Lajme Shqip Thursday, 28 March 2013 16:20

Tirane – Mungesa e çertifikatës së analizës së aflatoksinës është gjetur si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonë miell që vinte nga Kosova në Shqipëri.

Kjo ndodh vetëm një ditë pasi doganat kosovare kthyen 23 tonë qumësht prodhim shqiptar. Bllokimi i miellit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës.

Ngarkesa, sipas drejtorit lokal të AKU-t, nuk është e shoqëruar nga çertifikata e cila saktëson përmbajtjen e saktë të aflatoksinës.

Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë në fillim të marsit një urdhër që detyron importuesit e miellit të pajisen me këtë analizë, ku janë njoftuar të gjitha subjektet që merren me prodhimin dhe tregëtimin e miellit.

“Deri në momentin që ata të sjellin analizën nga Prishtina, ngarkesat do të jenë të bllokuara. Edhe në rast të marrjes së fletës të analizës, ne me këtë kontigjent kemi detyrimin që të kryejmë proçedimet ligjore dhe të marrim masa për analizë. Deri në ardhjen e përgjigjes, subjekti nuk ka të drejtë të tregtojë këtë kontigjent”, deklaroi Bilbil Myftari, drejtor i AKU-t në Kukës.

Bllokimet në doganën e Morinës kanë nisur paradite dhe janë ndalur dy ngarkesat e para me 60 tonë miell dhe e dyta me 75 tonë miell. Kamionët me miell i përkasin kompanisë kosovare “M-Sillos”.

Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani, sipas tyre, është afër 2 mijë ton. Vendi i origjinës së miellit që vjen në tregun kosovar e më pas në atë shqiptar është Serbia.(TCH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 March 2013 16:50

Durrës – Një sasi e konsiderueshme qumështi shqiptar nuk është lejuar të futet në territorin e Kosovës, autoritetet doganore të së cilës e kanë kthyer mbrapsht dhe pikërisht në doganën e Durrësit ku janë kryer dhe procedurat e eksportit të saj.

Drejtues të doganës bënë të ditur se sasia e qumështit, sipas palës kosovare, nuk ka qenë e pajisur me fletë-analizat e nevojshme dhe konkretisht me certifikatën e aflatoksinës në këtë produkt, raporton TCH.

Pas kthimit, sipas kryedoganierit të Durrësit, do të jenë autoritetet përkatëse që do të vendosin për asgjesimin ose jo të sasisë prej 23 tonësh të qumështit prodhim shqiptar. Ndërkohë, pas skandalit mbi praninë e lartë të substancës së dëmshme të aflatoksinës në qumësht, Ministria shqiptare e Bujqësisë mësohet se ka nxjerrë një urdhër që detyron të gjithë importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tij të kenë pjesë të dokumentacionit edhe certifikatën e aflatoksinës, prania e së cilës në nivele të larta njihet si shkaktar i sëmundjeve të rënda në organizmin e njeriut.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 16:00

Prishtinë – Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk e deklaroi asnjëherë nivelin e aflatoksinës të konstatuar në disa produkte të qumështit të tregtuara në Shqipëri, apo edhe të destinuara për eksport.

Analizat u kryen jashtë vendit, në një laborator të specializuar dhe vërtetuan se niveli i aflatoksinës ishte dy apo tre herë më i lartë sesa norma që ka vendosur Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë thanë se megjithatë produktet janë të sigurta dhe se kjo normë në të gjitha rastet është deri në 8 herë më e ulët se ajo që zbatohet në SHBA për të njëjtën sasi qumështi.

Kjo deklaratë për kreun e shoqatës së konsumatorëve, Altin Goxhaj, nuk është aspak garanci për të qetësuar publikun, përkundrazi.

“Kemi një problem me transparencën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që nuk ka bërë asnjë lloj prezantimi të fletës së analizave të marrë në Itali. Unë kur të shoh atë formular do të jem i qetë, pa e parë atë, janë vetëm fjalë zyrtarësh“, thotë Goxhaj.

Por, drejtori i AKU-së, Artan Gjergji, pohon se ndjeshmëria e lartë mbi çështjen e bën autoritetin të mbajë të censuruar informacionin mbi nivelin e aflakoksinës.

“Nuk dua të hyj në detaje që kanë lidhje me çështjen e qumështit, është shumë sensitive“, shprehet Gjergji.

Por, niveli i aflatoksinës në qumësht nuk është i vetmi problem.

Opozita në disa dalje publike deklaroi se qeveria duhet të japë garanci edhe për nënproduktet e qumështit, nëse ato janë apo jo të rrezikshme për shëndetin.

Drejtori i AKU-së thotë se edhe për këto produkte ka nisur një inspektim i gjerë, dhe vetëm në Tiranë gjatë këtyre ditëve janë ushtruar të paktën 200 kontrolle.

“Është ngritur një grup pune nga ana e ministrit të Bujqësisë, që ka shqyrtuar gjithë opsionet e mundshme se nga vjen një element i tillë(aflatoksina). Po punohet, janë identifikuar disa lloj produktesh për të cilat është marrë masë, janë bllokuar“, bën të ditur Artan Gjergji.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së konsumatorit, Altin Goxhaj, thotë se Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit ka lënë jashtë rrezes së inspektimit, burimin nga gjeneron problematika me ushqimin, fermat.

