Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:55

Ky studim, që publikohet nga “Gazeta Shqiptare”, u hartua nga një kolonel dhe dy nënkolonelë në reserve. Aty sugjerohet miratimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve. Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe e Mbrojtjes, është një institucion në varësi të ministres së Mbrojtjes. Studimi i tre ushtarakëve të lartë i përket dhjetorit 2013.

PROJEKT NË FUSHËN E MBROJTJES MIDIS RSH DHE RK

PËRMBAJTJA

A. Ideja e Projektit Studimor

“Non-Paper”

B. Fushat e projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit

1. Projekti i arsimimit dhe trajnimit të personelit ushtarak dhe civil dhe studimeve master dhe doktoraturë.
2. Projekti në fushën e Emergjencave Civile.
3. Projekti i një njësie të përbashkët për misione të paqes.
4. Projekti për stërvitje të përbashkëta midis njësive/ekipeve për operacione të mbështetjes së paqes.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH.
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes.

A. IDEJA E PROJEKTIT STUDIMOR “NON-PAPER”

Dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë dy vende të vogla të rajonit të Ballkanit. Na bashkojnë shumë gjëra së bashku: historia, kultura, vlerat, gjuha, perspektiva, afërsia gjeografike, dhe shumë vlera të tjera. Për këto e shumë arsye të tjera, kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë, sepse kemi interesa strategjike të përbashkëta.

Nga ana tjetër, kapacitetet njerëzore, financiare dhe materiale të shteteve tona janë të kufizuara, dhe shpesh jo të menaxhuara me efektivitetin e duhur.

Ka ardhur koha të vendosim marrëdhënie në nivelin më të lartë për të mirën e dy vendeve tona.

Jemi në kohën e duhur që Shqipëria dhe Kosova të zyrtarizojnë një marrëveshje të partneritetit strategjik të ratifikuar nga dy parlamentet tona.

Kjo marrëveshje mund të përfshijë fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, tregtisë, transportit, energjisë, turizmit, kulturës, por edhe fushën e diplomacisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Synimi i saj duhet të jetë lehtësimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të përshpejtuar të dy vendeve tona, sipas parimit që, ato gjëra që nuk i bëjmë dot veç e veç mund t’i bëjmë së bashku, duke prodhuar sinergji dhe kursyer resurse të nevojshme.

Kjo “Non-Paper” trajton një frymë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Takimi i dy qeverive është një rast i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën për një këndvështrim të ri, në planin e bashkëpunimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e mbrojtjes.

Përtej aktiviteteve tradicionale që janë zhvilluar deri tani midis institucioneve të mbrojtjes të të dyja vendeve, duhet të kalojmë në një fazë më të avancuar të zbatimit të projekteve të përbashkëta me interes reciprok në fushën e mbrojtjes.

Formati i bashkëpunimit duhet të bazohet në formatin e “smart defence” apo “pooling and sharing” të disa kapaciteteve, aty ku ekzistojnë mundësia dhe vullneti politik.

Shumë nga fushat e bashkëpunimit që janë sensitive për shkak të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të mosnjohjes përfundimtare të RK nga kjo organizatë, mund të lihen për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, siç janë ato për zhvillimin e kapaciteteve luftarake të përbashkëta (combat).

Projektet e tjera që kanë pak ose aspak sensivitet dhe që lidhen me aktivitete joluftarake (non-combat), mund të konceptohen qysh tani dhe të zbatohen në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

(GSH)

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 15:35

Kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht Kreu i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, po planifikon që me anë të një marrëveshjeje mes liderëve të partive politike, të caktohet data e shpërbërjes së Parlamentit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton gazeta ‘Tribuna’.

 
Mocioni për shpërbërjen e parlamentit është një nga mundësitë kushtetuese për t’i përshpejtuar zgjedhjet. Ky opsion në fakt po del të jetë edhe më i pranueshëm për dy partitë e mëdha, PDK e LDK, dhe jo shkarkimin e Qeverisë që kërkon AAK.

