12
 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 14:01

Prishtinë – Besimtarët muslimanë në Kosovë po festojnë Fitër Bajramin. Shumë qytetarë në orët e hershme të ditë së sotme janë mbledhur në Xhaminë e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih, në Prishtinë, për të falur Namazin e Bajramit.

Me këtë rast, besimtarëve muslimanë u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka kërkuar nga qytetarët kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe të humanitetit.

“Shoqëria jonë ka nevojë për themele të shëndosha dhe duhet të ngrihet mbi bazën e punës së ndershme. Shoqëria jonë si asnjëherë deri më parë tash ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore. Prandaj, duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjtë, dhe ky vend i shenjtë, i ftoj besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues”, ka thënë para besimtarëve myslimanë, Tërnava.

Tërnava ka thënë se festa e Fitëer Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarët që kanë agjëruar Muajin e Ramazanit, dhe që kanë shprehur përkushtim ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

Ai ka bërë thirrje për solidaritet e bamirësi. “Në mesin tonë kemi shumë jetimë, familje të varfra, skamnorë që nuk kanë ushqim ditor të mjaftueshëm, andaj së paku në këtë ditë feste të tregojmë se ne vetë jemi solidarë dhe t’i ndihmojmë nevojtarët”, është shprehur Tërnava.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, derisa ka uruar qytetarët me rastin e Fitër Bajramit, ka uruar edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.  “Përmes kësaj feste, ju uroj për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës.  Zoti na ndihmoftë në realizimin e të gjitha dëshirave tona”, ka uruar myftiu Tërnava.

Me rastin e Fitër Bajramit qytetarët i kanë uruar edhe udhëheqësit e vendit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ka uruara udhëheqjen e këtij institucioni dhe qytetarët me rastin e Fitër Bajramit.
“Kam ardhur sot këtu që t’ju uroj për këtë ditë të madhe, për këtë festë të besimit islam ditën e Bajramit. Ju dëshiroj ju, familjeve tuaja dhe mbarë popullit të Republike së Kosovës që këtë ditë të lume ta kalojmë në shëndet, gëzime begati në ndihmë të njëri-tjetrit në forcimin e besimit te Zoti, që të jetojmë në lumturi në paqe në harmoni dhe përparim të përgjithshëm”, tha Jahjaga.

Duke folur për të arriturat e deritashme të vendit, presidentja Jahjaga para udhëheqjes se BIK-it tha se Kosova deri më tash ka kaluar nëpër sfida të mëdha. Ajo theksoi se vendi mund të përparojë edhe më shumë duke kujtuar të kaluarën. “Kosova sot ka një të ardhme të qartë. Kosova ka një të ardhme që ka plotësuar të gjitha ato kushte drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Po gjithsesi edhe në një miqësi të përjetshme të themi që e kemi zgjedhur vetë me SHBA-në. Rrugën, të cilën e kemi kaluar deri më sot nuk ka qenë një rrugë e lehtë ka qenë një rrugë jashtëzakonisht e vështirë dhe duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ne. E kaluara duhet të jetë një inkurajim dhe një shtytje që të punojmë më shumë dhe ndershëm dhe të punojmë për prosperitetin e popullit dhe vendit tonë”, theksoi Jahajaga.

Kurse, në mesazhin e kryeministri thuhet: “Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës. Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë”.

Ndryshe, veç mesazheve që kanë dërguar udhëheqësit e vendit për qytetarët e besimit islam, gjatë paradites Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë vizituar përfaqësues të partive politike, dhe zyrtarë të tjerë institucioneve dhe bashkësive fetare në vend. (REL)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 13:42

Tiranë – Readaksia e Portalit LajmeShqip.com uron të gjithë besimtarëve musliman ane e kënd globit si dhe vizitorëve të portalit, Festën e Fitër Bajramit.

Me Besimin tek Zoti, me punë dhe përpjekje të mëdha le të punojmë të gjithë së bashku për një të ardhme më të mirë.

Këtë vit, në 100 vjetorin të pavarësisë së Shqipërisë është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan dhe luftuan në mbrojtjen çèshtjes shqiptare.