“Shumë fermerë edhe nga injoranca i bëjnë produktet shumë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve, nga ana tjetër etja për fitim është një nga arsyet kryesore. Por ndërkohë, çfarë bën komuna, çfarë bën Qarku, Ministria e Bujqësisë, AKU? Nuk bëjnë asgjë! Nuk ka një program informimi dhe trajnimi të fermerit shqiptar, që t’i detyrojë ata të plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore“, thekson Goxhaj. 

Pas problemit të evidentuar me disa produkte të qumështit, Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit u akuzua dhe për mungesë të kapaciteteve të vlerësimit të riskut.

Kjo nënkupton hartimin e një baze të dhënash të plota për subjektet që abuzojnë duke tregtuar ushqime të dëmshme për shëndetin.

Drejtori i AKU-së thotë se ky projekt do të përfundojë shumë shpejt por pa dhënë ndonjë afat.

“Ne jemi në fazën e dytë të zbatimit të projektit të BE-së, pra jemi duke hedhur të dhënat e tre viteve presim që deri nga vjeshta e këtij viti kjo fazë të mbarojë në mënyrë për të kaluar tek pjesa e përgatitjes së raporteve lidhur me analizën e riskut“, shprehet Gjergji.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 16:24

Tirane – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka publikuar rezultatet përfundimtare të analizave të qumështit me alfatoksinë, të zhvilluara në laboratorin e Breshias, në Itali.

Përmes një njoftimi për shtyp, AKU ka bërë të ditur se qumështi shqiptar përmban norma të ulëta alfatoksine që nuk përbëjnë asnjë rrezik për shëndetin e konsumatorit.

“Analizat e laboratorit italian konfirmojnë se qumështi është i cilësisë së lartë. Rezultatet e analizave të laboratorit në Itali janë njësoj me ato të laboratorit në Shqipëri. Shumica e Kampioneve të analizuara nxorrën nivel më të ulët të alfatoksinës se norma e BE-së”, ka deklaruar AKU.
Sipas njoftimit, niveli i alfatoksinës në qumështin shqiptar është gjithashtu 7-8 herë më i ulët se në Shtetet e Bashkuara. Ajo prania e ulët e alfatoksinës në disa kampione është e karakterit sezonal dhe ka ardhur nga kafshët.

“Garantojmë konsumatorin se qumështi nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin”, ka nënvizuar më tej AKU, duke njoftuar edhe heqjen e pezullimit për tregtimin e qumështit dhe produkteve të bllokuara deri tani.

Alarmi për qumështin bëri që qeveria shqiptare të përplasej me atë kosovare. Tirana zyrtare deklaroi të hënën se alarmi për praninë e alfatoksinës ishte dhënë qëllimisht nga autoritetet kosovare për efekt konkurrence.

Nga ana e saj Prishtina nuk u tërhoq dhe deklaroi se së shpejti do të bëjë publike rezultatet e “superanalizës”, që sipas saj do të konfirmojnë shqetësimet për produktet shqiptare.

Si u ngrit alarmi vetëm mbi dyshimet që hodhën specialistët kosovarë

Më 22 shkurt mbërriti nga Kosova informacioni se disa parti të disa markave të qumështit prodhim shqiptar rezultuan me nivel të aflatoksinës shumë më të lartë se norma e lejuar e Bashkimit Evropian.

Lajmi u publikua menjeherë në media, ndërkohë që ishte njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për bllokimin nga Kosova të një sasie qumështi.

Menjeherë pas kesaj Ministria e Bujqesise reagoi nëpërmjet një deklarate per shtyp, ku theksoi se bllokimet e bera nga AUV ne Kosove jane ende ne proces analizimi. Tre ditë më vone, Ministria e Bujqesise dhe AKU mblodhën mostra te qumeshtit, per t’i analizuar prane Institutit të Sigurise Ushqimore dhe Veterinare ne Tirane për të verifikuar rezultatet e Kosovës, ndonëse u hodhen dyshime se ne kete laborator nuk kishte reagente.

Nje dite me pas drejtori i AKU-së del ne konference per shtyp, ku deklaron se pas analizave te bera ne Institutin e Sigurise Ushqimore dhe Veterinare ne Tirane, sasia e Aflatoksines ne qumesht rezultoi e njejte si ne Kosove, mbi normat e lejuara te BE-se.

Por ne asnje rast nuk u publikua niveli i aflatoksines dhe niveli se kur ajo përbënte rrezik për jetën e konsumatorit.Analizave iu nënshtruan vetëm markat e dyshuara në Kosovës dhe jo të gjithë llojet dhe as nënproduktet e qumështit. Mostrat e qumështit të këtyre markave u nisen per t’u analizuar ne laboratorine e akredituar ne Breshia te Italise.

Ndonese ne kushte dyshimi iu kerkua subjekteve, që në mënyre vullnetare të tërhiqnin nga tregu produktet e dyshuara, ndërsa një ditë më pas Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një urdhëresë ndaloi konsumin e qumështit ne çerdhe dhe kopshte.