Siç njofton gazeta ‘Tribuna’ kryeministri Thaçi në cilësinë e kreut të PDK, këtë javë planifikon të organizojë një tryezë të përbashkët me partitë politike, ku nga ky takim mund edhe të merret vendimi përfundimtar për mënyrën se si dhe kur Kosova mund t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Edhe pse askush nga zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk ka dashur të flasë publikisht për këtë çështje, një draft-marrëveshje është duke u hartuar dhe ajo do t’i prezantohet të gjitha partive politike në takimin e tyre të përbashkët, njofton gazeta ‘Tribuna’ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 23:33

Njerëz të Qeverisë së Kosovës dhe deputetë të legjislaturës aktuale të Kuvendit vazhdojnë ta kryejnë punën e agjentit për Serbinë. Këtë e kanë konfirmuar ekspertë të Shërbimeve Sekrete dhe ish-pjesëtari i UDB-së.  Në “Rubikon” të KTV-së, ata kanë bërë të ditur se edhe shumë profesorë, zyrtarë të LDK-së, gazetarë të varur e të pavarur janë spiunë të shtetit serb. 

Sipas informacioneve që ata posedojnë, 140 agjentët shqiptarë që spiunonin për Serbinë ishin të përfshirë edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

Ata kanë folur edhe për rastin Gërvalla dhe vrasjet e pasluftës. Sipas tyre, vrasja e vëllezërve Gërvalla nga UDB-ja ishte e ndihmuar edhe nga shqiptarët. 

 Ndërkaq, vrasjet e pasluftës u kryen për shkak se të vrarit mësuan sekrete të këtyre shërbimeve të inteligjencës. Ata kanë ftuar ish-bashkëpunëtorët e tyre, të cilët thonë se e dinë mirë vetë ata kush janë, që në mënyrë burrërore të tërhiqen nga politika.

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 January 2014 13:26

Tiranë – Mbledhja e qeverive Rama-Thaçi, një skicë e arkitektuar nga Arbën Xhaferri

Mediet në Tiranë shkruajnë se mbledhja e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë si pikëreferimi platformën e quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” të Arbën Xhaferit, transmeton INA. 

Edi Rama dhe Hashim Thaçi do të takohen të shtunën së bashku me stafet e tyre ministrore në Prizren. Një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, por që realisht është një etapë, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptaro maqedonas Arbën Xhaferri në vitin 2007. Ai punoi dorëshkrimin e kësaj platforme të quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” duke qenë i pari që hodhi në formë doktrine krijimin e një zone të “Habitadit të bashkuar dhe të organizuar shqiptar”.

Platforma e Xhaferit parashikonte intensifikimin e bashkëpunimit në nivel politik, biznesi dhe unifikimin e politikave në çështje strategjike. Me pak fjalë u skicua ideja e bashkëjetesës së disa shteteve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. 

Arbën Xhaferi u nda nga jeta më 15 gusht 2012 në Tetovë..

 

 
Lajme Shqip Friday, 03 January 2014 15:44

Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës këtë muaj pritet të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët, e cila do të zhvillohet në qytetin e Prizrenit, ndërsa e veçanta e këtij takimi do të jetë formimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

“Me themelimin e këtij fondi duket se kryeministri shqiptar Rama do ta mbajë fjalën se nuk do t’i harrojë shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shkruajnë mediat e Kosovës. 

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e ka konfirmuar edhe i dyti i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai tha se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet javën e dytë të janarit, por nuk përmendi asgjë rreth fondit për Preshevën. 

Krijimi i këtij fondi është mirëpritur nga liderët politikë në Luginë, për analistët kosovarë shihet si një “kundërpërgjigje” e fondit serb në Kosovë. 

Për kryetarin e Asamblesë Komunale të Bujanocit, Jonuz Musliu, i cili njëherësh është edhe lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik, krijimi i këtij fondi është i vonuar por i mirëseardhur. “Më mirë vonë se hiç”, deklaroi Musliu, sipas të cilit, “ky fond mos të jetë vetëm për një vit por të ketë jetëgjatësi”. 

