Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 10:18

Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, ka insistuar se skuadra e tij nuk ka asnjë peng pas eliminimit nga Liga e Kampioneve përballë Barcelonës. Parisienët vunë në vështirësi të dukshme katalanasit në të dy sfidat të cilat u mbyllën në barazime dhe u eliminuan vetëm falë rregullit të golit në fushën kundërshtare.

“Zhgënjimi ynë u harrua dhe nuk na ka mbetur asnjë peng pasi dhamë gjithçka që mundeshim. Ne nuk fituam, por skuadra tregoi se mund të jetë konkurruese në Evropë dhe ky ishte objektivi në këtë sezon. Ndaj ishte një surprizë për mua ta shihja një skuadër me kaq shumë kuraje dhe karakter”.

“Kjo me shumë mundësi ishte një nga ndeshjet më të mira të sezonit ndaj një prej skuadrave më të forta në botë, ndaj mund të cilësohet si një pikë nisje e mirë për të ardhmen. Skuadrës nuk i mungoi asgjë. Ne u mbrojtëm mirë dhe sulmuam mirë, ndoshta një gol tjetër në pjesën e parë do të kishte qenë më mirë. Jam krenar pasi nuk e kam parë asnjëherë Barcelonën të ndeshet me problemet që i krijuam ne”, ishte komenti i trajnerit italian të parisienëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 14:18

Pohimi i Andres Iniesta se Barcelona ka krijuar varësi ndaj Lionel Mesit dhe nuk mund të shprehet në maksimum pa të, është vërtetuar edhe mbrëmë në ndeshjen kundër PSZH, kur lojtari argjentinas u detyrua të hynte i dëmtuar në fushën e lojës, për të bërë menjëherë diferencën.

Sipas autorit të golit, Pedro, Mesi është arsyeja kryesore pse Barcelona arriti të barazonte ndeshjen dhe të kualifikohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Mesi është një lojtar i rëndësishëm dhe ai u përpoq shumë sapo hyri në fushën e lojës. Ai ishte katalizatori ynë, ne ndryshuam lojën sapo u fut në fushën e lojës dhe duhet ta falënderojmë atë për një gjë të tillë”, tha ai.

Elozhe për argjentinasin kanë ardhur edhe nga David Vija, i cili ka meritë si argjentinasi te aksioni i golit katalanas.

“Leo është lojtari më i mirë në botë, thjesht prania e tij në fushë ndihmoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Unë thjesht dua ta përgëzoj për përkushtimin ndaj skuadrës dhe futbollit”, tha sulmuesi duke vlerësuar faktin se Mesi kërkoi të luante edhe pse i dëmtuar dhe duke rrezikuar një dëmtim më të rëndë.

Por batutën e ditës e ka lëshuar si zakonisht Dani Alvesh, një prej personave me të cilët argjentinasi shoqërohet më shumë në radhët e ekipit katalanas. “Preferoj më shumë të kem në skuadër një Mesi të dëmtuar sesa shumë lojtarë të tjerë në gjendje të mirë”. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 10:26

Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka zhvilluar ndeshjen perfekte për një lojtar të pozicionit të tij në takimin e Ligës së Kampioneve ndaj PSZH, duke përfunduar me saktësi 100% të 96 pasimet e dhëna gjatë këtij takimi.

Ndonëse shumëkush mendon se heroi i ndeshjes ishte Mesi, apo Pedro që shënoi golin e barazimit për katalanasit që kaluan në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ishte Ksavi ai që zhvilloi ndeshjen perfekte duke dominuar në mesfushë me veprimet e tij.

Të arrish 100% saktësi në pasime nuk është një gjë e re dhe në 10 vitet e fundit kanë qenë edhe lojtarë të tjerë që e kanë realizuar një gjë të tillë, por askush në nivelin e Ksavit. Havier Zaneti dhe Emanuel Ebue janë pas tij në listë, respektivisht me 72 dhe 54 pasime. Në listën e lojtarëve me saktësinë 100% në ndeshjet e Ligës së Kampioneve në 10 vitet e fundit janë edhe emra të tjerë të njohur si Kristiano Ronaldo e Xhon Terri. (LajmeShqip.com)

Lojtarët me më shumë pasime me saktësinë 100% në Ligën e Kampioneve që nga sezoni 2003-2004:

