Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 15:07

Beograd – Ministri serb i Drejtësisë dhe Administratës Publike, Nikolla Selakoviq, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, kanë nisur vizitën dyditore në Kosovë.

Sipas mediave serbe, ata kanë takuar sot të punësuarit në organet gjyqësore në veri të Mitrovicës.
Vulin ka thënë se ai dhe Selakoviq ndodhen në Kosovë “për të treguar se shteti i Serbisë nuk braktis popullin e tij dhe as këtë hapësirë”.
Mediat në Beograd shkruajnë se Selakoviq dhe Vulin do të qëndrojnë edhe në Shtërpcë dhe Deçan.

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 16:34

 

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë Ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe planit të zbatimit për këtë marrëveshje u miratua sot pa ndonjë debat nga Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e ekzekutivit të vendit të mbajtur të martën është miratuar me shumicë votash ky projektligj. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se pas nënshkrimit të planit të zbatimit nga të dyja palët, është paraparë që marrëveshja të ratifikohet nga të dyja shtetet.

 “Ne jemi pajtuar që ditën e enjte kur e kemi nënshkruar planin e zbatimit të marrëveshjes, por që diçka të ratifikohet duhet të jetë e pajtueshme për të dyja palët dhe tani Serbia e ka dhënë pajtimin. Ne sot kemi menduar që ta kalojmë edhe në Qeveri këtë çështje dhe ta procedojmë menjëherë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka dhënë më shumë detaje rreth këtij projektligji.

Ai ka thënë se ky projektligj ratifikon marrëveshjen e parë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje është miratuar nga Kuvendi më 22 prill 2013 përmes rezolutës dhe plani i zbatimit që është përafruar nga dy kryeministrat dhe ky plan i zbatimit është miratuar nga Qeveria.

“Theksoj se edhe marrëveshja e parë janë pajtuar dhe miratuar nga pala tjetër. Marrëveshja e parë ndërkombëtare do ta keni në shtojcën e parë dhe planin e zbatimit që është në marrëveshje. Këto të dyja do të jenë pjesë përbërëse të këtij ligji. Ky ligj i obligon dy republikat ta zbatojnë. Jam i bindur që me miratimin e këtij dhe ratifikimin e tij hapet mënyra e qartë e zbatimit të marrëveshjes të nënshkruar më parë”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkohë në rend të ditës ka qenë edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kufijtë administrativ të komunave, ku edhe ky projektligj me shumicë votash është miratuar.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq ka thënë se MAPL në bazë të mandatit propozon ndryshimin e projektligjit për kufijtë administrativë, për dy komunat e reja që do të formohen

Formimi i dy komunave të Hasit, normalisht që parasheh edhe implikime buxhetore.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 15:15

Qëndrimi i serbëve të veriut ndaj marrëveshjes së Brukselit është ende i  njëjti. Kundërshtues. Kështu kanë deklaruar kryesuesit e serbëve të veriut, pas takimit me zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vuçic. Por, ata kanë theksuar që megjithatë, ende janë duke pritur që t’I shohin detajet e planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit të arritur  ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq.

Radenko Nedeljkovic, përfaqësuesi i serbëve të veriut, pas takimit të liderëve serbë të veriut të Kosovës me Vuçicin, si pjesëmarrës i këtij takimi ka thënë se qështja e marrëveshjes së Brukselit, nuk ka qenë aspak temë e bisedës në këtë takim.

“Nuk është biseduar fare për marrëveshjen e Brukselit. Kemi biseduar për gjendjen momentale në veriun e Kosovës, si dhe për problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët. Kështu që, për marrëveshjen e Brukselit do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, theksoi Nedeljkovic.

Kurse, lideri tjetër i serbëve të veriut, Milan Ivanovic nga Këshilli Kombëtar Serb, gjithashtu pjesëmarrës në takimin e fundit me Vuçicin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë takim është biseduar për të gjitha temat.

Sipas tij, qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen e Brukselit, por edhe qëndrimi i Beogradit zyrtarë, nuk kanë ndryshuar.

“Qëndrimet tona janë të njohura për marrëveshjen. Të njohura janë edhe qëndrimet e qeverisë së Beogradit. Por, diferencat që i kemi dhe që njihen, nuk janë thelluar. Kryeministri Daçiq dhe bashkëbiseduesi kryesor janë në Bruksel për të biseduar për planin e zbatimit të marrëveshjes. Dihet mendimi ynë për këtë dhe interesat tona, kështu që diçka që është e papranueshme për ne, nuk mund të pritet se do ta pranojmë dhe nënshkruajmë. Jemi marrë vesh me autoritetet e Beogradit që të flasim edhe më tej për marrëveshjen dhe për planin e zbatimit, por nuk i kemi detajet e tij, kështu që nuk kemi mundur të flasim më thukët për të. Do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, u shpreh Ivanovic.

