Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 07:31

Prishtinë – Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët e Fesë Islame me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, me përgëzimet më të mira. “Besimtarët myslimanë nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj kam nderin, kënaqësinë e privilegjin që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Zoti ynë. Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin zbriti Kurani, muaj i kultivimit të mëshirës, të solidaritetit, të faljes e pendimit.

Po ashtu ky muaj ngërthen në vete bereqetin, mirësinë afërsinë, bujarin e kujdesin për njëri – tjetrin. Agjërimi i muajit të madhëruar të Ramazanit është urdhër nga Allahu xh.sh. dhe si i tillë është një prej ibadeteve më madhështore të cilin besimtarët me vullnet, devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të Allahut xh.sh. Për agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kuran, thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj le ta agjëroj ”. (El-Bekare, 185).

Agjërimi i Ramazanit besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Edhe gjatë këtij muaji të bekuar, besimtarët tanë të mbështetur në mësimet kuranore do të jenë shembull për bindje, përkushtim, adhurim, durim, moral, dashuri, mëshirë, sakrificë, tolerancë e paqe.

Një besimtarë që i zbaton këto parime në jetën e tij, është njeri i sjellshëm, modest, i drejtë i besueshëm dhe me të cilin është e lehtë të krijohen marrëdhënie të mira. E ky është një nga qëllimet e agjërimit, që të edukoj e fisnikëroj së pari njeriun, familjen, rrethin e shoqërinë.

Të nderuar besimtarë! Edhe 12 vjet pas luftës Kosova edhe më është duke dhënë shehid – dëshmor për realizimin e plot të sovranitetit të sajë, ndaj ne si shoqëri e shtet kemi nevojë për mësimet e Ramazanit, e posaçërisht për urtësinë e agjërimit, tani më shumë se kurrë na duhet uniteti, përkushtimi e bashkimi për realizimin e të drejtës sonë të plotë për vendin tanë. Kërkoj nga të gjithë faktorët, institucionet politike e jo politike që të ruajnë unitetin veprues për realizmin dhe jetësimin e sovranitetit e integritetit tonë shtetërorë të plotë. Për këtë na obligon gjaku dhe amaneti i shehidve-dëshmorëve.

Vëllezër e motra! Me lejoni që edhe njëherë, me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet e mia më të mira të gjithë besimtarëve të besimit Islam brenda trojeve tona etnike dhe mërgatën tonë, duke e lutur të Madhin Zot që të na pranojë agjërimin, veprat tona te mira, namazin, sadakanë dhe ibadetin tonë. Amin!”, thuhet në urimin e Myftiu të Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava.

 
Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 20:08

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me anë të një mesazhi, u uron të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe një agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre.

“Muaji i Ramazanit është një provë e vetëpastrimit shpirtëror e një dëshmi e përkushtimit të pastër e të vërtetë ndaj fesë islame, kur ju nxirrni edhe më në pah vlerat më të spikatura njerëzore të mirësisë dhe përkrahjes, dashurisë dhe sakrificës për të afërmit e për të gjithë njerëzit në nevojë”, thekson Presidenti Topi në këtë mesazh. 
Ai ve në dukje se toleranca dhe harmonia fetare, bashkëjetesa paqësore mes feve, e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë në botë të këtyre vlerave sa njerëzore dhe shpirtërore. Këto vlera, thekson Kreu i shtetit, “evidentojnë dhe konsolidojnë besimin e shoqërisë sonë tek një e ardhme e sigurtë për të gjithë kombin, të ngritur mbi vullnetin dhe dëshirën e pastër të secilit prej nesh për të qenë bashkë në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe gëzim, sot e mot, duke i bërë kështu një shërbim të madh edhe brezave që do ta trashëgojnë këtë pasuri të paçmuar në të ardhmen”.

 
Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 19:45

Shkup – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së Menduh Thaçi kanë uruar myslimanët me rastin e muajit të Ramazanit. “Gjithë besimtarëve mysliman ua urojmë muajin e shenjtë të Ramazanit! Agjërimi, solidariteti, toleranca dhe respekti i ndërsjellë mes besimtarëve janë virtyte që më së miri manifestohen dhe vihen në pah gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Në emër të anëtarëve, simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve islam ju uroj agjërim te lehtë, paqe, harmoni familjare dhe shëndet”, thuhet në urimin e kreut integrist Ali Ahmeti.

Edhe Thaçi uroi që agjërimi, lutjet dhe ibadetet e tjera të myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit të jenë të pranuara. “Po ashtu uroj që ky muaj i shenjtë t’ju sjellë paqe, mirëqenie dhe harmoni në shpirtin dhe familjet tuaja. Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare uroj që ky Ramazan të shënojë një nismë të re për mirëqenien tuaj të përgjithshme”, thuhet në telegram urimin e Thaçit.

 
Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 16:23

Shkup-Të hënën fillon muaji i agjërimit, Ramazani. Me këtë rast kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM), Sulejman Rexhepi, ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit. “Për besimtarët e denjë dhe të ndershëm, muaji i madhërishëm i Ramazanit paraqet edhe një mundësi që me përkushtim t’i përgjigjemi ftesës së Allahut për agjërim, edukim shpirtëror, moral, arsimim, ibadet dhe respekt. Ky është muaji i shkecës dhe dijes, ngase pikënisjen e kishte shpallja e fjalës më të ndritur dhe të përkryer e Zotit – Kurani Fisnik, në suren El- Bekare verseti 185, Allahu i Plotfuqishëm thotë: ” Muaji i Ramazanit është muaji kur filloi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra”, thuhet në urimin e Rexhepit. “Besimtarët e vërtetë dhe të moralshëm të cilët e kanë të qartë se ky është muaj i solidaritetit dhe afrimit mes vete gjithsesi duhet shtri dorën e mëshirës dhe ndihmës skamnorëve dhe nevojtarëve, numri i kësaj kategorie për fat të keq nga dita në ditë po rritet në mesin tonë. Mbi të gjitha të krijojmë mundësi që e ardhmja e gjeneratave të reja të vazhdojë në vendlindje e mos të ikin nga atdheu për një kafshatë bukë. Ky Ramazan le të jetë edhe shprehje e ngritjes së kapaciteteve intelektuale në shoqërinë tonë, nata e bekuar e Kadrit me vlerën e saj të lartë na bënë të kuptojmë që të gjithë ne duhet t’i përkushtohemi dijes dhe arsyes. Kjo fjalë e shenjtë Hyjnore e Allahut, ka bërë që Bashkësia Fetare Islame të ecë para me institucionet edukativo-shkencore të saj, të cilat kanë qenë të mirëmbajtura pikërisht nga xhematët tanë në vend dhe diasporë. Ku me përkrahjen e juaj po i përgjigjemi nevojave të perspektivës tonë në sferën e shkollimit fetar”, qëndron më tej në urimin e kreut të BFIM-së Sulejman Rexhepi.

Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, edhe Forumi Rinor Islam në Maqedoni, gjithë besimtarëve mysliman ua uron këtë muaj të bekuar, duke iu lutur All-llahut të Madhërishëm që ta bëjë atë muaj të paqes, mirëqenies, stabilitetit, dashurisë, humanitetit, solidaritetit, intensifikimit të adhurimit, muaj të pastrimit të shpirtit, ngritjes sonë në nivelet më të larta të vetëdijes njerëzore, si dhe muaj të ndryshimeve pozitive dhe konstruktive në shoqëri.