96        Ksavi (Barcelona-PSZH 2013)

72        Havier Zaneti (Inter-Totenhem 2010)

54        Emanuel Ebue (Porto-Arsenal 2006)

50        Lilian Turam (Barcelona-Shtutgart 2007)

50        Kristiano Ronaldo (Real Madrid-Mançester Siti 2012)

48        Paulo Vicinius (Braga-Gallatasaraj 2012)

48        Martin Kaceres (Bazel-Barcelona 2006)

47        Xhon Terri (Çelsi-Verder Bremen 2008)

45        Rolando (Porto-Dinamo Kiev 2006)

43        Ivan Helguera (Roma-Real Madrid 2004)

43        Serxhio Ramos (Real Madrid-Dinamo Zagreb 2011)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 10:22

Karlo Ançeloti ka mbetur shumë i zhgënjyer nga eliminimi nga Liga e Kampioneve përballë Barcelonës, pasi PSZH që ai drejton i shkoi shumë pranë mrekullisë duke kaluar i pari në avantazh në “Kamp Nou”.

“Kemi bërë çdo gjë që ishte e mundur për të fituar. Kemi luajtur shumë mirë dhe me shuam kuraje, ndaj në përgjithësi ishte një mbrëmje e bukur. Nëse do të kualifikoheshim, do të ishte një mbrëmje fantastike. Kemi bërë një rrugëtim të mirë, por të dalësh kështu të djeg pak”, pranoi trajneri italian pas ndeshjes.

“Ishim të aftë të vinim nën presion Barcelonën dhe nuk na mbetet peng asgjë. Ajo që kemi bërë në këtë sezon do të na shërbejë për Ligën e Kampioneve në vitin e ardhshëm. Të mos harrojmë se kishim me vete lojtarë që nuk kanë luajtur asnjëherë më parë në këtë turne dhe na mungoi pak eksperiencë. Vitin tjetër do të mundohemi të shkojmë në gjysmëfinale të këtij turneu”, premtoi trajneri i PSZH.

Shumë i zhgënjyer ka qenë edhe Havier Pastore, i cili shënoi golin e avantazhit të përkohshëm në “Kamp Nou”, duke ngjallur shpresat e një kualifikimi të bujshëm.

“Do të kisha preferuar të eliminoheshim me një humbje 4-0 para asaj me dy barazime. Jam i lumtur për golin e shënuar por më vjen keq që nuk arrita të dërgoja në rrjetë gjuajtjen e rezultatit 2-0”, tha argjentinasi që kishte mundësi të mbyllte ndeshjen pak minuta pasi shënoi golin e parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 23:05

Barcelona ka treguar përsëri se pa Lionel Mesin nuk është një skuadër e pandalshme. Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj PSZH është nevojitur hyrja në fushë e argjentinasit që të zgjidhte telashet e katalanasve, të cilët gjendeshin në disavantazh dhe rrezikonin eliminimin, pasi ai u bë protagonist në golin e barazimit përfundimtar 1-1 që kualifikoi skuadrën e tij edhe pse i dëmtuar dhe dukshëm jo në gjendjen e tij më të mirë fizike. 

PSZH nuk kishte çfarë të humbte në “Kamp Nou”, duke pasur parasysh ndeshjen e parë të përfunduar në barazim 2-2 në Francë. Ndaj Ançeloti kishte udhëzuar skuadrën e tij të sulmonte katalanasit, të cilëve u mungonte pika e referimit, Lionel Mesi, i lënë në pankinë nga Vilanova. Pedro dhe Iniesta provojnë disa herë të gjejnë të çara në mbrojtjen e francezëve, por edhe kur ia arrijnë qëllimit, gjejnë të gatshëm Sirigu. Por nga ana tjetër, edhe Valdes duhet të shpalosë disa devijime instinkti, sidomos pas gjuajtjeve të Lavecit apo Moura, që provojnë disa herë portën.

Në pjesën e dytë pritet një zgjim i Barcelonës, e cila po rrezikonte shumë, por në fakt është PSZH që insiston dhe arrin të gjejë golin e avantazhit, pas një kombinimi Ibrahimoviç-Pastore, me këtë të fundit që dërgon topin në rrjetë pas një dalje jo shumë të mirë të Valdes.