Kundërshtimi i marrëveshjes së Brukselit nga serbët e veriut të Kosovës, kishte tensionuar raportet e tyre me Beogradin zyrtarë, duke krijuar një hendek mes tyre, të cilin përmes takimeve janë përpjekur që ta ngushtojnë.

Por, Nedeljkovic ka theksuar se qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen është i qartë dhe i pandryshuar deri më tani.

“Edhe më tutje konsiderojmë se marrëveshja e Brukselit është e dëmshme dhe se ajo nuk i garanton as parakushtet minimale për një jetë kualitative dhe mbijetesë të serbëve në Kosovë. Kështu që, qëndrimi ynë është i pandryshuar”, tha Nedeljkovic.

Edhe Ivanovic ka vlerësuar se serbët e veriut nuk mund ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe as zbatimin e saj, sepse, sipas tij, kjo do t’i rrezikonte interesat e tyre.

Por, megjithatë, siç thotë ai, duhet pasur kujdes që hendeku i krijuar me Beogradin të mos thellohet.

“Ne nuk dëshirojmë që ta thellojmë hendekun me autoritetet në Beograd, të cilët e gëzojnë mbështetjen e shumicës. E kuptojmë situatën e vështirë edhe në Kosovë, por edhe në Serbi. Megjithatë, ne kemi disa qëndrime dhe vija të kuqe tona, përtej të cilave nuk mund të kalojmë. Ne, pavarësisht dallimeve që kemi në interpretimin e marrëveshjes, ne duhet, duam dhe mundemi të punojmë me Beogradin dhe institucionet tona”, tha Ivanovic.

Ndryshe, liderët serbë të veriut të Kosovës kanë dhënë për të kuptuar se nuk do të pajtohen me marrëveshjen e Brukselit edhe kur plani për zbatimin e saj do të bëhet i ditur në detaje.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 13:44

Kryeministri i Kosovës,  Hashim Thaçi  deklaroi se një marrëveshje për planin e zbatimit të marrëveshjës do të arrihet në takimin me kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Takimi mbahet sot me ndërmjetësimin e liderës së diplomacisë evropiane  Catherine Ashton.

“Jam optimist dhe me shpresë që do të arrihet marrëveshja për implementim dhe do të shohim hapa konkret të ndryshimit të gjendjes edhe në terren”,  deklaroi Thaçi.

Kryeministri theksoi se do të ketë vullnet të institucioneve kosovare dhe të qytetarëve të veriut të vendit që bashkërisht të punohet për një jetë më të mirë.

“Natyrisht, që sfida do të kemi, vështirësi do të kemi, por këto sfida nuk janë vetëm të veriut janë të gjithë Kosovës, por jam optimist që gjërat do t’i kalojmë bashkërisht”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ai mohoi mundësinë e rishikimit të marrëveshjës së arritur mes dy shteteve.

“Ridiskutim të marrëveshjes nuk mund të ketë, por opinionet se si do të implementohet duhet të respektohen”, deklaroi  Thaçi.

Ndërkaq Daçiq ka deklaruar se nga Beogradi pritet që deri në fund të javës të hartojë planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit ku do të përcaktohen afatet dhe veprimet.

 “Plani është i nevojshëm që dikush të mund të konkludojë se po punojmë diç seriozisht”, deklaroi Daçiq. 

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 20:34

 

 

Ambasada amerikane në Kosovë njoftoi se Departamenti i shtetit e ka këshilluar kompaninë “Neë Poëer Generation”, se Kosova është shtet sovran dhe se Serbia nuk ka juridiksion mbi ndërmarrjën shtetërore “Trepça”.

 “Departamenti i Shtetit po ashtu inkurajoi kompaninë “Neë Poëer Generation” që të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin që e ka propozuar”, thuhet në deklaratën për media të ambasadës amerikanë në Prishtinë.

Kompania amerikane ditë më parë nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Serbisë për të investuar në kompleksin e minierave të Trepçës.

Autoritetet në Serbi theksuan se marrëveshja e arritur në Bruksel parashihte juridiksion të Serbisë në veriun e Kosovës dhe se Qeveria serbe mund të lidhte marrëveshje me investitorë për ndërmarrjën Trepça.

Qeveria e Kosovës reagoi ndaj kësaj marrëveshje duke e cilësuar si cenim të integritetit territorial të vendit.