehen kah rruga e Zotit. 

 
Lajme Shqip Monday, 25 November 2013 16:28

Prishtinë- Departamenti i Informacionit i AAK-së, përmes një komunikate për media, ka dëshiruar të sqarojë rreth, siç thonë ata, “spekulimeve të fundit në kontekst të një interviste të kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, dhënë kohë më parë”.

Zyra për informim e AAK-së thotë se redaksitë e disa mediave (portaleve) e kanë nxjerrë nga konteksti përgjigjen e kryetarit Haradinaj, me qëllime spekulative.

“Kryetari Haradinaj edhe një herë deklaron se orientimi dhe interesat tona kombëtare janë dhe kanë qenë gjithmonë në plan të parë, gjithnjë duke respektuar të gjitha besimet fetare në vendin tonë”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Ju rikujtojmë edhe një herë deklaratën e Haradinajt ku ai thotë:

“Familja ime për katër gjenerata kanë qenë shqiptarë katolikë. Unë kam lindur mysliman, por s’e di pse jam mysliman për shkak se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në xhami, as për falje e as për asgjë tjetër”.

 
Lajme Shqip Monday, 25 November 2013 00:27

Një video po qarkullon nëpër rrjetet sociale, në të cilën shfaqet Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke dhënë një intervistë në gjuhën angleze.

Në këtë intervistë (a bisedë), Haradinaj flet për fenë Islame, por edhe për atë të krishtere. Ai thotë se familja e tij, prej katër gjeneratash kanë qenë shqiptarë katolikë, ndërkaq thekson se nuk e ndjen veten mysliman.

“Familja ime për katër gjenerata kanë qenë shqiptarë katolikë. Unë kam lindur mysliman, por s’e di pse jam mysliman për shkak se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në xhami, as për falje e as për asgjë tjetër”, ka thënë Haradinaj në këtë intervistë në gjuhën angleze.

Më tej, ai jep sqarime se si ka depërtuar feja myslimane në trojet tona nga Perandoria Osmane e tutje, shkruan zëri. 

Si duket, videoja fillimisht është publikuar në një faqe myslimane në Facebook, ku qëllimi i publikimit të saj ka qenë fyerja ndaj Haradinajt, dhe jo vetëm. Qëllimi ynë nuk përkon me atë të sipërpërmendurin, por edhe thjesht me qëllim informimi të publikut, meqenëse edhe deklarata e Haradinajt, që faktikisht nuk dihet ende kur dhe ku është bërë, duket të ketë qenë publike.

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=OHqlaP7Ag5o

 
Lajme Shqip Sunday, 06 October 2013 11:58

Kryetari i Gjakovës Pal Lekaj me gjasë do të mbetet ‘hiti’ i kësaj fushate. Kjo për këngën që atij iu kushtua nga disa këngëtare anonime, ‘Motrat Bushi’. Por këngë për udhëheqësit politikë shqiptarë janë shkruar e kënduar gati çdo vjet. Janë plot këngë që janë bërë për Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, deri të Lulzim Basha madje e natyrisht edhe Sali Berisha, transmeton reporteri.net.

Historia e këngëve për liderët politikë natyrisht që është e gjatë por ajo cka mëse shumti dihet se për së gjalli në Shqipëri i kanë kënduar vetëm liderit komunist, Enver Hoxhës.

Shikoni më poshtë disa nga këngët:

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 15:59

Prishtinë- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po bëhet gati që të ulet në karrigen e kryeministrit të vendit. Ai tha se po punon që ta rrëzoj kryeministrin Hashim Thaçi nga posti kryeministrit, transmeton KTV.

Haradinaj theksoi se në terren po shihet se AAK-ja ka gjasa reale, dhe do të fitojë shumë komuna. Por nëse AAK-ja nuk arrin t’i realizojë parashikimet e saj, Haradinaj nuk e ka mohuar mundësinë e një koalicioni me PDK. “Të mohojmë mundësinë për një koalicion me PDK është një parashikim shumë i hershëm, por ne po punojmë megjithatë ta mundim Thaçin dhe PDK-në” ka thënë Haradinaj. Ai këto komente i bëri pas homazheve që ka bërë me bashkëpunëtorët e tij te shtatorja e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

 
Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 11:46

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Suharekë, e ka realizuar një videoklip parazgjedhur, i cili më shumë ngjason me një flirt mes një mashkulli e një femre sesa një thirrje për të dalë në zgjedhje. Megjithëse zyrtarë të partisë arsyetojnë çdo sekondë të secilës skenë flirtuese, që nis në një stacion autobusësh mes dy të rinjsh, aty ku vajza me disa shikime mundohet fillimisht ta josh një djalë i cili pret autobusin në këmbë, e më pas ia lë një letër me anë të së cilës e fron atë për të votuar përnime me 3 nëntor.

