Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 14:00

TIRANE- Partia Socialiste ka zhvilluar sot tryezën e dytë me biznesin e madh. Kryesocialisti Rama u shpreh para tyre se programi i Rilindjes Kombëtare ka për qëllim të rrisë komunikimin me grupet e interesit, duke shembur kështu barrierën e vendosur deri më tani, sic tha ai.

“Të mbyllim njëherë e përgjithmonë aksesin e privilegjuar me grupet e interesit. Të hapim një kapitull të ri ku si qeveria dhe opozita të komunikojë lirshëm me grupet e interesit. Të lëmë pas kapitullin e zymtë të moskomunikimit. Është e domosdoshme për sipërmarrjen që të flasë hapur, pa frikën se pasi flet i vjen shantazhi, presioni apo dëmi i radhës. Është e domosdoshme që edhe të gjitha forcat politike të dinë në detaje situatën ku ndodhet sipërmarrja”, tha Rama.

Kryesocialisti u shpreh më tej se “Sipërmarrja nuk ka ngjyrë politike, nuk duhet ndarë në vazhdën e ndarjes së përgjithshme që sot e pengon Shqipërinë të shkojë përpara, në blu dhe rozë”, tha ai. 

LOTARIA KOMBËTARE
Rama deklaroi gjatë punimeve të kësaj tryeze se do rishikojë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për Lotarinë Kombëtare. Nuk mund ta pranojmë, tha Rama, duke nënvizuar se do t’i kthehet publikut.

“Do rishikojmë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes. Nuk mund ta pranojmë Lotarinë Kombëtare, ku shqiptarët humbin çdo ditë e fitojnë po atë, këtë s’mund ta pranojmë, do ja kthejmë publikut”, tha Rama duke shtuar se vlera themelore mbi të cilën pretendon të ndërtojë rrugën e së ardhmes është liria. 

TAKSA PROGRESIVE
Lideri i opozitës e ndali vëmendjen e tij edhe tek taksa progresive, për të cilën tha se jo vetëm që nuk e kërcënon biznesin e madh, por e ndihmon atë, pasi duke lehtësuar taksat e shtresës së mesme ju jep atyre mundësinë të konsumojnë më shumë.

“Vlera e progresivitetit nuk ju kërcënon, ju mund të shërbeheni më mirë. Qeveria nuk ka bilanc, nxit frikën dhe pasigurinë referuar opozitës. Taksa progresive që ne kemi në planin tonë, në mesatare do ta ketë ngarkesën 8% j0 10%, do lehtësojë 90% të njerëzve të punësuar në këtë vend. Lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet tek ju, tek biznesi duke rritur konsumin. Këtë vit Shqipëria pati nivelin më të ulët të konsumit, që kur është vendosur taksa e sheshtë”, tha kryesocialisti. 

ARSIMI
Rama ka bërë të qartë para biznesmenëve që nuk është kundër arsimit privat në Shqipëri, por është kundër diplomave të pavlera. Ai tha se në programin e Rilindjes Kombëtare parashikohet sistemi i akreditimit të institucioneve.
“Jemi kundër atyre që e shohin studentin si klient. Do fusim në sistemin e akreditimit të gjitha universitetet si kudo në botë. Pastaj e njëjta gjë do ndodhë me shkollën e mesme, ku s’ka klikentelë, miq, kushërinj që kanë lidhje, por që ka vetëm një test që tregon cilësinë”, tha ai. 

SHËNDETËSIA
Kreu i PS dekloaroi ndër të tjera se në Shëndetësi do të aplikojë modelin anglez.
“Sot ka 1 milion shqiptarë të papunë. Këta të papunë janë të pasiguruar, me këtë sistem ju thuhet mos u sëmur se po s’pate lekë, mund të vdesësh dhe po u sëmure drejtohu zotit se doktorri do lekë. Ne i jemi referuar sistemit britanik, ku është shteti që e blen shërbimin dhe shërbimi i’u jepet të gjithëve sipas nevojës”, saktësoi Rama.

BIZNESMENËT 

IRFAN HYSENBELLI: BIZNESI DO KUADËR LIGJOR TË SAKTË 
Presidenti i ‘Hysenmbelliu Group’, Irfan Hysenbelli në fjalën e tij në tryezën e PS-së për biznesin e madh kërkoi një kuadër ligjor më të saktë për biznesin në mënyrë që të shmangen monopolet.

“Në lidhje me diskutimin e monopoleve, normalisht që ka pasur edhe kur keni qënë ju në qeverisje, një pjesë e atyre njerëzve janë edhe sot. Uroj që të përcaktojmë një draft ligjor që të mos ndodhë sic ka ndodhur në kohën e Bodes, që nuk konsultohet me biznesin, por edhe me Ramën kur u vendos 5 %-shi nuk u pyetëm. Mendoj se fjalimi është i mirë dhe ne e besojmë”,- theksoi Hysenbelli.

Ndërkohë duke ju referuar Lotarisë Kombëtare, biznesmeni Irfan Hysenbelli kërkoi konkurrencë të lirë në treg.
‘Sa i takon Lotarisë Kombëtare nuk besoj të jetë një shfaqje, pasi ata kanë qënë miqtë tuaj dhe kanë qënë miq në hije. Në komunikimet duhet të jemi më transparent, biznesi do kuadër ligjor të saktë që monopolet të mos krijohen. Konkurrrenca të jetë e lirë në treg. Nëse do aprovohet draft ligjor i saktë unë do jem mbështetës kryesor. Nëse drafti nuk do jetë i saktë, do jem pesimist”,- tha Hysenbelli.

Si përgjigje Rama theksoi: “Unë nuk kam qënë në qeveri dhe jam futur në PS se doja një PS sic duhet të jetë. Dhe në rast se i referohemi periudhës kur unë kam administruar Tiranën është bërë propagandë intensive për lejet e ndërtimit, por ka një fakt se në rreth mbi 1 mijë leje ndërtimi që ka dhënë Bashkia e Tiranës kur unë e drejtoja, janë mbi 300 subjekte që kanë marrë leje ndërtimit. Ndërsa sa i përket ekzistencës së monopoleve gjatë këtyre 7 viteve është agravuar problemi, ashtu sikundër ashkush nuk mund të pretendojë se në 1 mandat mund të zhduket korrupsioni”.

DHOMA E TREGTISË. DUHET TË MENDONI SISTEMIN E TVSH-së SË KONTROLLUAR
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ngriti nevojën e një paketë të re fiskale për ndërtimet, ndërkohë duke ju referuar taksës së propozuar nga socialistët, Jaka vlerësoi se duhet menduar për futjen e sistemit të TVSH-së.

“Lidhur me taksat si Dhomë Tregtie kemi kërkesa të hershme, qeveria aktuale apo opozita duhet të mendojë mirë futjen e sistemit të TVSH-së, pasi shumë sipërmarrës të mëdhenj thonë se malli i tyre nuk shoqërohet me faturë të TVSH-së nga bineznesi i vogël”,- theksoi Jaka.

BIZNES ALBANIA: DEBATE AKADEMIKE PËR TAKSËN PROGRESIVE
Drejtori i Biznes Albania, Luan Bregasi propozoi që opozita të ndërmarrë debate akademike para se të vendosë për taksën progresive.
“Unë mendoj se ka një nuancë të re në taksën progresive dhe ju keni bindjen se kjo mund të jetë më e mirë. Mendoj se duhet të ketë debate akademike. Taksa progresive mund të jetë e mirë, por duhet provuar me argumenta që ajo që propozoni ju është më e mirë”,- deklaroi Bregasi.

Bregasi vuri theksin tek përmirësimi i marrëdhënieve institucionale mes biznesit dhe qeverisë.
“Përmirësimi i marrëdhënieve institucionele me biznesin duhe të bëhet më mirë. Duhet marrëdhënie më e mirë mes sipërmarrësve dhe qeverisë. Duhet të krijohen këshilla sociale ekonomike. Ne kemi shprehur mendim të qartë duhet të ndahen kompanitë që vuajnë për shkak të krizës dhe ato që vuajnë për shkak të kapricos së drejtuesit. Opozita duhet të kenë program të qartë”,- tha Bregasi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 15:41

“Komisioni Evropian ka konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe kërkon që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

RADIO EVROPA E LIRË
Reforma elektorale është një nga parakushtet e vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Si e shihni ecurinë e procesit deri tani?

EDI RAMA
Reforma elektorale është prioriteti i prioriteteve ndër 12 prioritetet/ rekomandimet që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë, sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e kotë që të pretendojmë të bashkohemi me familjen evropiane me të drejta të plota.

Ky fakt, kjo e vërtetë është një e vërtetë, të cilën vetë Komisioni Evropian e mbron, duke konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe duke kërkuar që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Po shihni mjaftueshëm konsensus në mënyrën se si po vepron Komisioni i Reformës Zgjedhore – herë pas here duket sikur ka ngecje dhe të dyja forcat e mëdha politike fajësojnë njëra-tjetrën për këto ngecje. A ka konsensus të mjaftueshëm ky komision?

EDI RAMA
E vërteta është që kemi një mosdakordësi të plotë lidhur me qëndrimin ndaj sistemit zgjedhor. Ne duam një përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të rritjes së transparencës dhe të përfaqësimit të të gjithë votuesve përmes të gjitha subjekteve elektorale. Ndërsa, pala tjetër është krejtësisht e mbyllur në këtë pikë.

Sa i përket aspektit tjetër të reformës që ka të bëjë me rregullat e lojës, që ka të bëjë me të gjitha ato deformime dhe probleme të konstatuara nga misioni i OSBE/ODIHR-it, dhe me rekomandimet e këtij misioni, ka një ecuri, të cilën unë nuk do të doja ta gjykoja negativisht apo ta paragjykoja në këtë fazë.

Ecet, dhe shpresoj që të mos jetë e nevojshme në asnjë mënyrë një shtyrje tjetër e afatit, pasi ka një rëndësi themelore që reforma të mbyllet në kohë për t’i dhënë mundësi implementimit të të gjitha atyre masave që ne synojmë të përfshihen në ligj dhe që kërkojnë edhe futjen e teknologjisë së re në procesin zgjedhor në Shqipëri, siç është fjala për identifikimin apo për numërimin elektronik.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju vjen keq që, ndoshta, për shkak të mosndryshimit të sistemit, apo të paktën, korrektimit të tij, gjë që e ka kërkuar Partia Socialiste, mund të humbisni disa nga aleatët tuaj, p.sh PPDNJ-ja ka thënë që nëse sistemi nuk ndryshon, do të kalojë në polin e qendrës?