Shprehim nderimin tonë më të madh dhe të thellë, ndaj të gjithë atyre, të cilët e shndërruan këtë muaj në muajin e  sakrificës fisnike, në muajin e përkushtimit të madh ndaj Zotit dhe vlerave hyjnore që frymëzojnë njeriun.

Me urimet më të mira në jetën tuaj dhe begatinë e harmoninë në mesin e familjeve, ju urojmë “Me fat Fitër Bajramin”. Redaksia e Portalit LajmeShqip.com

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 13:16

Prishtinë -Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i ka dërguar një telegram urimi presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në telegram shkruan se “Ramazani është periudha që familjet dhe bashkësitë përjetojnë kënaqësinë e traditës, duke u mbledhur së bashku në reflektim, adhurim dhe shërbesë”. Pastaj zoti Obama ka theksuar se “në emër të popullit amerikan, po ju përcjell dëshirat e mia më të mira, në kohën kur ju dhe populli i juaj feston Fitër Bajramin” dhe ka shfaqur shpresën se “muaji i shenjtë i Ramazanit do t’u sjellë të gjithë myslimanëve një periudhë të ripërtëritjes dhe përbashkimit me njëri-tjetrin”.

Telegrami dërguar presidentes Jahjaga, përfundon me urimin që ajo dhe populli në Kosovë “të përjetoni paqe, shëndet dhe prosperitet gjatë vitit të ardhshëm”. “Meqë jemi në përfundim të Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit dhe lutjeve për myslimanët në gjithë botën, kam kënaqësinë të uroj të gjithë myslimanët për një Bajram me gëzime dhe paqe”, thuhet në urimin e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Gjithashtu Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë edhe një telegram tjetër urimi për festën e Bajramit nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. “Për të nderuar këtë kohë të veçantë, Clinton thotë se myslimanët në SHBA dhe në gjithë botën do të bashkohen për festën e Bajramit sipas traditave të tyre të pasura dhe diverse, duke festuar vlerat e përbashkëta të familjes, solidaritetit dhe komunitetit.

“Në kohë me ndryshime dhe pasiguri, festimi i këtyre vlerave të përbashkëta na bashkon dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar dhe mirëkuptim ndërkulturor”, thuhet në letër urimin drejtuar Ministrit Hoxhaj.

Sekretarja Clinton ka theksuar se derisa festojmë ketë vit, do të nderojmë kontributin e individëve që punojnë për të avancuar dialogun, vizionin e përbashkët, dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe komuniteteve myslimane në botë, në mënyrë që së bashku të krijojmë një epokë të re të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjithë njerëzve.

“Në emër të të gjithë neve në Departamentin e Shtetit Amerikan, iu uroj festën e Bajramit”, thuhet në letrën e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 12:46

Prishtinë  – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u dërgoi një mesazh urimi udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarëve myslimanë, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë në vendin tonë dhe në gjithë botën u dërgoj urimet më të mira me rastin e Ditës së Bajramit të Madh. Në këtë ditë feste dhe gëzimi, uroj që të jeni të lumtur e të bashkuar dhe të festoni me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit tuaj, me të mirat dhe begatitë që ua ka dhuruar Zoti.

Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, le të shtrijmë dorën e solidaritetit e të mirëkuptimit në mes vete, le të përkujtojmë dhe le të lutemi për të gjithë ata që nuk janë në mesin tonë, por që me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre, bënë që ne sot të jetojmë dhe të shënojmë të lirë festat dhe gëzimet tona. Gëzuar festa e Bajramit të Madh! Paçi gjithmonë begati, hare e mirëkuptim në familjet tuaja”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentes.

Me rastin e Festës së Bajramit, edhe kryeministri Hashim Thaçi përgëzoi kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë të Kosovës.  “Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë.

Me rastin e shënimit të Festës së Fitër Bajramit, këtë vit Republika e Kosovës është konsoliduar edhe më shumë si shtet demokratik, me institucione stabile dhe funksionale, duke i dhënë prioritet kryesor përmbushjes së standardeve dhe kritereve për integrim në BE dhe në NATO, si dhe duke implementuar vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët islamë me rastin e Festës së madhe të Fitër Bajramit, duke iu dëshiruar më shumë paqe, harmoni, solidaritet dhe unitet në familjet e tyre, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 22:02

Tiranë – Kryeministri Berisha, në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit shtroi të premten në mbrëmje, një Iftar për besimtarët myslimane, në një prej rezidencave qeveritare.

