Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 12:12

Qeveria “Rama” i dërgon Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një letër me porosi për të hetuar me shpejtësi zyrtarët e mesëm të dyshuar për korrupsion dhe “peshqit e mëdhenj”. “Duhet rritje e numrit të çështjeve të hetuara, sidomos i hetimeve proaktive, për raste të evidentuara në nivelet e mesme dhe të larta të administratës shtetërore, të sistemit gjyqësor dhe zyrtarëve pa imunitet”, theksohet në këtë letër. Materiali prej 12 faqesh, i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, me rekomandime të posaçme në kuadër të marrjes së statusit në qershor, i është nisur prokurorit Llalla përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo është një përpjekje për të vënë në lëvizje sektorin hetimor, pikërisht kur Komisioni Europian kërkon shprehimisht “rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” dhe, kur mbetet një afat i ngushtë deri në diskutimin e statusit. Sipas shkresës, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet përgjithësisht i ulët. “Sfida afatshkurtër është që të ngrihen hetime proaktive si parakusht për vijueshmërinë e rezultateve të ndjekjes efektive penale në të gjitha nivelet, veçanërisht në ato fusha ku ekziston një perceptim i fortë publik për korrupsion”. Aty theksohet se, “Edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni; nga ndikimet, influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij”. 

Rekomadimet

 “Ministri i Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 54/1 të ligjit nr. 8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm, rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim, në luftën kundër kriminalitetit”. Përgatitja e këtyre rekomandimeve, është mbështetur në analizën e dokumenteve strategjikë qeveritarë dhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë (sidomos të Komisionit Evropian), që lidhen me çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Gjithashtu, në përgatitjen e këtyre rekomandimeve është shfrytëzuar edhe kontributi i paraqitur nga strukturat e pushtetit ekzekutiv, të cilat kanë në përbërje të tyre personel, që me ligj i është njohur cilësia e policisë gjyqësore. Qeveria, theksohet në letër, ka  vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit, për të çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë. Në mbështetje të 5 prioriteteve për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, objektivat bazë për sistemin e drejtësisë përfshihen tek: 1. Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; 2. Lufta kundër korrupsionit; 3. Lufta kundër krimit të organizuar; 4. Të drejtat e njeriut; 5. Bashkëpunimi ndërinstitucional.

 Influenca e të tretëve në prokurori 

Nga monitorimet që organizmat ndërkombëtar i kanë bërë gjendjes në Shqipëri, të cituara në këtë letër, evidentohet se Shqipëria duhet të rritë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore. Mungesa e llogaridhënies e Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese. Procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit kyç të Prokurorisë duhet të jenë transparence dhe të paanshme, ndërsa roli i Këshillit të Prokurorëve duhet të përforcohet. Problematika e hasur në organin e prokurorisë është e ngjashme me atë të pushtetit gjyqësor, për shkak të ndërlidhjes së veprimtarisë së këtyre operatorëve.

Sipas qeverisë, edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni; nga ndikimet, influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij; nga niveli jo i kënaqshëm i procedurave dhe i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale; dhe nga transparenca e ulët dhe mungesa e besimit të publikut tek ky organ. Sipas dokumentit, në procesin e realizimit të angazhimeve të qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës për të garantuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve, prioritet do të jetë forcimi i pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve në procesin e hetimit, si dhe përmirësimi i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale. Për realizimin e këtij prioriteti Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: “I) Zbatimin e kuadrit të ri ligjor; II) Forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak; III) Rritjen e hetimeve pro aktive; IV) Rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë. V) Forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve”.   

Të forcohen njësitë “Task Force”  

Problematikat e paraqitura nga ministritë e linjës që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, evidentojnë edhe më dukshëm nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: a) Marrjen e iniciativave të përbashkëta për edukimin e shoqërisë; b) Konsolidimi i Njësive të Përbashkëta Hetimore (Task Force) për ushtrimin e ndjekjes penale në fushën e korrupsionit, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik; c) Rritjen e bashkëpunimit në rekrutimin dhe trajnimin e personelit të seksioneve të Policisë Gjyqësore; d) Njoftimin e akteve përfundimtare, me qëllim vazhdimin e procedurave administrative për vjeljen e detyrimeve doganore, tatimore; e) Koordinimin lidhur me ndëshkimin e personave që kanë kryer veprat penale të prerjes së paligjshme të pyjeve, kërkimin e një dënimi plotësues lidhur me kthimin e sipërfaqes pyjore në gjendjen e mëparshme. f) Forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e “track rekordit” (regjistrimet e të dhënave për personat që kryejnë krime) për statistikat.  

