Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:55

Ky studim, që publikohet nga “Gazeta Shqiptare”, u hartua nga një kolonel dhe dy nënkolonelë në reserve. Aty sugjerohet miratimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve. Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe e Mbrojtjes, është një institucion në varësi të ministres së Mbrojtjes. Studimi i tre ushtarakëve të lartë i përket dhjetorit 2013.

PROJEKT NË FUSHËN E MBROJTJES MIDIS RSH DHE RK

PËRMBAJTJA

A. Ideja e Projektit Studimor

“Non-Paper”

B. Fushat e projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit

1. Projekti i arsimimit dhe trajnimit të personelit ushtarak dhe civil dhe studimeve master dhe doktoraturë.
2. Projekti në fushën e Emergjencave Civile.
3. Projekti i një njësie të përbashkët për misione të paqes.
4. Projekti për stërvitje të përbashkëta midis njësive/ekipeve për operacione të mbështetjes së paqes.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH.
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes.

A. IDEJA E PROJEKTIT STUDIMOR “NON-PAPER”

Dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë dy vende të vogla të rajonit të Ballkanit. Na bashkojnë shumë gjëra së bashku: historia, kultura, vlerat, gjuha, perspektiva, afërsia gjeografike, dhe shumë vlera të tjera. Për këto e shumë arsye të tjera, kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë, sepse kemi interesa strategjike të përbashkëta.

Nga ana tjetër, kapacitetet njerëzore, financiare dhe materiale të shteteve tona janë të kufizuara, dhe shpesh jo të menaxhuara me efektivitetin e duhur.

Ka ardhur koha të vendosim marrëdhënie në nivelin më të lartë për të mirën e dy vendeve tona.

Jemi në kohën e duhur që Shqipëria dhe Kosova të zyrtarizojnë një marrëveshje të partneritetit strategjik të ratifikuar nga dy parlamentet tona.

Kjo marrëveshje mund të përfshijë fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, tregtisë, transportit, energjisë, turizmit, kulturës, por edhe fushën e diplomacisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Synimi i saj duhet të jetë lehtësimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të përshpejtuar të dy vendeve tona, sipas parimit që, ato gjëra që nuk i bëjmë dot veç e veç mund t’i bëjmë së bashku, duke prodhuar sinergji dhe kursyer resurse të nevojshme.

Kjo “Non-Paper” trajton një frymë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Takimi i dy qeverive është një rast i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën për një këndvështrim të ri, në planin e bashkëpunimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e mbrojtjes.

Përtej aktiviteteve tradicionale që janë zhvilluar deri tani midis institucioneve të mbrojtjes të të dyja vendeve, duhet të kalojmë në një fazë më të avancuar të zbatimit të projekteve të përbashkëta me interes reciprok në fushën e mbrojtjes.

Formati i bashkëpunimit duhet të bazohet në formatin e “smart defence” apo “pooling and sharing” të disa kapaciteteve, aty ku ekzistojnë mundësia dhe vullneti politik.

Shumë nga fushat e bashkëpunimit që janë sensitive për shkak të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të mosnjohjes përfundimtare të RK nga kjo organizatë, mund të lihen për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, siç janë ato për zhvillimin e kapaciteteve luftarake të përbashkëta (combat).

Projektet e tjera që kanë pak ose aspak sensivitet dhe që lidhen me aktivitete joluftarake (non-combat), mund të konceptohen qysh tani dhe të zbatohen në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

(GSH)

 

 
Lajme Shqip Sunday, 13 April 2014 11:04

Në kohën që Ministri i Financave Shkëlqim Cani ndodhet në Uashington për takimet me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, zbardhet memorandumi mes qeverisë Shqiptare dhe FMN-së në lidhje me marrëveshjen e huasë prej 331 milionë euro, kësti i parë i të cilës do të lëvrohet javën që vjen. Në memorandumin me 53 pika janë specifikuar të gjithë sektorët ku duhet të punojë fort qeveria shqiptare si dhe të gjitha reformat që duhet të ndërmerren për të paktën tre vitet e ardhshme. Në asnjë pikë të marrëveshjes nuk janë parashikuar kushte mes palëve, por janë përcaktuar qartë objektivat që duhet të përmbushë qeveria shqiptare si dhe asistenca teknike dhe financiare do të ofrohet nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar brenda afatit të “kontratës”.

