Lajme Shqip Friday, 08 November 2013 10:39

Prishtinë- Zyrtarët e Postës dhe Telekomit të Kosovës duket se kanë vendosur të pajisen të gjithë me telefona të rinj mobilë para se të privatizohet ndërmarrja. Gati çdo muaj prokurimi i PTK-së shpall nga një tender për blerjen e telefonave të markës së fundit. 

E kjo po i kushton goxha shtrenjtë buxhetit të vendit. Dy ditë më parë PTK ka shpenzuar fiks 7 mijë e 496 euro për t’i pajisur zyrtarët e vet me aparate telefonike mobile. 

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtaret e këtij institucioni përgjigje por ata nuk kanë dashur të thonë asnjë fjalë.

Ndërkaq, në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit, KRPP, thuhet se furnizimin me telefona do ta bëjë kompania “Global Prishtina”. 
“Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës më datën 05.11.2013 ka shpallur tenderin “Furnizim me Telefona Mobilë”. Vlera e këtij tenderi ka shumën e 7, 496.00 eurove. Këtë tender e ka fituar kompania “GLOBAL PRISHTINA“, derisa në garë kanë qenë tri kompani. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës: 06.11.2013”, thuhet në njoftimin e KRPP-së./tribuna/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 13 October 2013 11:01

Prishtinë- Në rast të dështimit të nënshkrimit të kontratës për shitjen e 75% të aksioneve të PTK-së, Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke planifikuar të ndërrojë strategjinë për këtë ndërmarrje. Ministri Fadil Ismajli nuk e ka ndërmend të mendojë më për privatizimin, por të vërë në jetë idenë e shefit të tij, Behxhet Pacolli që PTK-ja t’i jepej në menaxhim një kompanie ndërkombëtare, transmeton KTV.

 Një hap të tillë thotë se duhet bërë pasi që 15 vjet, në krye të kësaj ndërmarrjeje nuk është arritur të vendoset një menaxhment i përgjegjshëm. Ismajli që mori detyrën e ministrit në kohën kur privatizimi i ndërmarrjes ishte thuajse në finale, thotë se në skenarin më të keq, më mirë do të ishte që konsorciumi “Axos & Najafi” të tërhiqej, me çfarë qeveria do të mund t’i inkasonte 3 milionët e garancisë. Ai ka thënë se çmimi i ofruar nga kjo kompani për PTK-në është shumë real dhe se dështimi do të ndikonte në uljen e vlerës së saj.

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 10:46

Prishtinë – Procesi i nënshkrimit të kontratës për shitjen e PTK-së i dizajnuar të realizohet brenda 60 ditë pune pas shpalljes së fituesit, rrugës ka nxjerr kërkesa të reja të blerësit, konsorciumit AXOS. Vetëm për licencat 3G blerësi ka kërkuar t’i zbriten 20 milionë euro nga çmimi i shitjes. Qeveria konfirmon se licencat do i paguaj PTK.  Shitja e PTK-së do t’i sjell buxhetit të vendit më pak se 277 milionë euro për shkak se qeveria do t’i paguaj blerësit licencat 3G. Qeveria e vendit nuk ka sqaruar akoma nëse ishte kusht që blerësit të 75 % të aksioneve të PTK-së, konsorciumit ACP Axos Capital GmbH, t’i paguhen licencat 3G. Por, ka konfirmuar tashmë se licencat do të paguhen nga PTK.

Burime të Radio Kosovës brenda qeverisë kanë shpjeguar se AXOS-i në fillim ka kërkuar të zbriten nga çmimi i shitjes së PTK-së fiks 20 milionë euro te licencave dhe se ende po diskutohet për kërkesat dhe kushtet e kontratës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili nuk ka mundur të përgjigjet direkt në pyetjen se nëse kjo ka qenë përfshirë në marrëveshje dhe kush do i paguaj licencat 3G blerësi apo qeveria e Kosovës.
Një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike Fadil Ismaili ka thënë se licenca për shfrytëzim të brezit 3G do të paguhet nga buxheti i PTK-së, që nënkupton nga buxheti i vendit.
“Licenca për shfrytëzim të brezit 3G do të paguhet nga kompania, d.th. PTK-ja. Kushtet, afatet kohore dhe të gjitha specifikat tjera në lidhje me licencën 3G përcaktohen nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe postare” thuhet në përgjigjen e ministrit.
Ismaili nuk ka dhënë sqarim rreth kërkesave të reja të kompanisë AXOS. Ai vetëm ka konfirmuar për RTK se ka kërkesa që nuk janë paraparë në kontratë e për të cilat do të respektohet vetëm ligji. Gjithashtu ai nuk ka dhënë sqarim pse duhet PTK të paguaj për një investim biznesor të AXOS.
3G është shërbim i ri që mundëson transmetimin me cilësi e shpejtësi të lartë të të dhënave siç janë fotot, videot dhe operacionet tjera përmes internetit.
Nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike nuk kanë sqaruar çështjen e kostos së pajisjeve që mundësojnë realizmin e shërbimit 3G. Shefi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, Ekrem Hoxha ka konfirmuar përmes mesazhit telefonik se për licencat 3G duhet të paguaj PTK.
Ndërkohë Radio Kosova për një javë rresht nuk ka mundur të marr ndonjë përgjigje nga zyrtarët e kompanisë AXOS.
Çmimi i shitjes së 75 përqind të PTK-së është 277 milionë euro me kush që 30 milionë euro t’i kthehen investitorit. Deri më tani qeveria nuk ka sqaruar nëse licencat 3G do të jenë çmim tjetër nga shuma prej 30 milionë eurosh që do ti kthehet investitorit.
Sidoqoftë pavarësisht nëse është e re apo jo kërkesa e koncorsiumit AXOS, shitja e PTK-së gjithsesi nuk do të kushtoj më shumë se 227 milionë euro.

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 15:54

Prishtinë- Gjykata Themelore e Prishtinës, në një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët e EULEX-it dhe të Kosovës, i liroi nga akuza pesë të pandehur në rastin e ashtuquajtur PTK. Blerim Devolli, Shkëlqim Devolli, Ismet Bojku, Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj u liruan nga të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre.

Të pandehurit akuzoheshin në aktakuzë për disa vepra, përfshirë: lidhje e kontratave të dëmshme, falsifikim i dokumenteve si rast i veçantë dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. Gjykata i liroi të pesë të pandehurit sepse nuk u vërtetua që ata i kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin, njofton EULEX.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).