12
 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 14:41

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi të martën maxhorancën se po mban peng mandatin e deputetit të PS-së. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se në Kuvend po ndodh një goditje antidemokratike ndaj opozitës, pasi po tentohet të vidhet mandati i deputetit socialist.

“Jemi të shqetësuar për një tjetër goditje antidemokratike ndaj opozitës në Kuvend, ku nën udhëheqjen e spikeres së Kuvendit, po orkestrohet tentativa e një tjetër krimi elektoral për bllokimin në pafundësi, me qëllim final vjedhjen e një mandati deputeti opozitar”, deklaroi kryetari i PS-së.

“Për muaj me radhë ne kemi kërkuar që kjo çështje e qartë si drita e diellit, nga ana kushtetuese dhe ligjore, të zgjidhet përmes arësyes, por askush nuk duhet të mendojë se duke bllokuar rrugën e arësyes do të imponojë një tjetër vjedhje votash ditën për diell, me procedura si ato të 8 majit në Tiranë, këtë herë në sallën e Kuvendit”, tha ai.

Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga mandati i deputetit socialist për të mos krijuar një krizë të re politike. “Apeli im për kryeministrin është të heqë dorë menjëherë nga mandati i deputetit socialist për të mos hapur një andrallë të re dhe shumë të madhe për funksionimin e parlamentit, në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos për të marrë statusin e kandidatit në BE. Sigurisht, ne nuk do presim sa kemi pritur, por ende duhet të shpresojmë se ky problem nuk do kthehet në një krizë të re politike”, theksoi Rama.

Gjithashtu, kryetari i PS-së bëri të ditur se grupi parlamentar socialist ka depozituar në Kuvend p/ligjin e hartuar nga një grup deputetësh për miratimin e fondeve që shteti duhet të japë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkolle në Luginën e Preshevës.

“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombasve tanë atje. Për ne ky është një gjest solidariteti. Kur është fjala për t’i ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptarësh jemi të gjithë bashkë të motivuar për të bërë më të mirën në Kuvend, pa asnjë dallim mes maxhorancës dhe opozitës”, tha kreu i PS-së.

Në kuadër të programit të PS-së për zhvillimin rural Rama bëri të ditur se grupi parlamentar socialist do të kërkojë miratimin në Kuvend të dy nismave me rëndësi emergjente për fshatin: propozimin për uljen e TVSH-së për inputet e fshatit dhe uljen e akcizës për naftën.

“Grupi i PS-së i propozon parlamentit TVSH zero për plehrat kimike; TVSH zero për makineritë bujqësore dhe uljen e TVSH me 10% për farërat që përdoren në bujqësi”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 23:28

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, komenton gjatë një interviste në Top Story vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se në SHBA ishin të interesuar për programin dhe vizionin e opozitës për demokratizimin e vendit.

Rama tha se Berisha ka përdorur lobingjet për të dëmtuar imazhin e kreut të PS. Sipas Ramës, opozita nuk paguan askënd për lobim, por përdor kontaktet e drejtpërdrejta.

Ai tha se ambasadori Arvizu ishte katalizatori i përshpejtimit të kësaj vizite në SHBA. Më poshtë pjesë nga intervista.

Për festimet e 22 marsit

Nuk e di si janë ndjerë ata pensionistë që kanë ditë të tëra pa marrë pensionet kur kanë dëgjuar fishekzjarret. Është një ndjenjë negative që Shqipëria e 100 vjetorit të pavarësisë bën një festë përçarëse, si ato festa që bëhen aty ku partia në pushtet qëndron e palëvizshme në pushtet.

 

Për përdorimin e Tëitter

Tëitteri është një mjet komunikimi që e ka sjellë koha e re. Është efikas, pa kosto, që të jep mundësi të përcjellësh në kohë reale mesazhet që ke ndërmend të përcjellësh dhe që falët interesimit të medias përcillesh në gjithë kanalet e komunikimit.

Ky mjet komunikimi përdoret nga politikanë shumë më të mëdhenj nga unë si presidenti i SHBA, presidenti i Francës. Unë mendoj se kryeministrit do i duhet Tëitter.

 

Për takimet në Uashington

Në Uashington u takuam me zv/asistentin e Sekretarit të Shtetit ambasadorin Riker dhe stafin e tij si dhe me një grup kongresmenësh, me të cilët këmbyem mendime dhe opinione të rëndësishme për gjendjen në Shqipëri dhe për programin tonë, që konstatova me kënaqësi që ka ngjallur interes dhe dëgjohet më vëmendje.