EDI RAMA
Nuk është çështje keqardhjeje, është çështje parimi dhe siç e kemi thënë, ashtu kemi bërë. Në Komisionin e Reformës Elektorale jemi zëdhënës edhe të të gjitha partive tjera që nuk janë të përfaqësuara në këtë komision, pasi ndajmë mendimin se përmirësimi i sistemit në funksion të rritjes së proporcionalitetit, do të ishte hap i duhur për një të mirë të përbashkët dhe për interesin publik.

Nuk është çështje e interesit të Pasrtisë Socialiste, është më gjerë se kaq dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithë çka mundemi për të gjetur dakordësi në këtë pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak ditësh thatë se moszëvendësimi i mandatit të deputetes Rudina Seseri, mund të prishë marrëveshjen politike. A nuk ju duket e arsyeshme logjika që ka dhënë mazhoranca se ka nevojë për një interpretim kushtetues në këtë rast?

EDI RAMA
Në aspektin e demokracisë, është një aspekt i programit tonë të ri për një rilindje shqiptare bashkë me ekonominë, shoqërinë dhe Evropën. Shqipëria jeton, pa asnjë ekzagjerim, në një grusht-shteti permanent me një zinxhir që vazhdon të zgjatet hallkash, që realisht përbëjnë akte antikushtetuese, antiligjore dhe antidemokratike. I tillë është edhe ky i fundit me mandatin e një deputeti opozitar, për të cilin në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye opozita nuk ka çfarë kërkon në asnjë lloj gjykate, sepse është detyrim kushtetues dhe ligjor që në rast dorëheqjeje të një deputeti, të një tjetri e të një tjetri, zëvendësimi të bëhet në mënyrë automatike.

Ai është një mandat që Partia Socialiste ia ka dhënë populli dhe nuk mund t’ia marrë as Qeveria e as Gjykata.

RADIO EVROPA E LIRË
…sa do të prisni për këtë?

EDI RAMA
Më lejoni të them se nuk kam thënë rrezikohet prishja e një marrëveshjeje – ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Qeverinë. Ne kemi marrëveshje me publikun, me Bashkimin Evropian në kuptimin që në rast se ne jemi në rrugën e një politike, e cila kërkon medoemos konsensus për çështje të mëdha që lidhen me prioritetet e integrimit dhe me statusin e kandidatit – kjo është absolutisht bindje dhe vullnet politik i yni.

Thënë kjo dua të nënvizoj se çka kam deklaruar ka qenë se nuk e dëshirojmë, do të bëjmë çmos për ta shmangur një krizë të re politike.
  

RADIO EVROPA E LIRË
A është  i vërtetë konstatimi i disa analistëve se ka një shtendosje mes marrëdhënieve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim – çfarë ka hedhur dyshime ndoshta dhe për një aleancë të mundshme ndërmjet jush më 2013?

EDI RAMA
LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë, si alternativë e këtij koalicioni me një ofertë shumë të qartë – ose një rilindje shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm me këtë koalicion, ku edhe LSI-ja është pjesë integrale.

RADIO EVROPA E LIRË
Së shpejti do të jenë zgjedhjet presidenciale, ju keni këmbëngulur për një president konsensual, ndërkohë që mazhoranca thotë që do ta zgjedhë presidentin sipas variantit kushtetues. A do të jetë e vështirë të gjendet një president konsensual nën këtë frymë?

EDI RAMA
Ne kemi kërkuar një president sipas Kushtetutës, që do të thotë një president që të plotësojë atë kriter themelor që ka Kushtetuta për figurën e presidentit të Republikës, qenien mbi palët dhe përfaqësues i unitetit kombëtar.

Besoj se një proces, nga ku një president i pranuar nga palët dhe mbi palët është një proces që lidhet domosdoshmërisht jo vetëm me garantimin e të gjitha atyre institucioneve që presidenti supozohet kushtetushmërisht se garanton, por edhe me dhënien e një shansi të madh të statusit të kandidatit, sepse zgjedhje e presidentit të Republikës dhe mënyra se si ai do të zgjidhet, pranueshmëria që ai ose ajo do të kenë nga palët, përbën një test përballë procesit dhe përballë Komisionit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
…sa të vështirë e shihni?

EDI RAMA
Asgjë nuk është e lehtë në Shqipëri, asgjë nuk është e lehtë, edhe më shumë, në politikën shqiptare dhe për më tepër, kjo është një sfidë për gjithë politikën shqiptare. Si e tillë, sigurisht është e vështirë si çdo sfidë e madhe. Por, ama rëndësi ka që të ketë vullnet politik dhe me vullnet politik kapërcehet çdo vështirësi e kësaj natyre.  rel

 

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 08:00

Gazetat e pushtetit rendën të publikojnë me të madhe një gënjeshtër të stisur përmes presionit të dinjitarëve të PD-së mbi një ish – të burgosur politik. Dod Miri nga Gurëzi i Laçit me 22 vjet burg e 11 të pushkatuar në familje, më çoi një mesazh ku më shprehte kënaqësinë për propozimin e PS për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë e shtonte se, pas shumë vitesh zhgënjime, do të mbështesë Partinë Socialiste.

Unë e lexova mesazhin e tij në një takim me të rinjtë dhe për rrjedhojë ai moment u transmetua nëpër televizione. Fare pak ditë më pas Dod Miri në një ekran të pushtetit e mohoi të më kishte çuar mesazh! Deklarata e tij natyrshëm u përcoll të nesërmen në gazetat e atyre që në fakt e kishin detyruar plakun e shkretë të mohonte veten, duke e kërcënuar se do t’u qepeshin pas njerëzve të familjes së tij e do u hiqnin bukën e gojës duke i flakur nga puna.

Nuk kam asgjë me të dhe nuk e gjykova keq kur mësova për dëshminë e tij të rreme. Sepse e kuptova që duhet t’i kishte ndodhur pikërisht ajo që më pas i mbushur plot sekëlldi, e tregoi vetë me gojën e tij, duke renditur edhe një tabor emrash të njohur e të panjohur, që i ishin dyndur në derën e shtëpisë për t’i bërë presion. E kam sigurisht me ata e ato që bënë këtë veprim të ulët, e padyshim edhe me atë që i nisi plumb pushke në shtëpinë e të përndjekurit politik, për ta shtrënguar deri në marrjen e një dëshmie të rreme.

Ku ndryshojnë persekutorët e rinj të Dod Mirit nga ata të vjetrit që përdornin gjuhën e kërcënimit, për të kërryer dëshmira të rreme në luftën e tyre barbare me armikun e brendshëm? Askund nuk ndryshojnë! Ndryshon vetëm kjo kohë nga ajo dhe ky sistem nga ai sistem. Kurse këta, janë po ata të dikurshmit në mendësinë e tyre e në sjelljen primitive ndaj kundërshtarit politik.

Kanë kaluar 22 vjet qysh se ka rënë regjimi që të pushkatonte me dëshmira të rreme, por 22 vjet më vonë, pikërisht partia që lindi si pjella e një kohe të re, pa shtrëngime politike të njeriut, është bartësja e kohës së vjetër të atyre shtrëngimeve të neveritshme. Nuk pushkaton e as burgos dot politikisht askënd, sepse ka ndryshuar sistemi, por qëllon mbi kundërshtarët politikë me të njëjtën urrejtje e burgos përditë psikologjikisht njerëz të zakonshëm, me të njëjtën djallëzi të sistemit që nuk është më.

Madje, nëse Partia e Enver Hoxhës e kishte të shpallur botërisht në ideologjinë e vet dhe e kishte sanksionuar në Kushtetutën e këtij vendi diktaturën e ashtuquajtur të proletariatit, Partia e Sali Berishës, tjetër shkruan në programin e saj e thotë përditë para shqiptarëve dhe krejt tjetër bën me të tërë ata që vuajnë presionin e hakmarrjen e saj, vetëm sepse thjesht nuk janë me të.

E kjo e bën edhe më të ulët rolin e ulët, që ajo po luan në qeverisjen e këtij vendi, duke bërë presione nga të katër anët mbi njerëzit përmes shpërdorimit të fuqisë së shtetit. Kjo dihet nga të gjithë, po edhe shumë prej atyre që kanë detyrimin publik ta thonë, pa qenë doemos të rreshtuar me opozitën politike, bëjnë sikur nuk e dinë dhe flasin sikur jetojmë në një vend ku hajt më, të gjithë njësoj janë, kështu që presionet e pushtetit janë pjesë e lojës!

Bëjnë sikur nuk e dinë fatkeqësisht as edhe vetë shumë prej të përndjekurve politikë të Partisë së Enver Hoxhës, të cilët edhe pas 22 vjetësh e 22 mijë faktesh, provash, arsyesh, vazhdojnë të pozicionohen e të flasin në favor të Partisë së Sali Berishës, duke e konsideruar atë si parti të demokracisë, ndërsa Partinë Socialiste si parti të diktaturës. Nuk ka absolutisht asnjë problem që të mos jenë dakord me Partinë Socialiste, të mos besojnë në vlerat e idetë e majta, të mos i pëlqejnë as programin e as përfaqësuesit socialistë. Por ka pa mëdyshje një problem të madh kur s’duan e s’duan të hapin sytë përpara tradhtive të Partisë së Sali Berishës ndaj interesave të vendit, të së djathtës e të vetë shtresës së tyre.

Si mund të mbyllen sytë përpara asaj që ndodhi me Dod Mirin? Si mund të mbyllen sytë përpara asaj që ndodh përditë me vendin tonë, i cili po grabitet përditë e po zhytet në krizë të gjithanshme? Si mund të mbyllen sytë përpara faktit se ajo parti të cilës i kanë dhënë besimin e votën 22 vjet rresht, ka 22 vjet që u premton dëmshpërblim moral e financiar për vuajtjet e pafundme nën regjimin barbar të Enver Hoxhës, dhe prej 22 vjetësh nuk bën as një të njëqindtën e atyre që premton?

