Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 11:47

Kreu i PS-së, Edi Rama, vazhdon të ironizojë kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, pas debatit të saj me presidentin Topi për mënyrën e të folurit.

Në faqen e tij në Twitter, Rama ka thënë se “Jozefina thotë flas si Koliqi pse është nga Shkodra, kësaj i thonë që Enveri shkruante si Kadareja meqë qe nga Gjirokastra!”.

Pak ditë më parë, po nëpërmjet Tëitter-it, Rama ironizonte Topallin për faktin se e kishte quajtur atë dhe presidentin Topi, celulë anti-europiane. Në atë rast, Rama shkruante se, “nëse Presidenti dhe unë jemi nje celulë antieuropiane, atëherë Jozefina është Marelyn Monroe kurse Saliu John Lennon!”.

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 19:21

Shkodër – Të rinjtë shkodranë kanë vijuar edhe të hënën reagimet e tyre ndaj deklaratave të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të bëra dy ditë më parë në Shkodër, i cili, sipas tyre, ka fyer gjuhën dhe dialektin e qytetit të Shkodrës dhe veriut shqiptar në përgjithësi.

Disa grupime të rinjsh, të vendosur pikërisht përpara memorialit të poetit At Gjergj Fishta, tubimin e tyre protestues ndaj presidentit Topi kanë preferuar ta bëjnë përmes një koncerti artistik, si dhe interpretimit të vargjeve të Fishtës, ndërkohë që në duar mbanin pankarta ku shkruhej “Ndihem krenar që flas gegnisht”, “Bamir, kërkoi falje Fishtës, Mjedës, Camajt e Koliqit”, “Me folë gegënisht asht me folë shqip” etj.

Ndërkohë, ka ardhur edhe një reagim tjetër zyrtar nga ana e Shoqatës “2 Prilli”, në të cilen thuhet se “si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues të shpirtit liridashës, tolerant e antikomunist të këtij qytetit, shprehim revoltën tonë të thellë për fyerjen e pafalshme dhe intolerancën e Kryetarit të Shtetit, Bamir Topi, kundër Shkodrës e gjuhës tonë. Askush në historinë tonë kombëtare nuk e ka përdhosur kaq fort veten, duke thënë se gjuha e Shkodrës nuk është shqip. As Enver Hoxha nuk e bënte me kaq banalitet”.

Në deklaratën e kësaj shoqate, duke iu drejtuar Kreut të shtetit, theksohet se “ka vite që ju Zotni na fyeni ne si demokratë e antikomunistë. Na ke fyer kur dekorove ato që dënuan me pushkatim gjatë komunizmit, fëmijët tanë. Na ke lënduar kur nuk firmose ligjin e lustracionit. Na ke plagosur shpirtin kur dekretove hetues e spiunë të sigurimit në majë të drejtësisë. Na tradhëtove kur të pamë si votues me 8 Maj! Na vrave mbështetjen e votës që Shkodra të dha për t’u ngjitë në majë të Presidencës”.

Anëtarët e kësaj shoqate antikomuniste i kërkojnë Presidentit Topi t’i kërkojë falje Shkodrës për deklaratat e tij.

Të pakënaqur nga deklarata e Presidentit të Republikës dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, janë edhe artistët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, të cilët protestën e tyre kanë preferuar ta përcjellin me interpretimet në gegnisht të vargjeve të Fishtës, Migjenit, Mjedës, Pipës, Camajt etj.

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 11:29

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është përfshirë në debatin mes kreut të shtetit Bamir Topi dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli.

Gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës , ambasadori Sequi theksoi se gjithësecili të flaës gjuhën që i pëlqen por të gjithë duhet të flasin me gjuhën e bashkëpunimit dhe jo të përçarjes.

“Në vende të ndryshme flasin dialekte të ndryshme. Edhe unë jam i dashuruar pas një gjuhe të veçantë, por jam i mendimit se gjuha më e mirë është gjuha e bashkimit”, ka theksuar Sequi.

Duke iu referuar sërish proges raportit të Komisionit Europian ku Shqipëria dështoi të marrë statusin e vendit kandidat, Sequi theksoi se priten reagime politike deri në dhjetor ku Bashkimi Europian do të diskutojë sërish për Shqipërinë.