 

Për ftesën ndaj kryetarit të opozitës

Nuk është anormale që të ftohet kryetari i opozitës. Është një dëshirë e mirë për të dëgjuar opozitën se si e shikon ajo të sotmen, por sidomos të nesërmen e vendit. Cili është vizioni ynë për Shqipërinë, rajonin, partneritetin me SHBA, të gjitha këto në funksion të integrimit të shpejtë të Shqipërisë në BE.

 

Për atë që u diskutua në Uashington

Pa dyshim në Uashington dhe në DASH vështirë që të ketë gjëra që nuk i dinë për zhvillimet në Shqipëri. Por takimi ishte i një rëndësie të dorës së parë pikërisht se na u dha mundësia që të shpalosim vizionin tonë për një Rilindje Shqiptare dhe të tregojmë hapat që kemi vullnetin e plotë të ndjekim në funksion të përshpejtimit të integrimit.

 

Për faktin se a është tani opozita më pranë pushtetit

Pa dyshim që është moment i rëndësishëm për opozitën kontakti i drejtpërdrejtë me zyrtarët e lartë të qeverisë amerikane që janë përgjegjës për rajonin dhe Shqipërinë. Prandaj them se ishte një takim shumë frymëzues për ne.

Gjetëm një klimë të shkëlqyer, një pritje dhe një dëshirë shumë e lexueshme për të na dëgjuar deri në fund për të gjitha aspektet e rëndësishme të jetës së vendit, sidomos me mënyrën se si ne e shohim të ardhmen dhe se si mendojmë ta projektojmë atë bazuar në programin e vullnetin tonë.

 

Për qëndrimet që mban SHBA e opozita për 21 janarin

Unë mendoj që takimi që patëm në DASH nuk patëm asnjë diferencë qëndrimesh, nëse mund të them diçka nga ai takim, është fakti se viti 2011 nuk duhet të përsëritet më si një vit që ishte traumatik duke nisur nga 21 janari e duke vazhduar me zgjedhjet shumë të kontestuaka dhe njëkohësisht shumë të diskutuara në 8 maj.

Nuk kemi folur për asnjë detaj të 21 janarit. Karakteristika themelore e këtij takimi ka qenë vullneti ynë për të parë përpara si dhe interesi i partnerëve tanë strategjikë që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Është fakt që pas anëtarësimit në NATO gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur.

 

Për qëndrimin e SHBA dhe të opozitës për rajonin

SHBA kanë mbajtur rolin e një fuqie madhore të interesuar në radhë të parë për stabilitetin në këtë rajon dhe për gjetjen e rrugëve të arsyeve për të dalë nga këto kriza që shpesh herë e kanë ndryrë Shqipërinë.

SHBA dhe Shqipëria janë një. Edhe po të shohim historinë e këtyre viteve, së paku në aspektin e politikës rajonale, me ndonjë deviacion në lidhje me opozitën e mëparshme për luftën e Kosovës, politika shqiptare ka pasur një unison me politikën amerikane që do të vazhdojë. Kishte qëndrime të papëlqyeshme për qëndrimin e mbajtur nga Berisha për marrëveshjen e Rambujesë dhe periudhën e formimit të UÇK-së.

 

Për disa dyshime se SHBA është skeptike ndaj Edi Ramës

Më lejoni t’ju them se në partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe me përfaqësuesit e tyre këtu unë jam ndjerë mirë për shkak se gjërat janë thënë hapur, drejtpërdrejt dhe me mirëbesim. Mënyra se si SHBA-të i janë qasur Shqipërisë dhe palëve këtu është e vetmja mënyra që mund të ketë një fuqi madhore që ka luajtur një rol historik për Shqipërinë. Pa SHBA rajoni ynë nuk do ishte ky që është sot, nuk do kishte Kosovë të lirë dhe të pavarur, nuk do kishte një Serbi demokratike, që është pranuar si kandidate e BE, pa SHBA nuk do kishte më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoni. Pa SHBA edhe vetë demokracia në Shqipëri, pavarësisht problematikave, nuk do ishte kjo që është, pavarësisht se është krahasuar me vitet e tmerrshme 1992, 1996, 1997.