 Të ashpërsohen dënimet dhe masat e arrestit 

Sipas qeverisë, rritja e kriminalitetit sidomos shtimi i atyre veprave penale të cilat cenojnë rendin dhe sigurinë në vend, sjell si ndërhyrje imediate ashpërsimin e politikës së dënimit për këto vepra penale dhe sidomos ndaj atyre të pandehurve me rrezikshmëri të madhe shoqërore, përsëritës në krim. Përballë këtij realiteti, të dhënat statistikore të organit të prokurorisë, tregojnë se për vitin 2013 ka një rritje të kërkesave të prokurorëve për dënimin me burgim në minimumin e parashikuar nga dispozitat penale, krahasimisht me vitin 2012 në masën prej 11.57% dhe nga ana tjetër ka një ulje prej 18.98% të kërkesave të prokurorëve për dënimin me burgim në maksimumin e parashikuar nga dispozitat penale. Këto tregojnë që efektiviteti i politikës së dënimit nga organi i prokurorisë duhet të përmirësohet. Në këtë kuadër Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: 

I)Aplikim të masave të sigurimit personal të ndryshme nga e ajo e “arrestit në burg”, ndaj personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim. II) Zbatimin e masave alternative të dënimit, të cilat sigurojnë rehabilitimin e personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim dhe kanë rrezikshmëri të ulët shoqërore; III) Kërkesa për masën e sigurimit “arrest në burg” për të miturit, që kryejnë vepra penale me masa dënimi deri në 5 vjet burgim, të jetë rast përjashtimor dhe jo i zakonshëm. IV) Hetime të shpejta, me qëllim shkurtimin e kohës së qëndrimit të të miturve në paraburgim. V) Aplikimin e masës së sigurimit, si rregull arrest në burg, ndaj personave që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burgim, sidomos në veprat penale me pasoja të rënda dhe të pandehurve me rrezikshmëri të madhe shoqërore. 

 

VI) Ashpërsim të dënimit për veprat penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg. Ky rekomandim duhet të mbahet në konsideratë sidomos për veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. VII) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. VIII) Ashpërsim të dënimit për veprat penale kundër mjedisit. IX) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm X) Ashpërsim të dënimit për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike. XI) Ashpërsim të dënimit për veprat penale me qëllime terroriste. XII) Ashpërsim të dënimit për veprat penale të zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit.  

Lufta kundër krimit të organizuar

Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: 1) Rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbim të shpejtë të informacionit; 2) Përmirësim të kapaciteteve njerëzore dhe teknike në prokurori dhe polici; 3) Rritje të numrit të hetimeve pasurore. Të shfrytëzohen në maksimum mundësitë ligjore për sekuestrimin; 4) Rritje të numrit të hetimeve proaktive ndaj pasurive me origjinë nga veprimtari   kriminale; 5) Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe dënimit për krimin e organizuar; 6) Rritje të bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendit për goditjen e trafikimit të armëve; 7) Forcim të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për parandalimin e krimeve kompjuterike; 8) Krijimi i një platforme të sigurt për shkëmbimin e të dhënave.  

Për një vit u dënuan vetëm 70 persona për korrupsion

 Në kapitullin “Lufta kundër korrupsionit”, apo siç quhet, krimi i “jakave të bardha”, letra për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, thekson se, qeveria ka propozuar dhe tashmë është miratuar nga Kuvendi paketa antikorrupsion, me amendime konkrete në Kodin e Procedurës Penale dhe në Ligjin Antimafia. Sipas ndryshimeve, korrupsioni konsiderohet si krim i rëndë, jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në faktin që këto vepra penale do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, me të njëjtat mjete siç luftojmë organizatat dhe bandat kriminale. Këto dispozita i japin mundësi organeve ligjzbatuese, siç janë Prokuroria dhe Policia e Shtetit, që me iniciativën e tyre, të bëjnë hetime proaktive me teknika të posaçme të hetimit. Ndryshimet e propozuara në Ligjin “Antimafia” synojnë rritjen e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.