Memorandumi

 Ulja e borxhit publik, ulja e deficitit fiskal, reforma në sistemimin e pensioneve dhe në atë energjetik, mbrojtja e shtresave në nevojë dhe konsolidimi i politikës fiskale, ulja e kredive të këqija dhe politika monetare për garantimin e likuiditet nga sistemi bankar janë zotimet kryesore që ka ndërmarrë qeveria shqiptare para institucionet më të rëndësishëm financiar ndërkombëtar. Gazeta “Shekulli” zbardh memorandumin me 53 pika ku përveç një panoramës për çdo sektor për dy vitet që lamë pas janë pasqyruar edhe angazhimet për tre vitet e ardhshme.

 Politika e Shpenzimeve

 Një seksion i veçantë në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar i është kushtetuar poli-  tikave të shpenzimeve. Në këtë kapitull janë përcaktuar saktësisht dy objektiva kryesorë: i pari është ngritja e një Komisioni për Reformën e Pensioneve për të projektuar një strategji për këtë sektor, e cila duhet të përfundonte në fund marsit të këtij vit, ku është parashikuar reformimi i sistemit të pensioneve dhe në pikën e dytë është parashikuar që Këshilli i Ministrave të aprovojë një strategji të reformës së pensioneve në fund të dhjetorit të vitit 2014. 

Kriteret e performancës

Një nga kriteret e performancës që duhet të përmbushë qeveria shqiptare është vënia nën kontroll e borxhit publik. Sipas memorandumit, borxhi i jashtëm përcaktohet në pajtim me kriterin e rezidencës. Termi “borxh” do të kuptohet të ketë kuptimin e një detyrimi faktik, d.m.th., jo rastësor, të krijuar nga një angazhim kontraktual nëpërmjet dhënies së vlerës në formën e aseteve duke përfshirë monedhën ose shërbimeve, dhe që kërkon që debitori të bëjë një ose më shumë pagesa në formën e sendeve pasurore (duke përfshirë monedhën) ose shërbimeve, në një moment apo disa momente të caktuara në një kohë të ardhme; këto pagesa e shlyejnë principalin dhe/ose interesat  që kanë ndodhur sipas kontratës.

Borxhet mund të marrin një numër formash, ku kryesorët janë: huatë, d.m.th., paradhënie parash dhënë debitorit nga huadhënësi që bëhet mbi bazën e një angazhimi që debitori do të shlyejë fondet në të ardhmen duke përfshirë depozitat, obligacionet, dëftesat e borxhit, huatë tregtare ose kredi të blerësit dhe shkëmbimet e përkohshme të sendeve pasurore që janë të barasvlershme me huatë tërësisht të vëna kolateral sipas së cilës debitorit i kërkohet të shlyejë fondet dhe zakonisht të paguajë interes, duke riblerë kolateralin nga blerësi në të ardhmen. Kreditë e furnitorëve, d.m.th., kontratat ku furnitori lejon debitorin të vonojë pagesat deri në një kohë pas datës të së cilës mallrat dorëzohen ose shërbimet jepen dhe dhëniet me qira, d.m.th., masa sipas të cilave pasuria jepet dhe qiramarrësi ka të drejtën të përdorë për një ose disa periudha të specifikuara kohe që janë zakonisht më të shkurtra se jetëgjatësie e pritshme e shërbimit të pronës. Për qëllimet e programit, borxhi është vlera e tashme (në fillim të qirasë) e të gjitha pagesave të qirasë që priten të bëhen gjatë periudhës së marrëveshjes duke përjashtuar ato pagesa që mbulojnë operacionin, riparimin ose mirëmbajtjen e pronës.

 Miratimi i marrëveshjes, përplasja qeveri-opozitë 

Në ditën e miratimit të marrëveshjes Qeveri-FMN në parlament, më 3 prill 2014, Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se marrëveshja nuk do të sjellë rritje të taksave apo barrës fiskale në tërësi ndaj qytetarëve, ndërsa opozita e konsideroi atë produkt të dështimit dhe paaftësisë së Qeverisë dhe skllavëruese për qytetarët dhe vetë ekonominë. “Nuk do të rriten taksat, nuk do të ulen pagat, nuk do të ulen pensionet”, deklaroi Cani. I menjëhershëm ishte reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha. “Besoni se shqiptarët do të besojnë mashtrime të tilla, se ua keni ulur taksat? Po ky është cinizmi më ekstrem. Besoni se shqiptarët do t’ju duartrokasin që zotoheni, që për çdo biletë udhëtimi do t’i tatoni; se zotoheni të rrisni nga 50 për qind taksën për makinat e përdorura; se i zotoheni njerëzve më të lodhur në Europë t’ua zgjasni pensionin në 67 vite”, reagoi deputeti demokrat Sali Berisha. Opozita tha se marrëveshja do të ketë pasoja shkatërruese në ekonomi për shkak të kushteve, sipas saj të rënda që FMN i ka vendosur qeverisë nga mosbesimi ndaj saj.  