 

Për qëndrimin e SHBA për zgjedhjen e presidentit

Qëndrimi amerikan është ai që është bërë publik nga ambasadori Arvizu dhe është një qëndrim që flet qartë për dëshirën që Shqipëria të kapërcejë procesin e zgjedhjes së presidentit si një provë pjekurie, që mund t’i japë vendit një figurë të unitetit kombëtar. Edhe sa i përket BE-së zgjedhja e presidentit do jetë moment vendimtar për të gjykuar nivelin e pjekurisë së klasës politike. Është e qartë se një president i zgjedhur nga qeveria nuk do ishte shprehje e një pjekurie politike.

 

Për faktin se a u fol për Berishën në Uashington

Ne nuk folëm për kryeministrin Berisha, ne folëm për programin tonë, për vizionin tonë për të ardhmen, për mënyrën se si ne e shohim të mundshme që Shqipëria të ringrihet dhe të rikthehet në rrugën e atyre parimeve që mishërojnë Shtetet e Bashkuara. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të qenë aleatë të palëkundur dhe një qeveri që do mishërojë vlerat e parimet e SHBA në funksion të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, në funksion të një politike e cila të mbyllë kapitullin e ndasisë së gjatë dhe këtij mllefi të pafundëm që gjeneron energji negative në pafundësi dhe për t’i hapë rrugën një politike të re.

As unë dhe as PS nuk kemi rënë përgjithësisht në batakun e vulgaritetit dhe shpifjeve e sharjeve që turpërojnë politikën dhe neverisin qytetarët dhe që besoj se nuk janë as në traditën shqiptare, por janë zgjatim i kulturës komuniste për armikun e brendshëm.

 

Për frikën se Rama mund të mos pritej mirë

Si të mos ketë paragjykime kur në mënyrë konstante e të përditshme investohet para e influencë për propagandë kundër opozitës dhe kundër meje personalisht e duke bërë një përpjekje titanike për të krijuar idenë tek shqiptarët se janë të gjithë njësoj. Sot Berisha nuk del përpara shqiptarëve me duar të pastra. Sot kjo qeveri i ka duart e zhytura deri në rrëzë në batakun e llumin e korrupsionit. Ajo që i ka mbetur të thotë është se djalli që njihni është më i mirë se djalli që nuk njihni.

Për tu kthyer tek takimi i Universitetit të Nju Jorkut do them se ishte mbresëlënës. Për mua ishte befasi se për rreth dy orë, ku u bënë rreth 50 pyetje, bënë pyetje që lidheshin drejtpërdrejt me zgjidhje. Kërkuan të dinë deri në detaje se cili është programi ynë për Rilindjen Shqiptare.

 

Për programin e sportit

Ne takuam një kongresmen të famshëm si ish- yll i futbollit amerikan, që ishte i pasionuar për politikat e sportit, për sportin ashtu siç e kuptojmë ne për tu dhënë mundësi fëmijëve që të përfshihen në të, për sportin si instrument për të luftuar të gjitha ato vese, por edhe si instrument për të ulur kostot e shërbimit publik në shëndetësi.

 

Për zgjedhjet parlamentare

Për këtë arsye pika themelore për aktualitetin ka qenë reforma zgjedhore. Edhe partnerët amerikanë e konsiderojnë reformën zgjedhore si një moment kyç ku duhet të jepen garanci se vota e shqiptarëve është e sigurt.

 

Për rolin e Arvizu në këtë vizitë

PS nuk ka asnjë kontratë lobimi sepse i besojmë kontaktit të drejtpërdrejtë dhe na mjaftojnë lidhjet me një numër kongresmenësh e senatorësh që janë të interesuar për rajonin e Shqipërinë. Arvizu ishte katalizatori i zhvillimit të shpejtë të kësaj vizite. Nuk u takuam fizikisht pasi i duhej të ishte pranë familjes, por kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe ishte i kujdesshëm që gjërat të shkonin mirë dhe shkuan shumë mirë.

 

Për qëndrimet e Ëithers

Ambasadori Ëithers është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është për të ardhur keq që një pjesë e vogël e atyre që jetojnë në Shqipëri, sepse unë jam i bindur se shumë nga ata që votojnë PD e respektojnë atë. Me shumë vullnet ai ka shtrirë dorën ndaj të gjitha palëve pa dallim.

