12
 
Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:31

Kjo është intervista që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka thënë agjencisë Presheva Jonë, pas vizitës që zhvilloi aty.

Z.Rama, fillimisht bisedën tonë po e nisim  me një pyetje, sic thonë tek ne ‘ku dhemb dhëmbi, aty shkon edhe gjuha’, pra me Preshevën. Meqë qëndruat ditë më parë në Preshevë, si ju pritën dhe çfarë përshtypje u ndatë?

Ishin njerëz te mrekullueshëm. Varfëri e dhimbshme. Gjendje e padurueshme sociale për të cilën Shqipëria duhet me patjetër të bëjë diçka për të ndihmuar. Nuk prisja që në mes të dëborës e me një mot aq të ftohtë të më uronin mirëseardhjen aq shumë njerëz. U jam mirënjohës përgjithmonë dhe do të kthehem përsëri me shumë dëshirë.

Gjatë qëndrimit në Preshevë, madje dhe pas largimit në Tiranë keni folur për përkrahje, për mbështetje për popullatë e këtyre viseve. Mund të na thoni diçka më konkretisht për çfarë përkrahje është fjala këtu?

Ne po përgatisim një projektligj që do ta dorëzojmë ne parlament për financimin e dy shkollave dhe të një materniteti. Ndoshta është shumë, pak por është sidoqoftë diçka për të filluar. Fakti qe qysh prej kohës se ish- Jugosllavisë aty s’është ndërtuar asnjë shkollë e re është rrënqethëse dhe e papranueshme.

Kur jemi  tek Lugina e Preshevës, edhe pse jem në dimër, sa here nxehet situata në veri të Kosovës, po ashtu kjo situatë nxehet edhe në Luginë të Preshevës dhe nuk mungojnë edhe idetë e spekulimet e larmishme herë për këmbim territoresh e herë për ndarje të Kosovës. Po ju z. Rama si e shihni të ardhmen e Luginës ë Preshevës?

Ndërrimi i territoreve nuk është opsion. Kosova është shtet i Pavarur dhe i paprekshëm në integritetin e vet territorial. E ardhmja e Shqiptarëve ne rajon është Europa dhe shqiptaret e Luginës se Preshevës meritojnë në Europë në trojet e tyre. Me liri e të drejta të plota e të paprekshme, me ekonomi të zhvilluar, me arsim e shëndetësi të denjë për një bashkësi njerëzish që jetojnë në mes te Europes dhe sot janë ende larg saj për shkak politikash qorre që rrisin veç pakënaqësinë e dëshpërimin social.

Po cili do të ishte mesazhi i juaj për liderët politik në Luginën e Preshevës, sepse edhe pse këtu janë një grusht shqiptarësh ka parti shumë dhe nuk janë pa divergjenca, për t’mos thënë përçarje?

Po, sigurisht sa më të bashkuar të jenë shqiptarët aq më fort do të dëgjohet zëri i tyre.

Gjatë një interviste  në Gjenevë me ministrin serb Dacic ai i ka thënë  agjencisë sonë se ma mirë ridefinim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, me dialog se sa me  luftë. Për çka flasin këto deklarata dhe a ju jeni për lëvizje, ridefinim  të kufijve në Ballkan?

Serbia vazhdon te jete peng i së shkuarës dhe nuk po don ende ta kuptojë realitetin se Kosova lavdi Zotit dhe lavdi çlirimtarëve të saj së bashku me forcat e mëdha demokratike të botës, i ka ikur përfundimisht nga duart, nga okupimi. Kosova sot është shtet më vete dhe Serbia duhet të kuptoje se me Kosovën duhet te sillet njësoj si me gjithë shtetet e tjera pasi çështja e Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Sa me shpejt ta kuptojë këtë Serbia, aq më mirë do të jete për popullin e saj dhe për gjithë rajonin. Lufta e sotme e Kosovës dhe Shqipërisë ështe lufta për integrimin europian të të dyja shteteve dhe përpjekja e përbashkët për një Ballkan të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Shqipëria mbështet e do të mbështesë përmes të gjithe faktorëve të saj politikë, çdo vendim e qëndrim të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë e me ardhmërinë europiane të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që mes Shqipërisë e Serbise nuk  është me Kosova, Lugina e Preshevës ku është e domosdoshme  rerspektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptareve në këto vise.

Sikur në Kosovë ashtu edhe në Luginën e Preshevës jeni i njohur në “luftën” rreth bashkisë së Tiranës. Më mirë sot e keni të jeni një kryetar i një partie, të një opozite të forte apo kryetar i një bashkie?

E kam jetuar me pasion të jashtëzakonshëm punën në krye të Bashkisë së Tiranës dhe besoj kam të gjithë të drejtën të jem krenar për sa kam bërë bashkë me njerëzit e bashkisë e me banoret e kryeqytetit ne këto njëmbëdhjetë vitet që e transformuam Tiranën në një qytet europian. Sot jetoj me të njëjtin pasion punën në krye të opozitës shqiptare me bindjen se nesër do të transformojmë Shqipërinë e kyçur ne rrethin vicioz të prapambetjes e të gënjeshtrave qeveritare.

Po Kosova në sy të socialistëve shqiptarë? Mendoni se Kosova po ecën mirë, lobimi, njohjet një proces në rrugë të mbarë?

Ajo çka ka ndodhur me Kosovën ne pak më shumë se dhjetë vjetëve është fantastike, e paimagjinueshme për shumëkënd deri kur luftëtarët e guximshëm të saj dhe bota demokratike i dhanë fund barbarisë serbe në trojet tanimë të çliruara e të pavarësuara të Kosovës. Kosova e fitoi luftën e nisur nga Ibrahim Rugova e ndjekësit e tij të vendosur dhe të kurorëzuar me sukses nga Hashim Thaçi e Ushtria e saj Çlirimtare. Sot Kosova po lufton me te tjera halle e probleme, qe janë hallet e problemet ekonomike e sociale të një shteti të dalë nga një errësire e gjatë, ndërkohë që procesi i njohjeve të shtetit të saj të ri është pa ndalesë e as kthim.

Ka mendime të larmishme rreth aktiviteteve të “Vetëvendosje”-s. Ju me çfare syri e shifni këtë lëvizje? Ku mund të arrihen qëllimet apo ambiciet politike, më mirë, më lehtë përmes rrugëve të qytetit apo ato institucionale ?

Vetëvendosja është pasuri kombëtare dhe për këtë s’kam asnjë dyshim. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se Albin Kurti është një ndër shqiptarët më të mirë me të mençur e më të kulturuar që jetojnë sot. Unë s’kam leksione për të dhe e ndjek me admirim përpjekjen e tij, pavarësisht se nuk ndaj me Albinin të njëjtën qasje strategjike për ardhmërinë e shqiptareve. Por pa Albinin dhe Vetëvendosjen politika shqiptare do të ishte padyshim shumë më e varfër.

Nuk mund të përfundojmë bisedën pa prekur marrëdhëniet  e juaj me pozitën, me shefin e saj Sali Berishën. Marrëdhëniet me pushtetin i keni sot më të mira apo më të acaruara se sa dikur, kur ju ishit në pushtet, dmth, partia e juaj?

Unë s’kam qenë ndonjëherë në pushtet ne kuptimin e qeverisjes së Shqipërisë dhe jam i bindur se përtej personalitetit shumë të diskutueshëm të Sali Berishës, Shqipëria meriton te qeveriset shumë më mirë dhe shqiptaret meritojnë shumë më tepër nga qeveria e tyre. Me Sali Berishën s’kam asgjë personale, po thjesht një vizion krejt të ndryshëm, një formim krejt të ndryshëm, një edukatë krejt të ndryshme. Sali Berisha është e shkuara që mban peng zhvillimin normal të Shqipërisë dhe përçan shqiptarët mesveti në funksion të një pushteti të korruptuar e injorant.

Ditëve të fundit në mediat shqiptare janë dy emra që po i hasim më së shpeshti ai i Ina Ramës dhe Sali Berishës. Në Gjenevë takuam kryeprokuroren shqiptare Ina Rama dhe ajo na tha se “po na pengon Berisha për 21 janarin”. Për çfarë pengesash është fjala këtu?

Sali Berisha është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit, ndërsa Ina Rama ka përgjegjësinë të hetojë deri në fund dhe të kërkojë drejtësi. Kështu që është e thjeshtë të kuptohet pse Saliu e pengon me çdo mjet hetimin dhe sulmon në mënyrën më primitive kryeprokuroren. E cila meriton të gjithë mbështetjen dhe respektin e shqiptarëve për kurajon e për integritetin profesional.

Z. Rama, edhe pse jeni në opozitë, dorën në zemër, në Shqipëri a ka diçka mirë?

Në Shqipëri ka njerëz të jashtëzakonshëm, vullnet e talente të rralla, vepra te admirueshme të iniciativës private, por ka një qeveri banale që Shqipëria nuk e meriton dhe e mban në kurriz fale vjedhjes së zgjedhjeve.