E ç’rëndësi ka për të gjithë ata ish – të përndjekur që nuk besojnë tek Partia Socialiste, se çfarë arsyesh ka Partia Socialiste për të propozuar publikisht që dëmshpërblimi i plotë për shtresën e tyre të fillojë nga 70 vjeç për gratë e 75 vjeç për burrat dhe jo nga 85 vjeç e lart siç do Sali Berisha? Rëndësi këtu ka vetëm fakti që pse nuk e bën kryeministri atë që Partia Socialiste vetëm e thotë, sepse sot në opozitë ne nuk mund të bëjmë më shumë se sa thjesht të themi çfarë duhet bërë. E në vend se të hapin sytë e veshët dhe të mbrojnë bashkarisht interesin e tyre të drejtpërdrejtë, siç bën çdo grup interesi në një shoqëri demokratike, duke i kërkuar qeverisë atë që u takon, bëjnë atë që nuk u takon. Justifikojnë tradhtinë e qeverisë ndaj tyre e të gjitha sjelljet antidemokratike të saj ndaj njerëzve të zakonshëm, duke u rreshtuar në frontin e zëdhënësve të qeverisë për të sharë opozitën, ndërkohë që në pushtet është qeveria “e tyre”.

Për ne socialistët, kjo e të përndjekurve nuk është një çështje votash, po një çështje drejtësie shoqërore dhe programi ynë për një Rilindje Shqiptare ka përfshirë zgjidhjen e kësaj çështjeje, jo për të ndërruar bindjet e simpatitë politike të të përndjekurve, po sepse ne besojmë që dëmshpërblimi i tyre moral e financiar, ka rëndësi për dinjitetin e shoqërisë së dalë nga diktatura. Akulli është thyer ndjeshëm gjithësesi. Shumë sy e veshë të shtresës së të përndjekurve janë hapur, edhe pse shumë të tjerë mbeten të verbër e të shurdhët përballë të vërtetës se nga Partia e Sali Berishës ata s’do të përfitojnë asgjë të konsiderueshme, as moralisht e as financiarisht, derisa të ndërrojnë jetë.

Por çka është shtruar në shtresën e zullumit të asaj partie ndaj tyre, është ripërndjekja e Dod Mirit, që në këndvështrimin tim përbën vetëm një shembull tanimë publik të asaj që ndodh rëndom, pa asnjë gajle në kurrizin e shumë të tjerëve si ai, ndërkohë që qindramijëra shqiptarë të zakonshëm e të papërndjekur më pare, jetojnë në të përditshmen e tyre përndjekjen e kohës së re: O me ne për një copë bukë o kundër nesh deri tek humbja e bukës së gojës! Sepse Shqipëria sot është nën pushtetin e ri të kohës së vjetër dhe duke kujtuar se luftojnë ende me pushtetin e vjetër, shumë ndër të përndjekurit politikë të asaj kohe, janë bërë fatkeqësisht bashkëfajtorë me pushtetin e ri, duke harruar se burgu i tyre ishte në thelb gogoli i lirisë së çdo shqiptari. E atyre më shumë se kujtdo, u takon ta respektojnë vuajtjen e tyre dje, duke respektuar e mbrojtur në radhë të parë jo pushtetin e një partie, po lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu që jeton në Shqipërinë e sotme, mendon ose jo njësoj si ata vetë.

Dikur, një militant i famshëm amerikan i të drejtave të njeriut, që kishte kaluar jetën për të mbrojtur të burgosurit politikë nëpër botë më pat thënë, “Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për t’i dalluar ata që kanë bërë burg se kanë qenë kundërshtarë politikë nga ata që kanë rënë në burg me akuza politike, paçka se mund të mos e kenë kundërshtuar regjimin as në gjumë. Të parët nuk urrejnë, janë tolerantë dhe mbrojnë me zell vlerat demokratike, të dytët nuk shpëtojnë kurrë nga urrejtja dhe intoleranca e shkelin pa ngurrim çdo parim demokratik! Sepse të parët kanë hyrë në burg për të ardhmen, kurse të dytët kanë mbetur në burgun e të shkuarës”.

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 23:28

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, komenton gjatë një interviste në Top Story vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se në SHBA ishin të interesuar për programin dhe vizionin e opozitës për demokratizimin e vendit.

Rama tha se Berisha ka përdorur lobingjet për të dëmtuar imazhin e kreut të PS. Sipas Ramës, opozita nuk paguan askënd për lobim, por përdor kontaktet e drejtpërdrejta.

Ai tha se ambasadori Arvizu ishte katalizatori i përshpejtimit të kësaj vizite në SHBA. Më poshtë pjesë nga intervista.

Për festimet e 22 marsit

Nuk e di si janë ndjerë ata pensionistë që kanë ditë të tëra pa marrë pensionet kur kanë dëgjuar fishekzjarret. Është një ndjenjë negative që Shqipëria e 100 vjetorit të pavarësisë bën një festë përçarëse, si ato festa që bëhen aty ku partia në pushtet qëndron e palëvizshme në pushtet.

 

Për përdorimin e Tëitter

Tëitteri është një mjet komunikimi që e ka sjellë koha e re. Është efikas, pa kosto, që të jep mundësi të përcjellësh në kohë reale mesazhet që ke ndërmend të përcjellësh dhe që falët interesimit të medias përcillesh në gjithë kanalet e komunikimit.

Ky mjet komunikimi përdoret nga politikanë shumë më të mëdhenj nga unë si presidenti i SHBA, presidenti i Francës. Unë mendoj se kryeministrit do i duhet Tëitter.

 

Për takimet në Uashington

Në Uashington u takuam me zv/asistentin e Sekretarit të Shtetit ambasadorin Riker dhe stafin e tij si dhe me një grup kongresmenësh, me të cilët këmbyem mendime dhe opinione të rëndësishme për gjendjen në Shqipëri dhe për programin tonë, që konstatova me kënaqësi që ka ngjallur interes dhe dëgjohet më vëmendje.

 

Për ftesën ndaj kryetarit të opozitës

Nuk është anormale që të ftohet kryetari i opozitës. Është një dëshirë e mirë për të dëgjuar opozitën se si e shikon ajo të sotmen, por sidomos të nesërmen e vendit. Cili është vizioni ynë për Shqipërinë, rajonin, partneritetin me SHBA, të gjitha këto në funksion të integrimit të shpejtë të Shqipërisë në BE.

 

Për atë që u diskutua në Uashington

Pa dyshim në Uashington dhe në DASH vështirë që të ketë gjëra që nuk i dinë për zhvillimet në Shqipëri. Por takimi ishte i një rëndësie të dorës së parë pikërisht se na u dha mundësia që të shpalosim vizionin tonë për një Rilindje Shqiptare dhe të tregojmë hapat që kemi vullnetin e plotë të ndjekim në funksion të përshpejtimit të integrimit.

 

Për faktin se a është tani opozita më pranë pushtetit

Pa dyshim që është moment i rëndësishëm për opozitën kontakti i drejtpërdrejtë me zyrtarët e lartë të qeverisë amerikane që janë përgjegjës për rajonin dhe Shqipërinë. Prandaj them se ishte një takim shumë frymëzues për ne.

Gjetëm një klimë të shkëlqyer, një pritje dhe një dëshirë shumë e lexueshme për të na dëgjuar deri në fund për të gjitha aspektet e rëndësishme të jetës së vendit, sidomos me mënyrën se si ne e shohim të ardhmen dhe se si mendojmë ta projektojmë atë bazuar në programin e vullnetin tonë.

 

Për qëndrimet që mban SHBA e opozita për 21 janarin

Unë mendoj që takimi që patëm në DASH nuk patëm asnjë diferencë qëndrimesh, nëse mund të them diçka nga ai takim, është fakti se viti 2011 nuk duhet të përsëritet më si një vit që ishte traumatik duke nisur nga 21 janari e duke vazhduar me zgjedhjet shumë të kontestuaka dhe njëkohësisht shumë të diskutuara në 8 maj.

Nuk kemi folur për asnjë detaj të 21 janarit. Karakteristika themelore e këtij takimi ka qenë vullneti ynë për të parë përpara si dhe interesi i partnerëve tanë strategjikë që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Është fakt që pas anëtarësimit në NATO gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur.

 

Për qëndrimin e SHBA dhe të opozitës për rajonin

SHBA kanë mbajtur rolin e një fuqie madhore të interesuar në radhë të parë për stabilitetin në këtë rajon dhe për gjetjen e rrugëve të arsyeve për të dalë nga këto kriza që shpesh herë e kanë ndryrë Shqipërinë.

SHBA dhe Shqipëria janë një. Edhe po të shohim historinë e këtyre viteve, së paku në aspektin e politikës rajonale, me ndonjë deviacion në lidhje me opozitën e mëparshme për luftën e Kosovës, politika shqiptare ka pasur një unison me politikën amerikane që do të vazhdojë. Kishte qëndrime të papëlqyeshme për qëndrimin e mbajtur nga Berisha për marrëveshjen e Rambujesë dhe periudhën e formimit të UÇK-së.

 

Për disa dyshime se SHBA është skeptike ndaj Edi Ramës

Më lejoni t’ju them se në partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe me përfaqësuesit e tyre këtu unë jam ndjerë mirë për shkak se gjërat janë thënë hapur, drejtpërdrejt dhe me mirëbesim. Mënyra se si SHBA-të i janë qasur Shqipërisë dhe palëve këtu është e vetmja mënyra që mund të ketë një fuqi madhore që ka luajtur një rol historik për Shqipërinë. Pa SHBA rajoni ynë nuk do ishte ky që është sot, nuk do kishte Kosovë të lirë dhe të pavarur, nuk do kishte një Serbi demokratike, që është pranuar si kandidate e BE, pa SHBA nuk do kishte më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoni. Pa SHBA edhe vetë demokracia në Shqipëri, pavarësisht problematikave, nuk do ishte kjo që është, pavarësisht se është krahasuar me vitet e tmerrshme 1992, 1996, 1997.