 Në frymën e këtyre ndryshimeve të miratuara, prioritet i qeverisë është edhe shndërrimi i sistemit gjyqësor, nga një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit, në një partner të fuqishëm, pa të cilin çdo iniciativë kundër korrupsionit do të ishte e destinuar të dështonte. Ekspertët ndërkombëtarë lidhur me luftën kundër korrupsionit, të cituar nga letra e qeverisë, përmendin se, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet përgjithësisht i ulët. Qeveria rekomandon se, “duhet të përforcohet koordinimi ndërmjet institucioneve dhe hetimi i mëtejshëm i këtyre rasteve. Në përgjithësi, hetimet vazhdojnë të kenë më shumë natyrë pasive, sesa proaktive. Sfida afatshkurtër është që të ngrihen hetime proaktive si parakusht për vijueshmërinë e rezultateve të ndjekjes efektive penale në të gjitha nivelet, veçanërisht në ato fusha ku ekziston një perceptim i fortë publik për korrupsion”. Gjithashtu, -vazhdon letra, të dhënat statistikore për veprat penale të korrupsionit dëshmojnë se pavarësisht perceptimit të lartë të publikut për nivelin e lartë të korrupsionit, numri i personave të dënuar për këto vepra penale vazhdon të mbetet i ulët. Mjafton t’i referohemi statistikave të vitit 2013 ku rezulton se vetëm 70 persona janë dënuar për veprën penale të korrupsionit. Për forcimin e luftës kundër korrupsionit Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm: “Forcimin e integritetit të prokurorëve, fuqizimin e kapaciteteve të hetimit të veprave penale të korrupsionit, evidentimin dhe dokumentimin sa më efektiv të hetimeve për korrupsion, krijimin e një sistemi të konsoliduar të dhënash në lidhje me regjistrimin e hetimeve dhe dënimeve në fushën e korrupsionit. Konkretisht: 

I) Rritje të numrit të çështjeve të hetuara, sidomos i hetimeve proaktive, për raste të evidentuara në nivelet e mesme dhe të larta të administratës shtetërore, të sistemit gjyqësor dhe zyrtarëve pa imunitet; II) Forcim të koordinimit ndërinstitucional me shërbimet policore, për shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin sa më efektiv të metodave speciale të hetimit, për sigurimin e provave dhe goditjen e korrupsionit; III) Hetime të shpejta, efikase dhe zbatim rigoroz të dispozitave procedurale penale; IV) Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit në rastet e korrupsionit dhe fshehjes së pasurive, produkte të veprës penale; V) Forcim të kapaciteteve njerëzore në prokurori dhe në strukturat e tjera ligjzbatuese, nëpërmjet trajnimit specifik të tyre. VI) Përmirësim të track rekordit, me qëllim mbajtjen e statistikave të sakta në vijueshmëri me rezultate të vërtetuara, lidhur me hetimin dhe dënimet e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet”./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 11:52

Tiranë- Rimbursimi i TVSh-së, brenda 60 ditëve, ndryshimi i sjelljes së tatimorëve ndaj biznesit dhe vendosja e biznesmenit në piedestalin që i takon, janë porositë e kryeministrit Edi Rama të formuluara dje, në takimin me administratën e Tatimeve. Një ditë pas takimit me përfaqësuesit e biznesit, Rama bën me dije se do të rishikohet legjislacioni tatimor pasi ai ka probleme dhe krijon përplasje konceptuale. “Ligjet tatimore në fuqi janë ndryshuar aq shpesh saqë kanë jo pak probleme. Ligjet krijojnë mospërputhje dhe përplase konceptuale. Do ta rishkruajmë legjislacionin tatimor në bashkëpunim me FMN-në. Asnjë ligj nuk mund të zëvendësojë vetëdijen e brendshme të administratës dhe administratorit tatimor. Brenda 6 mujorit të rishkruajmë ligjin mbi tatimin për të ardhurat, së bashku me udhëzimin përkatës. Ne do të kërkojmë që secili prej jush të angazhohet drejtpërdrejtë, për të marrë nga eksperienca juaj me biznesin sugjerimet e nevojshme që do ta plotësojë këtë ligj ashtu siç duhet”,- deklaroi Rama. Për raportet tatime-biznes do të stabilizohen edhe kontrollet të cilat do të jenë të organizuara dhe të paralajmëruara. “Askush nuk duhet të trokasë në derën e një dyqani me kulturën e mëparshme të gjobëvënësit e pengmarrësit.