Siç e dini z.Rama, shqiptarët anë e kënd ku ndodhen, madje edhe ne diasporë sivjet kanë filluar me kremtimet për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë. Mund të na thoni se ky përvjetor si po i gjen shqiptarët në Gadishullin Ilirik, mund të rrahim gjoks se kombi ynë ka ecur përpara. Sikur të ishte gjallë Skënderbeu apo Ismail Qemali kujt do t’ia tërhiqte veshin apo do t ja vente  njësh (Enver Hoxhës, Fatos Nanos, Alfred Moisiut, Rexhep Mejdanit, Sali Berishës apo Edi Ramës) se detyrat e shtëpisë, detyrat e kombit nuk i ka bërë si duhet?

Zakonisht veshët i tërhiqen qeverisë, sepse siç thoshte i madhi Ronald Regan qeveria është gjithmonë problemi.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 December 2011 17:48

Selanik-Promovimin e librit të tij “Kurban”, Edi Rama e ka zgjeruar përtej kufijve të Shqipërisë, por gjithmonë duke patur në qendër të vëmendjes shqiptarët, pavarësisht statusit të tyre social.

Në Selanik të Greqisë punojnë dhe jetojnë shumë prej tyre dhe promovimi i “Kurbanit” ishte një rast i mirë për liderin e opozitës t’u shprehë emigrantëve shqiptarë mirënjohjen për gjithçka ata kanë bërë për vete dhe familjet e tyre në Shqipëri.

Ky takim i zotit Rama me emigrantët shqiptarë ishte edhe një rast për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në emigracion, por edhe për të treguar se sa inekzistent ka qenë shteti shqiptar në këto dy dekada për t’u ardhur në ndihmë shtetasve te tij.

“Në rast se sot ju shiheni ndryshe, kjo është merita juaj. Shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë të ngjashme me atë që keni bërë ju. Nëse shteti do të ishte ngritur në nivelin tuaj ne do të kishim një shtet po aq dinjitoz sa jeni ju. Ata që dje ju keqpritën, sot ju mirëpresin sepse ua keni imponuar ju me punën, sakrificën dhe dinjitetin tuaj”, u shpreh Rama.

Por, nëse emigrantët shqiptarë kanë arritur sot të stabilizohen dhe të integrohen në vendet ku emigrojnë dhe të shndërrohen në një mbështetje të rëndësishme financiare edhe për familjet e tyre në Shqipëri, kjo për Edi Ramën nuk është e mjaftueshme.

Duke i parë emigrantët si një potencial i madh dhe i rëndësishëm demokratik, në takimin e Selanikut, Edi Rama, kërkoi angazhimin maksimal të emigrantëve për të kontribuar politikisht me votën e tyre.   

“Unë besoj se Shqipëria në kushtet që është sot edhe pas 20 vjetëve, nuk mund ta bëjë dot kapërcimin e madh pa mbështetjen tuaj. Jo mbështetjen ekonomike, por mbështetjen politike. Në rast se deri më sot organizimi i emigrantëve për të votuar ka qenë histori sporadike, sot ky është një imperativ për ju dhe për ne. Në Shqipëri ju keni shumë për të bërë. Ta mendoni veten pjesë të procesit politik dhe të ndikoni e ndihmoni që sa më shumë prej jush të organizoheni dhe të vijnë për të votuar me çdo sacrificë”, shtoi Rama.

Çështja e votimit të emigrantëve është ngritur disa herë këto vitet e fundit, por deri tani në legjislacionin shqiptar nuk përcaktohet e drejta e emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë.  (TCH)

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 12:15

Gaztari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu ka promovuar librin e tij “Enver Hoxha” edhe në Prishtinë. Në një debat jo formal në kafe librarinë “Dit’ e ‘Nat”, ai ka shfrytëzuar rastin që të flas edhe për librin e ish kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama “Kurban”.

I nxitur nga pyetjet e të pranishmëve, Fevziu ka thënë se lideri socialist po bënë fushatë me librin e tij.
“Ajo çfarë po bënë Rama është fushatë, po përdor librin për të bërë fushatë, Thjeshtë”, ka thënë Fevziu, Edi Rama një javë më parë ishte në Prishtinë për të promovuar librin e tij “Kurban”. 

Autori i emisionit “Opinion”, Fevziu i cili ka mbajtur katër aktivitete për të promovuar librin e tij në Prishtinë ka thënë para studentëve kosovar se libri i tij dallon shumë nga ai i Edi Ramës. 
“Libri i Ramës është e vërteta e tij ndërsa i imi ka fakte historike. Dallojnë edhe kohët për të cilën kam shkruar unë dhe ai”, ka thënë Fevziu.

Ndryshe ai të enjtën në kinemanë ABC në Prishtinë ka dhënë premierë filmin dokumentar për Enver Hoxhën. Më pas ai ka bërë edhe promovimin zyrtar të librit të tij në hotelin e Behxhet Pacollit në mbrëmje vonë. Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut ka qenë njëri ndër librat më të shitur në edicionin e fundit të Panairit të Librit në Tiranë. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 17:18

Zëri: Faleminderit për kohën që keni ndarë me ne dhe urime për librin…

E. Rama: Faleminderit

Zëri: Të nisim bisedën për librin, pse i duhet një politikani që është ende aktiv dhe i cili është edhe ndër pretendentët për të marrë pushtetin, të shkruajë një libër për të treguar një dekadë nga puna e tij?

Rama: Praktika e shkrimit të librave nga njerëz të politikës është praktikë e njohur në botën demokratike. Nuk është praktikë shqiptare, por le të bëhet edhe një praktikë shqiptare. Nuk ka më mirë që të shtohet edhe një rrugë tjetër komunikimi përmes fjalës së shkruar, më gjatë sesa që lejon një artikull në gazetë.

Zëri: Gjatë shfletimit të librit gjithmonë të shkon mendja te pjesa e këngës së “West Side Family” – “aty ku kryetari duhet të flasë me megafon”. Kam përshtypjen sikur libri, ndër të tjera, është dhe një shfryrje e mllefit tuaj për gjithë ato gjëra që jo pak shqiptarë mendojnë se kanë shkuar si mos më keq, ndërkaq në të njëjtën kohë keni ndarë dhe idetë tuaja se si të bëhen gjërat më mirë?

Rama: Nuk do ta quaja mllef, por do ta quaja më shumë një ngarkesë emocionale, por edhe intelektuale për t’u ndarë nga të tjerët në kushtet kur, për arsye të njohura, kjo ngarkesë u bë mëse e mjaftueshme që të mos mbetej thjesht brenda meje. Është një libër i shkruar për të ardhmen, duke e parë atë në pasqyrën e së shkuarës.

Zëri: Libri ka shkaktuar kundërthënie të shumta në Shqipëri, ndërkaq ne jetojmë në një kohë kur qasja në internet është e lehtë dhe jo e kushtueshme në Shqipëri dhe Kosovë dhe nga ku njerëzit bombardohen me opinione të ndryshme rreth librit. Cili besoni se është argumenti juaj më i fuqishëm që t’iu thoni njerëzve që të harrojnë ato që thuhen e ta lexojnë librin?

Rama: Për të mos krijuar një ide të gabuar duke dëgjuar komentet e të tjerëve, por për të krijuar secili idenë e tij përmes leximit të drejtpërdrejtë. Sigurisht që librat komentohen, por nuk shkruhen për t’u komentuar, por shkruhen për t’u lexuar…

Zëri: E di që në fillim të librit e keni sqaruar arsyen pse i keni dhënë librit titullin Kurban, por do të donim që ta sqaroni vetë dhe për lexuesin e “Zërit”? Kush është Kurbani?

Rama: Kurbani është një ngjarje e ndodhur me të cilën fillon libri dhe besoj që është një moment i cili e definon një kornizë për librin dhe për këtë arsye unë kam preferuar që ta titulloj librin Kurban…pra duke marrë shkas edhe nga një ngjarje.

Zëri: Nuk jeni ju Kurbani? E dimë që librin keni vendosur ta shkruani pasi përfundimisht keni hequr dorë nga përpjekjet, siç thoni, për ta ruajtur Bashkinë e Tiranës që ua vodhi pushteti, ndërkohë tërheqja juaj është bërë pas ndërhyrjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk e ndjeni veten se jeni bërë Kurban i disa lojërave politike të fuqive të mëdha?

Rama: Nuk ka lidhje kjo me fuqitë e mëdha, të them të drejtën. E vërteta është se pavarësisht nga dukja paradoksale, ajo që ndodhi me Tiranën krijoi kushtet për kursin tonë të ri politik, sepse demaskoi plotësisht një proces dhe një sistem zgjedhjesh të pandershme që sot është në fokusin e të gjithëve si një domosdoshmëri për të ndryshuar.

Në rast se kjo do të kishte ndodhur pas vitit 2009 edhe kursi ynë do të kishte qenë i tillë shumë kohë më parë, por për shkak se kjo nuk ndodhi, pra ne mbetëm për një kohë jo të shkurtër dëshmitarë të vetëm të vjedhjes së 2009-ës, ishim detyruar të silleshim ashtu siç u sollëm, sepse vetëm ashtu mund të garantonim opozitarizmin në Shqipëri dhe mund të garantonim ekuilibrin e domosdoshëm pluralist në Shqipëri. Sot jemi në kushte të tjera.

Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes tuaj, unë nuk jam Kurbani, sepse unë jam edhe këtu para jush. Mbase kam shkruar një libër dhe me gjithë energjinë dhe pasionin e nevojshëm për ta çuar përpara betejën politike.

Zëri: Z. Rama, ju keni qenë i njohur shumë edhe në Kosovë që nga koha kur për herë të parë jeni bërë kryetar i Tiranës e më pas jeni bërë edhe një nga lojtarët kryesorë të politikës në Shqipëri dhe kjo normalisht që ka dhe ndikimin e vet në Kosovë. Por për ju, sa zë vend Kosova në këtë 11-vjeçarin tuaj që e keni shkruar edhe në libër?

Rama: Si kryetar i bashkisë së Tiranës, Kosova ka zënë vend si një prani e rëndësishme vizitorësh në Tiranë, të të gjitha moshave, kryesisht të rinj. Flas për këtë edhe në libër…Ata më kanë dhënë një pjesë të çmuar të kënaqësisë së suksesit të transformimit të Tiranës. Sigurisht që të mos ndodhnin transformimet në Tiranë, edhe prania e tyre nuk do të kishte qenë ajo që u bë dhe u rrit me kalimin e viteve.

Si drejtues i Partisë Socialiste dhe opozitës, kosova ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në agjendën tonë politike dhe në përpjekjet e mia politike. Ne modestisht kemi dhënë atë që na ka takuar të japim në mbështetje të procesve historike që e kemi pasur fatin t’i jetojmë dhe të udhëheqësve politikë në Kosovë, pa dallim.

Zëri: Megjithatë dihet se ju jeni personi më i paragjykuar në Kosovë…E kemi parë edhe në disa paraqitjet tuaja publike këtu në Kosovë është dashur që të sqaroni qëndrimet tuaja edhe një herë rreth çështjeve si puna e autostradës apo edhe kur jeni përballur me atë nëse PS është parti filo-greke…Keni një qëndrim pse ndodh kjo?

Rama: Unë nuk i vë faj absolutisht opinionit këtu që është viktimë e një strategjie djallëzore e manipulumit e orkestruar nga Saliu në Tiranë me qëllimin e njollosjes të opozitës shqiptare dhe të personit tim i vënë përprara akuzës së rëndë për korrupsion me rrugën e kombit.

Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër rrugës së kombit. Unë e hedh me neveri këtu në Prishtinë këtë akuzë të ulët, ashtu sikundër e nënvizoj se nuk ka qenë absolutisht nevoja që kjo rrugë strategjike për kombin tonë të kthehej edhe në një autostradë të korrupsionit ku të devijoheshin qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë që pa dallim – socialist, demokrat, pa parti, kanë kontribuar për ndërtimin e saj.

Për më tepër ideatori i rrugës së kombit është sot në lidershipin e PS, kryeministri Pandeli Majko, i cili kur e nisi këtë përpjekje, u keqtrajtua me shpoti e me të qeshura nga pala që sot rreh gjoks me rrugën e kombit.

Besoj se qëndrimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë, por propaganda e shfrenuar dhe balta që është hedhur sistematikisht mbi ne, sikur gjoja ne qenkemi kundër rrugës apo sikur gjoja që paskam thënë unë se kjo është rruga e asgjekundit, një shpifje shumë e ulët e kanë bërë të vetën.

Zëri: Po mirë, pse nuk jeni përgjigjur me të njëjtën fushatë që të sqaroni këtë çështje?

Rama: Ne kemi përsëritur sa herë kemi folur për këtë rrugë qëndrimin tonë, por të mos harrojmë që burimet e propagandës së qeverisë janë shumë më të mëdha sesa tonat dhe për më tepër prirja natyrale për t’i besuar këtyre burimeve këtu në Kosovë është më se e kuptueshme.

Zëri: Kujtojmë para disa javësh një nga lajmet kryesore dhe më të komentuara ka qenë një deklaratë që supozohet se është bërë nga Arta Dade: ‘Shqipëria nuk duhet të prishë marrëdhëniet me Serbinë për shkak të Kosovës’. Njerëzit në Kosovë thoshin, ja edhe një argument pse socialistët nuk janë fare të interesuar për Kosovën?

Rama: Çështja do të ishte kështu nëse do të ishte e vërtetë. Edhe kjo është një shpifje e pra kështu ndodh që burimet e informimit infektohen nga makinacione të tilla, të cilat nuk i themi ne, por i thotë qeveria, i thotë Saliu, e pastaj përhapen nëpërmjet rrugëve të komunikimit për ta ndotur dhe sunduar mjedisin mediatik, ku edhe krijohet opinion.

Ju përmendet pak më parë që këtu PS shihet si parti filogreke, por ka një shembull konkret edhe për këtë që është shembulli i sjelljes të diametralisht kundërt të atyre që i bien gjoksit si shqiptarë të mëdhenj që janë në qeveri dhe që me një firmë i falën Greqisë 300 m katrorë det Shqipërie dhe tonën që e ngritëm këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuam anulimin e kësaj marrëveshjeje si një marrëveshje kundër interesave kombëtare.

Në rast së shohim historinë e këtyre 20 vjetëve pavrarësisht kohës kur unë kam qenë në krye të PS apo kur të tjerët kanë qenë në krye të partisë apo qeverisë ka një vazhdimësi qëndrimi në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe çështjes së Kosovës nga ana e PS dhe qeverive të saj.

Mos të harrojmë se kjo datë e çmuar përkon edhe me lindjen e UÇK-së, e cila u mbështet nga qeveria socialiste të Fatos Nanos e më pas edhe të Pandeli Majkos pastaj me radhë në procesin e transformim tërësor që solli lufta çlirimtare nga qeveritë socialiste dhe u godit si lëvizje marksiste, u godit si lëvizje kontrabnandistësh apo si bandë e armatosur nga shtypi i Partisë Demokratike.

Janë momente historike në të cilat është dalluar qartë qndrimi ynë koherent me qëndrimin e lëkundur herë pas here të PD në Tiranë, gjë që do të thotë se ne duhet të bëjmë më shumë për informimin më të mirë të opinionit publik këtu në Kosovë dhe nga ana tjetër opinioni këtu duhet të gjykojë në bazë të fakteve dhe jo në bazë të fjalëve që vijnë këtu të deformuara qëllimisht.

Zëri: Ndoshta një përpjekje e përafrimit mund të quhet edhe propozimi juaj për unifikimin e sistemit arsimor Kosovë – Shqipëri, megjithëse është pak e çuditshme që lidershipi politik në të dy vendet është skajshmërisht i kujdesshëm kur bën propozime të tilla, sepse gjithmonë ekziston mundësia që kjo të shihet nga jashtë si diçka nacionaliste?

Rama: Nuk ka rëndësi besoj unë çfarë diskutimesh ndizen, por çfarë rëndësie ka një problem që i ngjall këto diskutime dhe sa e drejtë është zgjidhja që mund të prodhojë pastaj edhe diskutime. Unë besoj që në shumë aspekte ne i paguajmë një çmim mungesës së traditës demokratike, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, mungesës së institucioneve demokratike për një kohë të gjatë, mungesës së një tradite të gjatë shteti e me radhë.

Por nga ana tjetër nuk ka pse brezat e rinj, fëmijët e sotëm t’i paguajnë një çmim dritëshkurtësisë së politikës aktuale shqiptare lidhur me shkollimin e tyre. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe askush nuk mund të na pengojë, sepse s’ka arsye të na pengojë të ndërtojmë një sistem arsimor të unifikuar dhe të bashkojmë territorin shpirtëror dhe territorin e të menduarit si komb, pavarësisht kufinjëve që sot ndajnë Shqipërinë me Kosovën dhe pavarësisht të gjitha atyre problemeve që na takojnë t’i trajtojmë veçmas si dy shtete të ndryshme.

S’ka asnjë arsye që ne të vonojmë shumë. Ka kaluar një dekadë dhe përfytyroni që mbas një dekade takohen ministrat dhe flasin akoma për abetaret. Sikur të merremi dhjetë vjet me çdo libër shkolle unifikimi i sistemit arsimor mund ta bëjmë pak a shumë pas 1100 vjetësh.

Ndërkohë që kjo është një punë që ne jemi angazhuar dhe të punojmë një dokument tonin që do ta ndajmë me të gjitha forcat politike, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe do të hapim një debat për këtë duke synuar që me fitoren e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie socialiste dhe progresiste, ta kthejmë në një program pune të përbashkët me qeverinë e Kosovës për të pasur një sistem arsimor të unifikuar dhe për të ndërtuar pika të përbashkëta referimi për fëmijët, të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri dhe Kosovë.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 10:14

Edi Rama ka nisur një tur takimesh me lexues të librit të tij “Kurban”, duke u ftuar në qytete të ndryshme për të firmosur autografe dhe për të folur për librin e sapobotuar nga shtëpia botuese Dudaj. Të mërkurën ai ishte në Shkodër, ku ndër të tjera u tha lexuesve të “Kurban”-it se këtë libër e ka shkruar duke treguar të vërtetën e tij në mënyrë që kjo e vërtetë tu shërbejë dhe të tjerëve dhe jo si një libër autobiografik për të shkuarën.