 

Për qëndrimin e SHBA për zgjedhjen e presidentit

Qëndrimi amerikan është ai që është bërë publik nga ambasadori Arvizu dhe është një qëndrim që flet qartë për dëshirën që Shqipëria të kapërcejë procesin e zgjedhjes së presidentit si një provë pjekurie, që mund t’i japë vendit një figurë të unitetit kombëtar. Edhe sa i përket BE-së zgjedhja e presidentit do jetë moment vendimtar për të gjykuar nivelin e pjekurisë së klasës politike. Është e qartë se një president i zgjedhur nga qeveria nuk do ishte shprehje e një pjekurie politike.

 

Për faktin se a u fol për Berishën në Uashington

Ne nuk folëm për kryeministrin Berisha, ne folëm për programin tonë, për vizionin tonë për të ardhmen, për mënyrën se si ne e shohim të mundshme që Shqipëria të ringrihet dhe të rikthehet në rrugën e atyre parimeve që mishërojnë Shtetet e Bashkuara. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të qenë aleatë të palëkundur dhe një qeveri që do mishërojë vlerat e parimet e SHBA në funksion të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, në funksion të një politike e cila të mbyllë kapitullin e ndasisë së gjatë dhe këtij mllefi të pafundëm që gjeneron energji negative në pafundësi dhe për t’i hapë rrugën një politike të re.

As unë dhe as PS nuk kemi rënë përgjithësisht në batakun e vulgaritetit dhe shpifjeve e sharjeve që turpërojnë politikën dhe neverisin qytetarët dhe që besoj se nuk janë as në traditën shqiptare, por janë zgjatim i kulturës komuniste për armikun e brendshëm.

 

Për frikën se Rama mund të mos pritej mirë

Si të mos ketë paragjykime kur në mënyrë konstante e të përditshme investohet para e influencë për propagandë kundër opozitës dhe kundër meje personalisht e duke bërë një përpjekje titanike për të krijuar idenë tek shqiptarët se janë të gjithë njësoj. Sot Berisha nuk del përpara shqiptarëve me duar të pastra. Sot kjo qeveri i ka duart e zhytura deri në rrëzë në batakun e llumin e korrupsionit. Ajo që i ka mbetur të thotë është se djalli që njihni është më i mirë se djalli që nuk njihni.

Për tu kthyer tek takimi i Universitetit të Nju Jorkut do them se ishte mbresëlënës. Për mua ishte befasi se për rreth dy orë, ku u bënë rreth 50 pyetje, bënë pyetje që lidheshin drejtpërdrejt me zgjidhje. Kërkuan të dinë deri në detaje se cili është programi ynë për Rilindjen Shqiptare.

 

Për programin e sportit

Ne takuam një kongresmen të famshëm si ish- yll i futbollit amerikan, që ishte i pasionuar për politikat e sportit, për sportin ashtu siç e kuptojmë ne për tu dhënë mundësi fëmijëve që të përfshihen në të, për sportin si instrument për të luftuar të gjitha ato vese, por edhe si instrument për të ulur kostot e shërbimit publik në shëndetësi.

 

Për zgjedhjet parlamentare

Për këtë arsye pika themelore për aktualitetin ka qenë reforma zgjedhore. Edhe partnerët amerikanë e konsiderojnë reformën zgjedhore si një moment kyç ku duhet të jepen garanci se vota e shqiptarëve është e sigurt.

 

Për rolin e Arvizu në këtë vizitë

PS nuk ka asnjë kontratë lobimi sepse i besojmë kontaktit të drejtpërdrejtë dhe na mjaftojnë lidhjet me një numër kongresmenësh e senatorësh që janë të interesuar për rajonin e Shqipërinë. Arvizu ishte katalizatori i zhvillimit të shpejtë të kësaj vizite. Nuk u takuam fizikisht pasi i duhej të ishte pranë familjes, por kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe ishte i kujdesshëm që gjërat të shkonin mirë dhe shkuan shumë mirë.

 

Për qëndrimet e Ëithers

Ambasadori Ëithers është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është për të ardhur keq që një pjesë e vogël e atyre që jetojnë në Shqipëri, sepse unë jam i bindur se shumë nga ata që votojnë PD e respektojnë atë. Me shumë vullnet ai ka shtrirë dorën ndaj të gjitha palëve pa dallim.

 

Për vizitën e Bashës dhe Spahiut në Uashington

Do kisha bërë komente nëse do kishte shkuar kryeministri në Uashington. Sa u përket të tjerëve, janë të lirë të shkojnë ku i ftojnë ose janë të paftuar. Për këtë çështje nuk kam dëshirë të spekuloj.

 

Për faktin se a ka Gramoz Ruçi mbështetjen e Edi Ramës

Ka një sulm të vazhdueshëm ndaj meje dhe ndaj Gramozit dhe ndaj kujtdo që bëhet problematik për qeverinë. Ajo që dua të them është kjo: Gramoz Ruçi është i vetmi ministër i Brendshëm i republikës së Shqipërisë që mund t’u thotë shqiptarëve se ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Presidenti Ramiz Alia ka humbur zgjedhjet në mes të Tiranës dhe po të ishte Gramozi ai i njëqind të zezave, nuk mund të shpëtonte fytyrën e Ramiz Alisë dhe të përmbyste rezultatin në mes të Tiranës? Ndërkohë që Gramoz Ruçi pas atij momenti në karrierë nuk ka mbuluar asnjë post në qeveri, por ka qenë një qeveri në radhët e grupit të PS, gjithmonë i votuar nga populli.

 
Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 08:00

Çarja në tresh e PD-së është një fakt që ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Lufta “vëllavrasëse” në kampin e djathtë sapo ka nisur. Përpjekja e dëshpëruar e kryeministrit për ta shpëtuar nga mbytja në detin e korrupsionit anijen e vet të mbingarkuar me plaçkën e piraterisë qeveritare, ka në shënjestër dy rebelët që kanë marrë pas vetes dy PD-të e shkëputura prej trupit të rrënuar të PD-së së tij. Eshtë një luftë e re brenda llojit ku vëllezërit e djeshëm janë bërë armiq të betuar të njëri-tjetrit. Por është po ashtu një luftë e vjetër që përsëritet djathtas me të njëjtin fajtor e protagonist kryesor, sekretarin komunist të PD-së, i cili, mu siç thotë ajo vjersha, “u plak po dorë nuk hoqi” nga veset që kanë përcaktuar qysh në krye të herës, banalitetin e së keqes së mishëruar në lidershipin e tij në krye të Partisë Demokratike.

Presidenti i Republikës, zgjedhur forcërisht prej Saliut e shumicës së tij pesë vjet më parë në krye të shtetit, është shpallur agjent i Partisë Socialiste. Po njësoj edhe Nënkryetari i KLD-së, zgjedhur po forcërisht prej të njëjtit njeri e prej të njëjtës shumicë si një demokrat i flaktë i rradhëve të PD-së, është shpallur armik që punon për Partinë Socialiste. E njëjta histori që përsëritet si me armiqtë e sundimit të Saliut në vitet ’90, të cilët u masakruan nga propaganda e tij asokohe dhe sot janë sistemuar në prehrin e kryeministrit pasi u kthyen me bisht ndër shalë në PD-në e vjetër duke thirrur pa pikën e turpit “Dum Babën!”.

Bamir Topi ka lidhje me Partinë Socialiste aq sa ç’ka lidhje vetë Saliu. Madje nëse Saliun e shkuara e lidh pazgjidhshmërisht njëzet e dy vjet rresht me komunizmin, pra me Partinë e Punës ku militoi me zellin e një shërbëtori karrierist, në të shkuarën e Bamir Topit s’ka asnjë dekikë në jetën e Partisë së Punës. Nuk ka asnjë lloj lidhjeje po ashtu pesëvjeçari i tij në Presidencë me betejat opozitare të Partisë Socialiste, ndaj të cilave Presidenti i Republikës ka mbajtur një qëndrim indiferent në rastin më të mirë, për të mos thënë se ka mbajtur qëndrime të papajtueshme me Partinë Socialiste qoftë kur zgjodhi Prokuroren e Përgjithshme me pëlqimin djathtas po me asnjë konsultë as edhe thjesht formale majtas; qoftë kur pranoi si normale zgjedhjet e vitit 2009; qoftë kur dënoi bojkotin tonë parlamentar; qoftë kur ndenji si mur i heshtur në kohën e përçapjeve të komunitetit ndërkombëtar në selinë e tij për të ndërmjetësuar krizën politike; qoftë kur shpërfilli grevën e urisë së plot deputetëve e qytetarëve për votën e lirë; qoftë kur pa pyetur asnjëherë opozitën i propozoi parlamentit kandidatura deri edhe të papranueshme gjykatësish kushtetues e të lartë të lidhur me Sali Berishën; qoftë kur propozoi dy kandidatura njëra pas tjetrës për Kontrollin e Lartë të Shtetit njëri më pëdëist se tjetri; qoftë kur rimandatoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë duke synuar votën djathtas, që e mori, jo majtas sallës së Kuvendit, që nuk e mori; qoftë edhe në 21 janar kur dënoi dhunën në përgjithësi, po nuk drejtoi gishtin mbi vrasësit me pushkët e shtetit dhe urdhëruesit e tyre në godinën e Këshillit të Ministrave; e qoftë për të tjera akoma, që mund të mos e kenë bërë Presidentin e Republikës të duket një dorëzanë i Saliut në krye të shtetit, sepse e vërteta është se s’ka qenë asnjë ditë i tillë, por që pa pikën e dyshimit e kanë përcaktuar presidencën e tij si një presidencë të orientuar nga vizioni dhe nga përkatësia djathtas e Bamir Topit. Të cilën edhe kur ishte në nënkrye të PD-së e ka shfaqur gjithnjë me një ton e me një sjellje tjetër nga e përgjithshmja, por pa dalë asnjëherë si i përveçëm. Kaq e vërtetë është kjo e fizionomisë së djathtë të presidencës së tij, sa edhe meraqet e pakta politike që ai ka shprehur si president duke “stonuar” me korin e PD-së, kanë qenë vijueshmërisht meraqe të një politikani të djathtë. Bamir Topi asnjëherë s’e ka fshehur as si president se angazhimi i tij politik ka në fokus pronarët, të përndjekurit e regjimit komunist dhe në përgjithësi vlerat e pikëpamjet e asaj pjese të shoqërisë që zemrën e ka djathtas.