Në “Kamp Nou” pllakos heshtja pasi ky rezultat eliminonte Barcelonën. Por Vilanova e kupton se nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë Mesin e dëmtuar. Argjentinasit i mjaftojnë pak minuta për t’u bërë protagonist, pasi nis aksionin e golit të barazimit të katalanasve, me autor Pedron.

Vendasit marrin frymë qetësisht dhe rivendosin superioritetin në mesfushë, duke pasur tashmë argjentinasin si një pikë pasimi, ndërsa janë më të qetë në kontrollin e topit deri në vërshëllimën finale, që dekreton kalimin e tyre në gjysmëfinalet e turneut.

Megjithatë, ndeshja ka treguar se tashmë katalanasit duhet të mendojnë vetëm si të kthejnë në formën më të mirë fizike Mesin, pasi pa të në fushë, nuk janë të frikshëm, sidomos për skuadra të mëdha si Reali, Borusia apo Bajerni që do të takojnë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 15:03

Komiteti Teknik i Gjykimit në UEFA ka vendosur të “ndëshkojë” gjyqtarin Vofgang Stark për gabimet që ka bërë gjatë ndeshjes PSZH-Barcelona, të zhvilluar një javë më parë në Paris. Lajmi “jozyrtar” është publikuar nga “Esport3”, e cila ka marrë këtë informacion nga burime brenda komisionit, ashtu si edhe ka siguruar se Stark ka qenë një ndër kandidatët kryesorë për të drejtuar finalen e këtij edicioni në Ligën e Kampioneve apo Europa League.

Komiteti gjykoi se gjyqtari në fjalë ka kryer 3 gabime teknike në të njëjtin aksion, gjëra që nuk mund të ndodhin kurrsesi në nivele të tilla, ku çdo veprim i gjyqtarëve shihet me imtësinë më të vogël.

Tre gabimet për të cilat ai është dënuar, janë në të njëjtin aksion, ku Maskerano dhe Alba u përplasen me njëri-tjetrin në ajër dhe nga ku lindi një rast për Ibrahimoviç, ndërsa në fakt duhej që gjermani të ndalte menjëherë lojën. Pas atij rasti, Stark kërkoi që lojtarët të largoheshin nga fusha e lojës për t’u ndihmuar nga stafi mjekësor, kur rregullorja thotë që një gjë e tillë nuk është e nevojshme kur bëhet fjalë për dëmtimin e 2 apo më shumë lojtarëve. Së fundmi, ai ktheu në fushën e lojës si Alba, ashtu edhe Maskerano, nga vija fundore, kur në fakt duhej të hynin në fushë nga vija anësore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 10:12

Karlo Ançeloti mendon se mungesa apo jo e Lionel Mesit në ndeshjen e kthimit mes Barcelonës dhe PSZH në “Kamp Nou” nuk ka shumë rëndësi. 25 vjeçari u zëvendësua në pushimin e ndeshjes së parë mes dy skuadrave në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, takim që përfundoi me rezultatin 2-2.

Lojtari mund të mos jetë përsëri në formacionin katalanas, pasi nuk është riaftësuar plotësisht për sfidën e nesërme. Por Ançeloti mendon se prania apo jo e argjentinasit në fushën e lojës nuk e bën më të lehtë apo të vështirë kualifikimin për ekipin e tij.

“Duhet të mbrohemi, por objektivi ynë nuk është të luajmë vetëm në këtë mënyrë, pasi duhet të tregojmë edhe kuraje. Me apo pa Mesin, për ne është e njëjta gjë. Për të arritur në gjysmëfinale, ne duhet të fitojmë në fushën kundërshtare”, bëri të ditur trajneri i klubit francez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 April 2013 12:58

Zinedin Zidan ka bërë të qartë se do të jetë tifoz i zjarrtë i PSZH në ndeshjen e nesërme kundër Barcelonës “në të mirë të futbollit francez”. Në deklaratat e dhëna për “Radio Monte Carlo”, drejtori sportiv i Real Madrid ka zbuluar se do të ndjekë me vëmendje këtë ndeshje.

