Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 16:31

E premtja ishte dita vendimtare për PSZH-në, pasi Karlo Ançeloti ka marrë edhe zyrtarisht drejtimin e skuadrës.

Ishte përfolur mjaft për drejtimin e PSZH-së, madje negociatat vazhdonin në mënyrë intensive që nga dita e djeshme, por akordi mes ish-trajnerit të Çelsit dhe Milanit, Karlo Ançeloti dhe PSZH-së u arrit vetëm sot.

Ançeloti ka nënshkruar kontratë për dy sezone e gjysmë dhe detajet e tjera nuk janë bërë të ditura në konferencën për shtyp. Por sipas mediave franceze, ai pritet të fitojë 550 mijë euro në muaj, duke u bërë ndër trajnerët më të paguar në botë.

Devid Bekam ka dhënë fjalën e tij se do të nënshkruaj me PSZH-në, ndërsa klubi gjigant francez është në kërkim të brazilianëve Kaka dhe Aleksandre Pato.

Gjatë konferencës për shtyp, u bë e ditur se Klod Makelele do të jetë ndihmës i Ançelotit, detaji i vetëm që kishte vonuar nënshkrimin e kontratës mes palëve deri në ditën sotme. Pak orë më parë, PSZH kishte falënderuar ish-trajnerin Kumbare, nëpërmjet një konference për shtyp, pasi ky i fundit kishte drejtuar me sukses skuadrën gjatë pjesës së parë të sezonit. (LajmeShqip.com)