Kjo darkë mblodhi së bashku shumë miq dhe të ftuar si, drejtues dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i këtij komuniteti Haxhi Selim Muça, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të bashkësive fetare në vend si, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,  Imzot Rrok Mirdita, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme fetare.

I ftuar nga kryeministri Berisha, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça çeli Iftarin dhe më pas Kryeministri Berisha iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje:

“I nderuar  Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar,

I nderuar  Naim Tërnava, Kryetar i Bashkësisë  Islame të Kosovës,

I nderuar Afrim Tahiri, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Maqedonisë,

I nderuar Omer Kajosha, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Malit të Zi,

I nderuar Adan Ahmeti, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Preshevës,

Fortlumturia Juaj Kryepeshkop i Shqipërisë, Janullatos,

I nderuar Haxhi Babë Edmond Brahimaj,

Pastor, Fitor Muça,

Dom Henri,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të dashur miq,

Së pari dëshiroj dhe njëherë me shumë mirënjohje t’ju falenderoj, që pranuat ftesën të lutemi sëbashku në këtë iftar dhe ta kalojmë sëbashku.  Para së gjithash është një detyrë e imja dhe një nder i veçantë të përulem me nderim të madh para të gjithë atyre besimtarëve, të cilët në përkushtimin e tyre ndaj Zotit , agjeruan muajin e Ramazanit, në kushte të një vere ndër më të nxehtat. Pranuan sakrificën dhe privimin edhe nga pika e ujit, për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Zotit, për të dëshmuar virtytin e sakrificës mbi të cilën ndërtohen të gjitha mirësitë dhe arritjet e njeriut.

Ne jemi sot të mbledhur këtu nga të gjitha trojet shqiptarë, jemi të mbledhur këtu me përfaqësues të besimeve të tjera të mëdha, në dëshminë e shkëlqyer se besimi tek Zoti, përkushtimi ndaj atij, është besimi  dhe përkushtimi më suprem i njeriut. Me dëshminë se përkushtimi ndaj Zotit, është frymëzimi i madh për njeriun, për dashurinë, për tolerancën, për mirëkuptimin. Çdo besimtar burrë, grua, i përkushtuar ndaj Zotit ka rastin e madh të dëshmojë vlerat e mëdha të këtij besimi dhe përkushtimi.  Vlerat e mëdha të këtij vlerësimi dhe përkushtimi janë mirëkuptimi, toleranca, respekti i ndërsjellë për besimin e tjetrit.  Ne shqiptarët kemi një trashëgimi të shkëlqyer, e cila dora dorës vjen duke u bërë gjithnjë e më e njohur dhe dora dorës vjen duke u shpalosur gjithnjë e më shumë në Europë dhe në Botë.

Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve.  Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është “Të bashkuar në diversitet” dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e  tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi.

Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju dhe përulem me nderim të thellë, ndaj të gjithë atyre, të cilët e shndërruan këtë muaj në muajin e  sakrificës fisnike, në muajin e përkushtimit të madh ndaj Zotit dhe vlerave hyjnore që frymëzojnë njeriun.

Dhe njëherë gëzuar dhe le te urojme që muaji tjetër i Madhërueshëm  i Ramazanin të na gjejë dhe më mirë, dhe më të përkushtuar, dhe të vendosur në rrugën e  Zotit.

Faleminderit.  ”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 16:09

Tiranë – Presidenti Bujar Nishani ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Festës së Fiter Bajramit.

Obama shprehet se “Ramazani shënon kohën kur familjet dhe bashkësitë festojnë së bashku në traditën e reflektimit, përkushtimit dhe shërbesës. Në emër të popullit amerikan, ju shpreh juve dhe mbarë popullit shqiptar urimet e mia më të mira teksa festoni Fiter Bajramin! Shpresoj që muaji i shenjtë i Ramazanit t’u sjellë të gjithë myslimanëve një periudhë ripërtëritjeje dhe ndarje të të mirave së bashku!”.