Nga ana tjetër Kreshnik Spahiu ka lidhje me Partinë Socialiste po aq sa ç’ka pasur miku i tij i ngushtë Azem Hajdari, me të cilin kryetari i kuqezinjve ngjiti shkallët e militancës politike në gjirin e PD-së dhe të cilit i ngjan shumë sot në retorikën nacionaliste. Njësoj si Azemi ai xhonglon mjeshtërisht me turmat e të dëshpëruarve dhe nuk harron asnjëherë të thotë se mbron edhe interesat e ish-komunistëve të ndershëm paçka se qoftë përkatësia e tij politike, qoftë e gjithë shfaqja kuqezi që u ofron shqiptarëve janë produkt i ideologjisë të së djathtës shqiptare të thuajse 100 vjetëve më parë. Nënkryetari i KLD u rebelua politikisht jo sepse ka ndonjë fije që e lidh me opozitën e sotme e aq më pak me Partinë Socialiste, po sepse si shumëkush në Partinë e vjetër Demokratike e gjeti veten jashtë rrethit të stërngushtuar të interesave të oborrit familjar e klanor të Saliut. S’bëj në këtë pikë asnjë aluzion negativ për motivet e rebelimit të tij, kjo s’është në metodën time të gjykimit. Por thjesht nënvizoj se Aleanca Kuqezi as ka ndonjë lidhje me Partinë Socialiste, as përbën një stacion ku duhet të ndalojë cilido shqiptar që zemrën e ka majtas dhe nuk do të luajë me votën e vet bixhozin që shumëkush luajti në vitin 2009 duke e hedhur atë jashtë kutisë së koalicionit të Partisë Socialiste.

E vërteta është se qoftë partia e re e Bamir Topit qoftë Aleanca Kuqezi nuk lindin nga një komplot majtas, siç do të mundohet deri në fund ta tregojë së prapthi arsyen e lindjes së tyre përçarësi e sunduesi i sotëm i Shqipërisë me të gjithë lukuninë e altoparlantëve të tij. Ato lindin qartësisht nga një çarje në tresh djathtas në kushtet kur, praktikisht e faktikisht, Partia e vjetër Demokratike ka tradhëtuar jo vetëm arsyet madhore të lindjes së saj në vitin 1990, po edhe të gjitha idealet e interesat e zgjedhësve të saj të palidhur me fijet e sotme të interesave ekonomike të uzurpatorit të kahershëm të asaj partie, Sali Berishës. Partia e vjetër Demokratike ka tradhëtuar pronarët dhe ka bërë me pronën një mishmash të llahtarshëm për nga thellësia e korrupsionit. Ka tradhëtuar të përndjekurit politikë dhe ka bërë me vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme një teatër të stërzgjatur dy dekada. Ka tradhëtuar të ardhurit në periferitë e qyteteve me të mëdha dhe ka bërë me premtimin e pambajtur të legalizimeve një krim të dyfishtë, sa në kurriz të integritetit të territorit të vendit aq edhe në kurriz të atyre vetë. Ka tradhëtuar shtresën e mesme tek e cila gjeti mbështetjen jetike në rrugëformimin e saj kundër regjimit të vjetër dhe ka bërë me administratën e shtetit një batërdi primitive, duke shkatërruar shtetin e duke marrë peng dinjitetin e çdo rrogëtari në këmbim të bukës së gojës. Ka tradhëtuar studentët, që i ka lënë në po atë Qytet mizerabël Studenti ku revolta antikomuniste lindi Partinë Demokratike dhe ka bërë me universitetin një katrahurë barbare që jep pa kriter e as karar vagonë me diploma papunësie. Ka tradhëtuar parimet e tregut të lirë dhe ka bërë me monopolet, me klientelat qeveritare e me pazaret e vetë qeveritarëve në dëm të interesit publik, një monument të korrupsionit që titullohet sot “Qeveria e Republikës së Shqipërisë”. Ka tradhëtuar lirinë e shprehjes që bëri të mundura energjitë që i dhanë jetë vetë partisë së parë opozitare shqiptare pas gjysëm shekulli absolutizmi komunist dhe ka krijuar përmes abuzimit me atë liri monstrën e lirisë së shpifjes, e cila po e zhyt shoqërinë vit pas viti në një moçal gënjeshtrash e rrënimi moral. Por Partia e vjetër Demokratike ka treguar gjithashtu, se për pushtetin është në gjendje të tradhëtojë edhe interesin kombëtar dhe ka bërë me pushtetin akte të pashlyeshëm turpi kombëtar siç ishte, sa për të përmendur një ndër më flagrantët, pranimi për t’i njohur Greqisë përkatësinë territoriale mbi afro 300 km2 det nga Joni i Shqipërisë.

Eshtë ky “komplot përmanent” i liderit ish-komunist të Partisë Demokratike që e ka çarë sot PD-në në tresh dhe as kurrëfarë komploti mes Partisë Socialiste e dy figurave të lartpërmendura të së djathtës. Ata ia kanë prishur përfundimisht gjumin dhe busullën Sali Berishës pikërisht sepse s’kanë lidhje me të majtën e me Partinë Socialiste; pikërisht sepse përbëjnë dy pika të reja referimi për masën e madhe të të tradhëtuarve nga Sali Berisha dhe PD-ja e tij e privatizuar plotësisht, e cila ka humbur çdo lidhje me realitetin e shqiptarëve të zakonshëm me zemrën djathtas; pikërisht sepse edhe njëri edhe tjetri, edhe Bamir Topi edhe Kreshnik Spahiu së bashku me dy PD-të e tyre as nuk kanë lidhje me të shkuarën komuniste, as nuk kanë ardhur në këtë pikë pa gjetur arsye të forta brenda kampit të djathtë, dhe as nuk kanë ezauruar forcat e fytyrën e tyre në shërbimin ndaj Saliut – siç ka ndodhur rëndom me kanakarët e tij ministra e deputetë, të cilëve u është kthyer lëkura në një lloj sholle speciale që mund t’i bënte të pavdekshme këpucët e ushtarëve të xhenjos. Rezonanca e ndjeshme e të dyve djathtas flet vetë për të gjitha arsyet që i bëjnë të dy PD-të e reja tërheqëse për të djathtën. Flasin vetë po ashtu për impaktin e tyre real mbi të djathtën edhe qëndrimet skandaloze ndaj tyre të azapëve të shtypit proqeveritar apo dhe vetë sharjet që u rezervojnë për shtatë palë mllefe nga ekrani Saliu dhe ministrat e tij të diskredituar prej dështimeve e paudhësive të njëpasnjëshme.

Janë kushtet për rithemelimin e të djathtës shqiptare që janë krijuar dhe prandaj po krijohen edhe këto dy parti të reja demokratike. Të cilat s’duhet të tundojnë askënd tjetër përveç atyre që duan të ikin nga anija e Partisë së vjetër Demokratike. Sepse nëse këto dy parti duan t’i krijojnë të djathtës mundësinë për të dalë nga qorrsokaku ku e ka rrënuar PD-në bashkë me Shqipërinë politika e mbrapshtë e Saliut, kjo mund të jetë një zhvillim pozitiv për politikën shqiptare në një vështrim afatgjatë, por nuk ka asnjë lidhje me mundësinë e domosdoshme që u duhet sot familjeve e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për një Rilindje Shqiptare.

Zgjedhja për shqiptarët sot nuk është mes tre partive demokratike, po është qartësisht mes një Rilindjeje Shqiptare përmes Partisë së ripërtërirë Socialiste e koalicionit të saj dhe një Rrënimi të Mëtejshëm të Shqipërisë në vazhdën e rrënimit e të çarjes së Partisë së vjetër Demokratike. Mbi këtë zgjedhje do të bëhet edhe beteja politike, që do të ndajë me votë ata që do të zgjedhin me radhë mes punësimit real dhe rritjes së papunësisë. Mes një takse të ndershme dhe një takse të sheshtë. Mes nxitjes së biznesit dhe shkatërrimit të biznesit. Mes shërbimeve publike në arsim e shëndetësi që duhet të merren sipas nevojës dhe jo të fitohen sipas mundësisë për të paguar. Mes zhvillimit modern rural dhe braktisjes së fshatit në errësirën mesjetare.

Mes një Partie Socialiste që bashkon të gjithë njerëzit e zakonshëm rreth një programi për një Rilindje Shqiptare në rrugën e Bashkimit Europian dhe një Partie Demokratike të ndarë në tresh në kërkim të rrugës së humbur të së djathtës shqiptare.

 
Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 19:11

Thuajse në çdo dalje publike, kryeministri Sali Berisha nuk lë pa sulmuar kryetarin e opozitës pse ai përdor rrjetin social Twitter në komunikimin e tij me qytetarët.

Shprehja e Berishës është se Rama bën ciu- ciu. Vetë kryeministri thotë se ai nuk preferon rrjetet sociale, por që të dalë përballë qytetarëve.

Për këtë arsye, Edi Rama, në një tweet tijin thotë se nëse ai bën ciu-ciu, Berisha bën ham- ham.

“Ndryshimi mes ciu-ciut dhe ham-hamit është ndryshimi mes qytetarisë dhe barbarisë,” shkruan Rama.

 
Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 19:26

Dje kryeministri më akuzoi personalisht se i shërbej Serbisë. Akuzoi edhe opozitën shqiptare se është më zi se opozita serbe. 

I bëri të dyja për të vijuar me fajësimin e opozitës në përpjekjen për të mbuluar dështimin e qeverisjes në procesin e integrimit. Shpifi se gjoja ne bllokuam Kodin Penal. Në fakt e votuam atë përpikmërisht në seancën e caktuar pasi i bëmë një përmirësim të ndjeshëm. E donte si qorri sytë një alibi që nuk ia dhamë, bllokimin e kodit. E tani s’ka ç’bën tjetër përveçse të shpifë.