“Unë do të jem në stadium dhe do të jem një tifoz i PSZH, në të mirë të futbollit francez. Edhe pse jam nga Marseja, mendoj se do të jetë diçka e bukur të shohësh PSZH duke eliminuar Barcelonën”, ishte deklarata e ish-mesfushorit të Real Madrid.

Zidan ka pranuar se një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, edhe për faktin se ndeshja luhet në “Kamp Nou”. Por ai beson se parisienët janë të aftë të dhurojnë surpriza të tjera në këtë sezon.

“Do të jetë shumë e vështirë për ta, por besoj se goli i Matuidi në ndeshjen e parë e ka bërë kualifikuesen shumë interesante. PSZH është një skuadër e aftë që të vendosë në vështirësi Barcelonën me lojën dhe individët që ka”, deklaroi Zidan.

Ndeshja e parë mes dy skuadrave, e luajtur në Paris, përfundoi me rezultatin 2-2, pasi Matuidi shënoi golin e barazimit për parisienët në minutën e 4-t shtesë të takimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 11:38

Barcelona ka dërguar në UEFA një protestë formale ndaj gjykimit të ndeshjes me PSZH në Ligën e Kampioneve, ku sipas katalanasve, gjyqtari gjerman Volfgang Stark, ka shkelur rregulloret duke i neglizhuar ato.

Pas përfundimit të ndeshjes me rezultatin 2-2, katalanasit pretendojnë se gjyqtari gjerman nuk di rregulloret e lojës, arsye pse ka bërë gabime fillestarësh në këtë ndeshje. Ata i referohen momentit kur Maskerano dhe Alba u përplasën me njëri-tjetrin dhe mbetën të dëmtuar në fushën e lojës.

.Sipas Barcelonës, gjyqtari nuk ka aplikuar në mënyrë korrekte rregulloren e lojës, pasi në atë moment duhej të ndërpriste në mënyrë automatike ndeshjen. Për më tepër, duhej të lejonte që të dy lojtarët të ktheheshin menjëherë në fushën e lojës, jo të prisnin aksionin e radhës.

“Stark ose nuk e njeh rregulloren, ose e njeh dhe nuk e aplikoi. Në të dyja rastet, sjellja e tij është shumë e rëndë. Nuk po ankohemi për golin e Ibrahimoviç, pasi edhe pse ishte në pozicion jashtë loje të dukshëm, e kuptojmë se gjyqtari dhe asistentët e tij mund të gabohen”, shpjegoi zëdhënësi për shtyp i katalanasve, Toni Freiksa. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 13:22

Barcelona ka qenë shumë e pakënaqur me vendimet e marra nga gjyqtari gjerman Volfgang Stark dhe asistentët e tij gjatë ndeshjes së luajtur kundër PSZH në Ligën e Kampioneve. Një fakt i tillë ka dalë në pah nga deklaratat pas ndeshjes të katalanasve që kanë aluduar për gjykim të njëanshëm nga ana e tij, duke përmendur sidomos golin në pozicion jashtë loje të Ibrahimoviç.

“Me sa më thanë, Ibrahimoviç ishte qartësisht në pozicion jashtë loje kur ata shënuan. Më kujtohet kur ndaj Milanit u shënua një gol kundër nesh pas një prekje me topi me dorë dhe gjyqtari nuk e pa. Edhe këtë radhë, kishte shumë vendime të diskutueshme të gjyqtarit”, ishte akuza e drejtpërdrejtë e zëvendëstrajnerit Zhordi Roura pas përfundimit të takimit.

Më i ashpër ka qenë reagimi i mesfushorit Serxhi Buskets, i cili ka akuzuar hapur për njëanshmëri të gjyqtarit gjerman.

“Deri në momentin kur ata barazuan, ka dhënë vendime kundër nesh. Goli i tyre ishte në pozicion jashtë loje të dukshëm dhe është e pamundur që vijërojtësi të mos e ketë parë. Faullet a kundërshtarëve ishin për karton të verdhë dhe ai nuk e nxirrte asnjëherë kartonin, ndërsa ne na ka ndëshkuar me karton në çdo faull që kemi kryer. Por nuk mund të bëjmë asgjë. Na ka ndodhur edhe një herë më parë kjo gjë në Milano kur Boateng shënoi pas prekjes së topit me dorë”, ishte shpërthimi i mesfushorit të Barcelonës. (LajmeShqip.com)