Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 14:50

Kampioni i Evropës në peshëngritje për peshën 77 kilogram, Erkand Qerimaj, ia ka dedikuar fitoren e tij shqiptarëve kudo që ndodhen, pasi ky është suksesi më i rëndësishëm i këtij sporti për vendin tonë.

Në një intervistë telefonike për “Ora News”, ai ka treguar krenarinë e tij se ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe ka sjellë një medalje të tillë në Shqipëri.

“Është një kënaqësi e madhe dhe jam shumë i gëzuar. Isha i vendosur për të bërë një luftë shumë të fortë me kundërshtarët e mi dhe ia dola. Medaljen ia dedikoj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi sepse është titulli i parë i Evropës për ne dhe i takon të gjithëve”, ka deklaruar shtangisti shkodran.

Më pas, ai ka treguar se si do të vijojnë përgatitjet për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londër 2012, ku tashmë do të shkojë me pretendime të tjera dhe me synimin për të marrë medalje.

“Po përgatitemi të jemi gati edhe për Londrën. Synimet janë për medalje edhe në Londër. Kjo është diçka e arritshme pasi kam potencial. Do stërvitem diku jashtë që të jem në të njëjtat nivele me kundërshtarët e mi”, tregoi ai.

Tashmë pritet të mësohet se si do të trajtohet nga shteti shqiptar ai dhe peshëngritësja Romela Begaj, të cilët kanë fituar shumë medalje në arenë ndërkombëtare, por nuk janë shpërblyer ende për mundin e tyre. Një gjë të tillë ata ia kanë shprehur në fytyrë edhe titullarit të MTKRS, Aldo Bumçi, në një mbledhje pa kohë më parë, kur ky i fundit u mundua që t’i cilësonte sukseset e tyre si pjesë e strategjisë së suksesshme të qeverisë shqiptare.

Interesante do të jetë të shihet edhe nëse do të paguhet apo jo shpërblimi i tyre për renditjen në Kampionatin Evropian, ku sipas VKM-së përkatëse, Qerimaj duhet të shpërblehet me 4 milionë lekë të reja dhe Begaj duhet të shpërblehet me 2 milionë lekë të reja. Por shtangistët shqiptarë pretendojnë që ata të shpërblehen edhe për renditjet në stilet individuale dhe jo vetëm për renditje përfundimtare në dygarësh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 09:03

Erkand Qerimaj është shpallur Kampion Evrope në peshëngritje për peshën 77 kilogramë duke treguar se është një nga talentet më të mëdhenj të këtij sporti në kontinent dhe në botë. Peshëngritësi 23 vjeçar ka marrë medalje ari në shtytje, medalje argjendi në shkëputje dhe falë këtyre rezultateve ka arritur të shpallet Kampion Evrope në dygarësh.

Në garën e zhvilluar në Antalia të Turqisë, shtangisti shkodran u rendit i dyti në shkëputje, duke realizuar peshën 159 kilogram. Më pas, ai ka kaluar në specialitetin e tij, shtytjen, ku ka triumfuar me 190 kilogram të ngritura për të regjistruar një medalje të artë historike në dygarësh për sportin shqiptar. Për më tepër, me totalin e 348 kilogramëve të realizuara në këtë kampionat, ai ka përmirësuar me 3 kilogram rezultatin e tij më të mirë në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka dhënë një rezultat 7 kilogram më të mirë se ai që ka realizuar para katër vitesh në Lojërat Olimpike Pekin 2008.

Kuptohet që shtangisti shqiptar është ende larg rezultateve për të pretenduar zonën e medaljeve në Lojërat Olimpike, por me një rezultat të përafërt në Londër 2012, mund të renditet mes 10 peshëngritësve më të mirë në botë. (LajmeShqip.com)