“Është kënaqësi për mua tu përgjigjem kërkesave për autobigrafimin e librit. Libri duhet të flasë vetë për veten dhe secili ta krijojë idenë duke e lexuar dhe për mua është kënaqësi që ju ta lexoni”, tha Rama para atyre që ishin mbledhur në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qytetin verior.

“Ky nuk është një libër për të shkuarën, por për të ardhmen duke e parë në pasqyrën e së shkuarës. E shkuara është një pasqyrë  që vlen për të parë të ardhmen, një pasqyrë që i vlen një populli për të parë rrugën e tij drejt së ardhmes”, tha Rama më tej.

Më parë Rama firmosi qindra autografe në Tiranë e në Durrës, ndërkohë që libri i tij është kthyer në një fenomen mediatik.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 09:00

TIRANE-Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në faqen e tij personale në rrjetin social Twitter, paralajmëroi dje një padi për “Gazeta Shqiptare” referuar faktit të botimit në disa numra rradhazi të pjesëve nga libri i tij “Kurban”.

“I kërkova Arlinda Dudajt të bëjë padi për Gazetën Shqiptare jo vetëm për vjedhje, po për masakrim të librit ‘Kurban'”, shprehet Rama. Madje në funksion të këtij qëndrimi ai është shprehur gjithashtu se sipas tij është: “i patolerueshëm shpërfytyrimi i librave përmes shfrytëzimit të teksteve pa lejen e shtëpive botuese”.

Qëndrimi i Gazetës Shqiptare dhe Balkanweb

Së pari është e pakuptimtë arsyeja se pse kreu i PS-së ka vendosur të padisë pikërisht “Gazeta Shqiptare” për të ashtuquajturën “vjedhje” sipas tij të librit “Kurban”, në një kohë kur të gjitha të përditshmet e pavarura në vend kanë bërë as më pak e as më shumë të njëjtën gjë.

Të gjitha, pa përjashtim, kanë botuar pjesë të “Kurban”-it përfshi këtu edhe vetë organin zyrtar të Partisë Socialiste, “Zëri i Popullit”. Pse mes tyre, Rama zgjodhi “Gazeta Shqiptare” këtë mund ta dijë vetëm ai. Vlen të sqarohet, qoftë për të, ashtu edhe për mbarë opinionin publik, se “Gazeta Shqiptare” vendosi të botojë pjesë të librit “Kurban” vetëm për një arsye shumë të thjeshtë: t’iu shërbente maksimalisht lexuesve të saj, të cilët pavarësisht kërshërisë së madhe e kishin të pamundur ta lexonin “Kurban”-in në internet.

E për më tepër ky ishte një shërbim i veçantë që vendosëm të bënim ndaj të gjithë atyre lexuesve që në kushte të vështira ekonomike e kanë të pamundur ta blejnë librin në treg kundrejt një çmimi prej 10 mijë lekësh të vjetra.

Po për të njëjtin qëllim “Gazeta Shqiptare” ka botuar pjesë edhe nga libri i Spartak Ngjelës, Elena Kadaresë, Ben Blushit, Blendi Fevziut apo Arben Putos. Për t’iu rikthyer edhe njëherë akuzës që Rama na bën për vjedhje duhet saktësuar gjithashtu se në adresë të “Gazeta Shqiptare”, sikundër në të gjitha të përditshmet e tjera, nuk ka patur derimë sot as edhe një kërkesë të vetme për mosbotimin e pjesëve të librit nga z.Rama apo nga botuesi i tij.

Totalisht i pavërtetë është pretendimi tjetër i z.Rama lidhur me masakrimin e shpërfytyrimin që sipas tij “Gazeta Shqiptare” i ka bërë “Kurban”-it. Jo dhe jo. Titujt që redaksia iu ka vënë pjesëve të marra nga libri i tij në mënyrë absolute e të pakundërshtueshme kanë qenë thjesht dhe vetëm fjali të shkëputura nga vetë ato që Edi Rama ka shkruar e zeza mbi të bardhë me dorën e tij në libër.

Konkretisht në numrin e saj të datës 12 nëntor 2011, “Gazeta Shqiptare” është hapur me titullin e madh “Jam azmatik kronik” referuar deklaratës së bërë nga vetë z.Rama në faqen 184 të librit, rreshti i 5-të, nga ku citojmë “vuaj qysh në fëmijëri nga astma bronkiale”.

Gjithashtu në numrin e djeshëm të “Gazeta Shqiptare”, titujt e vendosur kanë qenë “Ahmet Zogu hamshor, Geraldina me gjinj të bukur”. Kjo referuar citimit të përdorur nga faqja 426 e librit, rreshti i 21-të, ku Rama teksa flet për mbretin Zog e cilëson atë “beu hamshor prej Mati”.

Ndërsa në rreshtin e 14-të të faqes 428, ai thotë shprehimisht “mbretëresha rrezatuese që mbante në gjirin e bukur..” referuar kësisoj Geraldinës. “Gazeta Shqiptare” i boton sot edhe faksimilet e këtyre faqeve për të qartësuar jo vetëm publikun por edhe z.Rama mbi atë çfarë ai shkruan në librin e tij.

 
Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 16:00

Diku nga fundi i gushtit 2006, në tetor, kur do të mbaheshin zgjedhjet vendore, më erdhi një sms kërcënuese, që ndryshe nga plot të tilla që kanë hyrë në celularin tim gjatë gjithë viteve në arenë, më bëri përshtypje sepse kishte një përmbajtje disi tjetër, një lloj presioni mafioz, ku më thuhej në thelb se duhej të negocioja për materiale komprometuese, përmbajtjen e saktë nuk e kam parasysh dhe s’i ruaj mesazhet në telefon.

I rashë mbrapsht numrit dhe ishte i mbyllur. E njëjta gjë u përsërit ndoca ditë më pas, duke më thënë pak a shumë po të mos nxitoja të paguaja, duhet ta harroja votën e qytetarëve të Tiranës, pasi të dilnin në shesh ato materiale. I rashë përsëri numrit, nuk ishte i njëjtë i ditës së parë dhe, nga ana tjetër, m’u përgjigj një zë i zvargur burri, të cilin s’e lashë të fliste, por i thash më ton të fortë se mua s’kishte material në botë që më merrte peng dhe, në vend të guxonte të më bezdiste prapë, këtë, ç’është e vërteta, e nënvizova me shumë më tepër brutalitet se ç’shpreh këtu me fjalën bezdi, duhej t’i nxirrte ato që kishte një orë e më parë, mu te sheshi “Skënderbej” po të donte.

“Madje, nëse nuk gjen dot një stendë, – i thashë, – ta jap unë bashkë me vendin para Bashkisë që do ta paguaj vetë dhe t’i varësh e t’i shohin të gjithë sa ditë të duash mor maskara!”. As e kisha idenë se çfarë mund të ishin duke sajuar, po ndieja diçka, intuita më thoshte se diç kishte, pavarësisht se s’kisha as merakun më të vogël për çfarëdo qoftë mund të lidhej me punën dhe me mua personalisht, sepse në gjithçka kam bërë në jetë deri më sot, mund t’i kem hyrë të tjerëve në hak pa dashje, ndodh në nxehje e sipër, ndodh në punë e sipër, ndodh edhe pa e kuptuar, s’ke ç’i bën, po asnjëherë nuk i kam bërë keq kujtdo qoftë duke u nisur me qëllimin për t’i bërë keq.

Punës jo e jo. Megjithatë, një shije e keqe më mbeti kur, pa dashur ta dëgjoja atë horr, kapa teksa flisja me zë të ngritur fort se “do të patakseshin gjithë gratë e botës me mua” kur të dilnin ato materiale, dhe nisi të më bridhte mendja nja dy ditë për të gjetur ndonjë kuptim të atyre fjalëve kërcënuese, duke u munduar të rrëmoja në kohët e shkuara të jetës sime prej shpirtit të lirë e njeriu të dhënë pas transgresioneve e provokacioneve, sidomos në Akademinë e Arteve, ku thyerja e tabuve në art dhe në jetën sociale ka qenë prirja ime natyrale që student dhe deri ditën që u largova nga ai mjedis.
Akademia ishte në të ritë e mi vendi i ngasjeve të lirisë së brendshme që kërkonte shtigje për të dalë në mexhlisin e rrethuar me murin hijerëndë të tabuve të ideologjisë së ngritur para syve tanë përmes metodës së Realizmit Socialist dhe s’qe e rastit që aty u shfaqën format e para të rebelimit ndaj regjimit komunist, fillimisht në trajtën e tentativave për ta kapërcyer atë mur duke hapur kanale komunikimi me botën matanë nëpërmjet thyerjes së kornizës së hekurt të metodës, futjes nëpër klasa të librave të artit të ndaluar botëror e diskutimeve të zjarrta që shkrinin telat gjembaçë të parimeve stërkufizuese socrealiste, zhveshjes së modeleve nudo që pozonin me rroba banje qysh nga flama e Plenumit IV, shoqërizmit antikomformist nëpër party me muzikë të degjeneruar e të folura haptazi antiparti, e sidomos nxjerrjes së pakënaqësisë me provokime të pareshtura në çdo orë mësimi, nëpër takime e mbledhje kolektivi që në fund u kthyen në vatra proteste, për të vijuar pas shembjes së murit me “Refleksionet” e famshme e me krijimin e një jete artistike sociale krejt “të shthurur” në hapësirën e ethshme të lirisë së fituar më në fund, shpirtërisht, mendërisht, trupërisht.