Përderisa veriu i Kosovës, sipas tij, e ka një fond të tillë që e ndanë Serbia, pse mos ta kenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që e ndanë qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. 

Sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme as nga Shqipëria e as nga Kosova. Ai ka thënë se ky fond duhet të legalizohet dhe të jetë i rregullt. 

Ndërkohë, sipas analistit Fadil Lepaja krijimi i këtij fondit do të dukej si një fond paralel, i ngjashëm me atë që Serbia tashmë e ka në Kosovë. 

Se çfarë synohet me këtë fond, dhe cilat do të jenë objektivat e tij, sipas tij, kjo nuk është e qartë ende, por përmendet ndihma për popullin e Luginës. 

“Unë mendoj se kjo megjithatë nuk do të jetë një “kundërpërgjigje” fondit serb në Kosovë, sepse ata nuk do e legjitimojnë asnjëherë këtë me norma ligjore ashtu si është vepruar në Kosovë. Pra, për mendimin tim krejt kjo paraqet një përpjekje për me e legjitimuar fondin serb në Kosovë, në njëfarë mënyre për të thënë se nuk është bërë asnjë lëshim parimor”, shprehet Lepaja. 

Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë presion politik bashkë me Kosovën, që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të rriten, dhe që Serbia të krijojë një fond të veçantë për ata, e jo të krijojnë fonde me objektiva të paqarta dhe për marketing politik. 

“Banorët e Luginës janë qytetarë te Serbisë, dhe atje paguajnë tatim. Nga kjo del e drejta e tyre që shteti serb të ndajë fonde të veçanta për zhvillimin e tyre. Rrëshqitja në veprime të pamatura politike mund të jetë një përshtatje dhe një legjitimim i kërkesave serbe për ndërrim territoresh. Shpresoj që “të dy qeveritë” ta kenë menduar mirë terrenin në të cilin po hyjnë”, ka thënë Lepaja, shkruan ‘Zeri’.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 October 2013 09:47

 

Telekomi, homologimi i veturave, terminalet doganore, kafja e qumështi, i bashkuan përpara disa ditësh në restorantin e Vetëvendosjes të gjithë tok: PDK, AAK e LDK. Si i është nënshtruar shteti një kompanie të vetme?

 

A ju kujtohet fillimi i filmit “The Godfather”?, Don Corleone e marton vajzën. I ngujuar në një dhomë të errët e të qetë ai pret miqtë e tij. Politikanë e biznesmenë. Secili e shfrytëzon gazmendin e Corleoneve për t’u avitur me këtë familje. Monumentale është përulja e Bonaseres.

 

Para disa ditësh në Restorantin “Univers” të Pejës, pronar i të cilit është Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, e organizoi një dasmë Blerim Devolli. Në fakt, i thonë dasmë, sepse ishte synetia e djalit të tij. Por, edhe synetia ishte arsye e mjaftë që në restorantin e Florinit të zbarkonin në një mbrëmje pothuajse gjysma e kabinetit qeveritar.

 

Pothuajse i gjithë spektri politik. Pothuajse të gjithë udhëheqësit e institucioneve të pavarura publike. Pothuajse çdokush që sot e ka një pedigre shoqërore, sipas standardeve më të fundit të jetës shoqërore, e që dorën në zemër janë të degraduara si kurrë më parë.

 

Kush ishte në këtë dasmë, që e meriton një analizë të tërë të kësaj familjeje të pasur pejane, gjithnjë në ngritje? Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë. Në pjesën e dytë të dasmës, për t’i dhënë ahengut një shkëlqim, e mori mikrofonin për të kënduar. Besim Beqaj, Ministër i Financave, e deri dje Ministër i Zhvillimi Ekonomik. Edhe ky pas disa gotave i ka argëtuar mysafirët me zërin e tij, por siç thuhet më të mirë se ai i Hajredin Kuçit. Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së dhe kohëve të fundit i njohur edhe si violina e parë e kësaj partie politike. E përbashkëta e këtyre tri figurave politike dhe e familjes Devolli është vendlindja, Peja.