 
Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 16:19

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj disa deklaratave të ndërmarra ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson, nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se “në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale, Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj”.

Mesazhi kritik i Presidentit, thuhet në njoftim, “siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive, i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”.

Presidenti konsideron se “këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën, as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”.

Edhe njëherë, Presidenti i Republikës rishpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ky vlerësim, thuhet  në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës, përbën bazën e nismës së Presidentit për të nderuar ditët e fundit disa nga personalitetet e saj më të shquara qytetare, kulturore e sportive, si dhe të qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane.

 
Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 16:14

Shkodër – Qendra kulturore “Pjeter Gaci” në Shkodër i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të kërkojë falje për deklaratën e bërë një ditë më parë në këtë qytet, kur në reagim të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Kreu i Shtetit u shpreh se “spikeri ose spikerja i merr tekstet nga të tjerët, çështja është sa në mënyrë cilësore e lexon atë. I ftoj të tregohen qytetarë dhe të flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.

“Si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues te traditës e kulturës shkodrane, shprehim indinjatën e thellë për konsideratat e turpshme e aspak te denja për një drejtues institucioni e aq me pak për kreun e shtetit!”, thuhet në deklaratën e Qendrës kulturore “Pjeter Gaci”.

Anëtarët e kësaj qendre i bëjnë thirrje Presidentit që t’i kërkojë falje Shkodres dhe shkodranëve për deklaratat fyese ndaj dialektit shkodran, “me të cilin penat e arta të Shkodrës në shekuj stolisën gjuhën shqipe!”.

Një ditë më parë, Presidenti Bamir Topi gjatë një vizite që zhvilloi në Shkodër iu përgjigj interesimit të medias lidhur me deklaratën e kryeparlamentares Topalli se “Topi është pozicionuar majtas dhe së bashku me Ramën janë përgjegjës për refuzimin e statusit të vendit kandidat”.

Nga Shkodra, Presidenti tha për mediat “së pari, këto zonja apo zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, pasi komunikojnë me institucionin e Presidencës. Nëse do dalim me ndonjë plan tjetër, spikeri ose spikerja i merr tekstet nga të tjerët, cështja është sa në mënyrë cilësore e lexon atë. I ftoj të tregohen qytetarë dhe të flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.

Në përgjigje të Presidenti, zyra e shtypit e Kuvendit reagoi duke nënvizuar se “znj.Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, si Fishta. Topalli flet gjuhën e Idromenos, Migjenit dhe Gurakuqit. Haxhi Qamili s’e kupton gjuhën që flet Jozefina Topalli”.

 
Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 10:13

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pyetur nga mediat lidhur me komentet e bëra mbi kthimin e ligjit të mbetjeve, u përgjigj se “së pari këta zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës”.

Presidenti Topi tha se “gjej rastin të rishpreh edhe një herë atë vullnet të shprehur nëpërmjet dekretit tim. Mund t’ju them që të gjitha betejat e karakterit juridik, që janë zhvilluar, konsiderohen të fituara nga Institucioni i Presidentit, mjafton të merrni në konsideratë atë që ka qenë çështja më e ndjeshme, çështja e pronave. Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni, sipas të drejtës, vendimmarrjes që pati Presidenti për ta kthyer. Kështu që unë i sugjeroj këtyre zotërinjve që të mos i trajtojnë në sfondin politik gjërat”.

Sipas tij, “Presidenti i Republikës ka të drejtën absolute kushtetuese të shprehë vullnetin e tij, aq më shumë kur ai është i argumentuar qoftë në planin juridik, qoftë dhe në planin tjetër ku Kushtetuta detyron shtetin edhe për sa i përket pozicionit social”.

“Unë nuk kam thënë se ligji nuk bën. Ligji është i ndërtuar në mënyrë të tillë që në pjesën më të madhe të tij është korrekt sipas mendimit tim, por i korrigjueshëm në një çështje që unë nuk e kam konsideruar për ta kaluar. Kjo është e drejta e Presidentit. Pastaj ata le ta marrin në konsideratë, ose jo. Mund ta kthejnë ose ta aprovojnë”, tha Presidenti.

Ndërsa në përgjigje të pyetjes për një koment lidhur me deklaratën e zonjës Topallit që e ka njësuar atë me zotin Edi Rama, Presidenti Topi u shpreh se “së pari, këto zonja, apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër, ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.