E asgjë që mund të patakte, megjithatë, gratë e botës në Shqipërinë e vitit 2006 s’më ra ndër mend, derisa një ditë, kohë më vonë, po para zgjedhjeve gjithsesi, ato zgjedhje u shtynë në shkurt për shkak se s’pranuam të hynim në to pa u zgjedhur problemi i madh i certifikatave të falsifikueshme, m’u kujtuan fotografitë e bëra nudo në një plazh natyristësh në Francë.

I rrëmujshëm siç kam qenë gjithnjë me sendet e mia, rrobat, pikturat, librat, korrespondencat, në kushtet e një mënyre jetese pa shtëpi fikse, më pëlqente pa masë të jetoja me idenë se shtëpia ime ishte trupi im dhe, qyshse e lashë vatrën prindërore për të qenë plotësisht i lirë në orare e në lëvizje, s’ka asnjë vend ku të mos kem lënë pas sende të miat, qoftë këtu dhe qoftë vende jashtë shtetit ku kam bredhur nëpër Europë për të jetuar lirinë, pavarësisht se kam qëndruar pak javë, disa muaj, ose disa vjet, e kësisoj jo vetëm s’i gjeta ato fotografi aty ku rrija, po s’e gjeja dot as ku mund t’i kisha lënë. Shumë më vonë jam kujtuar se i kisha harruar në një bagazh makine, brenda një kutie, dhe makina që kishte vazhduar jetën e vet pa mua ka rënë më tutje në duar që pastaj i kanë kaluar te shantazhuesit. E kam dhe një ide se si është përzier në këtë histori një politikan shumë i interesuar për humbjen time në ato zgjedhje, por në mungesë provash kjo mbetet vetëm hamendje pa të drejtë publikimi.

Megjithatë, ideja se mund të bëhej fjalë pikërisht për ato foto nuk më tronditi, sigurisht s’më vinte aspak mirë, se s’kisha dalë lakuriq në plazh për të më parë tërë Shqipëria cullak në fotografi, por thellë-thellë ndieja se s’kishte pse shqiptarët të patakseshin nga diçka krejt e pafajshme, plotësisht private, pa asnjë lidhje kohore apo përmbajtësore me detyrën për të cilën më kishin votuar e as me kohën e ushtrimit të funksioneve të mia publike, kur, me të dashurën time, njerëz të lirë të botës së lirë, kishim shkuar për pushime në një nga plot fshatrat turistike të Europës, ku bëhet plazh nudo e ku një gjë e tillë jo vetëm s’çudit kënd, por ku je aty të bën përshtypje pikërisht sepse s’të bën asnjë çudi. Sigurisht që sot s’do ta bëja të njëjtën gjë, s’jam më ai, dhe është një kohë tjetër, me ëndrra dhe angazhime të tjera për mua, ato kohë të papërsëritshme rinie të ndarë mes diktaturës dhe lirisë ishin të mbushura me etjen e pafundme për lirinë e mohuar për vite të tëra, me kuriozitetin e paepur për të parë dhe prekur nga afër përmasat e panjohura të botës së lirë, me ëndjen e madhe për të zbuluar vende dhe realitete të pazakonta për ne që dilnim nga bunkeri i jetës së oklaisur të diktaturës e me të shijuarit deri në fund të faktit të thjeshtë se s’kishim asokohe asnjë llogari për të dhënë askujt përveç Zotit, i cili s’kishte arsye të mërzitej me ne duke na parë siç na kishte lindur, e njëri-tjetrit që s’kishim pse i kërkonim llogari pse e shihnim në diell, det e rërë, siç e kishte bërë Zoti.

Por s’e mohoj dot kur Vali Bizhga, bashkëpunëtorja ime e afërt dhe mikja e shtrenjtë, që ka qenë për mua një mbështetje e paçmueshme morale e intelektuale në çdo orë të vështirë qyshse m’u bashkua si nënkryetare bashkie në janarin e vitit 2003, më pas drejtore e kabinetit tim dhe përgjegjëse e palodhur e asaj fushate, më mori për të më thënë se kishte një zarf me një përmbajtje shqetësuese në dorë e nuk më thoshte dot më shumë në telefon, ishte kulmi i fushatës, nisi të më ngrihej një tension i brendshëm dhe t’më fillonte ankthi i së panjohurës për mënyrën se si do të reagonte opinioni publik.

“S’është puna ç’mendoj unë”, tha Vali pa e fshehur dot turbullirën nga fytyra e saj gjithnjë transparente; kur u ktheva në zyrat e shtabit e pashë mbi tavolinë pikërisht atë që mendoja, dy foto të futura në një zarf anonim të hedhur në kutinë postare në hyrje të Bashkisë, “po ç’do të mendojnë njerëzit e zakonshëm që na votojnë pasi t’i shohin dhe të dëgjojnë edhe bubullimat e këtyre maskarenjve që shkojnë deri këtu?!”. “Vali, – i thashë, – nëse t’i s’mendon keq, pse duhet të mendojnë keq njerëzit e zakonshëm që na votojnë, s’janë aspak budallenj e të paditur që të bien pre e kësaj maskarade?!”. Dhe vërtet fakti që Vali mirëkuptonte kontekstin e atyre pamjeve të fiksuara në aparat në kohë krejt të tjera më lehtësoi disi, po aspak mjaftueshëm për të fjetur atë natë.

Gjithsesi, mendjen e kisha të ndarë, s’do të mohoja asgjë, s’do t’i bishtnoj në asnjë formë së vërtetës, do ta thosha mu siç ishte dhe pikë. Revolta e brendshme për presionin mafioz ku Saliu ishte përfshirë si një burrë i pafytyrë, pa miratimin e tij ato foto sigurisht nuk dilnin kurrë në ekranet e në pasqyrat e fushatës, i cili prej lakuriqësisë së trupit tim në plazh dhjetë e kusur vjet më parë kujtonte se mund ta mbyste zogun që i kishte rënë më në fund në dorë, duke fshehur me hipokrizinë e vet proverbiale perversitetin e kushedisaterrtë të tij e të të tijve, njësoj si në kohët e vjetra kur luftonte mbledhjeve të partisë me shfaqjet e huaja në emër të normave antinjerëzore të moralit komunist, më bënte edhe me të vendosur për t’i dalë ballë për ballë, hapur së keqes që donte të më bënte.

Po s’ishte, e përsëris, as një fjalë goje dhe as një çështje e lehtë në kushtet kur dyshimi për perceptimin e opinionit, për vetë momentin shumë delikat, s’kishte se si mos të të merrte frymën.
Edhe pa fotot, që u bënë qershia mbi tortë, ajo e mandatit të tretë për Tiranën ishte një fushatë e vështirë, e ngatërruar, e rënduar për mua me peshën e madhe të të qenit njëkohësisht edhe në detyrën e liderit të opozitës, që më detyronte të shkoja kudo nëpër Shqipëri, megjithëse bashkimi i të gjitha forcave opozitare ishte arritur më në fund dhe LSI-ja e Ilir Metës, në atë kohë ende e bashkuar brenda vetes në një vijë qartësisht opozitare dhe e pakomprometuar së jashtmi me flirtin masakrues me Saliun, kishte një peshë shumë më të rëndësishme se ç’ka sot në skakierën politike.

Ishte, tek e fundit, pjesë e jona, e opozitës së qendrës së majtë, madje pjesa më radikale e saj në kuptimin shqiptar të kësaj fjale, dhe kjo lehtësonte rrugën e betejës. Iliri vetë, gjithnjë mes frikërave, dyshimeve, ngurrimeve, dëshirës infantile për ta parë PS-në të zvogëlohej e bëhej LSI dhe LSI-në të zmadhohej e bëhej PS, pasi dha e mori ca kohë duke u luhatur në dallgët e mendjes së tij që herë pas here e mbyste gjithë atë djalë masiv në një lugë ujë, derisa e zhyti fare dhe e katandisur në rezervë dhjami për dimrin e pushtetit të Saliut dy vjet më vonë, u fut në atë fushatë me të gjitha forcat dhe luajti një rol të pamohueshëm për fitoren tonë në qytetet e mëdha, përfshirë edhe Tiranën, sigurisht.

Kandidati i Saliut, Sokol Olldashi, u bë gazi i botës në atë fushatë me akuzat, shpifjet e dokrrat e tij për qytetin, që e kthyen Eduard Shalsin, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, në rivalin real të tijin, i cili deri në fund ia doli ta bënte qesharak në sytë e opinionit, siç ishte në të vërtet me ç’bënte e ç’thoshte. Por e keqja ishte se Sokoli kishte një hije të rreme force, që e kishte krijuar si ministër i Brendshëm me ca prangosje të disa prototipave të kriminalitetit shqiptar, që Saliu i quante eksponentët e bandave më të rrezikshme më botës, hije që e kish mbjellë në opozitë para ministërllëkut me fitoren në Shijak kundër një ministri socialist, Agron Dukës, që sipas Saliut gjithnjë, përfaqësonte klanin e zi të Zemunit, drogë, kontrabandë, prostitucion e çdo të zezë që rridhte nga gabzherri i ngjirur i kryeopozitarit demokratik.