 

Në një ngjarje të tillë nuk kishte se si të mungonte as “Princi” i Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ndonëse dorën në zemër dukshëm i eklipsuar prej Ademit, Hajredinit dhe Besimit. Thuhet se Haradinaj në këtë dasmë/syneti ka qëndruar shkurt, sepse në të njëjtën kohë po i martoheshin disa zyrtarë të partisë së tij. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës po merrte pjesë Naser Osmani, i cili deri para disa kohësh ka qenë pjesë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, agjenci kjo që ka pasur raporte të dendura me familjen Devolli. Baton Haxhiu, drejtor ekzekutiv i televizionit Klan Kosova, i cili thuhet se cilësitë e tij i ka dëshmuar në vallëzim. Express mëson se ky televizion tashmë de facto i është shitur familjes Devolli. Së shpejti pritet që edhe studiot e Klan Kosovës të barten në hapësirat e e ish-fabrikës së Amortizatorëve, e cila fabrikë po ashtu është në pronësi të Devollëve. Ekrem Hoxha, drejtor i Agjencionit Kosovar të Telekomunikacionit. Ndryshe, përpara se të bëhej drejtor i kësaj agjencie, Hoxha ka qenë punëtor i Devollëve. Tash, i njëjti është vegël e kësaj familjeje në ART për t’i kryer shërbimet e Z Mobile, që është pronë e të njëjtës familje. Express mëson se rrethi i njerëzve të pranishëm ka qenë dukshëm më i gjerë, por që, pak a shumë, këta ishin zyrtarët më të lartë të pranishëm.

 

Wshtë e vetëdijshme se janë të shumta familjet kosovare që, në një formë ose në një tjetër, jetën e tyre e kanë tërësisht të varur nga produktiviteti i biznesit të familjes Devolli. Por, vetëm ky argument nuk mjafton – që të heshtet zmadhimi në përmasa të frikshme i një kompanie, siç janë Devollët, duke rrezikuar në këtë mënyrë funksionimin si duhet të tregut të lirë dhe ngufatjen e kompanive të tjera.

 

Në vitet e 70’ta dhe 80’ta kjo familje biznesin e vet e filloi në formën e zanatit të rregullimit të biçikletave. Këtë biznes e ka udhëhequr tashmë i ndjeri Ibrahimi, babai i Blerimit dhe Shkëlqimit. Sikur edhe disa familje të tjera të shquara pejane, as Devollët nuk kanë qëndruar duarkryq gjatë viteve të 90’ta, duke e shtuar pasurinë e tyre në mënyrë solide. Fundi i luftës dhe fillimi i paqes, thuhet se Devollët i ka zënë me disa miliona të paluara. As këta, si shumë të tjerë, nuk i kishin rezistuar tundimit për importimin dhe shitjen e agregatëve, kur në Kosovë më shumë kishte terr se sa dritë.

 

Në të njëjtën kohë, pothuajse paralelisht, kishin filluar edhe lindjen e prodhimit të produkteve të qumështit dhe të vetë qumështit. Përveç lajmeve të mira që prodhonte biznesi i tyre, ata disa herë janë përballur edhe me mbytjen e lajmeve negative, siç ishin ato që qumështi Vita nuk e kalon dot pragun kualitativ të pranueshëm sipas standardeve të Bashkimit Europian. Në ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe i kanë qëndruar besnik dashamirëve të kafes, me Princin e tyre. Deri në këtë moment, duke përfshirë këtu qumështin Vita, kafenë Princ, biznesin me biçikleta e me agregatë, kjo familje meriton një duartrokitje për zellin dhe përkushtimin e treguar në punën e tyre. Vija e kuqe në raportin mes Devollëve dhe shtetit të Kosovës ishte shkelur kur kësaj kompanie, në mënyrë të çuditshme, i ishte dhënë licenca për t’i vlerësuar të gjitha markat botërore të veturave, nëse ishin kompatibile me tregun e Kosovës. Në kohën kur Ministër për Transport dhe Telekomunikacion ka qenë Fatmir Limaj, Devollëve u ishte dhënë e drejta për hapjen e Qendrës për Homologim të Veturave, pa kurrfarë konkurrence. Secila veturë që futet në Kosovës, qoftë edhe ato më të përsosurat, detyrohet t’i nënshtrohet procesit të homologimit, duke paguar mbi 100 euro për veturë. Kjo, mes të tjerash, është konsideruar sikur kjo familje të ishte licencuar të ndërtonte një fabrikë për prodhimin e eurove.

