Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 19:46

Erkand Qerimaj ka dalë sot para gazetarëe në një konferencë për shtyp për të sqaruar pozitën e tij pas lajmit se shtangisti që u shpall Kampion Evrope për peshën 77 kilogram, kishte rezultuar pozitiv ndaj substancës “metyl hexanamine”.

“Kam bërë testin e parë më 4 prill dhe rezultova i pastër. Por tetë ditë më vonë, pikërisht në ditën e garës, iu nënshtrova testit të dytë, ku çuditërisht rezultova pozitiv. Edhe më 12 prill kam deklaruar konsumimin e të njëjtës vitaminë si në 4 prill. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin e plotësuar dhe në dijeninë time, kjo vitaminë nuk ishte e ndaluar”, tha Qerimaj.

Ai ka bërë të qartë se pret me qetësi vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes dhe mendon se nuk do të pezullohet, ndërsa po vazhdon stërvitjen për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londër 2012.

“Unë kam 10 vjet që garoj dhe fitoj nëpër turne ndërkombëtare dhe sot jam ballëhapur e pres me qetësi vendimin e Komisionit të Apelit të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Unë kam për objektiv të sjell në Shqipëri një medalje olimpike”, ishin fjalët e Qerimajt.

Tani pritet vendimi i FNP, e cila do të vendosë nëse ka nevojë për analiza të tjera nga peshëngritësi shqiptar, apo ta pezullojë atë, duke i hequr njëkohësisht titujt e marrë dhe mundësinë e pjesëmarrjes në Londër 2012, ku ai shpresonte në një renditje mes më të mirëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 21:27

Shtanga shqiptare ka pësuar një tjetër goditje të rëndë pasi është mësuar se shtangisti Erkand Qerimaj ka rezultuar pozitiv në testet antidoping pas Kampionatit Evropian të zhvilluar në Antalia ku u shpall Kampion Evrope në peshën deri 77 kilogram.

Në shkresën që i është dërguar më shumë se dy javë më parë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Federata Ndërkombëtare ka lajmëruar se shtangisti shkodran ka rezultuar pozitiv ndaj substancës “metyl hexanamine” e cila figuron në listën e ndaluar nga WADA që në vitin 2011.

Sipas asaj që mësohet, peshëngritësi Qerimaj ka bërë dy teste antidoping gjatë muajit të fundit, para aktivitetit dhe pas tij. Në të dë rastet ai ka deklaruar se përdor një lloj vitamine sportive që quhet “Badi Sërxh”, e cila përmban këtë substancë. Ndonëse ai ka deklaruar përdorimin e kësaj vitamine në të dy testet, ka rezultuar pozitiv ndaj “metyl hexanamine” vetëm në testin e dytë pas aktivitetit në Antalia.

Shtangisti ka kërkuar menjëherë që të shfaqet para një paneli gjyqtarësh ndërkombëtarë për të mbrojtur veten, ndërsa në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm Sekretari i Federatës Shqiptare të peshëngritjes, Ilir Kraja dhe doktori sportiv Alban Merepeza.

Tani pritet përgjigja përfundimtare nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes e cila do të vendosë nëse Qerimaj duhet t’i nënshtrohet testeve të tjera për të vërtetuar pafajësinë e tij, apo nëse ai do të dënohet. Në këto raste, dënimi është heqja e medaljeve e titullit Kampion Evrope, si dhe pezullimi i tij për dy vite, që do të thotë edhe mospjesëmarrje në Lojërat Olimpike Londër 2012. (LajmeShqip.com)