 

Për vizitën e Bashës dhe Spahiut në Uashington

Do kisha bërë komente nëse do kishte shkuar kryeministri në Uashington. Sa u përket të tjerëve, janë të lirë të shkojnë ku i ftojnë ose janë të paftuar. Për këtë çështje nuk kam dëshirë të spekuloj.

 

Për faktin se a ka Gramoz Ruçi mbështetjen e Edi Ramës

Ka një sulm të vazhdueshëm ndaj meje dhe ndaj Gramozit dhe ndaj kujtdo që bëhet problematik për qeverinë. Ajo që dua të them është kjo: Gramoz Ruçi është i vetmi ministër i Brendshëm i republikës së Shqipërisë që mund t’u thotë shqiptarëve se ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Presidenti Ramiz Alia ka humbur zgjedhjet në mes të Tiranës dhe po të ishte Gramozi ai i njëqind të zezave, nuk mund të shpëtonte fytyrën e Ramiz Alisë dhe të përmbyste rezultatin në mes të Tiranës? Ndërkohë që Gramoz Ruçi pas atij momenti në karrierë nuk ka mbuluar asnjë post në qeveri, por ka qenë një qeveri në radhët e grupit të PS, gjithmonë i votuar nga populli.

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 14:30

Budapest -Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Hungari për një vizitë zyrtare treditore, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér. Kryetari i Parlamentit i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE.   

Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér, vlerësoi bashkëpunimin midis të dy parlamenteve, i cili gjatë kësaj periudhe është intensifikuar ndjeshëm, duke u ndalur ne projektin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryeministri Berisha vlerësoi lart kontributin që parlamentet e të dy vendeve japin në marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke e cilësuar rolin e tyre si të pazëvendësueshëm.

Kryeministri Berisha ritheksoi vullnetin e palëkundur të qeverisë për të ecur përpara me projektin madhor kombëtar të shqiptareve, integrimit në BE.

“Në këtë kontekst, si dhe pasi pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Berisha, “qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë”.

Kryetari i Parlamentit, Kövér, duke u ndalur ne situatën politike në Shqipëri, theksoi se shpresonte që opozita në Shqipëri te mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit, por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE. Kövér shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko- financiare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 17:31

Korçë- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot nga qyteti i Korçës, ku ndodhet me rastin e 7 marsit, se vështirësitë e krijuara për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian, këto 2-3 viteve të fundit, janë kryekëput të pamerituara, por shtoi ai, jam i bindur se janë të përkohshme.

“Unë kam bindje më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të tjetër veçse kontributit të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike”, tha Berisha.

“Unë dua t’i garantoj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka, sëbashku me ta, t’i kapërcejmë vështirësitë. Por nga ky tempull i dijes, i vokacionit perëndimor të kombit, unë dua t’i shtroj një pyetje zotit Edi Rama që, me sa di unë, e ka vizituar sot këtë tempull. Dje u zotove dhe më erdhi mirë se do të votoje çdo gjë, madje se e keni votuar gjithçka që kërkohet në procesin e statusit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Kjo është pozitive, por dhjetë ditë më parë kur urdhërove grupin parlamentar dhe vendose të mos votonin Kodin Penal, kur deklarove të bllokuara reformat, këto i bëre për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë? Këto ditë rëndom po krahason e po shpreh keqardhje që Serbia e mori statusin dhe Shqipëria jo. Unë nuk kam asnjë keqardhje që Serbia e mori statusin dhe ajo e meritoi që e mori, sepse Serbia nuk ka asnjë forcë politike që të mos votojë ligjet që kërkohen, por dhjetë ditë më parë, kur ti bllokove në parlament Kodin Penal, e bërë këtë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?!”, deklaroi Kryeministri Berisha

Sidoqoftë, vijoi kreu i qeverisë, “unë kam bindje më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të tjetër veçse kontributit të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike, si një proces, në të cilin nuk ka asnjë të humbur, por vetëm të fituar, si një proces që buron thellë nga shpirti i qytetarëve shqiptarë”.

“Në rast se mendohet se një javë para bllokohen dhe një javë më vonë thuhet se po kontribuojmë duke e zhbllokuar, kjo është një këngë, një melodi e trishtuar që shqiptarët e kanë dëgjuar 45 vjet me radhë nga etërit e tyre dhe nuk e besojnë më”, përfundoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 13:58

Tiranë -Shndërrimi në program pune i kërkesave të Komisionit Europian është qëllimi kryesor i qeverisë, u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit.