 
Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 09:58

Tiranë – Presidenti Topi akuzoi kryeparlamentaren Topalli se nu flet shqip. Kjo e dyta reagoi: “Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi! Atë gjuhë, Haxhi Qamili nuk e kupton dot!!!”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar pas deklaratave te Presidentit Topi dje në Shkodër, i cili u shpreh se “Spikerja e Kuvendit deklaratat i merr të gatshme dhe vetëm i lexon, por ajo duhet të mësojë artin e të komunikuarit dhe të flasë shqip, në respekt edhe të qytetarëve”.

Në reagimin e kryetares së Kuvendit thuhet se “Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi! Atë gjuhë, Haxhi Qamili nuk e kupton dot!!!”

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 09:37

Tiranë – E përditshmja tiranase Gazeta Shqiptare, në një artikull të cilin e transmeton edhe Balkanweb, ka publikuar reagimin e familjes Toptani, ndaj deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha në Parlamentin Shqiptar se atë që ia kanë bërë Toptanët Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët.

Është Ajten Toptani, nipi i rilindësit të madh të Shqipërisë Murat Toptanit, që reagon ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha bërë në seancën parlamentare të ditës së enjte, ku ndër të tjera u shpreh se “atë që i kanë bërë Toptanët Shqipërisë nuk ia ka bërë të gjithë okupatorët”. Kjo deklaratë e kryeministrit Berisha përfshin të gjithë familjen e njohur Toptani, pa specifikuar se kush nga kjo familje apo me këtë mbiemër ia kanë bërë një gjë të tillë Shqipërisë.

Në fakt, Berisha shquhet për kujtesë të mirë dhe për njohuri të mira historike edhe letrare, por në këtë rast, me këtë deklaratë bërë në parlament, e përfshiu të gjithë familjen Toptanase në një përkufizim, në fakt jo pozitiv për ta. Për këtë arsye iu drejtuam trashëgimtarëve të kësaj familjeve, pikërisht mbesave dhe një prej nipave të Murat Toptanit, për të reaguar në lidhje me këtë deklaratë të kreut të qeverisë së shtetit shqiptar. Dhe ja cili ishte reagimi i tij.

REAGIMI

“Jam i sigurt ose dëshiroj të jetë një lapsus për formën e frikshme përgjithësuese ose zoti kryeministër Berisha ka njohuri të përcipta për historinë e vendit të tij kur krahason Toptanasit me Haxhi Qamilin. Toptanasit përfaqësonin qytetarinë, inteligjencën dhe patriotizmin e kombit shqiptar kurse Haxhi Qamili përfaqësonte injorancën dhe shtresën e ulët revolucionare pre-bolshevike prej së cilës rrjedhin një pjesë e politikanëve shqiptarë. Toptanasit qenë dhe janë të një kulture perëndimore dhe integruese, gjë të cilën e kanë demonstruar me kontributin e tyre me vetëmohim në pavarësinë, kulturën dhe në krijimin e shtetit shqiptar. Nuk është e nevojshme të përmenden emra, por adresa e partisë së kryeministrit rrethohet nga 3 rrugë që mbajnë emrat e tre patriotëve tiranas Toptanas. Mendoj që krahasimet të jenë më të kujdesshme se na kujtojnë luftën e klasave të ndjekur nga Partia e Punës për 40 vjet, mësimet e së cilës jetojnë si reflekse të kushtëzuara tek shpirti i shumë personave dhe politikanëve duke shkaktuar fyerje të pa drejta dhe efekte negative tek fëmijët pasardhës së kësaj familjeje. Toptanasit tradicionalisht dhe në përgjithësi kanë qenë dhe do të mbeten në parimet e së djathtës atdhedashëse shqiptare-europiane nga e cila paraardhësit e tyre kanë marrë bazat e kulturës personale të cilën e kanë përdorur gjithmonë në dobi të Atdheut dhe të familjes së tyre”.
Letra është e nënshkruar nga Ajteni, që është djali i Sulejmanit, i biri i Murat Toptanit.