Raportimi i qeverisë për FMN-në  

1.Tabelën përmbledhëse fiskale, duke përfshirë deficitin e përgjithshëm të buxhetit, me bazë likuiditeti të modifikuar;

2. Lëshimin e bonove të thesarit nga Ministria Financave, duke përfshirë vlerën bruto dhe likuiditetin e marrë; 3. Faturat e privatizimit; 4. Informacion për kontraktimin dhe garantimin e borxhit të ri;

5. Informacion për stokun e borxhit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë; 6. Informacion për grantet zyrtare  për projektet ose për qëllime të mbështetjes së buxhetit;

7. Informacion për stoqet e prapambetjeve të shpenzimeve të identifikuara në Strategjinë e Parandalimit dhe Shlyerjeve të Prapambetjeve, dhe përparimin në shlyerjen e prapambetjeve; 8. Informacion mbi akumulimin e prapambetjeve të reja në ministritë e qeverisë qendrore; 9. Informacion mbi zbatimin e kontrolleve më të fuqishme të prokurimit dhe angazhimit. 

 Memorandumi i Politikave Ekonomike dhe Financiare

Ky Memorandum parashtron programin ekonomik të Qeverisë së Shqipërisë, duke theksuar reformat politike dhe strukturore që do të ndërmerren nga qeveria për periudhën në vazhdim me mbështetjen e FMN-së. 1. Do të reduktojmë problemet e lidhura me borxhin duke i vendosur financat publike mbi një bazë të qëndrueshme. 

2. Do të ulim pasigurinë e trashëguar për bizneset dhe konsumatorët. 3. Do të përmirësohet qëndrueshmëria ekonomike në planin afatmesëm dhe afatgjatë. 

4. Rritje të kërkesës së brendshme.

 5. Përmirësimi i sektorit financiar. 

6. Ulje të Deficiti fiskal.

 7. Llogaritjet paraprake të stogut total të pagesave të prapambetura. 

8. Konsolidim fiskal për të vendosur financat publike mbi një bazë të qëndrueshme ulje e borxhin publik. 

9. Konsolidimi afatmesëm fiskal do të jetë gjithashtu çelësi për arritjen e qëndrueshmërisë fiskale. 

10. Ne synojmë një deficit fiskal prej rreth 4.0 për qind të GDP-së në vitin 2014. 

11. Buxheti i vitit 2014 përfshin disa masa politikash për mbështetjen e konsolidimit fiskal.

 12. Ne do të zbatojmë iniciativa për lehtësimin e barrës së rregullimit fiskal për individët dhe bizneset e vogla. 

13. Buxheti i vitit 2014 përfshin një kontingjencë në rast të mungesave të të ardhurave. 

14. Përmirësimi i administratës tatimore do të jetë i rëndësishëm për realizimin e objektivave të programit. 15. Për bizneset ndaj të cilave qeveria ka detyrim shuma të papaguara të prapambetura, ne do të kontrollojmë të dhënat e pagesave tatimore dhe do të llogarisim neto borxhin tatimor nga pagesat e prapambetura që ata marrin. 

16. Do të fillojmë përgatitjet së shpejti për të kaluar tek taksa e pronës e bazuar në vlerësim deri në vitin 2015. 

17. Reforma në Administratën Publike është pikë kryesore e axhendës sonë politike. 

18. Reforma e pensioneve është një prioritet kyç afatmesëm. 

20. Ne planifikojmë gjithashtu  të fillojmë një përpjekjegjithëpërfshirëse për reformën e qeverisjes vendore. 21. Finalizimi i projekteve infrastrukturore në vazhdim është prioriteti ynë kryesor.

 22. Prioriteti ynë parësor është përmbushja e detyrimeve të pagesave qeveritare dhe shmangia e detyrimeve të reja. 

23. Shlyerja e pagesave të prapambetura do të udhëhiqet nga një strategji e likuidimit dhe parandalimit transparent dhe gjithëpërfshirës. 

24. Ne jemi të angazhuar për shmangien e grumbullimit të pagesave të prapambetura. 

25. Do të përmirësojmë procedurat e raportimit dhe aprovimit për urdhrat e prokurimit. 26. Ne jemi duke planifikuar kryerjen e disa përmirësimeve shtesë në menaxhimin financiar publik në vitin 2014.

 27. Ne planifikojmë fillimin e prezantimit të kufijve të angazhimeve financiare me buxhetin e vitit 2015 28. Për të monitoruar ndonjë grumbullim të ri potencial të pagesave të prapambetura. 

29. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të ruajtur stabilitetin e çmimeve sipasnjë kuadri të synuar nga inflacioni. 30. BSH mbetet e angazhuar ndaj një regjimi të lirë të shkëmbimit valutor tëluhatshëm. 31. Instrumenti kryesor i politikës monetare do të vazhdojë të jetë norma një javore emarrëveshjes së riblerjes. 32. BSH do të monitorojë nga afër situatën në sektorin bankar për të garantuar se do të mbetet e mirë-kapitalizuar dhe likuide. 

33. Ulja e Kredive të Këqija është një prioritet dhe BSH do të fokusohet në masatpërkatëse dhe do të garantojë forcimin e standardeve për huatë e reja. 34. Do të rishikohet Ligji mbi Falimentin. Ligji aktual është i pamjaftueshëm,veçanërisht në lidhje me caktimin e afateve për procesin dhe likuidimin e pronës. 35. Qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë të forcojë kuadrin e saj makro-prudencial.

 36. BSH do të përmirësojë më tej instrumentet e saj për testimin e defekteve. 37. Qeveria e Shqipërisë planifikon marrjen e masave që do të lehtësojnë zhvillimin e tregut dytësor për letrat me vlerë  qeveritare. 38. Ne do të forcojmë gjithashtu kuadrin rregullator për sektorin financiar jo-bankar. 

39. Për të fuqizuar bashkërendimin e politikës makroekonomike, ne kemi ndërmarrë hapa për të institucionalizuar këtë bashkëpunim. 40. Klima e Biznesit është një faktor i rëndësishëm në fuqizimin e investimeve.

 41. Do të ndërmarrim një vlerësim të plotë të kuadrit rregullator për biznesin për agjendën afat-mesme. 42. Një reformë e procedurave të regjistrimit të biznesit do të ketë prioritet të lartë.

43. Ne gjithashtu planifikojmë një sërë reformash në sektorin bujqësor, që ne besojmë që ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar. 

44. Për mbrojtjen sociale, qeveria përpiqet të përmirësojë barazinë dhe efikasitetin e sistemit. 45. Ne po zhvillojmë një iniciativë për të plotësuar përfitimet sociale me trajnimprofesional me qëllim që të aftësohen përfituesit për të gjetur punë. 

46. Task Forca për reformën e sektorit të energjisë dot ë zhvillojë një strategji afatmesme, në bashkëpunim me Bankën Botërore. 47. Masat administrative janë planifikuar për të ulur humbjet e sistemit dhe të zgjerojnë bazën e paguesve të faturave. 49. Përfundimisht, ne planifikojmë të përmirësojmë rrjetin e shpërndarjes së energjisë për të rritur sigurinë e furnizimit dhe pakësuar humbjet. 

50. Ne parashikojmë një agjendë të plotë për reformën arsimore dhe asaj në shëndetësi 51. Ne planifikojmë të fillojmë një rishikim të plotë të kuadrit ligjor të Integrimi Europian në pajtim me rekomandimet e Raport Progresit të Komisionit Europian. 

52. Përmirësimi i shkëmbimit të të dhënave ndërmjet agjencive është një prioritet meqëllim përmirësimin e afateve besueshmërisë të llogarive kombëtare dhe statistikave te tjera makroekonomike. 

53. Programi do t’u nënshtrohet rishikimeve tremujore për pesë rishikimet e para dhe gjysmëvjeçare pas tyre, bazuar në kriteret e performancës, objektivat tregues dhe objektivat strukturore./shekulli/               

 
Lajme Shqip Thursday, 03 April 2014 12:05

Këshilli i Ministrave miraton shpërndarjen e fondit për bashkësitë fetare për vitin 2014. Për këtë vit ky fond i akorduar nga buxheti i shtetit për komunitetet fetare në Shqipëri, është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke kapur vlerën 109 milionë lekë.

Këto para shkojnë për mbarëvajtjen e funksionimit të bashkësive fetare. Kështu, në zbatim të ligjit “Për Financimin nga Buxheti i Shtetit të Bashkësive Fetare Tradicionale që kanë Nënshkruar Marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, qeveria shqiptare miratoi buxhetin që i akordon 31.416.000 lekë Komunitetit Mysliman; 25.872.000 lekë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; 25,872,000 lekë Kishës Katolike; dhe 25,740,000 lekë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. 