Asaj hijeje force e misteri ndikues ia shtonin më anë tjetër peshën iluzore edhe lidhjet e njohura të ministrit qysh nga fushata e Shijakut me lloj-lloj kriminelësh ordinerë e të fortësh të lloj-lloj gjëmave dhe bëmave ordinere, që historikisht kanë lidhur në fakt epikën folklorike antikrim e antikorrupsion të Saliut me realitetin e labirinteve të krimit e të hajdutërisë në Shqipëri, të cilat e kishin një dalje jo edhe aq të fshehtë mu në zyrën e Doktorit.

Kjo bëri që atij farë kandidati t’i mblidhej para e madhe për fushatën nga gjithë të tremburit e të tredhurit prej forcës abuzive të pushtetit dhe qoftë beteja e reklamave në rrugë e ekrane të bëhej thellësisht e pabarabartë, qoftë beteja për mbrojtjen e votës nga lukunia e hajdutëve të bërë bashkë për ta vjedhur atë të bëhej vendimtare, për më tepër kur edhe listat ishin hukubet, dokumentet e identifikimit krejt primitivë, fuqia korruptive e pandeshur ndonjëherë më parë. Megjithatë, e gjithë përpjekja e madhe që u bë nga ana e tyre, përfshirë edhe nxjerrjen e turpshme të fotove nudo javën e fundit, si për të më dhënë goditjen përfundimtare, rezultoi një tullumbace gjigande që u zhbë në flluska sapuni, fitorja ishte e plotë, e qartë, pa asnjë shteg për Saliun dhe pamjet e mia cullak i vunë asaj vulën, duke e thelluar me vota të pavendosurish e të rinjsh që kompensuan vjedhjet në një numër qendrash votimi.

Thuajse të gjitha ata me të cilët arrita të flisja gjatë gjithë ditës së daljes së fotove, disa shmangeshin mbase pa ditur ç’të thoshin, më thoshin në mënyra të ndryshme t’i mohoja ose mërmërisnin të hutuar, pa numër të më inkurajonin të pohoja autenticitetin e tyre. “Thuaj është montazh”, këmbënguli disa herë Iliri, që ishte sinqerisht i shqetësuar e u shqetësua edhe më shumë kur kuptoi se s’bëhej fjalë për të mohuar gjë, të vetmit ndër të politikës që mbaj mend plotësisht në një mendje me mua, madje të pasikletosur hiçfare, ishin Erjon Braçja, që qeshte me lot dhe thoshte “Mbaroi kjo punë, do jetë e thellë!” dhe Ben Blushi që më tha “Do t’ju kthehet bumerang”, ndërsa Pandi Majko, atëherë sekretar i Përgjithshëm i PS-së, që mbulonte fushatën në zona ku unë s’shkoja dot për shkak të kohës, u mbyll i bykosur nga sëkëlldia në shtëpi atë ditë dhe komunikoi vetëm me nënën time, e cila merret lehtë me mend, ishte tejet e sëkëlldisur.

Mua vetë, siç ta thashë, zemra më thoshte gjithçka është në rregull, kurse mendja më sorrolliste në një labirint të lodhshëm hamendësimesh deri në fund të ditës.
E kam si tani para syve në buzëdarkën e asaj dite, kur dola më në fund i lehtësuar nga salla e diskos “Venue”, aty ku qëlloi takimi i programuar qysh më parë e ku tregova të vërtetën time açik përpara një turme të rinjsh e të rejash, jo pa siklet të them të drejtën, isha si në ethet e një provimi aspak të lehtë, një gjimnazist të mbështetur në mur më xhupin e skuadrës legjendare të bejsbollit Red Socks e me duart në xhepat e bluxhinseve të rrjepura që më tha sikur të kishte hequr një hall të madh, “Ah mër plak, sa frikë kom pas sot se po na zhgënje e po na thu s’jom unë ai që kan qit lakuriq gazetat! Hallall plako, s’ka mo Pereni që t’rref kët t’dielë”.

 

 
Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 11:30

Numërimi i votave u kthye në një dramë televizive ku mori pjesë e gjithë Shqipëria dhe çdo mik e partner i huaj në Shqipëri. Ambasadorët e Holandës e të Danimarkës ishin të parët që u regjistruan si vëzhgues ndërkombëtarë për të hyrë e qëndruar deri në fund në një gjashtëditësh marramendës, ku në çdo njëzetekatërorësh zhvillohej një betejë e ngatërruar në gjithçka dykej me sy a luhej pas shpine në sallat e numërimit, dy burra që batin në vetë të parë kulturën demokratike të atyre vendeve të vogla nga gjeografia e të ëmdha nga demokracia, që të dy ndjekës të pasionuar të jetës së trazuar shqiptare e mbështetës të vendosur të përpjekjeve të Shqipërisë drejt Europës.

Karsten Jensen, ambasadori danez, të mbresën me energjinë e thjeshtësinë e vet, Henk Van der Dol, ambasadori holandez, njësoj si paraardhësi i tij që të tregova më lart, apo si paraardhësi i paraardhësit, Hans Blackenberg, një mbështetës i gjindur i kryeqytetit dhe edhe i planeve bashkiake të zhvillimit urban e i projtekeve kundër diskriminimit social. U bë pjesë e vëzhgimit ndërkombëtar edhe Fiona McIlwham, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, djepi ku u përkundën dhe u rritën vlerat e parimet e demokracisë moderne evropiane, prej ku s’ka munguar kurrë në këta njëzet vjet mbështetja për përfshirjen e Shqipërisë në tryezën e Europës së Bashkuar.

Ambasadorët e BE-së e të OSBE-së, Ettore Sequi dhe Eugen Wolfarth, qenë po ashtu dëshmitarë të palëvizshëm okularë të procesit të numërimit dramatik, ku siç nuk mund të ndodhte ndryshe, u shqua posaçërisht me praninë e tij imponuese e lehtësuese ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, përfaqësuesi i vendit ku Shqipëria sheh flakën e lirisë e të vlerave demokratike, aleatin e saj më të madh e mikun më të pandarë në çdo orë e kthesë të rrugëtimit të vet demokratik.

Pa praninë e këtyre njerëzve dhe rolin kyç të luajtur me dinjitetin më të lartë qytetar e profesional nga shefi i misionit ndërkombëtar të vëzhgimit, Jonathan Stonestreet, ai numërim i ndërlikuar prej stërzgjatjes, lodhjes sfilitëse, presioneve të vazhdueshme e lojërave të ulëta të përfaqësuesve të pushtetit në sallë e jashtë saj, si dhe përpjekjeve të paligjshme në prapaskenë të policisë, s’do të kishte dalë kurrë me fitoren tonë. Kurrën e kurrës.

Të gjithë këta njerëz e shpëtuan votimin e 8 majit në kryeqytet nga akti fundor i një manipulimi të fazuar si një operacion kriminal disavjeçar, i cili në photofinish dështoi t’u jepte pushtuesve të rinj satisfaksionin e patrazuar të luftës së pabesë, por edhe rivendosi në majën më të lartë në sytë e shqiptarëve reputacionin e cenuar publik të komunitetit ndërkombëtar pas ngjarjes së përgjakshme të 21 janarit, ku këndvështimi i botës demokratike mbi Shqipërinë s’ishte i kthjellët si zakonisht në leximin e përgjegjësive për një demonstratë të jashtëzakonshme opozitare që u kthye në një tragjedi kombëtare nga derdhja e 2326 plumbave luftarakë prej grykës së pushkëve të pushtetit mbi protestuesit e agjituar prej keqqeverisjes varfëruese, shtypëse, dëshpëruese e ato ditë, edhe prej një videoskandali të pashoq korrupsioni në kupolën e qeverisë, të cilin Saliu e quajti sajesë të një çakalli mediatik, duke anatemuar gazetarin e madh Filip Çakuli, rebelin shpotitës të të gjithë regjimeve e qeverive në Shqipëri qysh prej kohëve më të vjetra, që e publikoi me guximin e tij shembullor videskandalin në emisionin popullor, Fiks Fare, si edhe duke kërcënuar Sokol Ballën, gazetarin e njohur ekscentrik e kurajoz, bërë halë në syrin e Saliut prej emisionit komod që drejton prej vitesh me sukses popullor në të njëjtin ekran, ekranin e pabindshëm të Tanit të Topit, ku u thirr e pyet për dy orë para publikut të shokuar dëshmitari i videoskandalit.

