Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 16:20

Disa qindra qytetarë në Prizren, janë tubuar në sheshin “Shatërvani”, prej ku kanë nisur marshin protestues drejt Kuvendit komunal, me kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Marshi protestues ka nisur në orën 12.

Protestuesit po bartin parullat në të cilat kërkohet dorëheqja e kryetarit Muja, si dhe sloganet se as “ dorëheqja nuk mjafton”.
 
Javë më parë, Muja është shpallur fajtor nga gjykata për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve gjatë tri vjetëve të ardhshme.
 
Pas protestave që kanë nisur në Prizren tash e disa ditë, Muja, ditën e martë, ka pezulluar detyrën e kryetarit deri në vendimin e gjykatës ndaj ankesës së tij kundër dënimit që iu bë. 

Por, protestat e qytetarëve me kërkesën për dorëheqjen e tij kanë vazhduar edhe sot, për shkak se, pezullimi i detyrës së kryetarit nga Muja, është cilësuar si e jashtëligjshme, meqë në ligjet e Kosovës pezullimi i detyrës së kryetarit nuk njihet si kategori ligjore.

 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 15:46

Prizren –  Prokurorja e EULEX-it, Natasha Vikeri, ka dhënë sot fjalën e fundit për 2 pikat e para të aktakuzës për rastin e kreut të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 drejtorëve të tjerë komunalë, të cilët janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë ushtrimit të detyrës, raportoi RTK. Prokurorja ka kërkuar 1 deri ne 8 vjet heqje lirie për Mujën dhe të tjerët.

Pas përfundimit të seancës, si çdo herë tjetër avokati i Mujës, Rruzhdi Berisha, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që, Prokuroria e EULEX-it e ngarkon klientin e tij, Ramadan Mujën. Sipas tij, nuk ka elemente që veprimet e Mujës përbëjnë vepër penale, por vetëm shkelje procedurale, që nuk do të thotë se qëndrojnë edhe elemente të veprës penale.

Kryetari Ramadan Muja, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se të gjitha vendimet që i ka marrë, kanë pasur për bazë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Prizrenit.

Dy pikat e para të aktakuzës së sotme ngarkojnë kryetarin e komunës Ramadan Muja, drejtorin e administratës, Minir Krasniqi dhe ish ushtruesin e drejtorisë për gjeodezi dhe kadastër Avni Ademin, për dhënien në shfrytëzim të tokës në Boka- Boka, për ndërtimin e kolegjit Mehmet Akif dhe fabrikën e çokollatës “Kamila” Leximi i pikës 3 dhe katër nga prokurorja Vikeri do të bëhet në seancën e radhës, më 10-të shkurt.

Një prokurore e EULEX-it, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 22:42

Prishtinë- Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel të degëve në Prizren kanë nënshkruar marrëveshje koalicion. AAK-ja së bashku me LDD-në do ta mbështesin kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja, i cili shkon në balotazh me Eqrem Kryeziun e LDK-së. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj. “Sot Partia Demokratike e Kosovës në nivel dege ka arritur një marrëveshje me AAK-në dhe LDD-në për të mbështet kandidatin Ramadan Muja në rundin e dytë për të qeverisur dhe ky bashkim është bazuar në parime dhe platforma për t’i vazhduar ndryshimet në Prizren dhe për ta bërë model të zhvillimit”, i ka thënë Hoxhaj KTV-së nëpërmjet telefonit. Ai ka thënë se edhe në komuna të tjera të Kosovës mund të ketë koalicione të tilla.