 

Nuk ka vonuar shumë dhe, pas këtij hapi gjigant, Devollët u nisën në aventurën e tyre të radhës, telekomin. Për ta përgatitur terrenin, fillimisht e instaluan një kukull të tyre, Ekrem Hoxhën, në pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Telekomunikacionit. Pas këtij hapi i shpalosën letrat për qëllimin e tyre të vërtetë: e dëshironin në kuadër të Valës një Mobile Virtual Network Operator (MVNO), fabrika e dytë për prodhimin e eurove. Historia e kësaj MVNO’je është dramatike. Kumbar i saj në fakt ishte Ardian Shatku, shtetas amerikan, i cili për fatin e tij të keq i kishte zgjedhur për partner Devollët. Këta të fundit, duke e përdorur ndikimin e Shatkut tek administrata amerikane, kishin arritur deri tek licenca për MVNO. Sapo kishin futur në dorë licencën, duke e përdorur kukullën e tyre në ART, e kishin dëbuar Shatkun prej ndërmarrësisë së tyre të përbashkët, dhe e kishin bërë të tyren licencën për MVNO. Prodhim i kësaj licence është operatori Z Mobile, i cili tash e sa vite është duke përfituar miliona euro, duke e shfrytëzuar komplet infrastrukturën e Valës. Pa investuar pothuajse asgjë, Devolli Company ka korrur përfitime të jashtëzakonshme në kurriz të kompanisë publike, Vala. Dëshmitare të kësaj tragjedie të kompanisë kosovare janë të hyrat e Valës prej kohës kur Z Mobile ka filluar operimin e tij. Rënie drastike. Në të njëjtën kohë drejtori i ART’së, Ekrem Hoxha, është duke e penguar IPKO’në që të startojë me rrjetin 3G prej fillimit të këtij viti.

 

