Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 12:59

(Vijon)… Marinaj: Ju e kthyet Ramiz Alinë në një urë të maskuar; këmbët zhytur thellë  në mes të komunizmit dhe kokën e mbështetur në cepin fillestar të demokracisë. E gjithë Shqipëria e përdori atë “urë”. Por kur kaluan në anën e dëshiruar, ata më të fuqishmit, të flakën në burg. Pra në ato burgje ku ju dhe qeveria juaj patët dënuar një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Nuk ju pushkatuan, ndonëse qeveria që drejtonit ju kishe vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm. Çfarë shënimesh ka mbajtur shpirti juaj që nga ato ditë burgimi…?

Alia: Është e njohur që veprimtaria ime politike lidhet me socializmin. Kemi dënuar ata që me të drejte a pa të drejtë i quanim armiq te pushtetit dhe popullit. Ky nuk ka qenë mëkati ynë më i madh. Tufëzat, po! Tufëzat varfëruan fshatin dhe qytetin. Ky ka qenë mëkati ynë më i madh!

Por kur në fund të viteve ‘80 të ndodhën ndryshimet e mëdha në Evropën Lindore dhe erërat e forta të këtyre ndryshimeve po frynin edhe në Shqipëri, përpara çdo politikani problemi shtrohej: Të qëndronte fort me fanatizëm për të ruajtur “me çdo kusht” rendin socialist, apo të përpiqej që kalimi nga njëri sistem në tjetrin të kalonte sa më butë? Shkurt të viheshin në krye bindjet ideologjike, apo interesat kombëtare. Rruga e parë do të sillte vëllavrasje e përçarje të pandreqshme. Ndërkohë edhe kalimi spontan, i lënë në duart e “rrugës”, që kërkonte të përmbysej çdo gjë në emër të një antikomunizmi primitiv përbënte një rrezik shumë të madh.

Duke qenë në të njejtën kohë Udhëheqës i PPSH dhe Kryetar i Shtetit unë mora përgjegjësinë që të mënjanoja përfundimisht rrugën e vëllavrasjes dhe të përpiqesha të evitoja kalimin e egër nga sistemi monist në atë pluralist. Arrita të mënjanoj gjakderdhjen dhe të drejtoj periudhën e parë të tranzicionit relativisht normalisht. Forcat që erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, me në krye Partinë Demokratike të Berishës, ndoqën rrugën e zbatimit të “terapisë shock”që i solli dëme të mëdha vendit, si dhe një politikë agresive përçarëse dhe hakmarrëse. Edhe burgosjen time dhe të udhëheqësve të tjerë të PPSH e kërkuan dhe e realizuan të nisur nga këto ndjenja të hakmarrjes mesjetare. Nuk do të ndalem më gjatë në këtë kapitull të jetës sime.

Marinaj: Pozitë ! Opozitë! Tani për shqiptarët në demokraci  këto dy fjalë janë në ekuilibër me “seriozitetin” politik.  Janë lojë fjalësh, fjalë lufte apo lojë lufte në fjalë?

Alia: Demokracia nuk është vetëm pluripartitizmi. Fatkeqësisht sot në Shqipëri ka mendime tepër sempliste si për demokracimë, ashtu edhe për pozitën apo opozitën. Më duket se klasës së sotme politike shqiptare, qoftë në pozitë apo në opozitë, i mungon morali në kuptimin politik, siç i mungon ndjenja e përgjegjësisë përpara vendit, përpara popullit. Më shumë kanë marrë përparësi interesat e ngushta personale, përpjekjet për të vënë sa më parë e sa më shumë pasuri për vete, duke e konsideruar pushtetin si një “lopë që milet”. Pikërisht se nisen nga këto koncepte të huaja për interesat e popullit, partitë politike e shohin njëra tjetrën jo si kundërshtare, por si armiq. Ato janë vendosur si në llogore lufte, gjë që ndikon në tensionimin e situatës në vend.

Në qoftëse partia në pozitë, sidoqoftë, mban një përgjegjësi përpara opinionit të brendshëm e të jashtëm për atë që ndodh në vend, opozita e quan veten fare të lirë nga çdo përgjegjësi. Ajo mohon çdo gjë, kritikon çdo gjë, lufton pozitën me mjete të lejuara e të ndaluara. Të njëjtën gjë, por duke fshehur dorën, bën edhe pozita kundër opozitës. Mendimi im është se tek ky kuptim i mbrapshtë i demokracisë dhe i rolit të pozitës e të

opozitës në një shoqëri demokratike duhet parë gjendja që mbretëron në vend, mungesa e sigurisë dhe nxitja e frymës së urrejtjes për njëri tjetrin e kështu me radhë.

Ç’duhet bërë?

Unë besoj se në Shqipëri do të dalin forca dhe personalitete politike që do të dinë të vënë rregull dhe ligje të tilla sjelljeje që t’i hapin rrugë zhvillimit të suksesshëm të vendit. Padyshim është e domosdoshme që të spastrohet arena e politikës nga ata lloj politikanësh që nuk kanë as dijet e kulturën, as ndjenjën e përgjegjësisë dhe moralin e nevojshëm që kërkohet nga ata që duan t’i shërbejnë vendit të tyre, përparimit të gjithanshëm të tij.

Marinaj: Pse më kërkuat që kjo intervistë të botohet pas vdekjes tuaj? Ju mund të jetoni shumë gjatë dhe intervista mund ta humbë freskinë, interesin?

Alia: Sepse e di se do e mbani amanetin. Dhe përfitoj nga rasti që të përshëndes lexuesit e gazetës ku do të botohet kjo intervistë dhe t’ju uroj atyre gjithë të mirat.

Ramiz Alia
Ish-President i Republikës së Shqipërisë

Intervistoi Gjekë MARINAJ

*Gjekë Marinaj është poet dhe përkthyes, aktualisht profesor në Universitetin e  Dallasit, ish-i arratisur politik gjatë diktaturës

*******

As njëra as tjetra, atëherë çfarë ndodhi?

Ndryshimi i sistemit: Ramiz Alia pohon se nuk zgjodhi as “gjakderdhjen” as “antikomunizmin primitiv”. Atëherë si u ‘kalua stafeta’ te Sali Berisha?

Kjo intervistë, e cila shoqërohet me amanetin shumë kurioz (botimi pas vdekjes) që Alia i ka lënë autorit Marinaj, mund të  shihet nga kënde të ndryshme. Por ka një pjesë që bën shumë përshtypje, e cila lë goxha vend për interpretim.

Alia thotë se kur “erërat e forta të ndryshimeve po frynin edhe në Shqipëri, problemi shtrohej: Të qëndronte fort me fanatizëm për të ruajtur “me çdo kusht” rendin socialist, apo të përpiqej që kalimi nga njëri sistem në tjetrin të kalonte sa më butë? Shkurt të viheshin në krye bindjet ideologjike, apo interesat kombëtare…”.

Dhe si veproi Ramiz Alia? Cilën rrugë zgjodhi? Më tej në këtë intervistë ai thotë: “..Rruga e parë do të sillte vëllavrasje e përçarje të pandreqshme. Ndërkohë edhe kalimi spontan, i lënë në duart e “rrugës”, që kërkonte të përmbysej çdo gjë në emër të një antikomunizmi primitiv përbënte një rrezik shumë të madh…”

Pra as e përballoi me forcë dhe viktima ndryshimin, ama as e la çdo gjë në duart e “antikomunizmit primitive” sic e quan.. Atëherë çfarë ka ndodhur?