Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 10:27

Prishtinë – Njëri prej mjekëve turq, të akuzuar për transplantime ilegale veshkash në “Medicus”, është nderuar nga Qeveria e Kosovës me mirënjohje.
Kenan Demirkol (1956) i lindur në Prishtinë ka treguar se ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë pa asnjë kompensim financiar.
Demirkol, i cili është i dyshuar për krim të organizuar, trafikim me qenie njerëzore dhe transplantim ilegal veshkash në Prishtinë, ka mohuar se është i përfshirë në ndonjë krim.
Dyshohet se ka marrë pjesë në transplantime më 8 mars, 19 qershor, 20 qershor, 22 korrik, 18 gusht, 19 gusht, 9 shtator, 26 tetor 2008 dhe 31 tetor 2008.
Ai ka marrë pjesë edhe në transplantimin e veshkës nga trupi Yilmaz Altun i cili ishte rrëzuar në Aeroportin e Prishtinës, shkruan Koha Ditore.
Demirkol ka thënë se në “Medicus” ka kryer operacione të përgjithshme e jo transplantime.
“Unë jam lindur në Kosovë. Për këtë arsye, kam qenë gjithnjë në kontakt me Kosovën. Unë kam trajtuar shumë pacientë kosovarë, të cilët kishin nevojë për ndihmë për shkak të luftës në Kosovë”, ka thënë ai gjatë një interviste që u ka dhënë prokurorëve të Prokurorisë së Stambollit.
Demirkol është profesor në Universitetin e Stambollit, Fakulteti i Mjekësisë, Departamenti i kirurgjisë së përgjithshme. Ka qenë profesor i kirurgut të kërkuar nga interpoli, Yusuf Somnez, dhe kanë punuar bashkë në Prishtinë.
Ai është duke u hetuar nga autoritetet turke në bashkëpunim me ato të EULEX-it për transplantim dhe trafikim njerëzish me qëllim të heqjes së veshkave.
Në prill të këtij viti 5 persona janë dënuar me 20 vjet burgim.

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 13:13

Millan Baçeviq, ministër për Xehëtari e Planifikim Hapësinor ka deklaruar për mediat serbe se marrëveshja për Trepçën do të mbetet e pandryshueshme përkundër kundërshtimit të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

“E gjithë xehja në “Trepçë” nxirret jashtë kufijve administrativë të Kosovës. Dhe këtu s’ka ndryshime”, citojnë mediat serbe ministrin Baçeviq.

Qeveria e serbisë nënshkroi kontratë për investime në Kombinatin Xehetar “Trepça”, me konsorciumin amerikan New Generation Power (NGP).

Ministri serb ka deklaruar se kontratën nuk mund ta ndryshojë Qeveria e Kosovës dhe as reagimi i ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në Kosovë është kundërshtuar veprimi i Qeverisë serbe.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka reaguar duke vlerësuar se kontrata me konsorciumin amerikan është e paligjshme dhe e pazbatueshme.