Çdo kompani të lajmërohet para se të bëhet kontrolli. Është koha të marrin fund befasitë për kontrolle pa kuptim. Të mos lejojmë rimbursime abuzive si ato që janë bërë me shumicë dhe kanë shkatërruar natyrën dhe rezultatin që duhet të kishin dhe duhet të kenë kontrollet”-deklaroi Rama. Duke folur për rritjen e taksës së bizneseve me 15 % Rama tha se kjo është bërë për të marrë përsipër të ulet dhe të bëhet e papërfillshme taksa e korrupsionit dhe arbitraritetit. Kjo është çka kërkohet edhe nga punonjësit e administratës.  “I kemi kërkuar të rrisin të ardhurat e tyre për shtetin, por unë dhe qeveria dhe secili nga ju duhet të jetë i vetëdijshëm se përkundër kësaj duhet të rrisim cilësinë e shërbimit ndaj tyre. Kemi ulur taksat për 97 % të atyre që jetojnë me një rrogë në shtet apo privat dhe kemi rritur për përfituesit e drejtpërdrejtë nga aktiviteti ekonomik, por nga ana tjetër kemi rritur taksën zyrtare dhe ligjore dhe kemi marrë përsipër ta ulim dhe ta bëjmë të papërfillshme taksën e korrupsionit, arbitraritetit, zvarritjeve, të humbjes së kohës. Taksa reale që ka dalë gjatë një viti nuk ka qenë 10 %, por shumë më tepër deri në sasira marramendëse dhe në mesatare ka qenë 22 % . Taksën mes 15 % zyrtare e 22 % jozyrtare, ne do ta bëjmë zero”-tha Rama. /Shekulli/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 16:55

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo nuk ka pranuar postin e ambasadorit të ofruar nga ministri i Jashtëm, si shprehje e zbatimit të marrëveshjes parazgjedhore me PS-në.

Tri ditë më parë, Milo është parë duke dalë nga ndërtesa e Ministrisë së Jashtme. Burime në Ministrinë e Jashtme thanë se ai ka pasur një takim me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, në zyrën e këtij të fundit, i cili i ka propozuar aleatit të ngushtë të PS-së në opozitë që të zgjedh një post ambasadori.

I kontaktuar përmes telefonit, kreu i PDS-së, ka pranuar se ka pasur një ofertë nga Partia Socialiste për të përfaqësuar Shqipërinë në një përfaqësi diplomatike, por që nuk është pranuar prej tij. Që prej krijimit të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, në deklaratat e tij, kreu i PDS-së ka kërkuar vetëm zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore sipas termave ku palët kanë rënë dakord dhe jo një post për Paskal Milon. /Panorama/

 
Lajme Shqip Saturday, 28 December 2013 14:38

Parlamenti pritet që të miratojë sot projektvendimin “për përcaktimin e masës së përfitimit financiar mujor për shërbimin e transportit të deputetëve”. Drafti në fjalë sqaron pagesën që deputetë do të marrin për trasnportin në vlerë monetare, të lidhur ngushtë me largësinë e zonës që ata mbulojnë, raporton shekulli.

Ata deputetë që janë në një distancë më të largët me kryeqytetin në raport me zonën ku kanë marrë mandatin e deputetit dhe që rrjedhimisht kanë edhe shumën e përfitimit për transportin e tyre më të madhe, do t’u zbritet një shumë lekësh që shkon deri te 50 mijë lekë të vjetra. Zbritje do të ketë edhe për deputetët që ndodhen më afër Tiranës, po në sasi më të vogël.

 
Lajme Shqip Sunday, 22 December 2013 13:19

Sot qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama do të analizojë 100 ditët e para të punës së saj. Prezantimi i punës së 100 ditëve të para të qeverisë ka nisur në orën 11:00 dhe do të vazhdojë për 4 orë, ku kryeministri Rama së bashku me ministrat e tij do të bëjnë bilancin e qeverisjes. Ministrat do të prezantojnë punën e bërë gjatë këtyre 100 ditëve që kanë qenë në detyrë. 

Prezantimin e parë e bëri zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili u shpreh se qeveria e re gjatë këtyre ditëve solli një kulturë të re përgjegjshmëri, e cila do të plotësojë ëndrrat e qytetarëve shqiptarë.  Sipas tij, qeveria është e vetëdijshme për pritshmërinë e popullit shqiptar.