Këto alarme bënë që konsumatorët të braktisnin përdorimin e këtyre markave të qumështit, ndërsa pasojat mbërritën jo vetëm në fabrikat e përpunimit, por edhe në fermat blegtorale, ku qumështi mbeti stok.

Sipërmarrësit deklaruan se kjo bëhet për arsye konkurrence dhe se autoritetet nuk duhet të japin alarme pa patur në dorë prova që tregojnë dëmin në shëndetin e konsumatorit.

Ende pa përgjigjet e analizave nga Italia, Ministria e Bujqësisë nxorri disa ekspertë për të qetësuar tregun, të cilën thanë se qumështi nuk është i dëmshëm. Sipas tyre, sasia e Aflatoksinës në të është më e lartë se standardet e Bashkimit Europian, por është shumë larg nivelit që përbën rrezik për shëndetin.

Madje u tha se niveli i Aflatoksines eshte i njejte ne te gjitha llojet e qumeshtit qe prodhohet ne Ballkan, pra mbi nivelin e lejuar të Bashkimit Europian dhe se SHBA e ka normën e lejuar 10 herë më të lartë.(TCH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 13:29

Tiranë – Ministria e Shëndetësisë deklaron se deri më sot nuk ka të dhëna që të konfirmojnë se në Shqipëri është konsumuar qumësht i kontaminuar. Megjithatë ministria ka nisur hetimin epidemiologjik dhe mostrat qumështit do të dërgohen deri në laboratorin superior në Romë për të verifikuar nivelin e aflaktosinë.

Pëllumb Pipero, Drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë dha sot një konferencë për shtyp, në të cilën theksoi se në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë për konsum qumështi të kontaminuar, që të shfaqë patologji të rënda. 

‘Aflaktoksinat janë toksina që prodhohen nga kërpurdhat; ndër to, njëra është më toksike dhe quhet aflaktosina B1. Ato rriten në ushqimet e mykura që konsumojnë bagëtitë, përfshirë lopët dhe shkaktojnë cerozë apo kancer nëse qumështi konsumohet për një kohë të gjatë. E theksojmë, për një kohë të gjatë, sepse doza e tyre është shumë e vogël në qumësht dhe rastet e helmimeve të tilla janë shumë të rralla”, tha Pipero në konferencë.

Nga pikëpamja epidemiologjike- shtoi Pipero, -do të hetohen rastet me cerozë dhe kancer nëse kanë lidhje me këtë çështje, duke mos përjashtuar hetimin epidemiologjik më të gjerë. Mostrat e tregtuara do t’i çojmë në Itali për analiza të thella, në laboratorin superior të Romës. Qumështi i atyre subjekteve që u publikuan, nuk do të konsumohet më dhe hetimi do të vazhdojë. Do hetohet se ku është tregtuar ai qumësht, cila është gjeografia e shpërndarjes së tij, ku është konsumuar dhe në ato grupe popullate, konsumatore të tij, do të merren analizat.

Dy prej llojeve të qumështit që janë bllokuar janë “Primalat” dhe “Fast”. Sipas njoftimit të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës janë bllokuar këto lloje produktesh: 

1. Qumësht “MEGGLE” 3.2% me datë të skadencës 23.06.2013 me origjinë nga BIH, 

2. Qumësht “Fast” 3.5% me datë skadence 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria 

3. Qumësht “Primalat” me origjinë nga Shqipëria, si 3.8% Data e sakadencës 05.08.2013 , Qumësht Primalat 1.5% ds. 10.03.2013, Qumësht Primalat 1.6% data sk. 04.04.2013 si dhe Qumështi Primalat 3.5 te dt. Skadencës 01.08.2013, 

4. Qumësht ZOTT 3.5% me datë skadence 10.06.2013 me origjinë nga BIH të cilat kanë qenë me data skadence të ndryshme si: 10.06.2013, 25.06.2013 20.05.2013, si dhe qumësht me 0.5% yndyrë me dt. Sakdence 05.07.2013 dhe qumësht 2.8% me datë skadence 05.07.2013 

5. Qumështi Dukat 2.8% yndyrë me datë skadence 12,05,2013 dhe Qumështi Dukat për kafe të gjitha seritë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 14:45

TIRANE – Autoriteti i Kontrollit te Ushqimit ka deklaruar se analizat paraprake per kontrollin e alfatoksines ne qumeshtin e prodhuar ne vendin tone, e bllokuar nga agjencia e Kosoves, tregojne per prani te alfatoksines mbi normat e lejuara.

Duke pranuar pas analizave se  qumështi i bllokuar në Kosovë rezulton pozitiv në Aflatoksin, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit urdhëroi heqjen e produkteve nga tregu, deri në shqyrtimin e analizave përfundimtare të qumështit.

Kontrolli erdhi pas vendimit te marre pak ditë më parë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUV) e cila hoqi nga tregu disa lloje të qumështit shqiptar. Kjo agjenci u ka kërkuar qytetarëve që të mos i blejnë këto produkte qumështi.(LajmeShqip.com)