Burim Ramadani, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, nuk beson se në këtë reklamë të cilën thotë se e kanë bërë vullnetarët e Aleancës atje, ka ndonjë element provokues e as degradues. “Reklama e tillë është simpatike, ka mesazh të qartë të daljes së qytetarëve në zgjedhje, dhe sidomos ka target të rinjtë. Të rinjtë vullnetarë që kanë punuar në atë reklamë kanë synuar të nxisin bashkë-moshatarët e tyre që të votojnë në këto zgjedhje, mos të abstenojnë më 3 nëntor 2013”, ka thënë Ramadani për Express.

Sipas tij, flirti që paraqitet mes dy të rinjsh në këtë reklamë realisht dëshmon diçka tjetër. “Thirrjen për të votuar. Nuk besoj se ka qenë rastësi reklama e tillë, sepse dëshmon diçka më shumë. Thjesht, të rinjtë therandas dëshmojnë se më e rëndësishme se çfarëdo flirti është dalja në zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse të rinjtë duhet të fokusohen në atë ditë që vendos për katër vjetët e ardhshëm. E ajo ditë është 3 nëntori”, thotë Ramadani.

Sipas sekretarit të AAK-së, fushata “Përnime” është reflektim i vendosmërisë së Aleancës dhe kandidatit Bali Muharremaj që të punojë fuqishëm në katër vitet e ardhshme, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë neglizhencë. “Të punojë Përnime!” Megjithëse kjo reklamë, është akoma e papërfunduar. Në një deklaratë për Express, vet Bali Muharremaj thotë se kur të nis zyrtarisht fushata, ai do të paraqitet në fund të reklamës. “Por reklamën akoma se kam pa. Nuk e di as se si është realizuar. Di vetëm që thirrje për të votuar aty, do të bëj edhe unë”, ka thënë Muharremaj.

 
Lajme Shqip Monday, 02 September 2013 09:54

Burrel – Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, zhvilloi dje një vizitë të paralajmëruar në Burrel. Vizita e Haradinajt nisi në qendër të qytetit të Burrelit, pranë bustit të mbretit Zog, ku vendosi edhe një buqetë me lule.

Pranë këtij busti u prit nga Princi Leka dhe përfaqësues të Legalitetit, raporton “Gazeta shqiptare”. Më pas ai u zhvendos pranë Bashkisë Burrel, ku u prit në ambientet e këtij institucioni nga kryetarja e Bashkisë Burrel Adelina Farrici, ku shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike. Gjatë vizitës në institucionin e bashkisë ai u prit nga Këshilli Bashkiak i Burrelit, ku u akordua muaj më parë titulli, me konsensus nga këshilli i Bashkisë Burrel, “Qytetar Nderi” i kësaj bashkie, ku tërhoqi edhe këtë titull.

-Nga kush do të përfaqësohet AAK-ja në Prishtinë në zgjedhjet lokale?

Nga kandidati për kryetar, Besnik Tahiri, dhe lista e kandidatëve, – një listë e përbërë nga kuadrot e AAK-së në Prishtinë.

-Cili është qëndrimi juaj për fletët e votimit që mbajnë stemën e Kosovës që kundërshtohen nga Serbia?

Ne kemi interes me i mbajt zgjedhjet dhe do shkojmë drejt veprimeve që na ndihmojnë me i mbajt zgjedhjet. Për sa i përket regjistrimit të partive politike, dokumentacioni bëhet i njëjtë, me logo. Edhe në ato zona ku ka popullsi serbe, në fletët e votimit duhet të ekzistojë vetëm logoja e KQZ-së së Kosovës, e cila është një institucion i zgjedhur i Republikës së Kosovës.

-Si e komentoni zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi deri më tani?

Zbatimi nuk ka ndodhur në masën e duhur, po mendojmë se përgatitjet për zgjedhjet dhe vetë mbajtja e zgjedhjeve ndoshta është veprimi më i dobishëm në atë që ne e mendojmë si zbatim të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Sepse zbatimi i saj përforcohet, që do të thotë normalizim i rendit dhe ligjit, ose shtrirjen e diksionit një pjese të territorit të vendit, që është veriu i vendit.

-Ç’mund të na thoni për akuzat për trafik organesh në të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë”?

Lufta ka qenë shumë e ashpër, ka pasur të vrarë nga të dyja palët. Në atë shtëpi për të cilën bëhet fjalë, nuk ka pasur transplant organesh dhe përfundimet duhet t’i nxjerrë drejtësia.

 

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 17:07

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, zotin RamushHaradinaj. Gjatë bisedës janë diskutuar projektet e Shqipërisë mes të cilave dhe ai i TAP pas interesit që shprehu kreu i AAK-së.

Haradinaj mes të tjerave çmoi figurën e Berishës dhe partneritetin që AAK ka me PD-në.
“Gjithashtu bashkëbiseduesit trajtuan tema të interesit të bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës etj.. Në këtë aspekt, zoti Haradinaj tregoi interes të posaçëm në lidhje me projektin TAP dhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga ky projekt energjetik madhor trans-europian. Kryeministri u shpreh se projekti TAP ka një rëndësi strategjike për sigurinë energjetike jo vetëm të Europës, por edhe të rajonit dhe siguroi se Kosova do të përfitojë në këtë kuadër”, thekson zyra për shtyp e kryeministrit.