 

DEKLARATA E BERISHËS: TOPTANASIT MË KEQ SE PUSHTUESIT


Në një debat të ashpër me opozitën kryeministri shqiptar përveç akuzave që i bëri forcave politike të së majtës, deputetëve të saj për pengim të reformave në vend, ndër të tjera bëri dhe deklaratën tjetër për familjen e Toptanëve. “Atë që i kanë bërë Toptanët, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët”, – tha Berisha në seancën parlamentare të së enjtes.

Kjo deklaratë ishte pjesë e argumentimit të kryeministrit shqiptar se socialistët ishin penguesit kryesor të mos marrjes së statusit për vend kandidat në Bashkimin Europian. Për të bërë një krahasim historik, pra për të risjellë në kujtesë pengesa të tjera që Shqipëria ka pasur nga vetë shqiptarët, që kanë punuar kundër interesave të saj, kryeministri përmendi mbiemrin e një familjeje të shquara jo vetëm tiranase, por edhe e gjithë Shqipërisë.

“Shqiptarë, këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve. Bllokimi i vizave do mbetet përpjekja e tyre më diabolike. Një ditë, në tempullin e Brukselit, një personalitet i shquar do të më thoshte: mirë ai, zotëri (Edi Rama), se është kaq antishqiptar, po ata që e ndjekin në këtë mënyrë, çfarë janë. Përgjigja ime ishte se edhe ai, edhe ata janë shqiptarë, sepse atë që i kanë bërë shqiptarët, Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar. Atë që i ka bërë Enver Hoxha, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjitha pushtimet. Atë që i kanë bërë Toptanët dhe Haxhiqamilët, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët”, – u shpreh Berisha të enjten e 13 tetorit 2011.

 
Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 09:01

Tiranë – Kreu socialist, Edi Rama, ka zgjedhur rrjetin social Twitter, që t’i përgjegjet kryeparlamentares Jozefina Topalli, për akuzat si anti-europianë që ajo ia bëri kryeopozitarit Edi Rama dhe Presidentit Bamir Topi.

“Nëse Presidenti dhe unë jemi një celulë anti-europiane atëherë Jozefina është Marelyn Monroe, kurse Saliu John Lennon”, ka shkruar Rama në Twitter.

Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, të publikuar edhe në blogun e tij në faqen zyrtare në internet, kreu i opozitës Edi Rama reagoi ndaj komenteve të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.

Në një intervistë kryeparlamentarja Topalli deklaroi se “lidershipi i Partisë Socialiste është kthyer në një celulë anti-evropiane”. Ndërsa, duke iu referuar presidentit Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit kishte thënë se nëse kreu i shtetit do të formojë parti të re, ai do të marrë vota nga e majta.

“Zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit”, ishte shprehur Topalli.

 
Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 13:52

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka akuzuar drejpërdrejt presidentin Topi dhe liderin opozitës Edi Rama, si drejtuesit e celulës anti-europiane që mbajnë peng integrimin e vendit dhe bënë që me veprimet e tyre bllokuese, Shqipëria të mos marrë statusin kandidat.

Kryetarja e kuvendit tha se “Përsa i takon arsyes, për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokim. Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve”.

E pyetur nëse kishte të bënte kjo me celulën anti-europiane që ajo citon shpesh përgjigja e Topallit ishte “Sigurisht që po”. Kryetarja e kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli deklaroi se ndjen dhimbje për mosmarrjen e statusit kandidat i cili i’u refuzuar Shqipërisë për të dytin vit rradhazi.

“Si Kryetare e Parlamentit kisha një dhimbje të madhe. Unë mendoj se bojkoti i’a ka arritur qëllimit! Zoti Rama ka patur plotësisht të drejtë, bojkoti i’a ka arritur qëllimit dhe ka lënë Shqipërinë pas status. Të paktën e ka vonuar statusin. Si Kryetare e Kuvendit ndiej dhimbje”- ka deklaruar Topalli.

Topalli deklaroi më tej se sërish Shqipëria mbetet peng i vullnetit bllokues të opozitës  pasi tha ajo “Në 12 kriteret janë; Ligji për Gjykatën administrative që prej tre vitesh është në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe që opozita nuk pranon ta votojë. Ju gazetarë që keni ndjekur të gjitha seancat plenare, çdo reformë që është miratuar me votat e mazhorancës është votuar dhe ka dhënë rezultat. Heqja e vizave kishte të bënte vetëm me votat e mazhorancës”.