Sipas njoftimit të ministrisë së Mirëqenies Sociale, “Komiteti Shtetëror për Kultet, në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është institucioni i ngarkuar për planifikimin, ndjekjen e procedurave, transferimin dhe mënyrën e përdorimit të fondeve shtetërore të planifikuara për t’iu ndarë bashkësive fetare në vendin tonë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 14:03

Tre kandidatët e rinj për ambasadorë po zhvillojnë sot një seancë dëgjimore në  Komisionin e Politikës së Jashtme. Anëtarët e grupit demokrati i kanë kundërshtuar kandidaturat që në nisje të mbledhjes. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi se 6 prej 11 ambasadorëve të rinj janë emëruar jashtë sistemit. Sipas tij, sistemi ka rënë, pasi 6 ambasadorët janë kandidatura politike.

Por nga ana tjetër ka reaguar kryetarja e komisionit Arta Dade, e cila i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Bumçit. Sipas saj, “nuk është e vërtetë që kandidaturat janë jashtë sistemit. Ata kanë lidhje me marrëdhëniet diplomatike”, tha ajo. Dade shtoi më tej se, “ligji lejon që 20% të jenë kandidatura jashtë sistemit”.

Ndërsa, deputeti i PD-së, Kastriot Islami, u shpreh kundër kandidaturës së Ardian Ndrecës për në Vatikan. “E ka quajtur presidentin si ‘ulok moral’”,- tha Islami. Ndërkohë, Ndreca ka reaguar duke thënë se, ka qenë njeri privat, i lirë dhe kritik me presidentit për shkak të këshilltarit, Leka Zogu. 

Në komision do të përgjigjen sot kandidati për ambasador në Kosovë, Qemal Minxhozi, në Maqedoni Petrit Bushati dhe në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, Ardian Ndreca. 

Emrat e propozuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe të miratuar nga kryeministri Edi Rama, pritet t’i kalojnë Presidentit të Republikës për të marrë miratimin final me dekret.

 
Lajme Shqip Thursday, 16 January 2014 11:06

Ora nuk ka shkuar ende 9 e mëngjesit, por njerëzit kanë nisur të përshkojnë oborrin e selisë së Partisë Socialiste. Një nga një paraqiten në hyrje të selisë me shqetësim në fytyrë, por dhe në zë. Kërkojnë të takojnë një ministër. Janë të paduruar të marrin sqarimin nga zonja e Informacionit që si përherë, është e para që pret çdo qytetar që paraqitet në zyrat e selisë rozë. “Duam të takojmë ministrin, dua të takojmë ndonjë deputet”, është kërkesa e tyre, po pa saktësuar se cilin nga të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Për ta mjafton që të jetë dikush nga mazhoranca që të dëgjojë hallin e tyre, tu japë një zgjidhje. Zonja e informacionit i sqaron me radhë, secilin prej tyre, për procedurën, ndërsa u tregon dhe njoftimin e ngjitur në xham. “Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se takimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të zhvillohen në selinë e Partisë Socialiste në katin e IV, çdo ditë sipas këtij orari: e hënë – e premte ora 16:00 – 18:00 dhe e shtunë ora 11:00 – 13:00. Jeni të lutur të plotësoni formularin për takimin, që gjendet pranë recepsionit”, – thuhet në njoftim. Qëndroj ende aty ndërsa orët kalojnë dhe të tjerë njerëz drejtohen tek selia. Duke shpejtuar të mbyllnin çadrën që i kishte mbrojtur nga shiu, disa madje dhe krejt të larguar, drejtohen tek dera për të hyrë brenda. Por jo të gjithë ishin ‘me fat’ për të lënë një takim me ministrin. Në 2-orëshin e takimit të paracaktuar jo të gjithë mund të kenë mundësi të takojnë përfaqësuesin e kabinetit “Rama”. “Me vjen keq, por lista është mbyllur për sot. Ka përfunduar që në orën 9”, njofton zonja e dezhurnit të Informacionit, ndërsa ora shënonte 11:30. Mësojmë se sipas një procedure të caktuar nga strukturat e organizimit të Partisë Socialiste, çdokush që dëshironte të takonte një anëtar të kabinetit qeveritar duhet të paraqitej në mëngjes, të plotësonte një formular ku shënonte emrin, mbiemrin, arsimin përkatës dhe një numër kontakti dhe më pas të paraqitej sërish pasdite për të zhvilluar takimin. 