Zoti Haradinaj u shpreh se kishte ndjekur me shumë interes zhvillimet politike në Shqipëri dhe përfitoi nga rasti për të shprehur kënaqësinë për partneritetin që AAK ka me Partinë Demokratike në Shqipëri. Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vazhdimësinë e këtij partneriteti dhe në të ardhmen.

“Zoti Haradinaj vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha dhe mazhorancës së udhëhequr prej tij në demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Zoti Haradinaj çmoi projektet e mëdha të infrastrukturës të realizuara nga Kryeministri Berisha si një kontribut të jashtëzakonshëm për të sjellë shqiptarët së bashku dhe shprehu shpresën se këto projekte të nisura dhe reformat e ndërmarra nuk do të ndërpriten”, thekson më tej zyra e shtypit të kryeministrit në detyrë.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë në kuadrin e integrimeve euro – atlantike lidhen vetëm me Partinë Demokratike, duke theksuar se një asimetri e tillë tregon mungesën e vullnetit të Partisë Socialiste, e reflektuar kjo në sjelljen destruktive të opozitës gjatë 4 viteve të shkuara, kur ajo bllokoi integrimin europian të Shqipërisë.Kryeministri nënvizoi se alternanca është ligjësi themelore e demokracisë, por ai theksoi se Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme, prej të cilave që tani PS po tërhiqet, raporton albeu.

Në takim u bisedua në lidhje me zhvillimet politike në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të Kosovës. Vend të veçantë zuri procesi i zbatimit të marrëveshjeve midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, ku u theksua rëndësia themelore e zbatimit të tyre për konsolidimin jo vetëm të Kosovës por dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, zoti Haradinajtheksoi se ky proces do të vazhdojë të ecë përpara.

Me interes u trajtuan dhe temat e zhvillimit të infrastrukturës së përbashkët energjetike dhe shfrytëzimit të resurseve për prodhimin e energjisë në të dy vendet.

Më pas Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të zotit Haradinaj dhe delegacionit që e shoqëronte.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 17:17

Tetovë  – Në kujtim të politikanit, shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur Arbën Xhaferri, kryesiaqendrore e Partisë Demokratike Shqiptare bëri homazhe në qytetin e Tetovës.

Ata kujtuan veprën e Xhaferit duke folur fjalë miradie. Akademia qendrore përkujtimore do mbahet në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku do të jenë të pranishëm familjarë, miq, kolegë.

 

Gjendja e shqiptarëve nuk është përmirësuar

 

Gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit në Maqedoni, por ajo vazhdon të përkeqësohet.

Kjo u deklarua sot nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pas një takimi që zhvilloi sot në Tetovë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të jetë pjesë e ceremonisë së përkujtimit të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Arbën Xhaferrit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe këshilltari i liderit të AAK-së, gjenerali Stiven Schook. 

 “Sot, kisha nderin që të pres Ramush Haradinaj, kryetarin e AAK-së.  Personalitet i shquari i kombit tonë, Haradinaj shprehu dëshirë që të mer pjesë në përvjetorin e kujtimit të kryetarit tonë Arbën Xhaferi. Padyshim se biseduam edhe çështje tjera politike. Haradinaj shprehu interesim për gjendjen në Maqedoni, për pozicionin e shqiptarëve, unë i dhash vlerësimet tona dhe gadishmërinë tonë të jemi kontribues e njoftova që gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit, por vazhdon të keqësohet ende më shumë, në aspektin e realizimit të drejtave të tyre fundamentale, si në aspektin e vërshtirësive ekonomike, ashtu edhe në aspektin e vështirësive sociale”, theksoi Menduh Thaçi, raporton INA.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se ndjehet i emocionuar dhe nderuar që merrë pjesë në këtë përvjetor dhe për të takuar kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Është një moment me ndjenja të përziera për mua, para një viti kur u nda nga jeta zoti Arbën Xhaferi nuk munda me marr pjesë në varrim, por pata rastin me vendos lule mëpastaj, jam i nderuar që mund të mar pjesë në përvjetorin e parë, por poashtu për të takuar edhe mikun tim, kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi me bashkëpunëtorët, një forcë politike serioze që ka artikuluar që nga fillimi i saj interesin e shqiptarëve në Maqedoni, kemi biseduar për zhvillimet e fundit këtu dhe në Kosovë, poashtu edhe për një partneritet të vazhdueshëm që e kemi si dy parti të djathta, shqiptare, të konfirmuar me një memorandum bashkëpunimi. Pra është në vazhdën e një bashkëpunimi që kemi pas për të mirën e qytetarëve të dy vendeve”, theksoi Haradinaj.

 

12