Sipas Kryeministrit, qeveria është e angazhuar të bëjë gjithçka për të plotësuar kërkesat që vijnë nga Komisioni Europian, por për këtë duhet edhe bashkëpunimi i opozitës.

“Ky vit, për njëlloj specifike të krijuar nga qëndrimet tashmë të njohura të opozitës, ka një ndarje të re mes qeverisë dhe parlamentit në sensin e planit të veprimit në tërësinë e tij”, tha Berisha, duke shtuar se “plani i veprimit është shndërruar në një dokument të miratuar në Komisionin e Integrimit nga maxhoranca dhe opozita, gjë që është mjaft pozitive. Ky fakt vetëm sa dyfishon përgjegjësitë e qeverisë”.

Sipas Kryeministrit, “Qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Gjithashtu, ato të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet nga ky komision, sikundër të përshtasin qëndrimet me ato të cilat bihet dakord në Komisionin e Integrimit”.

Kreu i qeverisë theksoi se “procesi i integrimit evropian është një proces gjithpërfshirës. Asnjëherë nuk ka qenë ndryshe.  E tërë hisoria e zgjerimit të BE është histori konsensusi dhe gjithpërfshirjeje mes forcave. Nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë ndonjëherë shembulli shqiptar, që ka si praktikë ku maxhoranca miraton ligjet, vendimet dhe opozita nuk pranon t’i votojë. Kjo nuk është një praktikë që mund ta miratojë Brukseli dhe vendet anëtare”.   

“Nuk ka asgjë më bizarre, më të pakonceptueshme sesa të mos votohen në parlament reformat, të cilat kërkohen nga KE, në një proces që synon të bëjë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurtë”, tha Berisha.

“Mos votimi i këtyre reformave e la Shqipërinë 2 vjet pa status. Kreu i opozitës deklaronte se pas zgjedhjeve të 8 majit 2011 do të votonte çdo gjë që do të kërkohej për integrimin evropian. E vërteta është se pati ndryshime pasi opozita hyri në parlament, votoi, amendoi ligjet, por ajo që ndodhi javën e shkuar ishte sërish rikthim në politikën e vjetër të bllokimit. Tashmë votuan sërish kodin edhe një herë”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 12:04

Bruksel-Kryeministri Berisha mori pjesë dje, në Samitin e Partive Popullore Evropiane (PPE). Pas punimeve të samitit, Kryeministri Berisha në një prononcim për mediat shqiptare, tha se “ishte një samit që iu përkushtua kryesisht problemit të rritjes ekonomike. Por edhe nga Brukseli, kryeministri Berisha nuk ka kursyer akuzat ndaj opozitës shqiptare që sipas tij është e vetmja pengesë për reformat në vend.       

“Unë e kam theksuar dhe e theksoj se absolutisht nuk ka asnjë pengesë përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane dhe, unë këtë e kam theksuar dhe e theksoj; nuk mund t’i kërkoj kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Ata që e konceptuan  dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve”-tha Berisha.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se reforma zgjedhore si kushti kryesor për marrjen e statusit, mund të plotësohet para qershorit. “Absolutisht mund të plotësohet. Mund t’u them se me vullnet të përbashkët mund të bëhet edhe për 4 deri 6 javë, sepse ne kemi bërë të gjitha lëshimet  e duhura. A e dini ju që për adresimin e rekomandimeve të ODIHR ne i kemi njohur PS-së pothuajse ekskluzivitetin e paraqitjes së amendamenteve. Natyrisht, tryezë nuk do të thotë diktat, do të thotë arsyetim dhe mirëkuptim. Ky proces nuk ka asnjë vështirësi sepse rekomandimet janë të qarta. Në rast se dikush, për ta bllokuar atë sjell gjëra që nuk janë rekomanduar kurrë, apo e militarizon siç e keni marrë vesh dhe ju. Kur e thashë këtë këtu, u çuditën. Kanë kërkuar dënime me 8 vjet për komisionarët. Gjëra të tilla dalin jashtë çdo lloj logjike demokratike. Por megjithatë ne mbetemi të vendosur, të hapur, të punojmë me intensitet, me besim të plotë, me institucionet ndërkombëtare,  për ta kompletuar atë sa më shpejtë”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha tha se ne jemi të prirur të punojmë intensivisht për kompletimin e reformës zgjedhore. “ODIHR dhe Komisioni i Venecias kanë kontraktuar ekspertët më të mirë të Evropës dhe botës për zgjedhjet, pra që janë të njohur në gjithë botën. Nuk ka çfarë pengese të ketë këtu. Ne kemi garanci të plotë që këta ekspertë do t’u përmbahen standardeve”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha shprehu bindjen se të gjitha reformat, përveç praktikës së bllokimit, nuk kanë asnjë vështirësi. “Ekziston e gjithë ekspertiza, ekziston e gjithë ndihma, ekziston gjithçka për të proceduar me seriozitetin më të madh. Unë që loboj për avancimin e Kosovës, nuk mund të them që të avancojë Shqipëria pa realizimin e reformave, sepse reformat janë të domosdoshme”, vuri në dukje Kryeministri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 16:15