Orari i takimeve 

Pasdite holli i selisë së PS-së është i mbipopulluar. Tashmë jo me 4-5, por rreth 20-30 persona janë mbledhur atje ndërsa akrepat e orës kanë kaluar pak minuta nga 16:00. Të gjithë të shqetësuar presin për të hyrë brenda që të takojnë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Kur afrohem dhe i pyes disa pohojnë se pasi kanë ardhur herët në mëngjes për të regjistruar emrin, tani presin radhën për të takuar ministrin. Por disa të tjerë thjesht kishin lexuar gazetat dhe pasi ishin informuar për takimin e pasdites, kishin rendur aty sapo ora shënoi 16: 00. “Duam të takojmë ministrin. Berisha dhe Basha na kanë lënë pa punë, kanë fituar dhe kanë ngrënë në kurrizin tonë”, – pohon një zonjë e cila refuzon të thotë emrin. Një tjetër person pohon se ai është pushuar nga puna që bënte në bashki. “Marangoz kam punuar, por dhe nga kjo punë më hoqi”, – pohon ai. Ndërsa ai po fliste dikush shfaqet në derë, “Takimet e parashikuara për sot shtyhen për të shtunën në orën 11:00 për shkak se ministri ka pasur shumë angazhime që nuk mund t’i linte dot”, njofton një djalë i ri. Të gjithë duken të pakënaqur, ndërsa nisin të largohen. Do tu duhet të presin dhe për disa ditë të tjera për t’i qarë hallin ministrit. Takimet në selinë rozë kanë nisur në zbatim të porosisë së kryeministri Edi Rama gjatë një nga mbledhjet e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. “Kërkoj nga secili prej jush që, pa humbur kohë, të vendosë kontaktin e pandërprerë me qytetarët përmes zyrës së deputetit dhe të mbajë në korrent qeverinë për sugjerimet apo kritikat në çdo zonë”, – ishte porosia e kryeministrit.

Takimet në seli, sot qytetarët i pret Bushati

Çdo qytetar që do të flasë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, mund të paraqitet sot në selinë e Partisë Socialiste. Si dhe në ditët e para, planifikimi i takimit nis me plotësimin e formularit në orët e para të mëngjesit për tu rikthyer sërish pasdite në orën 16:00 deri në orën 18:00. Zoti Bushati ashtu siç bëri dy ditë më parë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, do të presë qytetarët duke u njohur me shqetësimin e secilit prej tyre. Pasi të paraqitet problemi përkatës çështja mbahet shënim dhe do të përcillet në dikasterin që mund të ofrojë dhe zgjidhje. Kërkesa për punësim ka qenë kryefjala e qytetarëve në takimin e zhvilluar me ministren Nikolla por dhe në takimin e planifikuar me zotin Ahmetaj i cili u shty për ditën e shtunë. 

Të pushuarit nga Basha, kërkojnë zgjidhje te PS-ja

Të gjithë duan një vend pune, jo një punë në zyrë, por një punë të thjeshtë për të siguruar bukën e gojës. Kjo është kërkesa kryesorëve e qytetarëve që presin tek dera e selisë së Partisë Socialiste. Mes tyre është dhe Zydi Hasaj, i cili na tregon se e ka pushuar nga puna kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Me një shkresë në dorë dhe ai, po priste të takonte ministrin, edhe pse mësojmë se nuk kishte shënuar emrin në mëngjes për të rezervuar takimin. “Po pres të takoj ministrin, dua një vend pune. Basha më pushoi nga puna edhe pse isha një punëtor i thjeshtë. Ja dhe shkresa që më dha në dorë”, – pohon ai ndërsa na tregon një letër që në krye të saj shënon Bashkia e Tiranës. “Mbështetur në rregulloren “për organizimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e administratës së drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit”, miratuar me vendim të këshillit bashkiak nr. 31, datë 01.07.2014… si dhe bazuar në kontratën individuale të punës urdhëroj: Të ndërpriten marrëdhëniet e punës me zotin Zydi Hasaj, me detyrë bojaxhi pranë drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit, Bashkia Tiranë. Arsyeja e largimit nga puna është përfundimi i kontratës individuale të punës. Të ndërpriten marrëdhëniet financiare në datë 05.02.2012. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zyra e personelit, juristi dhe sektori ekonomik. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, -përfundon shkresa e firmosur nga përgjegjësi i zyrës së personelit në bashkinë e kryeqytetit, Neritan Kokomiri, jurisja Arlinda Pogaj dhe drejtori Alfons Meça. Zoti Hasaj ndërsa na tregon shkresën pohon se përveçse tashmë ka mbetur i papunë vijon të jetë i papaguar për 3 muaj që ka punuar si punonjës sezonal. “I kam kërkuar lekët e mia, por akoma nuk i kam marrë. Kam punuar 6 muaj në të zezë, kurse tani nuk kam më asnjë punë. Qiramarrësi më kërkon lekët se jam me qira. Dua të takoj ministrin të gjej një punë”, – shprehet ai. 