Miqtë e partnerët ndërkombëtarë s’arritën të bënin asgjë më të mirë sesa të vendosnin shenjën e barazimit mes atyre që qëlluan me gurë dhe atyre që vranë me pushkë në mes të bulevardit kryesor të Shqipërisë, duke trajtuar njësoj si opozitën e paarmatosur në protestë, si qeverinë e armatosur gjer në dhëmbë në kryeministrinë e kthyer në një llogore lufte, si të papunët, të pangrënët, të pashpresët në rrugën e kërkimit të lirive e të drejtave të tyre, që u provokuan qysh në fillim të protestës nga autoblinda ujëhedhëse e bomba me gaz helmues, si të mbingopurit nga përfitimet e paligjshme përmes korrupsionit shkatërrues të një pushteti të dalë nga vjedhja e votës, që hapën zjarr mbi turmën për të konsoliduar sistemin e shkeljes së lirive e të drejtave të marra peng në oborrin e pushtetit, si viktimat që humbën jetën prej plumbave krejt të panevojshëm a thyen kockat në komisariatet e policisë e u përndoqën ditë e net me radhë nëpër shtëpi, si ata që ua morën jetën e i degjeneruan me dru e fjalë të ndyrë nëpër lokale e birura nga lartësia e një qeverie të kthyer në regjim, e cila në 21 janar kapërceu sistemin kushtetues duke kapërcyer kufijtë e vetëmbrojtjes dhe bërë ditën për diell krimin që kurrë s’është bërë në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Disa kohë më vonë, i pyetur gjatë një konference për shtyp, Presidenti Sarkozy bëri sintezën më të shkëlqyer që mund t’i bëhej atij momenti: “Në demokraci, fatkeqësisht protestat qytetare mund të degjenerojnë edhe në dhunë, por çka kurë s’mund të lejohet të ndodhë është përdorimi i plumbave të vërtetë ndaj qytetarëve”. Fiks fare.

 

***

Një justifikim i habitshëm, lindur prej nuk e di çfarë burimesh apo arsyetimesh, por thellësisht i pavërtetë, sipas të cilit në detin e protestuesve të 21 janarit kishte një dallgë të sponsorizuar për të përmbysur qeverinë me dhunë, u bë themeli i padrejtësisë së gjykimit të tragjedisë së përgjakshme, duke e bërë shenjën e barazimit mes batalionit vrasës të kryeministrisë dhe popullit të masakruar me plumba jashtë gardhit të godinës, një mbështetje de facto për qeverinë dhe de facto një shuplakë poshtëruese për opozitën, pa marrë asfare parasysh që të vrarët i mori plumbi mu si në një ekzekutim të ftohtë me vdekje, pa gjyq, për një krim që s’e kishin bërë, ndërkohë që demonstrata ishte në fund, turma thuajse ishte shpërndarë, askush s’kishte shkelur e nuk rrezikonte të kapërcente kufirin rrethues të godinës.

Ato ekzekutime makabër s’kishin të bënin asgjëkund me nevojën e vetëmbrojtjes së pushtetit të barrikaduar në selinë e Këshillit të Ministrave, por me mesazhin kriminal që Saliu vendosi t’i japë popullit të vet, opozitës shqiptare dhe mua personalisht, duke u përbetuar me çakërdinë e një të luajturi mendsh se do merrja plumbin në ballë po të guxoja të shfaqesha para kullës së tij një herë tjetër.

 

***

 

Ambasadori Aleksandër Arvizu i zbuloi kohë më vonë publikut një detaj të vërtetë nga ditët traumatike që rrodhën menjëherë pas 21 janarit, kur marrëdhëniet mes nesh s’ishin mjaltë dhe ambasadori përpiqej me këmbëngulje të më bindte për domosdoshmërinë e anulimit të demonstratës sonë të paralajmëruar për një javë më vonë pas vrasjeve barbare të katër njerëzve të pafajshëm, ndërkohë që pozicioni i tij publik kishte qenë befasisht i butë ndaj qeverisë e i ashpër ndaj një ‘grupi demonstruesish me agjendë tjetër’, siç ishte shprehur, duke kërkuar një hetim të plotë e të pavarur të prokurorisë në krah të Prokurores së Përgjithshme, por duke mos ngurruar të përkrahte haptazi as Policinë e Shtetit në krah të Drejtorit të Përgjithshëm, fill pas operacionit në fakt skandaloz të menaxhimit të konfliktit me protestuesit ku si dëshmitar okular pashë dhe s’do mund ta harroj asnjëherë se ç’hukubet, sa jo profesionale, sa e keqpërdorur dhe e çakërdisur u tregua policia, e cila provokoi turmën pa filluar ende demonstrata teksa deti njerëzor i protestës vazhdonte ecjen në bulevard drejt godinës së kryeministrisë, rrethuar me mijëra uniforma blu, mburoja, skafandra, rroba jeshile lufte, gryka zjarri, tela me gjemba, snajperë e nishanxhinj mbi tarracat ku u shfaq llërëpërveshur, si Arkani në Bosnje, edhe vetë kanakari i Saliut në krye të Ministrisë së Brendshme.

Dua të bëj një parantezë këtu, për të thënë se brenda kornizës së spekulimit të madh me shenjën e barazimit mbi 21 janarin, ka edhe një spekulim tjetër të hatashëm, lënien e qëllimshme të demonstratës në rënie të lirë nga organizatorët që nuk u përpoqën të bëjnë asgjë, për ta shmangur degjenerimin e revoltës në konflikt të dhunshëm me policinë. Gënjeshtër! Demonstrata u provokua qëllimisht nga policia teksa protestuesit qenë ende duke u grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku unë vetë, së bashku me Pandeli Majkon e me dhjetëra mijëra të tjerë pas nesh, u ndalëm në kapërcyellin e Urës së Madhe të Lanës prej resë së beftë të gazit lotsjellës e prej turmës që kishim përpara, e cila u kthye në drejtimin tonë e ndjekur nga autoblinda ujëhedhëse që pa asnjë arsye u shfaqën nga kthesa e kryeministrisë dhe u turrën përbindshëm drejt e mbi njerëzit e mbledhur të parët para selisë së Këshillit të Ministrave.

Ai veprim i qëllimshëm e qartësisht i urdhëruar jo nga profesionistët e policisë, por nga ata që atë ditë e kthyen shtetin në vrasës të qytetarëve të vet, u bë shkak i shthurjes së protestës, i plagosjeve të panevojshme të shumë qytetarëve krejt pa faj, mes tyre plot gra, i irritimit të shumëkujt ndër protestuesit që u kundërpërgjigjën instinktivisht me gurë ndaj forcave të rendit e i futjes së protestës në hullinë tragjike, si edhe i humbjes së kontrollit e të lidhjeve mes organizatorëve e grupeve të demonstruesve që kishin secili në patronazh, sipas një organizimi që kurrë s’kishte paraqitur probleme në një sërë demonstratash të ngjashme në përmasa, sepse asnjëherë më parë protestuesit nuk ishin provokuar nga policia.

Duke kujtuar ato momente gjatë një interviste pas majit të zgjedhjeve të grabitura të Tiranës, ambasadori amerikan tregoi se kishte qenë asokohe i shqetësuar për garantimin e jetës sime të vënë nën një kërcënim serioz, gjë që unë e mësova ato ditë pak më vonë sesa ai dhe pak përpara demonstratës së paharrueshme të 28 janarit nga burime shumë serioze, që më informuan në detaje se një grup kriminal kishte përgatitur skenarin e eliminimit tim fizik.

 Ia tha këtë truprojës sime, një ditë përpara demonstratës funebër, edhe vetë komandanti i Gardës Republikane, i cili, pas 21 janarit ishte shfaqur në publik me gjyzlykë të zeza që s’e fshihnin dot megjithatë një dëmtim të çuditshëm boksierësh në sy, mendja të thoshte se e kishte nga demonstrata, por duke qenë se ai s’ishte ndodhur gjëkundi në ndonjë ndeshje trup më trup me protestuesit para kryeministrisë, s’është e pamundur të mendohet se ka thënë të vërtetën zëri i dalë nga brenda gardës, sipas të cilit atë mavijosje të syrit komandanti e kishte prej një grushti të marrë në surrat nga truproja e Saliut, kur kishte bërë naze për zbatimin e urdhrit gojor që të hapej zjarr mbi turmën. Ky i fundit u pa nga të gjithë kamerat me automatik në dorë në oborrin e kryeministrisë, krejt jashtë funksionit të tij ligjor, teksa yshtte ushtarët e hutuar të qëllonin drejt e në mish.

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 18:35

Presidenti Bamir Topi ka qenë i pranishëm gjatë paradites së sotme në Panairin e Librit. Gjatë vizitës së tij, shtëpia botuese “Dudaj” i ka bërë dhe një dhuratë presidentit, pikërisht librin “Kurban” të kreut të opozitës, Edi Rama.

Gjatë një fjale të shkurtër për mediat, presidenti Topi është shprehur i kënaqur që lidhja e shqiptarëve me librin është e fortë. I pyetur në lidhje me librin e Ramës, ai tha se preferon që për momentin të mos lexojë libra nga politikanët, por tha se ai do të jetë në arkivën e vet.