E vërteta është se asnjë lloj lidhje nuk ka mes sjelljes e qëndrimeve të opozitës dhe mosreagimit pozitiv të Komisionit Europian. Përkundrazi jemi përgëzuar në më shumë se në një rast nga partnerët europianë për kryerjen deri këtu me përgjegjësi të lartë, të të gjitha detyrave tona të shtëpisë si opozitë në raport me procesin e integrimit. Praktikisht janë miratuar të gjitha kodet që kërkojnë 3/5 e votave. E jo thjesht janë miratuar, po janë përmirësuar në elementë të rëndësishëm të tyre falë kontributit të deputetëve socialistë. Por kjo qasje e qartë proeuropiane e opozitës sigurisht nuk i volet kryeministrit të mbetur zbuluar para Bashkimit Europian dhe opinionit publik shqiptar. E nëse BE-së nuk ia hedh dot me pallavra antiopozitare, ai kërkon medoemos t’ua hedhë shqiptarëve duke fajësuar deri në marrëzi opozitën.

Shpif shpif se diçka mbetet është tanimë i vetmi program që i ka mbetur Sali Berishës për t’i bindur shqiptarët se ai është ai që nuk është dhe anasjelltas, se edhe opozita është ajo që nuk është. I ka ecur në të shkuarën duke përfituar nga përçarja shoqërore që ka ushqyer 22 vjet me radhë si një antikomunist sherrnxitës, pasi është formuar 22 vjet të tjera më parë si një komunist luftënxitës. Shpreson se do të vazhdojë t’i ecë duke i mëshuar përçarjes e duke kultivuar urrejtje ndaj opozitës, për të mbijetuar falë hendekut që mban hapur mes shqiptarëve. Por le të pyesim pak historinë se ajo në këtë rast ndihmon këdo që dëshiron të gjykojë mbi bazën e të vërtetave historike dhe jo të shpifjeve e të baltës së shtresëzuar në vite nga Sali Berisha në mendjen e shumë shqiptarëve.

Historia tregon se kur ishte President i Republikës në vitet e luftës në ish-Jugosllavi, kryeministri i sotëm theu embargon ndërkombëtare për t’i çuar naftë regjimit kriminal e thellësisht antishqiptar të Sllobodan Millosheviçit. Partia Socialiste atë kohë foli fort kundër kësaj tradhëtie të interesave kombëtare megjithë terrin mediatik që kishte imponuar Sali Berisha si President i Republikës. A ia çoi naftën Kasapit të Beogradit sepse siç thonë disa gojë të liga, ka ngrënë në të shkuarën komuniste ndonjë lugë në çorbën serbe, apo sepse siç thonë faktet e këtyre 7 viteve të pushtetit të tij të korruptuar, është një makut i dhënë pas parasë kudo ku ajo i shfaqet, këtë nuk e dimë. Mund të jenë të dyja bashkë, po sidoqoftë s’ka si mos të jetë njëra nga të dyja, sepse nuk gjendet dot një arsye e tretë që kreu i shtetit shqiptar të bëjë apo të lejojë të bëhet biznes me një regjim armik të shqiptarëve siç ishte ai i Sllobodan Millosheviçit. Për më tepër kur ky i fundit rrinte kruspull në strofullën e tij, krejt i izoluar nga bota që e kishte vënë nën embargo.

Më pas erdhi koha e luftës frontale të shqiptarëve të Kosovës me Kasapin e Beogradit, kur në horizontin e përpjekjeve për liri të tyre u shfaqën sigla dhe komunikatat e para të një force të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Se ç’kanë hequr protagonistët kryesorë të krijimit të asaj force heroike në Shqipërinë e qeverisur nga Sali Berisha e të mbajtur nën hijen e dhunshme të SHIK-ut të tij famëkeq, këtë e dinë jo vetëm ata. E di edhe kushdo tjetër që në atë kohë ose më vonë, ka pasur mundësinë të mësojë mbi peripecitë e tyre brenda territorit të vendit tonë. Në vend se të liheshin të paktën në punën e tyre si në vendin amë, ata përndiqeshin këmba-këmbës si shtrigat në kohën e inkuizicionit. Por ajo që dihet botërisht tanimë është se si u soll publikisht Saliu, kur ishte shef i opozitës, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ua rrokanisi kokën shqiptarëve me kërdisjet për UÇK-në, me zërin e figurën e tij dhe përmes gazetave që i bënin jehonë qëndrimeve të tij të ngjashme si dy pika uji me ato të të gjithë armiqve të Kosovës e të të gjithë atyre që nuk e imagjinonin dot Kosovën as të lirë e as të pavarur nga Serbia. Nuk la sharje e shpifje pa lëshuar ndaj “marksistë-leninistëve”, “terroristëve ndërkombëtarë”, “narkotrafikantëve”, “banditëve” e “kriminelëve” të UÇK-së.

Ndërsa më anë tjetër, dihet botërisht po ashtu se ç’bëri edhe qeveria socialiste e Fatos Nanos para shpërthimit të luftës çlirimtare në Kosovë, edhe qeveria socialiste e Pandeli Majkos gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, për të lehtësuar barrën e rëndë që morën përsipër themeluesit e UÇK-së dhe për ta mbështetur UÇK-në në realizimin e misionit të saj historik. A iu kundërvu Sali Berisha UÇK-së pikërisht sepse UÇK-ja gjeti mbështetje tek armiqtë e tij socialistë në pushtet apo iu kundërvu në vazhdën e një politike të karakterizuar nga lakeizmi ndaj Beogradit(?), për arsye që disa thonë se i dinë po që mbeten sidoqoftë të paditura zyrtarisht, këtë nuk e dimë. Por historia e kësaj periudhe së paku tregon qartë se kush ishte dhe kush nuk ishte në krahun e duhur të historisë këtu në Shqipëri, deri kur lufta i uli palët në tryezën e kështjellës së Rambujesë. Dhe s’ka dyshim se në krahun e duhur të historisë së shqiptarëve mungonte deri aty Sali Berisha, ashtu siç mungoi edhe në momentin kulmor të Rambujesë kur doli e bëri një thirrje që kasapit të Beogradit i ra si dhuratë nga qielli nëse nuk e ka ditur më parë. Doli çakërrdisht hapur kundër marrëveshjes që e dëshironin të gjithë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe për të cilën luajti rolin e vet të dokumentuar historik edhe qeveria socialiste e Shqipërisë.

Më pas, mu ashtu siç u përvodh duke i ikur duarsh tutorit të tij Ramiz Alia për të hipur në anijen e fitimtarëve të Dhjetorit ’90 falë aftësive të tij të njohura prej manipulatori publik, kryeministri i sotëm u përvodh edhe për t’u ngjitur me fitimtarët e luftës së Kosovës për të cilën tanimë i ka mbetur pa thënë vetëm që e udhëhoqi ai atë luftë. Sidoqoftë, politikisht Shqipëria e Kosova kanë shpëtuar më në fund nga rrengjet e mëtejshme që ky përçarës i madh i shqiptarëve mesveti, mund t’u bënte në sinkronin e disaherë provuar me interesat e Beogradit. Zor ta thuash të njëjtën gjë kur vjen puna tek ca afera ekonomike me leverdi të madhe në Shqipëri për njerëz të lidhur me mafian serbe mes Beogradit e Tiranës. Por kjo është një temë tjetër, ku dua vetëm të theksoj një gjë: Me Serbinë e sotme pa asnjë dyshim duhet të ndërtojmë marrëdhënie sa më dobishme me interes reciprok, në kuadrin e zhvillimit dhe integrimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Europian.

Pra, se sa mund të jetë Partia Socialiste e dyshueshme për çfarëdo lidhje të errët me Serbinë apo e fajësueshme për çfarëdo qëndrimi gjatë këtyre njëzet vjetëve, që të ketë ndihmuar Serbinë e Sllobodan Millosheviçit apo të mos ketë mbështetur pa asnjë rezervë në mënyrën më konstante Kosovën e lirë, demokratike e të pavarur, këtë e thotë historia. E thotë përmes fakteve që zmbrapsin jehohën e shpifjeve e të përbaltjeve njëzetvjeçare të Sali Berishës dhe isove të mediapolifonisë së tij në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Ndërsa unë vetë s’mund të jem veçse krenar që sot kam privilegjin ta udhëheq Partinë Socialiste, si një forcë që në njëzet vjet mund të ketë bërë gabime, po në asnjë rast nuk e ka bërë fajin e tradhëtisë kombëtare apo të lajthitjes politike me çështjet madhore të kombit e të këtij vendi. E pikërisht sepse në vitin 1999 Shqipëria ishte në majën e respektit ndërkombëtar, falë kontributit historik të qeverisë socialiste e të popullit shqiptar për menaxhimin e një krize humanitare të jashtëzakonshme si ajo e shkaktuar me qindramijëra shqiptarë të përzënë barbarisht nga trojet e Kosovës në një kohë kur Serbia ishte delja e zezë në sytë e botës demokratike, sot nuk mund të mos e them açik se është turpëruese për Shqipërinë që Serbia të hyjë përpara nesh në derën e radhës së integrimit europian.
Eshtë turpëruese jo pse hyn Serbia, po pse nuk hyn Shqipëria dhe këtë turp Shqipërisë nuk po ia le as Komisioni Europian, as opozita, as shqiptarët e zakonshëm jo e jo. Por po ia le pikërisht qeveria dhe kryeministri i saj, i cili thjesht rëndon barrën e turpit të vet kur kërkon t’u ikë dallgëve të përgjegjësisë duke u hedhur mbi komerdaren e turbofolkut pseudonacionalist për të fajësuar opozitën si shërbëtore të Serbisë(!).

Në fund një nënvizim për të gjithë lexuesit e këtyre radhëve: Unë kam bërë e do të bëj çdo gjë që mundem, bashkë me gjithë deputetët socialistë e me opozitën si e tërë, që Shqipëria të mos mbetet edhe në vjeshtën e ardhshme për të tretën herë rresht në provimin e Komisionit Europian. Nëse kryeministrit i mjafton të fajësojë opozitën e mua personalisht, mua vetë nuk më mjafton të them të vërtetën e fakteve që flasin për përgjegjësinë e pashmangshme të tij e të qeverisë së tij në mospërmbushjen e detyrave të integrimit. Sepse deri këtu mund të fitojmë argumentin, po jo sfidën e integrimit. Prandaj nuk do të rresht së ftuari palën tjetër dhe së ofruari kontributin tonë që Shqipëria të mos vazhdojë të turpërohet në pragun ende të pakapërcyeshëm të paradhomës së anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sikur kryeministri të bënte të njëjtën gjë në muajt e mbetur, ajo paradhomë mund të mos mbetet një mirazh.