“Uroj që ju dhe populli shqiptar të gëzoni lumturi dhe begati përgjatë vitit të ardhshëm!”, theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit amerikan drejtuar Kreut të shtetit shqiptar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 10:11

Tiranë -Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimane me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Ne fillim të muajit të madhërueshëm të Ramazanit ju uroj mbarësi në familjet tuaja. Në mënyrë të veçante, agjeruesve u uroj përjetim sa më përmbushës të sakrificës së tyre, agjërim të lehtë e të pranuar. 

Uroj qe sakrifca fisnike dhe hyjnore e këtij muaji të madhërueshëm të shëndrohet në dritë dhe mbarësi për ta, familjet dhe vendin tonë.”- thuhet në mesazhin e Berishës.

Muaji i shenjtë i Ramazani ka për qëllim kryesor devotshmërinë e njeriut, pastrimin shpirtëror dhe edukimin e tij me vlera dhe aspirata të larta. Ky muaj nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëhemi më humanë dhe udhërrëfyes për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 08:07

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga uroi të gjithë besimtarët myslimanë, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Në urimin e Presidentes Jahjaga thuhet: Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj të gjithë besimtarët muslimanë. Muaji i Ramazanit është muaj që kultivon paqen, dashurinë e respektin, është muaj i lutjeve dhe i reflektimit, muaj i solidaritetit dhe zemërgjerësisë midis njerëzve në gjithë globin.

Ju uroj nga zemra, ju dëshiroj agjërim të lehtë e të mbarë, lumturi e begati në familjet tuaja.

Fillimin e muajit të Ramazanit e ka uruar edhe Kryeminstri Hashim Thaçi.

Nesër fillon muaj i shenjët i Ramazanit, që është një muaj i sakrificës, adhurimit dhe solidaritetit për të gjithë besimtarët e fesë islame kudo në botë. Edhe besimtarët e fesë islame në Republikën e Kosovës e presin këtë muaj me nderim dhe përkushtim për të përmbushur obligimet e tyre fetare dhe njerëzore ndaj krijuesit dhe shoqërisë në të cilën jetojnë.

Muaji i Ramazanit, qytetarët e Republikës së Kosovës, këtë vit i gjen në angazhimet për konsolidimin e shtetit të tyre, në angazhimet për shoqërinë demokratike, tolerante dhe solidare për të gjithë. Mesazhet e sakrificës dhe solidaritetit që përcjell muaji i shenjët i Ramazanit, për qytetarët e Kosovës përkujton sakrificën, gjakun, mundin dhe angazhimin e pareshtur për lirinë dhe demokracinë e vendit tonë.

Të nderuar besimtarë,
Idealet e lirisë, solidaritetit, sakrificës dhe përkushtimit do të jenë të përhershme për Qeverinë e Kosovës, për të rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të rritur sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në shtetin tonë, për të siguruar një jetë të lumtur dhe në harmoni për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Muaji i Ramazanit do të shërbejë si një përkujtues i angazhimeve për qytetarët e vendit tonë. Dua të ju shpreh urimet e mija për këtë Ramazan, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe përmbushje të detyrave për çdo besimtar. Dëshirojë që në këtë muaj të rahmetit, solidariteti dhe respekti në shoqërinë tonë të jetë në nivelin sa më të lartë. Uroj të gjithë besimtarët që agjërimi, lutjet dhe solidariteti të ju pranohen nga krijuesi fuqiplotë, shkruan në telegram urimi.

I nderuar myfti Ternava,
Ju përgëzojë në këtë ditë të fillimit të muajit të Ramazanit dhe dua të shpreh falënderimet e mija për bashkëpunimin e shkëlqyer të Bashkësisë Islame dhe Qeverisë së Kosovës në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë. Zoti ju ndihmoftë juve dhe të gjithë besimtarët në përmbushjen e obligimeve dhe detyrave fetare gjatë këtij muaji të shenjët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 19:41

Prishtinë, 19  – Presidentja Jahjaga uron besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj të gjithë besimtarët myslimanë.