“Më 23 qershor populli votoi për të transformuar dhe modernizuar qeverinë. Administrata publike do të jetë kampioni dhe shembulli i kulturës demokratike. Do të sjellim një kulturë e re përgjegjshmëri, e cila do të plotësojë ëndrrat e shqiptarëve. Këtë proces sapo e kemi nisur,bazuar tek konkurrenca dhe  vlerësimi i meritës. Shërbimet kanë nisur të japin produktet e para, arsimi dhe shëndetësia po aplikojnë sisteme të reja” shtoi ai.

Më pas, ministrat kanë vijuar me prezantimin e punës së bërë gjatë këtyre 100 ditëve që kanë qenë në detyrë.

 

Ministria e Arsimit: Çliruam shkollat nga aktivitetet private

 

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla theksoi gjëja e parë që u bë pas marrjes së detyrës është çlirimi i shkollave nga aktivitetet private. Gjithashtu sipas saj u vendos transparenca nëpërmjet konkurseve të hapura për të përzgjedhur drejtorët e drejtorive rajonale.

 “Çliruam shkollat nga aktivitetet private. Mundësuam në duart e mësuesve kodin e etikës, si një instrument bazë për të luftuar kurset private dhe korrupsionin në arsim. Mundësuam kartën e performancës në shkollë”,- deklaroi ministrja Nikolla. 

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Iu gjendëm pranë shtresave në nevojë 

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj renditi arritjet e ministrisë që drejton në 100 ditët e para të punës. 

“Sistemuam 300 qytetarët romë që kishin 3 muaj që rrini në rrugë. Pastruam skemën e aftësisë së kufizuar, çuam në prokurori abuzuesit. Do fillojnë të shpërndahen pagesat për ata që u kanë munguar. Jam krenar që jemi qeveria e parë që ka futur edhe gjuhën e shenjave për të gjithë personat që nuk dëgjojnë. Mbajtëm premtimin tonë duke nënshkruar marrëveshjen e pensioneve me Belgjikën”,- tha ndër të tjera ministri Veliaj. 

 

 Ministri i Mjedisit, Lefter Koka 

 

E nisëm punën me një premtim të mbajtur për ndalimin e importit të mbetjeve. Mbyllja e furrave të gërqeles në Krujë. Kemi konfiguruar sistemin e informacionit mjedisor, çdokush do mund të aksesojë online të gjitha inspektimet dhe ndërhyrjet që bëhen në min e mjedisit. Ka filluar aksioni për ndalimi e subjekteve që shfrytëzonin inertet nënujore. Kemi identifikuar ndërtime të paligjshme në zona të mbrojtura parqe dhe shumë shpejt nis puna për rehabilitimin qendrave të mbrojtura. Natyra është gjithnjë e drejtë, natyra nuk gabon, janë njerëzit ata që gabojnë. Jam i bindur në një kohë shumë të shpejtë do mundemi të arrijmë objektivat.

 Ministrja e Inovacionit dhe e Teknologjisë, Milena Harito

Menjëherë ndërtuam bazën e CV-ve online, që janë mbi 16 mijë të tilla që janë baza e shkëlqyer. Mbi këtë bazë, vijnë edhe konkurrentët nëpër vendet e punës. Mbështetëm në mënyrë cilësore organizmin e kabinetit qeveritar me struktura të reja. Në fushën e inovacionit kemi pasur sfida të tjera. Kemi mbyllur mijëra sajte ilegalë, të cilët nuk kishin leje për në Shqipëri. Jemi përballë disa forcave të organizuara sepse edhe pse kemi mbyllur 6 mijë sajte, sërish hapen. Kemi nisur projekte të reja, si Itraking, që është ndjekja e punës së ministrisë, që çdo qytetarë të dijë se sa lekë harxhohen. Ne i vumë të gjithë aktorët e dixhitalizimit të televizioneve, për të kuptuar se ku ishin. Kaq mbledhje sa kemi bërë sot, nuk i kemi bërë në 8 vjet, ky është ndryshimi dhe Rilindja.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço

Treguam vullnet të fortë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Duam të jetë i pavarur, duam të dekurajojmë korrupsionin prandaj duam të miratojmë ligjin për vënien sekuestro të pasurisë të vendosur me para të pista. U dhanë 50 milionë dollarë më shumë për reformën në drejtësi./shekulli/ 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 15:47

Tiranë- Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë akuzat e qeverisë Rama për rrënimin e ekonomisë së vendit duke u shprehur se në vitin më të veshtirë qeveria e tij arriti të ruaje rritjen ekonomike. Nga foltorja e Kuvendit Berisha sulmoi qeverinë duke deklaruar se qeveria po e shtyn vendin në greminë, shkruan albeu.

