Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 20:45

Elbasan – 4 nga personat e aksidentuar si pasojë e rënies së autobusit me aktivistë të AK-së në Qafë Krrabë, dy ditë më parë, janë në gjëndje të mirë shëndetësore dhe pritet të lënë spitalin e Elbasanit, ku janë mbajtur nën kujdesin e mjekëve që pas ngjarjes.

Mes 4 të aksidentuarve është edhe drejtuesi i autobusit, Mithat Bicaku, ndaj të cilit është shpallur arresti. Një grup hetimor, i përbërë nga ekspertë të aksidenteve rrugore vijon të punojë për përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes, ndërkohë që priten mjetet për nxjerrjen e autobusit nga humnera, për të bërë ekspertimin e plotë të tij.

Autobusi me 35 aktivistë të AK-së ra në Qafë Krrabë dy ditë më parë, ndërsa kthehej nga Kongresi i kësaj lëvizjeje në Tiranë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 June 2012 16:44

Tiranë (PLOTESUAR 20:30)- Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se shoferi i autobusit, Mit’hat Biçaku, është arrestuar me akuzën për shkelje të Rregullave të Qarkullimit Rrugor.

Ora 19:50 – Shoferi i autobusit në dëshminë e dhënë për prokurorët e Elbasanit është shprehur se përpara se të humbte kontrollin e automjetit ka vërejtur një fuoristradë me targa të Tiranës e cila ka goditur në pjesën e pasme autobusin nga krahu i djathtë.
Prokuroria pas dëshmisë ka thirrur ekspertët autoteknikë të cilët kanë bërë fotografime në pjesën e autobusit ku shoferi pretendon se është goditur. Prokuroria: do jenë ekspertimet dhe raporti autoteknik ato që do të japin drejtimin e hetimeve.

Ora 19: 03 – Ndërkohë Urgjenca e Spitalit të Elbasanit ka publikuar emrat e personave që po kurohen në ambientet e saj. Bëhet fjalë për: Taulant Muça, Dritan Brazhda, Florian Shkurti, Fatmir Branda, Nebi Hysa, Olsi Ozuni, Antonio Braholli (më rëndë), Artan Kafja (më rëndë)

Ora 18: 46 – Zv/ministri Brendshëm, Avenir Peka, ka deklaruar për Shqiptarja.com/TV A1Report se “s’kemi asnjë të dhënë për Land Rover-in, po vijojnë verifikimet”.

Ora 18:43 – Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar për Shqiptarja.com/TV A1Report se aksidenti në Qafën e Krrabës që detyroi një autobus me simpatizantë të AK të dalë nga rruga e të rrotullohet disa herë, ka qenë i provokuar.

Ora 18:40 – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet u bën apel autoriteteve të zbardhin sa më shpejt shkaqet e aksidentit të ndodhur pasditen e sotme në vendin e njohur si Qershitë, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Përmes një njoftimi për mediat, PDIU shpreh solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me shqetësim gjendjen e aktivistëve të Aleancës Kuq e zi, të dëmtuar gjatë aksidentit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Për fat të mirë, gjatë këtij aksidenti nuk pati humbje njerëzore, çka do të ripërsëriste tragjedinë e pak ditëve më parë. PDIU shpreh solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe u uron atyre shërim të shpejtë. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare të zbardhin sa më parë shkaqet e këtij aksidenti.”- theksohet në njoftimin e PDIU-së (LajmeShqip.com)

******************************************

Tiranë (PLOTESUAR 18:17)- Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili,  9 pasagjerët e plagosur janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Artan Kojku, ka marrë plagë të rënda, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. 

“Nuk ka viktima, ky është edhe lajmi më i rëndësishëm. Tetë prej tyre janë me plagë të lehta. Njëri është më rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po trajtohen në spitalin e Elbasanit. Kemi vënë në dispozicion helikopterët tanë, në afërsi të Elbasanit në rast të ndonjë përkeqësimi të mundshëm të situatës.”- u shpreh ministri Vasili, në një lidhje telefonike në NEWS24.

Policia në vendngjarje bëri publike një liste me emrat e disa prej të plagosurve: Taulant Muca, Dritan Brazhda ,  Florian Shkurti, Fatmir Brazhda, Altin Alla, Emiliano O. Nebih Hysa,  Ymer Hoxha,  Delina Hysa,  Mehmet Doshku, Albert Stafa, Artan Kojku (rëndë)

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu e konsideroi një fat të madh shpëtimin e aktivistëve të AK-së, të aksidentuar sot në aksin Tiranë- Elbasan. Spahiu tha se dy prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, dhe sipas tij mund të jenë nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për mjekim më të specializuar. Spahiu konfirmoi se gjithsesi janë jashtë rrezikut për jetën. (LajmesShqip.com)

******************************

Tiranë –  Një autobus me rreth 30 pasagjerë ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë rreth 10 metra, në Qafën e Kërrabës, në aksin Tiranë- Elbasan.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:40, në vendin e njohur si “Qershitë”, ndërsa autobusi udhëtonte nga Tirana drejt Librazhdit. Autobusi trasportonte drejt Librazhdit aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, të cilët morën pjesë në një manifestim të AK-së, që u zhvillua në mesditë në kryeqytet.

Autoritetet konfirmuan se nuk ka viktima, ndërsa të gjithë pasagjerët kanë marrë plagë në trup. 

Burime të policisë bëjnë të ditur se një mjet tip Land Rover, me targa të Tiranës, i ka prerë rrugën autobusit, i cili në tentativë për të shmangur përplasjen ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë. Mësohet se edhe drejtuesi i automjetit, Mitat Biçaku, është plagosur lehtë.

Sipas policisë, të gjithë pasagjerët janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Artan Kojku, ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në Spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. (Lajmeshqip.com)