 
Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 00:51

Nga Edi Rama

www.edirama.al

Zor të gjesh sado të gërmosh në historinë e shteteve që meritojnë të quhen të tillë, një shfaqje të turpshme të mungesës edhe formale të shtetit si ajo e 2 marsit të djeshëm në Lezhë. Kremtohet Besëlidhja e famshme e Skënderbeut dhe shteti shqiptar i pesë shekujve e gjysëm më vonë shfaqet para varrit të Heroit Kombëtar si shëmbëlltyra më e zhgarravitur e vetvetes.

Në asnjë fshat sado të prapambetur të Shqipërisë, ku vlera e një ngjarjeje të kujtuar bashkarisht në vite bashkon edhe hasmit në ritualin përkujtimor, s’mund të ndodhte ajo që ndodhi me shtetin shqiptar bash në vitin e pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë të kremtimit të një dite të shënuar fort ku u mboll fara e bashkimit të shqiptarëve për lirinë e tyre si komb. Një shtet i qesharakëzuar deri në dhimbje u shfaq si një trup pa kokë për të nderuar heroin e vet më të madh dhe foli me gojën e përçartur të një prijësi delirant që pas vetes kishte vetëm partinë e tij, një gjysëm edhe ajo e çarë e trupit të Shqipërisë që rreket me pahir të mishërojë krejt Shqipërinë. Koka e shtetit u pre një natë më parë që Shqipëria të mos fliste para varrit të Heroit Kombëtar me gjuhën e unitetit kombëtar, të cilin Kushtetuta e Republikës së sotme shqiptare e përcakton qartësisht të shprehur përmes figurës së Presidentit të Republikës.

Gjakimi për pushtetin dhe era e gjakut që po vlon brenda trupit të çarë të Partisë Demokratike, e kanë çakërdisur kreun e qeverisë shqiptare deri në pikën sa të mos bëjë më dot asnjë dallim qoftë edhe formal mes vetes e shteti, po ta shohë shtetin vetëm si një zgjatim atavik të vetes. Ashtu siç në fakt është katandisur shteti shqiptar, një grumbull ndërtesash ku turma e ndjekësve të tij janë strehuar si në kështjellën e pushtuar të Krujës për të ndarë paratë e rrogave, për të mësyrë pronat e pasuritë e banorëve anepërqark, për të shkelur liri e të drejta dhe mbledhur bakshishe nga çdo hallexhi që kërkon të heqë shqelmin e shtetit prej fyti për të marrë pak frymë. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë u shfaq dje para varrit të Heroit Kombëtar si një sulltan ngadhnjimtar me kokën e prerë të Presidentit të Republikës ngulur mbi shtizën e flamurit të Besëthyerjes, pasi e flaku një natë më parë figurën e unitetit kombëtar në kanalin e ujërave të pistë që rrjedhin mes plehrave vetëm pak metra nga Përmendorja ku ndodhet varri i shenjtë.

Me sytë që nuk fshihnin dot tërbimin e brendshëm dhe gojën që nuk përmbante dot përpjekjen për t’u njësuar përçart me vetë Skënderbeun, ai e mbajti fjalimin që nuk i takonte as me zakon, as me Kushtetutë, as me protokoll shtetëror, duke e njollosur 2 marsin me gjakun e çarjes së Partisë Demokratike. Foli si një përçarës e sundues duke përdhunuar vlerën kombëtare të asaj ngjarjeje historike dhe duke mos ngurruar ta kthejë edhe varrin e Skënderbeut në skenën e shfaqjes së përditshme mediatike ku është ai edhe vetëm ai që flet, përflet, stërflet, në emër të historisë e të lirisë e të çdo gjëje që i vjen ngoje. Oborrtarët përreth bënë si përditë sfondin memec të ritualit bajat, duke pritur përfundimin e shfaqjes për t’u rikthyer në kështjellën e pushtuar të shtetit dhe rifilluar me qokat, bakshishet, plaçkitjet e gostitë që i mbajnë lidhur me sulltan Saliun në këmbim të të gjitha fijeve të dinjitetit njerëzor, të cilat i kanë lënë kapar në duart e tij.

E tërë kjo ëndërr e pështirë otomane u zhvillua para syve të shqiptarëve në ditën për diell të Shqipërisë së shekullit XXI, të Shqipërisë në NATO, të Shqipërisë që troket në dyert e Bashkimit Europian. Në dyert që mbeten të mbyllura prej tre vjetësh jo sepse, siç thotë kryeministri ka një opozitë që i pengon të hapen, po sepse ka një shtet të rënë gërrmuq nën shalën e sulltanit të sotëm të Shqipërisë që nuk ka as përmbajtje e as formë për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian. Një shtet që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, po përkundrazi turret si ushtri jeniçerësh për t’i vjedhur zgjedhjet. Një shtet që nuk lufton dot krimin e korrupsionin, po përkundrazi turret me batalione xhebelunjsh, dallkëllëçësh e serdengjeshtlerësh për të vrarë, therur, djegur, përdhunuar e plaçkitur në mes të ditës. Një shtet që nuk garanton dot drejtësi, po përkundrazi lëshohet mbi qytetarët me hordhitë e gjykatësve kadilerë dhe taksidarëve xhelepqarë për t’i dhunuar e rrjepur në emër të Sheriatit.

Se pse Bashkimi Europian nuk mund të pranojë në tryezë një karikaturë të tillë të shtetit kjo është e qartë për këdo që lexon me radhë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe jo fermanët e përditshëm të Portës së Kryeministrisë kundër opozitës. Po se si ata shqiptarë që dëgjojnë symbyllur muzikën me një tel të propagandës së Sulltan Saliut vazhdojnë të mjaftohen me fajësimin e opozitës, kjo mbetet një problem serioz për t’u zgjidhur në kushtet kur një luzmë e tërë ahengxhinjsh të oborrit u bien daulleve të shiut e të breshërit për të shurdhuar të vërtetat e dala lakuriq në sytë e të gjithëve.

Megjithëse, në fakt, edhe ceremonia e djeshme tregoi se radhët e hosanaxhinjve të sulltanit s’janë më të shtrënguara si më parë dhe ka plot ndër ta, demokratë të ndërgjegjësuar apo thjesht shqiptarë më në fund syhapur, që po e braktisin turmën e ndjekësve pa kushte të kryeministrit duke kërkuar në të tjera drejtime realizimin e ambicieve e aspiratave të tyre për një Shqipëri demokratike. Edhe trupi pa kokë i shtetit shqiptar në atë ceremoni, edhe një turmë që disa qindra metra më tutje kërkonte njësimin me Heroin Gjergj për t’u shkëputur nga Tradhtari Sali, janë prova e fillimit të shthurjes së radhëve të Partisë Demokratike. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: As ata që po ikin e do të ikin për të ndjekur pas Presidentin e flakur të Republikës, as ata që kanë zgjedhur të zëvendësojnë flamurin bardheblu të Partisë Demokratike me kuqezinë e flamurit kombëtar, nuk mund të sjellin një Rilindje Shqiptare po në rastin më të mirë vetëm të krijojnë kushtet për lindjen e një të djathte të re shqiptare.

Sigurisht është herët për të folur se si mund të jetë një e djathtë bashkëfajtorësh në vite, madje deri shumë vonë, me dhunuesin e përçarësin e sotëm të Shqipërisë. Por padyshim mund të thuhet qysh sot se një e djathtë që lind nga heshtja e gjatë e jo nga përpjekja e mundimshme djathtas, apo që mbështjell kuqezi anakronizma nacionalpopuliste e mllefe të vjetra vetjake, është larg së qeni e djathta europiane që i nevojitet dëshpërimisht shqiptarëve me zemrën djathtas.

Sidoqoftë nuk është problemi ynë se si do të ngjallet e djathta nga varri ku e ka kyçur sekretari i zellshëm i Enver Hoxhës. Vetë Shqipërisë më shumë se sa çdo të ndodhë me copat e ndara të trupit të rrëgjuar të Partisë Demokratike, i duhet si drita e diellit një Rilindje Shqiptare. Për të cilën ne socialistët e progresistët, bashkë me partnerët tanë të majtë e të djathtë të Aleancës për të Ardhmen, jemi gati të nënshkruajmë një kontratë qeverisëse me çdo shqiptar. Me një program të ri për ndryshimin radikal që do të sjellë rivendosjen e demokracisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë dhe ribashkimin me Europën. Me një ekip të aftë për përballimin e sfidave të ndryshimit, mishërim i një reflektimi serioz ndaj gabimeve të së shkuarës dhe përgjegjësie për të ardhmen. Me një lidership të vetëdijshëm për nevojën e mbylljes së kapitullit të stërgjatë të përçarjes mes shqiptarëve. Me çdo shqiptar të gatshëm për t’u bërë zot i fatit të tij në një Besëlidhje të Re Shqiptare.

 
Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 19:04

Rruga e PS drejt fitores së zgjedhjeve është e hapur. Kështu është shprehur kreu socialist Edi Rama për portalin maqedonas të lajmeve, express.mk.

Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kreu socialist është shprehur se zgjedhjet e 2013 do ti fitojë e majta, por thotë ai me kusht që ato të mos vidhen siç u vodhën në qershor 2009 apo në tetë maj.

Pyetjes së portalit, Express.mk lidhur me Fatos Nanon dhe Ilir Metën, Rama është përgjigjur:

“Ilir Meta s’ka asnjë lidhje me PS-në e me socialistët a progresistët. Ai është ulur në prehrin e Sali Berishës për të përfituar nga pushteti i dalë me vota të vjedhura dhe do të qëndrojë në atë prehër deri kur të largohet bashkë me Sali Berishën nga tryeza e qeverisë së Shqipërisë. Ndërsa Fatos Nano ka shpallur ambicien për të qenë një President mbi palët pasi është distancuar me vullnetin e tij nga Partia Socialiste për arsyet që ka dhënë edhe publikisht. Rruga jonë është e qartë dhe e hapur drejt fitores së zgjedhjeve pavarësisht tradhëtisë së madhe të Ilir Metës ndaj popullit opozitar dhe pavarësisht distancimit të Fatos Nanos nga jeta politike e Partisë Socialiste”, është shprehur ai.