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në mbledhjen e qeverisë, se opozita po bëhet pengesë në arritjen e reformave dhe në luftën ndaj korrupsionit.

Kryeministri hedhi akuza ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, sipas tij, qëllimisht zgjodhi këtë kohë për të bllokuar reformat.

“Kryetari i Partisë Socialiste zgjodhi kohën dhe momentin në traditën e tij primitive të papajtueshme për integrimin. Javën që kaloi shpalli bllokimin e reformës zgjedhore, shpalli bllokimin e reformës parlamentare, shpalli bllokimin e Kodit, duke vendosur një nen për dënimin kolektiv që nuk është në asnjë kod të planetit. Ai përdor deputetët e tij si mercenarë, duke propozuar nene absurde. Këto nuk janë sinjale që presin ndërkombëtarët nga Shqipëria. Ne do të vazhdojmë pandërprerë reformat në të gjitha fushat, ku Edi Rama nuk mund të bllokojë”, tha Berisha.

Sipas tij, “Rama i thur himne Serbisë se e mori statusin dhe se mori Shqipëria, sepse z. Rama bllokon vetë. Ne këtë çështje do t’ia lëmë shqiptarëve ta zgjidhin dhe do ta japin në qershor të vitit të ardhshëm. Ai mund t’u thotë shqiptarëve se dita është natë dhe nata është ditë”.

Berisha u shpreh se Rama po përgatit disfatën më të thellë në 22 vitet e fundit. “E paimagjinueshme që në javën e fundit të bllokonte procesin që po ecte. Doli ashtu siç është jo në foto, por në shpirt. E panë shqiptarët se si veproi këtë javë ku për Shqipërinë do të vlerësoheshin hapat. Në konceptet e tij si pinjoll i bllokut karrierën mund ta ndërtojë ose mbi fatkeqësinë natyrore ose atë të rrënimit”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 13:13

Tiranë -” Integrimi i Shqipërisë duhet të konsiderohet nga klasa politike shqiptare si një hap përpara, si një proces që luan një rol kyç në zhvillimin e vendit”, u shpreh sot kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë prezantimit të projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian në mbështetje të forcimit të Kuvendit.

Sequi i bëri thirrje klasës politike shqiptare për të kapërcyer krizat me anë të dialogut, ashtu siç po vepron Bashkimi Europian me krizat e tij.

“Ne vetëm mund të ndihmojmë, jo t’u zëvendësojmë në punën që bëni. Suksesi i projektit të secilit varet nga zgjedhjet që ai bën. Ne si BE kemi premtuar që të ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Ne po e mbajmë këtë premtim, sepse mendojmë që thyerja e premtimeve rezulton në prishjen e besimit. Ne nuk duam të përjetojmë kriza të besimit. Sondazhet e mendimit të popullit shqiptar tregojnë se shqiptarët kanë shumë besim tek BE. Ne duhet ta rifitojmë sëbashku besimin. Çdo krizë është një mundësi për t’u përmirësuar. Është pikërisht nëpërmjet dialogut që BE po trajton krizën që e ka kapur”, tha Sequi.

“Vitin e kaluar ne përmbyllëm këtë projekt pikërisht në një periudhë kur në Shqipëri nuk kishte një dialog politik të kopsitur mirë. Ne shpresojmë që në aspektin politik të ketë një funksionim më të mirë. BE beson se duhet angazhim për të pasur ecuri në këtë objektiv kombëtar”, theksoi ambasadori i BE-së.

Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë citoi Komisonerin Stefan Fyle sa i takon integrimit, ndërkohë që u shpreh se BE pret hapa konkrete të Shqipërisë.

“Për të pasur ecuri në këtë objektiv ndërkombëtar, do doja të citoja Stefan Fylen, që thotë se integrim do të thotë transformim, integrimi është kalimi në një demokraci të qëndrueshme. Së bashku me shqiptarët ne po punojmë me grupin e punës që po punon për reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit si dhe ligjet që kërkojnë 3/5 e votave”, nënvizoi Sequi.

Sipas tij, “demokracia ngrihet si një vlerë universale. BE, që është mishërimi i shpresave të drejtësisë, të demokracisë, është pikërisht një vlerë që reflektohet nga dëshirat e shqiptarëve, reflektohet dhe në pozicionimin e të gjithë forcave politike. Reflektohet gjithashtu edhe në studimet që shqiptarët bëjnë në vendet e Europës dhe kthehen pastaj në vendin e tyre. Shprehet gjithashtu dhe në sondazhet e publikut. Vit pas viti janë 99% të shqiptarëve që janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.  Kjo mbështetje kaq e lartë, kjo ëndërr kaq e fortë, meriton që t’i jepet përparësi nga institucionet shqiptare. Dhe Kuvendi është pikërisht forumi ku mblidhen përfaqësuesit e Shqipërisë, të mandatuar për të ndjekur pikërisht këto ëndrra, dëshira dhe aspirata të popullit”.

Duke folur mbi projektin e binajkëzimit, Sequi deklaroi se “Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar ndihmë BE-së për forcimin e funksionimit të Kuvendit. Kësaj dëshire të Kryetares iu përgjigj ky projekt me angazhimin e Kuvendit hungarez dhe Senatit të Asamblesë franceze. Ekipi i projektit do të sjellë përvojën e të gjithë anëtarëve të BE-së për stafin e Kuvendit shqiptar”.

Sipas ambasadorit të BE-së, “suksesi i këtij projekti do të varet pikërisht nga fakti se sa pritës do të jetë Kuvendi shqiptar ndaj këtyre eksperiencave. Në këtë aspekt duhet zgjedhur nëse do të ndjekim rrugën e  integrimit europian apo thyerjen e premtimeve”.

Sequi u shpreh se “BE vepron si vlerësues objektiv i çështjeve, si miq, si këshilltarë, duke investuar 1.5 milionë euro nga taksapaguesit europianë për t’iu dhënë eksperiencën e vendeve të BE-së. Ne e vlerësojmë ecurinë e demokracisë tuaj çdo vit me anë të raportit të progresit”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 23:28

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po bllokon reformat dhe integrimin e vendit. Sipas tij, Rama denoncoi bllokimin, ndërsa ishte vetë ai që e bllokoi, pasi blloku ka si parim dhe filozofi vetëm bllokimin.

“Ajo që mund të them është se blloku kërkon vetëm bllokim. Çunat e blokut s’kanë parim tjetër veç bllokimit. Po punohet fare mirë në reformën elektorale. Po punojmë me seriozitet dhe përkushtimin më të madh për reformën parlamentare. OSBE kontaktoi ekspertët më të mirë për këto çështje”, tha Kryeministri.

Por, vijoi Berisha, “z. Rama, i cili kishte dy zgjedhje, zgjodhi bllokimin. Zgjedhja e parë ishte ajo që i ofrova unë, të jepte propozimet e tij mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe t’i dërgonim në Komisionin e  Venecias. Sepse këtu ka traditë 20 vjeçare pune të përbashkët dhe produktive, ku do ketë lëshime, kompromis, mospranime, ky është rregulli. Z. Rama nuk pranoi të parën, sepse në gjithë matematikën ai del humbës në 2013-ën dhe tani në 2013-ën po ta bënte vetë ligjin nuk do kishte më Kastriot për të bërë kurban. Nuk do kishte më mundësi të akuzonte 20 mijë komisionerë të tij si tradhtarë apo të korruptuar. Për të mos bërë këtë ai zgjodhi rrugën tjetër. Befas doli para jush dhe denoncoi bllokimin, kur nuk pati asnjë amendament të vetëm të hedhur poshtë nga ne, duke thënë u bllokua reforma”.