“Sot është bota e teknologjisë moderne e shumë të rinj duan ta përdorin internetin por më vjen mirë që nuk e kanë humbur interesin për librin. Unë meqënëse jam në këtë panair dëshiroj ti rikthehem edhe njëherë një figure sikurse është Alizot Emiri të cilin e pyetën çfarë bën tha “shes mendjen e botës”. Vërtet panairi këtu falë organizatorëve e përkushtimit të tyre bëhet më i bukur me shumë tituj por do të thotë se këtu është një koncentrat i fuqishëm i mendjeve krijuese qofshin figura shkrimtarë klasik të botës moderne, apo edhe shkrimtarë shqiptarë, me emër apo atyre që e kanë përzier bukur politikën me librin”, theksoi Topi gjatë fjalës së tij.

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 09:40

Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse ra mbi bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste, për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore.

Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky s’është vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë besoj se do të më gjykoje keq nëse këtë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak më të gjatë se ç’kam bërë hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike.

E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë në optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e ndarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për tu rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së.

Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modeli spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim asgjësimin e LSI-së.

E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI, përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-ën edhe në 2011-ën, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet, për të cilin ka dëshmitarë e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit.

Nënvizoj këtu se,ndryshe nga sa ç’thashethemohet, unë s’kam asnjë gisht në atë marifet, e kam marrë vesh më vonë, por spekulimi ka lindur nga fakti që kam urdhëruar me mesazh të gjithë kujdestarët elektoralë të partisë sonë të ruajnë, pavarësisht armiqësisë politike, çdo votë të LSI-së, e cila s’kishte anëtarë në komisione dhe rrezikonte të goditej nga vjedhje që kurrë, asnjëherë e për asnjë arsye, Partia Socialiste në qendër s’i ka stimuluar e s’do t’i stimulojë ndonjëherë sa të jem unë në krye, në kurriz të askujt. As të kundërshtarit.

Jo vetëm aq sa thashë, por jam i bindur se falë sistemit të ri, as PS-ja s’do të kishte e vetme shumicën e 71 votave që acaronin paranojën e Ilirit, duke e bërë të frikej se mund të defaktorizohej për shkak të humbjes së ndikimit mbi qeverisjen, as LSI-ja nuk do e humbte çelësin e kontrollit mbi shumicën, pa të cilin Ilir Meta s’e kupton dot ekzistencën e tij në krye të asaj partie të vogël.

Dhe as boshti PS-LSI nuk do të rrezikohej dot nga ansambli folklorik i koalicionit të Saliut, të paktën sa kohë që Saliu ishte në krye të Partisë Demokratike. Deri këtu jemi tek faktet, jo tek opinionet dhe të gjitha faktet thonë se është vetëm kështu. Kush thotë s’është kështu, s’ka fakte, po vetëm opinione pa bazë logjike e faktike.

Çfarë ndodhi atëherë?

Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për tu mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë.

Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll, ose siç u pagëzua qysh në fillim nga sistemi i Kaçit, që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak të reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, veçanërisht atë opozitar si ‘nëna e gjithë intrigave’ në familjen socialiste.

Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Metës e Islamit, kur njëri dëgjonte emrin e tjetrit, s’ishte aspak e zorshme të hamendësoje se terreni psikologjik për reformën ishte i minuar nga mosbesimi total pa nisur ende puna e përbashkët që duhej të bënim për të.

Qëllimi im ishte pikërisht çminimi i atij terreni, duke i folur hapur Ilirit dhe duke i kërkuar që të mos lejonim të na ngatërrohej me llafe rrugësh e kafenesh ai proces që ishte natyrshëm boll i ngatërruar, ndërkohë që pa asnjë dyshim, jo vetëm që s’dëshiroja tkurrjen e LSI-së, por përkundrazi besoja me bindje të plotë se modeli spanjoll zgjidhte shkëlqyeshëm ekuacionin e fitores së zgjedhjeve, qoftë problemin e bashkëjetesës së vështirë mes dy partive tona.

“Reforma zgjedhore,” i thashë pakashumë, “është një proces tejet delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë klasën politike, prek interesa, ngjall orekse, krijon shtigje shumë të shpeshta për dyshime, keqinterpretime, keqkuptime. Unë s’kam asnjë arsye në botë ta fus reformën në një rrugë që na ndan.

Modeli spanjoll më duket absolutisht më i përshtatshmi, të paktën nga sa unë kam lexuar mes modelesh të ndryshme, qoftë për PS-në, qoftë për LSI-në. Por nëse ty nuk të rezulton kështu, jam plotësisht i gatshëm të vendosim ndryshe. E vetmja gjë që të kërkoj është që konkluzionet t’i nxjerrim jo me hamendje, as me dyshime reciproke, as me llafe që vijnë vesh më vesh dhe ty të ndikojnë për keq.

Mblidh njerëzit e tu të besuar, ata që marrin vesh nga kjo punë, jepu detyrën të bëjnë analizat përkatëse dhe më thuaj. Nëse do të flasësh edhe me Kastriotin, e ke në dispozicion”.

Duhet një penë e fortë, që unë s’e kam, për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sëkëlldisë së dyshimit e frikës që i shkon në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh ndërsa sytë i lëvizin ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e vë në mes duke kapur rripin e pantallonave, fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk edhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë “ë”-je të zvargur i del hera- herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj e s’po të flas dot tani, çohet për ndonjë telefonatë pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi e dëgjon e dëgjon, plas papritmas një të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tundet nga gazmendi, pastaj dëgjon edhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sëkëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një “mirë do flasim”.

Përpikërisht kështu e mbylli dhe atë bisedë duke thënë: “Mirë, flori, kuptova, do ta shoh e do flasim”. “Një gjë unë ta them që sot me bindje”, i thashë duke u ngritur në përpjekjen time finale, të kotë, që të ngulja gozhdën e shtrembëruar nga goditjet e përsëritura të arsyetimit në veshët e bukosur të Ilirit, ku e ndjeja që zërit tim hynte vetëm si zhurmë turbulluese. “Me sistemin spanjoll jemi qetësisht fitimtarë, të paktën derisa Saliu të jetë në politikë. Nëse ti s’e krijon këtë bindje, gjejmë një zgjidhje tjetër, nuk ka problem”.

Por fatkeqësisht për shumicën e këtij populli, problemi kishte lindur dhe zgjidhja tjetër kishte vdekur para se ta kërkonim, lavjerrësit në kokën e Ilir Metës i kishte ardhur ora për të lëvizur djathtas, ndërsa Ilirit dita për të bërë sikur po lëvizte më majtas, që të shpëtonte të majtën, socialistët e vërtetë, vetë Shqipërinë nga një pazar i madh, që në fakt s’ishte gjë tjetër veçse shprehja e frikës së tij imagjinare se mund të mbetej vetë jashtë pazarit.

 

Ftesa nga Fatos Nano

 Paloçëllëku më i fundit kishte qenë një komision hetimor kundër meje në të hyrë të të njëjtit vit, që ishte në fakt vijimi atavik i një bashkëpunimi të vendosur mes Fatosit e Saliut qysh në kohën e katharsisit, atëherë kur, me ndihmën e drejtpërdrejtë të armikut historik, i cili nuk e çonte PD-në në Kuvend për tu lënë fushë të lirë socialistëve të shqyenin njëri-tjetrin në kacafytjen e tyre torturuese sa në rrugë e sa në sallën kuvendore, ku qeveria s’i arrinte dot numrat për të hapur seancat e miratimit të ministrave, “Konti i Montekristos” realizoi hakmarrjen e planifikuar duke e detyruar të dorëzohej qeverinë e Ilir Metës.

Ishte vetëm pika e parë e planit të bashkëpunimit mes ish presidentit dhe ish të burgosurit të tij, ku parashiheshin me radhë goditja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atë që Saliu e ngrinte dhe ulte paturpësisht me nofkën Mark Abdia, pastaj me komisione hetimore parlamentare për kryetarin e SHIK-ut dhe më tutje kryetarin e bashkisë së Tiranës, pra mua, armikun e shpallur të Saliut qysh në dekikat e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe mikun armik të Fatosit qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonjpaprerë, që merresha me kontrabandë ikonash, ndërkohë që ishim takuar në fakt për herë të parë në zyrën e tij në ditët e rikthimit tim disaditor në Tiranë nga Parisi pas shumë kohësh, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në atë zyrë me fitoren e qershorit 1997.

Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje, kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin.

Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje të pazakontë të shijeve letrare, artistike por edhe politike, e mbi të gjitha njerzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndihesh rehat si rrallëkund, dhe ndiqnim rezultatet me telefon kur, në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi “Mjekrën” siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren më çuditi me përgjigjen: “Është rasti të të uroj edhe unë ty sepse kjo është fitorja ime sa ç’është e jotja, pres të shihemi së shpejti”.

Më çuditi sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulësinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke ia tretur paralelisht me humbjen e sigurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë.

Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i lëvizjes së dhjetorit ‘90, që kishte dalë nga prapaskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin 1991, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në 97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje.

Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty në zyrën e tij, gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj.

Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operas së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për t’iu bërë krah atij që ndihej “i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin tua mbyllte çadrën e t’i linte në kalbeshin në shi”, pa munguar nga kontaktet tona telefonike për herët që e takoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh pariziere.

E nëse im atë s’do të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratisëse, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, s’kishte as edhe një gjasë që unë t’i përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.”

12