Ndërsa i pyetur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Rama thotë se ky bashkim do të realizohet vetëm nën qiellin e Europës së Bashkuar.

“Për ne bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë nën qiellin e Europës së Bashkuar. Integrimi i plotë europian i Shqipërisë dhe Kosovës është vetë bashkimi i dy shteteve tona në rrugën e re të Bashkimit Europian”, deklaron ai.

 
Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:31

Kjo është intervista që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka thënë agjencisë Presheva Jonë, pas vizitës që zhvilloi aty.

Z.Rama, fillimisht bisedën tonë po e nisim  me një pyetje, sic thonë tek ne ‘ku dhemb dhëmbi, aty shkon edhe gjuha’, pra me Preshevën. Meqë qëndruat ditë më parë në Preshevë, si ju pritën dhe çfarë përshtypje u ndatë?

Ishin njerëz te mrekullueshëm. Varfëri e dhimbshme. Gjendje e padurueshme sociale për të cilën Shqipëria duhet me patjetër të bëjë diçka për të ndihmuar. Nuk prisja që në mes të dëborës e me një mot aq të ftohtë të më uronin mirëseardhjen aq shumë njerëz. U jam mirënjohës përgjithmonë dhe do të kthehem përsëri me shumë dëshirë.

Gjatë qëndrimit në Preshevë, madje dhe pas largimit në Tiranë keni folur për përkrahje, për mbështetje për popullatë e këtyre viseve. Mund të na thoni diçka më konkretisht për çfarë përkrahje është fjala këtu?

Ne po përgatisim një projektligj që do ta dorëzojmë ne parlament për financimin e dy shkollave dhe të një materniteti. Ndoshta është shumë, pak por është sidoqoftë diçka për të filluar. Fakti qe qysh prej kohës se ish- Jugosllavisë aty s’është ndërtuar asnjë shkollë e re është rrënqethëse dhe e papranueshme.

Kur jemi  tek Lugina e Preshevës, edhe pse jem në dimër, sa here nxehet situata në veri të Kosovës, po ashtu kjo situatë nxehet edhe në Luginë të Preshevës dhe nuk mungojnë edhe idetë e spekulimet e larmishme herë për këmbim territoresh e herë për ndarje të Kosovës. Po ju z. Rama si e shihni të ardhmen e Luginës ë Preshevës?

Ndërrimi i territoreve nuk është opsion. Kosova është shtet i Pavarur dhe i paprekshëm në integritetin e vet territorial. E ardhmja e Shqiptarëve ne rajon është Europa dhe shqiptaret e Luginës se Preshevës meritojnë në Europë në trojet e tyre. Me liri e të drejta të plota e të paprekshme, me ekonomi të zhvilluar, me arsim e shëndetësi të denjë për një bashkësi njerëzish që jetojnë në mes te Europes dhe sot janë ende larg saj për shkak politikash qorre që rrisin veç pakënaqësinë e dëshpërimin social.

Po cili do të ishte mesazhi i juaj për liderët politik në Luginën e Preshevës, sepse edhe pse këtu janë një grusht shqiptarësh ka parti shumë dhe nuk janë pa divergjenca, për t’mos thënë përçarje?

Po, sigurisht sa më të bashkuar të jenë shqiptarët aq më fort do të dëgjohet zëri i tyre.

Gjatë një interviste  në Gjenevë me ministrin serb Dacic ai i ka thënë  agjencisë sonë se ma mirë ridefinim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, me dialog se sa me  luftë. Për çka flasin këto deklarata dhe a ju jeni për lëvizje, ridefinim  të kufijve në Ballkan?

Serbia vazhdon te jete peng i së shkuarës dhe nuk po don ende ta kuptojë realitetin se Kosova lavdi Zotit dhe lavdi çlirimtarëve të saj së bashku me forcat e mëdha demokratike të botës, i ka ikur përfundimisht nga duart, nga okupimi. Kosova sot është shtet më vete dhe Serbia duhet të kuptoje se me Kosovën duhet te sillet njësoj si me gjithë shtetet e tjera pasi çështja e Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Sa me shpejt ta kuptojë këtë Serbia, aq më mirë do të jete për popullin e saj dhe për gjithë rajonin. Lufta e sotme e Kosovës dhe Shqipërisë ështe lufta për integrimin europian të të dyja shteteve dhe përpjekja e përbashkët për një Ballkan të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Shqipëria mbështet e do të mbështesë përmes të gjithe faktorëve të saj politikë, çdo vendim e qëndrim të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë e me ardhmërinë europiane të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që mes Shqipërisë e Serbise nuk  është me Kosova, Lugina e Preshevës ku është e domosdoshme  rerspektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptareve në këto vise.

Sikur në Kosovë ashtu edhe në Luginën e Preshevës jeni i njohur në “luftën” rreth bashkisë së Tiranës. Më mirë sot e keni të jeni një kryetar i një partie, të një opozite të forte apo kryetar i një bashkie?

E kam jetuar me pasion të jashtëzakonshëm punën në krye të Bashkisë së Tiranës dhe besoj kam të gjithë të drejtën të jem krenar për sa kam bërë bashkë me njerëzit e bashkisë e me banoret e kryeqytetit ne këto njëmbëdhjetë vitet që e transformuam Tiranën në një qytet europian. Sot jetoj me të njëjtin pasion punën në krye të opozitës shqiptare me bindjen se nesër do të transformojmë Shqipërinë e kyçur ne rrethin vicioz të prapambetjes e të gënjeshtrave qeveritare.

Po Kosova në sy të socialistëve shqiptarë? Mendoni se Kosova po ecën mirë, lobimi, njohjet një proces në rrugë të mbarë?

Ajo çka ka ndodhur me Kosovën ne pak më shumë se dhjetë vjetëve është fantastike, e paimagjinueshme për shumëkënd deri kur luftëtarët e guximshëm të saj dhe bota demokratike i dhanë fund barbarisë serbe në trojet tanimë të çliruara e të pavarësuara të Kosovës. Kosova e fitoi luftën e nisur nga Ibrahim Rugova e ndjekësit e tij të vendosur dhe të kurorëzuar me sukses nga Hashim Thaçi e Ushtria e saj Çlirimtare. Sot Kosova po lufton me te tjera halle e probleme, qe janë hallet e problemet ekonomike e sociale të një shteti të dalë nga një errësire e gjatë, ndërkohë që procesi i njohjeve të shtetit të saj të ri është pa ndalesë e as kthim.

Ka mendime të larmishme rreth aktiviteteve të “Vetëvendosje”-s. Ju me çfare syri e shifni këtë lëvizje? Ku mund të arrihen qëllimet apo ambiciet politike, më mirë, më lehtë përmes rrugëve të qytetit apo ato institucionale ?

Vetëvendosja është pasuri kombëtare dhe për këtë s’kam asnjë dyshim. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se Albin Kurti është një ndër shqiptarët më të mirë me të mençur e më të kulturuar që jetojnë sot. Unë s’kam leksione për të dhe e ndjek me admirim përpjekjen e tij, pavarësisht se nuk ndaj me Albinin të njëjtën qasje strategjike për ardhmërinë e shqiptareve. Por pa Albinin dhe Vetëvendosjen politika shqiptare do të ishte padyshim shumë më e varfër.

Nuk mund të përfundojmë bisedën pa prekur marrëdhëniet  e juaj me pozitën, me shefin e saj Sali Berishën. Marrëdhëniet me pushtetin i keni sot më të mira apo më të acaruara se sa dikur, kur ju ishit në pushtet, dmth, partia e juaj?

Unë s’kam qenë ndonjëherë në pushtet ne kuptimin e qeverisjes së Shqipërisë dhe jam i bindur se përtej personalitetit shumë të diskutueshëm të Sali Berishës, Shqipëria meriton te qeveriset shumë më mirë dhe shqiptaret meritojnë shumë më tepër nga qeveria e tyre. Me Sali Berishën s’kam asgjë personale, po thjesht një vizion krejt të ndryshëm, një formim krejt të ndryshëm, një edukatë krejt të ndryshme. Sali Berisha është e shkuara që mban peng zhvillimin normal të Shqipërisë dhe përçan shqiptarët mesveti në funksion të një pushteti të korruptuar e injorant.

Ditëve të fundit në mediat shqiptare janë dy emra që po i hasim më së shpeshti ai i Ina Ramës dhe Sali Berishës. Në Gjenevë takuam kryeprokuroren shqiptare Ina Rama dhe ajo na tha se “po na pengon Berisha për 21 janarin”. Për çfarë pengesash është fjala këtu?

Sali Berisha është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit, ndërsa Ina Rama ka përgjegjësinë të hetojë deri në fund dhe të kërkojë drejtësi. Kështu që është e thjeshtë të kuptohet pse Saliu e pengon me çdo mjet hetimin dhe sulmon në mënyrën më primitive kryeprokuroren. E cila meriton të gjithë mbështetjen dhe respektin e shqiptarëve për kurajon e për integritetin profesional.

Z. Rama, edhe pse jeni në opozitë, dorën në zemër, në Shqipëri a ka diçka mirë?

Në Shqipëri ka njerëz të jashtëzakonshëm, vullnet e talente të rralla, vepra te admirueshme të iniciativës private, por ka një qeveri banale që Shqipëria nuk e meriton dhe e mban në kurriz fale vjedhjes së zgjedhjeve.

Siç e dini z.Rama, shqiptarët anë e kënd ku ndodhen, madje edhe ne diasporë sivjet kanë filluar me kremtimet për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë. Mund të na thoni se ky përvjetor si po i gjen shqiptarët në Gadishullin Ilirik, mund të rrahim gjoks se kombi ynë ka ecur përpara. Sikur të ishte gjallë Skënderbeu apo Ismail Qemali kujt do t’ia tërhiqte veshin apo do t ja vente  njësh (Enver Hoxhës, Fatos Nanos, Alfred Moisiut, Rexhep Mejdanit, Sali Berishës apo Edi Ramës) se detyrat e shtëpisë, detyrat e kombit nuk i ka bërë si duhet?

Zakonisht veshët i tërhiqen qeverisë, sepse siç thoshte i madhi Ronald Regan qeveria është gjithmonë problemi.