Lajme Shqip Tuesday, 11 March 2014 16:02

Zyrtare të komunës së Dibrës kanë dalë sot në një konferencë për shtyp, ku është paralajmëruar protesta për ndalimin e devijimit të lumitRadika. Kjo protestë do të mbahet të premten me datë 14.03.2014, në ora 13:00.

Përfaqësuesit komunal por edhe të organizatave joqeveritare u shprehën se protestat do të jenë madhështore, duke theksuar faktin se mbase këto protesta do të jenë të fundit, pasi që në të ardhmen ata nuk do mbajnë më përgjegjësi për eskalimin e mundshëm të situatës.

“Andaj u bëjmë thirrje, qeveritarëve që të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve dibran dhe të mos nxitohen në vendimet e tyre”, theksuan organizatorët e protestave, njofton Almakos.

Në protestën e të premtes kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe shumë shoqata të tjera joqeveritare jashtë qytetit të Dibrës, në mbrojtje të ambientit dhe lumit Radika.

Pavarësisht deklaratave të ministrave në Maqedoni dhe Shqipëri për Radikën, shumë shqiptarë ende nuk janë të sigurtë nëse vërtetë nuk do të devijohet lumiRadika.

Ndërkohë firma energjitike ELEM, kërkon që Radikës t’i merren 1.4 kubë ujë në sekondë, aq sa është parashikuar në marrëveshjen me Shqipërinë

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 22:20

Ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Maqedonisë Valon Saraçini, gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, lidhur me devijimin e ujërave të lumit Radika, tha se nuk ekziston një projekt fizibiliteti për hidrocentralin në Fushën e Lukovës dhe se qeveria e Maqedonisë nuk ka në duar një projekt të tillë, por se bëhet fjalë për një projekt parazgjedhor të qeverisë, që do studiuar mirë.

Një kompani energjetike ka bërë një projekt të saj, por ai nuk do të miratohet pa kaluar të gjitha fazat e studimit, thotë ministri duke shtuar se do të respektohen të gjitha konventat ndërkombëtare për ujërat, lidhur me këtë projekt.

Ministri Valon Saraçini thotë se askush nuk duhet të ketë shqetësime lidhur me projektin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës; Se projekti është në fazë fillestare dhe po zhvillohen të gjitha procedurat mbi bazë të standardeve ndërkombëtare për çështjen e ujërave dhe të ambientit jetësor.

“Projekt final për Fushën e Lukovës ende nuk ka dhe nuk ka as studim mbi ndikimin ndaj ambientit jetësor, që janë dy elemente kyçe për një projekt për të pasur bazën që të fillojë. Çështje tjetër, ky projekt ende nuk ka siguruar burime finansiare; Banka Botërore nuk e ka kredituar këtë projekt, duke pasur parasysh, sipas rregullave të këtij institucioni, po qe se ka efekte negative sidomos ndaj ambientit jetësor, atëherë nuk besoj, se do të kreditonte një projekt të tillë.

Pasataj, duke unisur nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ujërat, të gjitha rrugët çojnë kah ajo që ky projekt do të ketë një fund negativ, pas çka, qeveria, në bazë të argumenteve do të marrë vendim që projekti të mos realizohet”, thotë ministri.

Por kjo që e thotë ministri Saraçini ende është jozyrtare, me që ministrat ose qeveria e Maqedonisë ende nuk ka mbi tavolinë një projekt përfundimtar as një studim mbi ndikimet ndaj ambientit jetësor.

Ministri Saracini parafrazon fjalët e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski gjatë një seance të dhjetorit, se në çastet kur studimi do të tregojë se ky projekt do të kishte efekte negative për ambientin, atëherë nuk do të miratohet një projekt i tillë.

Lidhur me prononcimin e para pak ditëve më parë të zëdhënësit qeveritar për projektin, ministri i Ekonomisë thotë se komentet e zëdhënësit janë bërë në aspekt të ekzistimit të projektit në programin e qeverisë në bazë të premtimeve parazgjedhore, por kjo nuk do të thotë se ai do të realizohet.

“Ne jemi ende në një fazë të realizimit të studimeve; projekti nuk është miratuar nga qeveria dhe nuk do të miratohet deri sa të përfundojnë të gjitha studimet”, thotë me këmbëngulje ministri i Ekonomisë.

Ministri i Saraçini thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me palën shqiptare, respektivisht me ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri dhe se do të respektohen normat ndërkombëtare në lidhje me projektin Fusha e Lukovës.

“Në një seancë të qeverisë kemi rënë dakord për formimin e një grupi ekspertësh që do të negociojë me palën shqiptare në lidhje me këtë projekt. Grupi punues do të fillojë debatin atëherë kur projekti të jetë i gatshëm apo final. Atëherë do të kemi një arsye të ulemi dhe bisedojmë për të parë se çfarë përfundimesh do të dalin nga ky debat”, thotë ministri Saraçini.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 12:47

Tiranë- Shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës dhe Tiranës zhvilluan paraditen e sotme një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Protestuesit kundërshtojnë devijimin e lumit, duke hedhur idenë që të zhvillohet një referendum lokal për këtë çështje. 

“Shqiptarët të dëgjojnë njëri-tjetrin më shumë se sa të huajt. Kjo nuk është lëvizje kundër akujt, por lëvizje pro për tu bashkuar së bashku. Të bëhet referendum lokal, të vendosin qytetarët e Dibrës.”- u shprehën disa nga protestuesit. 

Thirrjet për protestë dhe ftesat për pjesëmarrje janë bërë publike, përmes rrjeteve sociale, ndërsa ato mbështeten edhe nga pushteti lokal i komunës Dibër. 

Ndërkohë në Tiranë është krijuar edhe Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve, që ka marrë përsipër sensibilizimin e kësaj çështjeje. “Stop devijimit të Radikës” është një prej parullave që janë vendosur në shumë zona dhe në rrjetet sociale. Qytetarët thonë se nuk do të lejojnë devijimin e asnjë centimetër/kub të këtij lumi. Ata i bëjnë thirrje për reagim dhe qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, që të mos lejojnë zyrtarizmin e një projekti të tillë., shkruan ballkanweb.

Protestat u nxitën pas deklaratës më të fundit të zëdhënësit të qeverisë Maqedonase, i cili u shpreh se pavarësisht reagimeve, qeveria e Maqedonisë është e vendosur t’i shkojë deri në fund projektit, për ndërtimin e hidrocentralit të Fushë Lukovës. 

Protestë kundër këtij projekti është mbajtur edhe në Neë York nga shoqata atdhetare “Dibra”, e cila i ka dërguar një letër selisë së OKB-së dhe qeverisë amerikane, duke argumentuar dhe dëmet që sjell zbatimi i këtij projekti, jo vetëm në devijimin e ujërave, por dhe në aspektin ekologjik. Një letër zyrtare i është dërguar dhe qeverisë shqiptare, që të mos e firmosë projektin e përbashkët me palën maqedonase.