Zyrat e deputetëve, çdo fundjavë takime në zonë

Deputetët e Partisë Socialiste ishin të parët që nisën të zbatojnë urdhrin e Kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar takime me elektoratin. Sipas porosisë së veçantë të dhënë dhe të ripërsëritur dhe publikisht nga Rama, ligjvënësit socialistë kanë ngritur tashmë zyrat e tyre në zonat ku janë zgjedhur, ku kryesisht në fundjavë zhvillojnë takime me qytetarët. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, që kryesonte listën e kandidatëve për Tiranën, vijon çdo të mërkurë dhe të premte takimet në zonën e tij në Njësinë Nr. 5 në kryeqytet. “Në Njësinë 5 vazhdojnë takimet me organizatat e Partisë Socialiste. Ju faleminderit të gjithëve, sidomos ata që presin deri në orët e vona. Lista është e gjatë dhe tregues i një pune të palodhur në familjen e Njësisë 5. Nga muaji shtator çdo qytetar i Njësisë 5 ka pasur dhe ka dyert e hapura, çdo të mërkurë pas orës 5-së në zyrën e Partisë Socialiste tek Rruga “Komuna e Parisit” dhe çdo të premte pas orës 10 tek zyrat e Njësisë Bashkiake. Takimet mbyllen kur është takuar edhe qytetari i fundit”, – shkruan deputeti Majko në postim e tij në Facebook. Ndërsa deputeti i Librazhdit, Taulant Balla i zhvillon takimet çdo ditë të shtunë. “Çdo ditë të shtunë, pritje me popullin në zyrën time në Librazhd. Problematikat e shumta që ngrenë qytetarët do të ndiqen me përparësi”, – shkruan ai në Facebook. Alfred Peza, i zgjedhur për herë të parë si deputet, i fakton takimet me qytetarët në zonën e tij, duke publikuar foto në Facebook. “Jam i lumtur të njoftoj se mbajta premtimin që familja e Blerim Tabakut në komunën Shezë të Peqinit, ta kalojë Vitin e Ri 2014 në shtëpinë e re që i ndërtova me ndihmën e biznesit. Një atmosferë e jashtëzakonshme, ku festoi i gjithë fshati, nga fëmijët e deri te pleqtë. Një familje, pas 2 vjetësh jetese mesjetare në çadër, Rilindi”, – shkruan Peza në një nga këto postime./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 January 2014 13:26

Tiranë – Mbledhja e qeverive Rama-Thaçi, një skicë e arkitektuar nga Arbën Xhaferri

Mediet në Tiranë shkruajnë se mbledhja e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë si pikëreferimi platformën e quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” të Arbën Xhaferit, transmeton INA. 

Edi Rama dhe Hashim Thaçi do të takohen të shtunën së bashku me stafet e tyre ministrore në Prizren. Një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, por që realisht është një etapë, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptaro maqedonas Arbën Xhaferri në vitin 2007. Ai punoi dorëshkrimin e kësaj platforme të quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” duke qenë i pari që hodhi në formë doktrine krijimin e një zone të “Habitadit të bashkuar dhe të organizuar shqiptar”.

Platforma e Xhaferit parashikonte intensifikimin e bashkëpunimit në nivel politik, biznesi dhe unifikimin e politikave në çështje strategjike. Me pak fjalë u skicua ideja e bashkëjetesës së disa shteteve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. 

Arbën Xhaferi u nda nga jeta më 15 gusht 2012 në Tetovë..

 

 
Lajme Shqip Friday, 03 January 2014 15:44

Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës këtë muaj pritet të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët, e cila do të zhvillohet në qytetin e Prizrenit, ndërsa e veçanta e këtij takimi do të jetë formimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

“Me themelimin e këtij fondi duket se kryeministri shqiptar Rama do ta mbajë fjalën se nuk do t’i harrojë shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shkruajnë mediat e Kosovës. 

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e ka konfirmuar edhe i dyti i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai tha se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet javën e dytë të janarit, por nuk përmendi asgjë rreth fondit për Preshevën. 

Krijimi i këtij fondi është mirëpritur nga liderët politikë në Luginë, për analistët kosovarë shihet si një “kundërpërgjigje” e fondit serb në Kosovë. 

Për kryetarin e Asamblesë Komunale të Bujanocit, Jonuz Musliu, i cili njëherësh është edhe lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik, krijimi i këtij fondi është i vonuar por i mirëseardhur. “Më mirë vonë se hiç”, deklaroi Musliu, sipas të cilit, “ky fond mos të jetë vetëm për një vit por të ketë jetëgjatësi”. 