“Ne menyre te pabesueshme kjo qeveri po rrokullis ekonomine, ju nuk keni inetersa te tjera pervec atyre personale, por po e shtyni vendin ne gremine dhe ky eshte mekati me i madh, po e rrokullisni drejt recesionit. Falë reformave dhe menaxhimit iadoli të garantojë rritje 2% , të rrisë të ardhurat, mbi të gjitha ia doli të garantojë rritjen e rrogave dhe pensioneve 3 herë më shumë se inflacioni, të garantojë ndërtimin e rrugëve të të gjitha kalibrave, të krijojë dhe gjenerojë vende pune, të lulëzojë në situatën më të vështirë të saj, këto janë të faktuara. Viti 2012 me gjithë vështirësitë që pati u mbyll me aspekt të shkëlqyer, inflacioni 2%, deficiti 3.2%, borxhi 60%, në kulmin e krizës ai pati kontrollin më të madh, vendi i vetëm në rajon të ruajë investimet e huaja, të ruajë një ritëm investimesh publike”- tha Berisha.

 
Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 14:12

Tiranë- Nga java tjetër nisin konkursetpër administratën shtetërore ndërsa ato do të bazohen në një proces me rregulla shumë të forta, ndërsa përzgjedhjet do të varen vetëm nga meritae kandidatëve. Në një deklaratë për mediat, Ministrja për Inovacionin e Administratën Publike, Milena Harito theksoi se të gjithë personat e aftë do të kenë mundësi të provohen për tu bërë pjesë e administratës shtetërore.

“Në këtë periudhë të veçantë kur ne duhet të provojmë përpara BE-së se administrata duhet të bazohet tek merita. Kemi nisur të funksionojmë sipas frymës së ligjit të ri dhe konsensusit, mbi faktin se merita duhet të përcaktojë punësimin në administratë. Konkurset kanë nisur. Kandidatët kanënisur të lajmërohen nëpërmjet faqes zyrtare të institucioneve por edhe nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit”- deklaroi Harito.

Javës tjetër do të nisin konkurset për administratën tatimore pasi sipas Haritos rezulton që të gjithë punonjësit të jenë emëruar pa respektuar asnjë procedurë ligjore. /albeu/

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 21:28

Tiranë- Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me Këshillin Kombëtar të Territorit dha një konferencë për shtyp. Pasi theksoi barbarinë që i është bërë territorit në këto njëzet vitet e fundit, me dëme edhe të parikuperueshme, Rama theksoi se “jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tonë”. Rama bëri të ditur se Berati, Gjirokastra dhe Kruja muzeale do të merren në mbrojtje nga qeveria dhe në to nuk do të bëhet më asnjë ndërtim. KKT konfirmoi sot nëpërmjet Ramës se i hap rrugën përfundimisht ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, por ka anuluar ndërtimin e godinës polifunksionale, raporton vec tjerash, Shqiptarja.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, “gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet”.

“Një nga pikat kyçe të zhvillmit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje e konsiderueshme lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segemente të rëndësishme, shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme sollën pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare”, analizoi Rama.