Drejtori Ekrem Hoxha, ndonëse për këtë ekziston një vendim qeveritar, refuzon ta pajis IPKO’në me licencën e duhur, duke i dëmtuar kështu më së shumti konsumatorët kosovarë, të cilët janë të fundit në Europë që edhe më tutje nuk e kanë mundësinë e një përmbajtjeje të tillë kualitative. Express ka mësuar se njëra prej arsyeve pse edhe më tutje çështja e privatizimit të PTK’së nuk po kalon në Kuvendin e Kosovës, është pikërisht familja Devolli. “Nuk është në interesin e tyre që Vala të kalojë në pronësi të një kompanie private. Asnjë kompani nuk do të pranonte që në gjirin e vet ta kishte një ‘kopil’ si Z Mobile”, thonë burimet e portalit. Express ka mësuar se tërheqja e AAK’se nga salla e Kuvendit, në momentin kur ishte arritur kuorumi për të kaluar strategjinë, nuk kishte të bënte aspak me opozitarizëm. “AAK kishte qëndruar një javë më parë në seancë, por mungonin deputetet e PDK’së. Tash ndodhi e kundërta. Ky është thjeshtë një presion që po i bëhet kompanisë AXOS që t’i nënshtrohet Devoll’it dhe Z Mobile”, thonë burimet. “Devollët tash po e dirigjojnë edhe Kuvendin”, thonë burimet e Express. Sipas tyre, përfundimi i marrëveshjes eventuale të AXOS me Devollët do ta përcaktojë punën e mëtutjeshme të Kuvendit të Kosovës rreth kësaj çështjeje. Një pikë tjetër ku kompania Devolli e ka shtrirë fuqishëm veprimtarinë e vet, në bashkëpunim të ngushtë dhe të çuditshëm me shtetin, është edhe fusha e terminaleve doganore. Devolli deri tash i ka terminalet doganore të vendosura në Mitrovicë, në Pejë dhe në Fushë Kosovë… Fuqia financiare e madhe, e akumuluar prej një familje të vetme, u ka mundësuar Devollëve që para disa muajsh t’i merrnin në pronësi të tyre aksionet e biznesmenit tjetër pejan, Ekrem Llukës, në birrarinë e Pejës. Është përfolur se Lluka është në negociata që edhe Hotel Dukagjinin t’ua shes Devollëve. Çka ka mbetur tjetër pa u shitur tek kjo kompani? Shumë pak gjëra të tjera që mund të kenë çfarëdo vlere në treg… Çka ka këtu tjetër të pazakontë? Uniteti i të gjitha subjekteve politike që fatin ekonomik ta lënë në duar të dy vëllezërve, Blerim dhe Shkëlqim Devollit. Të gjitha subjektet, në një formë ose në një tjetër, janë paguar prej Devollëve. Po të mos ishte kështu, atëherë cila do të ishte arsyeja që aq shumë zyrtarë të lartë të shtetit të çirreshin në një syneti? Kush tjetër, veç Devollëve, do të mund t’i fuste nën një kulm PDK’në, LDK’në, Vetëvendosjen dhe AAK’në?

 

Kush janë djemtë përpara të cilëve është përkulur i gjithë shteti?

 

 Pas vdekjes së babait, Ibrahimit, korporata Devolli tash udhëhiqet prej Blerimit dhe Shkëlqimit. Lloj-lloj thashethemesh thuren nëpër qytet për këta dy djem. Thuhet se njëri është më i afërt me PDK’në, e tjetri me AAK’në. Thuhet se njëri është më i afërt me një krah të PDK’së, e tjetri me krahun tjetër. Thuhet se njëri është mirë me Ramushin, e tjetri me Dautin. Çka nuk thuhet për ta. Madje, edhe se nuk kanë raporte me njëri-tjetrin. Burimet e gazetës kanë treguar se një luftë e vërtetë kishte shkuar mes tyre rreth blerjes së aksioneve në Birrarinë e Pejës. Bartja e aksioneve në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve në Ministri të Tregtisë së Industrisë, thuhet se i kishte shkaktuar kokëçarje edhe ministres, Mimoza Kusari-Lila. E njëjta thuhet se është thirrur në telefon për ta penguar këtë proces, sa prej njërit, sa prej tjetrit vëlla. Ka të tjerë që thonë se, problemet mes dy vëllezërve janë thjeshtë taktizime të tyre, për të blerë paqe me të gjitha grupet politike. Mirëpo, nëse Blerimi e Shkëlqimi flasin me njëri-tjetrin ose jo, kjo është një çështje krejt periferike dhe e parëndësishme edhe për lexuesin. E rëndësishme është nëse ata flasin dhe, nëse flasin, si flasin me institucionet e vendit?

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 13:04

Prishtinë – Qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi po i parashikohet fundi. Nëse del ashtu siç po vlerësojnë organizatat ndërkombëtare, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme shumë shpejt. Kjo do të ndodhë pasi të shpërthejnë trazirat sociale nga qytetarët e pakënaqur me situatën e rëndë socio-ekonomike të krijuar kohëve të fundit. Ky skenar mund të ndodhë gjatë këtij viti, sipas “Business Monitor International”, një institucion i pavarur hulumtues me seli në Londër i specializuar për analiza të të dhënave dhe parashikime mbi rrezikun politik, ekonomik, të biznesit dhe atë financiar të shteteve. “Trazirat sociale mund të çojnë në rënien e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”, transmeton ‘Tribuna’ raportin e “Business Monitor International”. Megjithatë, prezenca e madhe ushtarake dhe diplomatike ndërkombëtare thuhet se nuk do të lejojë përshkallëzimin e dhunës. Por, nga kjo situatë Kosova do të pësojë më së shumti sa i përket proceseve tashmë të filluara pasi “nisma e vendit drejt normalizimit progresiv politik do të përballet me një tjetër goditje”.