Përderisa veriu i Kosovës, sipas tij, e ka një fond të tillë që e ndanë Serbia, pse mos ta kenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që e ndanë qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. 

Sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme as nga Shqipëria e as nga Kosova. Ai ka thënë se ky fond duhet të legalizohet dhe të jetë i rregullt. 

Ndërkohë, sipas analistit Fadil Lepaja krijimi i këtij fondit do të dukej si një fond paralel, i ngjashëm me atë që Serbia tashmë e ka në Kosovë. 

Se çfarë synohet me këtë fond, dhe cilat do të jenë objektivat e tij, sipas tij, kjo nuk është e qartë ende, por përmendet ndihma për popullin e Luginës. 

“Unë mendoj se kjo megjithatë nuk do të jetë një “kundërpërgjigje” fondit serb në Kosovë, sepse ata nuk do e legjitimojnë asnjëherë këtë me norma ligjore ashtu si është vepruar në Kosovë. Pra, për mendimin tim krejt kjo paraqet një përpjekje për me e legjitimuar fondin serb në Kosovë, në njëfarë mënyre për të thënë se nuk është bërë asnjë lëshim parimor”, shprehet Lepaja. 

Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë presion politik bashkë me Kosovën, që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të rriten, dhe që Serbia të krijojë një fond të veçantë për ata, e jo të krijojnë fonde me objektiva të paqarta dhe për marketing politik. 

“Banorët e Luginës janë qytetarë te Serbisë, dhe atje paguajnë tatim. Nga kjo del e drejta e tyre që shteti serb të ndajë fonde të veçanta për zhvillimin e tyre. Rrëshqitja në veprime të pamatura politike mund të jetë një përshtatje dhe një legjitimim i kërkesave serbe për ndërrim territoresh. Shpresoj që “të dy qeveritë” ta kenë menduar mirë terrenin në të cilin po hyjnë”, ka thënë Lepaja, shkruan ‘Zeri’.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:13

Tiranë- Në dy muajt e parë të punës, ministritë kanë shpallur 35 tendera publikë, në vlerë totale 4.625.128 lekë apo e thënë ndryshe afro 46 mijë USD. Shuma modeste e shpenzimeve në raport me kabinetin paraardhës është një element që bie në sy por jo dhe aq referuar arsyeve që i kanë detyruar dikasteret të shpallin këto prokurime në kushtet kur kryeministri Rama përforcon gjithmonë e më shumë pretendimin se “arka e shtetit është bosh”. Rezultojnë katër ministri, respektivisht ajo e Brendshme; e Bujqësisë; Drejtësisë dhe e Financave, titullarët e të cilave i kanë nisur shpenzimet e fondeve të buxhetit të shtetit me blerje qumështi, kafeje, uji pa gaz, gota plastike deri dhe tek tabaka alumini, filxhanë porcelani e orendi të tjera për pritje-përcjellje si në rastin e ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që ministria e Mirëqenies Sociale; ajo e Financës; e Arsimit si edhe e Punëve të Jashtme, më shumë sesa blerjes së këtyre asortimenteve iu kanë kushtuar rëndësi shpenzimit të fondeve publike për blerjen e detergjentëve e materialeve të ndryshme të pastrimit, duke patur kësisoj në fokus të harxhimeve, higjenën brenda institucionit.
BILETA AVIONI
Dy nga 35 tenderat e parë publikë që bien në sy në raport me të tjerët lidhen me Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Veçantia e prokurimeve të shpallura prej dikastereve që ata drejtojnë lidhet pikërisht me faktin se janë shpenzime për udhëtime jashtë shtetit. Konkretisht ministri Veliaj ka shpenzuar nga fondet e buxhetit të shtetit afro 2 mijë USD për blerjen e një bilete avioni për itinerarin Tiranë-Boston; Boston-Tiranë, me nisje në datën 14 Tetor 2013 dhe kthim në datën 16 Tetor 2013. Arsyet e kësaj vizite nuk dihen. /gazeta shqiptare/

 
Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 10:43

Qeveria shqiptare do të nisë punën për zhvillimin dhe zbatimin e një prej reformave më të rëndësishme, për të cilat është angazhuar, me mbajtjen sot të Konferencës Kombëtare “Reforma administrativo-territoriale në Shqipëri”, një aktivitet i bashkëorganizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. 

Reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, e cila do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së efiçencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, si dhe fuqizimin e qytetarëve dhe komuniteteve. Reforma do të jetë një gur themeli për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2015. 

Në konferencë do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Florian Rauning dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, si dhe aktorë të tjerë të interesuar në këtë proces.