 
Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 10:24

Tiranë– Aleatët e Partisë Socialiste mbeten ende në pritje të ofertave të kryeministrit Edi Rama për poste në nivelet e dyta. Kryeministri ka ende pa vendosur emrat e zëvendësministrave, prefektëve e shumë prej drejtorive kryesore të disa institucioneve kyçe të vendit.
Në bazë të deklaratave të vetë Ramës, aleatët i kanë dërguar atij pretendimet, përmes kërkesave zyrtare.
GSH ka zbardhur kërkesat e një prej tyre, Partisë Kristian Demokrate. Në një letër që kryetari i kësaj partie, Mark Frroku i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, i rendit rreth 14 opsione, prej nga ai duhet të përzgjedhë që të emërojë njerëz të PKD-së.
“I nderuar z.kryeministër! Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese Qeverisë! Meqenëse nuk u pa e arsyeshme futja në qeveri e PKD-së me ministri, sipas pikës së nënshkruar në platformën e përbashkët para 23 qershorit, për a drersye objektive, ne do t’ju sugjeronim disa poste të tjera alternative në nivel zv/ministri, Prefekti, Drejtori të Përgjithshëm, si më poshtë vijon: Prefekt në Qarqet: Tiranë, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Mark Frroku.
Më tej, aty renditen 13 emra drejtorish dhe agjencish: “Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Kompania e sigurimeve INSIG, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Drejtoria e Rrugëve, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtori i Përgjithshëm i QSUT”, janë disa nga drejtoritë që renditen.
Më pas, PKD kërkon, nëse ka mundësi, edhe pjesë nga Inspektorati Shtetëror i Punës, ose Inspektorati i Kontrollit të Ushqimit apo Drejtoria e Përgjithshme e Postave. Kërkesa të tjera janë edhe Drejtoria e Shërbimit të Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoria e Shpërndarjes së Librit Shkollor. Në fund të kërkesës, PKD shprehet se do të paraqesë burime njerëzore të kualifikuara, të përgjegjshëm, korrektë, me reputacion në shoqëri.
Negociata për ndarjen e posteve mes Ramës dhe aleatëve ka pasur, por jo personalisht me kryeministrin, por përmes përfaqësuesve të tij. Tashmë gjithçka pritet të sqarohet pas kthimit të Ramës në Shqipëri, nga vizita e tij në SHBA. Në pritje të emërimit janë edhe zv/ministrat, 6 prej të cilëve janë të LSI-së. Çdo ministri do të ketë nga dy zv/ministra, ndryshe nga më parë kur ka pasur edhe 3 zv/ministra./tema/

 
Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 15:27

Tiranë- Partitë shqiptare në Maqedoni jozyrtarisht presin që vetë kryeministri i ri të thotë se çfarë ka dashur të nënkuptoj me deklaratën e tij që nënkupton barazimin e shqiptarëve në Maqedoni me pakicën minore maqedonase në Shqipëri.

“Zoti president më shprehu shqetësimin e tij që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh jo thjesht si detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por dhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, se ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne nuk kemi mundësi ta bëjmë për të tjerët. Dua të shpresoj e të besoj se sëbashku si fqinj dhe si miq ne do çojmë para një proces bashkëpunimi, ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave ndërkombëtare për të dakortësur bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe shqiptare të Maqedonsië do jetë i padiskutueshëm”, deklaroi dje kryeministri Rama.

Por, kjo deklaratë nxiti reagimin e menjëhershëm të partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike, përmes ish-ministrit të jashtëm dhe deputeti aktual, Aldo Bumçi.

Bumçi sulmoi kryeministrin e ri se hoqi vizë barazie mes shqiptarëve në Maqedoni dhe pakicës maqedonase në Shqipëri.
“Rama vuri shenjën e barazimit mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë që bëjnë 25 % të popullsisë. Rama tha se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kur nuk respektojmë të drejtat e pakicave maqedonase këtu. Shoqëria në cdo raport vlerësohet me notat më të larta për të drejtat e pakicave. Një krahasim i tillë është i keq pasi cënon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, theksoi ish-ministri Bumçi.
Një reagim i ashpër ka pasuar edhe nga ish-kryetarja e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli.
“Sot e kishin radhën shqiptarët e Maqedonisë. Rama, në takimin me presidentin e Maqedonisë, nuk artikuloi Marrëveshjen e Ohrit. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët në Maqedoni. Ai tha se ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”, deklaroi deputetja aktuale e PD-së, Jozefina Topalli.
Sipas saj, as në realitet, e as në asnjë raport ndërkombëtar nuk ka asnjë problem të shtruar për pakicën maqedonase në Shqipëri, të cilët gëzojnë gjithë të drejtat e liritë e njeriut si çdo qytetar shqiptar.
“Dëgjuam nga kryeministri një qëndrim krejt të huaj, jo shqiptar, për shqiptarët!!!!. Deklarata e Ramës është e rrezikshme. Ajo fyen luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fyen përpjekjet e tyre për liritë e të drejtat themelore. Ato sot ishin të tradhtuar nga Tirana zyrtare. Dhe kjo vetëm 4 ditë pas fjalimit përçarës që bëri para Kuvendit të Kosovës! Rama duhet të kërkojë falje”, shkruan Topalli në Facebook.
Reagime të ashpra kanë pasuar edhe në rrjetet sociale, por edhe në vetë profilin në facebook të Ramës, ku është kritikuar qasja dhe deklarimi i tij mbi shqiptarët në Maqedoni. /INA/