“Muaji i Ramazanit është muaj që kultivon paqen, dashurinë e respektin, është muaj i lutjeve dhe i reflektimit, muaj i solidaritetit dhe zemërgjerësisë midis njerëzve në gjithë globin”, ka thënë ajo në urim.

Fillimin e muajit të Ramazanit besimtarëve islamë ua ka uruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në urim ndër të tjera thuhet:

“Urojmë që mes qytetarëve të Republikës së Kosovës të mbretërojë paqja dhe mirëkuptimi. Muaji i shenjtë i Ramazanit le të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve”.    

Me rastin e muajit të Ramazanit ministri i Jashtëm Kosovës Enver Hoxhaj ka uruar liderë të vendeve myslimane. Muajin Ramazan besimtarëve ua ka uruar edhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.

Telegram urimi për muajin e Ramazanit kanë dërguar edhe AAK, AKR dhe përfaqësues të partive të tjera në Kosovë.

Urime për këtë muaj ka dërguar shefi i misionit të OKB-së Farid Zarif.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 17:00

Prishtinë – Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, përmes një mesazhi ka uruar besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, duke e quajtur këtë muaj të shenjtë për besimtarët myslimanë muaj të fitores mbi të keqen. 

Në urime theksohet: Nesër, besimtarët myslimanë nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj kam nderin, kënaqësinë e privilegjin që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Zoti ynë.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është një ibadet që bartë në vete urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin.

Besimtari përmes agjërimit më së miri me vepër e vullnet të plotë shpreh përkushtimin e tij ndaj Krijuesit, ngase ky ibadet bëhet vetëm për Te, me bindje që Krijuesi do e shpërblej në Botën tjetër.

Allahu xh.sh., thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në  cilin zbriti Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë….. ” (Sure el-Bekare: 185).

Muaji i agjërimit ka për qëllim bindshmërinë ndaj Krijuesit, fisnikërimin e shoqërisë, ngase gjatë këtij muaji besimtari shton adhurimet, është më i kujdesshëm, behet më human, më i dashur e më paqësor.

Muaji i Ramazanit është muaji i rahmetit e bereqetit, është muaj i Shpalljes së Kuranit, është muaj i fitores mbi të keqen, është muaj në të cilin është Nata e madhe e Kadrit, është muaj që na ofron të gjithëve në të njëjtën kohë rreth sofrës së iftarit e syfyrit, na tubon rreth nimetin e bereqetit të Allahut. Na ofron te skamnorët, jetimët, na ofron me të gjithë nevojtarët.

Ramazani është muaj që kultivon paqen, mirëqenien, dashurinë e respektin. Ramazani është muaj i pendimit e reflektimit, parime këto për të cilat bota e njerëzimi sot kanë nevojë më shumë se kurrë.

Jemi dëshmitarë që në shumë vende nëpër botë kemi trazira, lufta e konflikte, ku me mija njerëz kryesisht gra, fëmijë e pleq të pafajshëm bien viktima të luftës,  e më mija të tjerë janë të rrezikuar që të përjetojnë të njëjtin fat.

Ne, në këtë muaj të madh, në këtë muaj të mëshirës, në këtë muaj të solidaritetit lutemi që sa më parë të marrin fund luftërat e konfliktet, që njerëzit të jetojnë në paqe e harmoni, lutemi për popullin e Sirisë që sa më parë tu bashkohet popujve e shoqërive të lira.

Ramazani i sivjetshë, për ne ka një rëndësi të veçantë, ngase siç dihet ne jemi në vitin jubilarë të pavarësisë së shqiptarëve, andaj në këtë muaj të mëshirës apeloj te të gjithë faktorët relevant që në këtë përvjetor, të jemi mirënjohës ndaj Zotit, të njohim kontributin dhe flijimin e brezave që sakrifikuan për pavarësi e mëvetësi, të angazhohemi që idealet e të parëve tanë të jetësohen, pra të ndërtojmë një shoqëri me integritet, e bashkuar, unike, e zhvilluar, paqësore dhe e lirë, thuhet në urimin e Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava. (LajmeShqip.com)

12