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:25

Prishtinë – Një vendim për shkurtimin selektiv dhe të jashtëligjshëm të orarit të punës që është marrë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, është anuluar pas vetëm 24 orësh. 

Sekretari i MPJ-së, Nagip Skenderi, të martën, kishte nxjerrë vendim për shkurtimin e orarit të punës për ata të punësuar të MPJ-së që janë duke agjëruar ramazanin. Por, pas 24 orësh është detyruar që ta anulojë vendimin. 

Të martën, të punësuarit agjërues, kishin marrë njoftim nëpërmjet një sms se do të punojnë një orë më pakë. Atyre u ishte ofruar mundësia që orarin ta nisin në ora 9:00, ose ta mbarojnë orarin në një orë më herët, në ora 15:00.

Burime të gazetës “Koha ditore” kanë bërë të ditur se vendimi i Nagip Skenderit, i cili edhe vetë është duke agjëruar ramazanin, ka “tmerruar”, kreun e ministrisë, Enver Hoxhaj, i cili nuk ishte konsultuar fare për këtë vendim dhe si pasojë Hoxhaj kishte kërkuar sqarim nga sekretari.

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 16:35

Prishtinë – Qeveria merr vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme që ndodhen në zonat kadastrale të komunës së Prishtinës dhe asaj të Obiliqit, që do të preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga ndërmarrja publike “Termokos” deri tek Termo-Centrali Kosova B.

Sipas një njoftimi të qeverisë, projekti i kogjenerimit të Termokosit do t’iu mundësojë banorëve të kryeqytetit ngrohje qendrore duke bërë nxjerrjen e ngrohjes përmes avullit dhe ujit të ngrohtë nga termocentralet Kosova B dhe kyqjen e tyre në sistemin e ngrohjes qëndrore.

Pas përfundimit të projektit, “Termokosi” do të heqë dorë nga përdorimi i mazutit për ngrohtoret, që do të rezultojë në një qasje më të mirë ndaj mjedisit, thotë ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Projekti pritet të përfundojë gjatë vitit 2014.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:48

Prishtinë – Qeveria e Kosovës realizon më shumë të hyra dhe bën më shumë shpenzime financiare sesa ato që paraqiten në raportet vjetore të buxhetit nga Ministria e Financave.

Bazuar në të dhënat që ofron Agjencia e Statistikave e Kosovës, Qeveria operon me rreth 300 milionë euro më tepër të holla brenda vitit. Këto mjetë financiare nuk janë të pasqyruara në raportin e shpenzimeve vjetore të hartuar nga Ministria e Financave.

Të dhënat që ofron ASK flasin se nga buxheti i vitit 2012 janë shpenzuar 1 miliard e 806 euro. Ndërsa, ato që janë bërë publike nga Ministria e Financave arrijnë në 1 miliard e 476 euro.

“Në vitin 2012 totali i shpenzimeve të Qeverisë së përgjithshme ishte 1 miliard e 806.6 milionë euro, prej të cilave shpenzimet rrjedhëse përfaqësuan 65.1 për qind. Konsumi i ndërmjetëm- blerja e mallrave dhe shërbimeve, paraqet kategorinë më të rëndësishme të shpenzimeve rrjedhëse. Transferimet rrjedhëse ekonomive shtëpiake pësuan rënie në vitin 2012 krahasuar me vitin 2011”, thuhet në raportin e publikuar nga ASK, shkruan Koha Ditore.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Financave, nuk kanë dhënë qëndrim lidhur me publikimin e para disa ditëve nga ASK.