“Për muaj resht kërkonte ndryshime në rregulloren e parlamentit, të cilat të paktën dhe 30 vjet s’kisha ndërmend t’ia pranoja, sepse ishin marrëzira ligjore dhe llogjike. Atëherë u detyrua të pranojë të ulej të bëjë reformën parlamentare siç është rregullorja e Parlamentit Europian. Rama solli po ato propozime që kishte para marrëveshjes”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, opozita propozoi reforma që lidhen me limitimin e kohës së fjalimit të Kryeministrit dhe rikthimin në fillim të seancës të 60 minutëshit të lirë.

Ai tha se Rama e di që nuk mund të bëhet kurrë kryeministër dhe për këtë arsye kërkon të bllokojë sërish punën e parlamentit.

Sipas Kryeministrit, kudo që të shkosh në Ballkan nuk gjen një opozitë që të mos votojë reformat për integrimin. “Opozita shqiptare është unike dhe ky bllokim ka vetëm këtë shpjegim. Pse ndodhi këtë javë bllokimi në një proces që po ecte normalisht. Papritmas u bllokua në disa drejtime. Sepse këtë javë në Bruksel bëhet vlerësimi i reformave të vendeve që aspirojnë integrimin. Rama, dy vjet rresht provoi se duke bllokuar votimin, bllokon statusin. Sërish tani po përpiqet të bllokojë integrimin. Edhe unë po të isha në Bruksel, për një vend, ku opozita nuk voton reformat, nuk do të votoja për statusin e vendit kandidat” , u shpreh Kryeministri Berisha.

 Përgjigja e Ramës në rrjetet sociale…

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas konferencës për shtyp të kryeministrit Sali Berisha, ku u akuzua opozita si bllokuese e reformave. “Ju pyes ju: Si mund të ketë ende njerëz që e besojnë përrallën që tregon kryeministri për opozitën që ka bllokuar çdo gjë që është detyrë e qeverisë?

Një KM që vetëm shfajësohet për gjërat që shkojnë keq e më keq duke fajësuar opozitën nuk duhet të jetë më kryeministër edhe sikur të jetë pa mëkate.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë jo vetëm s’duhet të rrije aty po duhet të japë shumë llogari para popullit për mëkatet e shumta të qeverisë së tij,” shprehet Rama.

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 13:41

Tiranë – Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se përparimi i Serbisë në marrjen e statusit kandidat  për në Bashkimin Europian tregon edhe njëherë dështimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka theksuar se vendi ynë rrezikohet sërish të mbetet jashtë dyerve të Europës duke dështuar kështu për të tretën herë.

“Përparimi i Serbisë nxjerr në dritë prapambetjen e Shqipërisë. Ajo çka kurrë s`duhet të kishte ndodhur po ndodh. Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektvisht gjendjej shumë më përpara por rrezikon të mbetet përsëri jashtë duke dështuar si askush tjetër në historine e integrimit europian për të trejtën herë radhazi” ka theksuar Rama.

Duke iu përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha se opozita po bllokon procesin e integrimit, kryesocialisti Rama ka theksuar se shefi i qeverisë po mundohet të fsheh dështimin duke ngritur mjegullën e fajësimit kundër opozitës.

“Opozita i ka bërë detyrat e shtëpisë ndërsa qeveria s`ka bërë asnjë nga detyrat e saj të drejtpërdrejta. Statusi nuk merrret vetëm duke miratuar ligjet me 3/5 dhe ja ku jemi falë angazhimit të opozitës por përveç miratimit duhet të ketë implementimtë ligjeve, drejtësi e barabartë, shoqëri e lirë me konkurencë dhe këto janë detyra shptëpie për qeverinë dhe jo për opozitën” ka shtuar më tej Rama.

Sipas tij mjegulla e fajësimit të opozitës e cila po ngrihet nga kryeministri s`mund ta pengojë Komisionin Europian të shikojë se si qëndron e vërteta.

“Sinjali i fortë që vjen drej Serbisë është vërtet një sinjal shumë negativ për vetë Shqipërinë. Fatkeqësisht nuk ka mjaftuar dot as angazhimi ynë total për përfundimin në afat i reformës zgjedhore ashtu siç ishte edhe marrëveshjen e arritur. Teksa afati është shkelur, refoma është në hapat e para për shkak të zvarritjes së qëllimshne nga pala tjetër” ka shtuar më tej Rama.

12