Lajme Shqip Friday, 04 April 2014 15:42

Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të fundit të ish- kryeministrit Sali Berisha, duke i cilësuar ato  si rruga e rrënimit të vazhdueshëm post-elektoral.

“Sulmi i sotëm i liderit të vjetër në Facebook dhe zëdhënëses së re në ekran, flasin më shumë se çdo koment për dëshpërimin e partisë më të madhe në opozitë. Sharje, shpifje, trillime dhe përgojime personash krejt të pafajshëm që akuzohen si kriminelë vetëm pse i shërbejnë shtetit nën uniformën blu, janë vazhdë e trishtueshme e rrënimit që ka përfshirë PD ”,  theksohet në një deklaratë nga selia e PS.

Deputeti i Partisë Demokratike ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se ky i fundit sulmoi dhe akuzoi median si fajtore për gjuhën e përdorur nga ai dhe mashtrimet e bëra publikisht.

Këto deklarata ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë në një postim në rrjetin social “Facebook”.

 “Të dashur miq, dje, në të gjithë intervistën e tij, Edvin Kristaq Rama hoqi maskën dhe u vërsul me urrejtje të paparë ndaj mediave, të cilat sipas tij ishin tashmë fajtorë direkt për fjalët prej halabaku ordiner si: maskara, rrotë k… që kishte regjistruar mikrofoni i tyre në seancën parlamentare, mbasi ato ai i kishte thënë duke folur me vete dhe kundër askujt”, theksohet mes të tjerash në reagimin e ish-kryeministrit Berisha. 

 

 
Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 12:45

Tiranë- Kryeministri Edi Rama foli sot për emisionin e mëngjesit në Vizion Plus.

I pyetur se cili ishte shqetësimi i tij i parë, Rama tha: “Sa shpejt kalon koha”.

Ndërsa i pyetur se cila është frika e madhe e tij, Rama tha:“Të papriturat dhe ato çka mund të gjej përpara nga vështirësitë ekonomike, janë të vetmet gjëra që i druhem. Kjo për shkak se mund të gjendemi në ndonjë emergjencë kombëtare dhe frika ka një emërues, që mos gjendemi të papërgatitur në këto situata”.

Duke folur për integrimin e vendit, Rama nuk dha një përgjigje të saktë lidhur me datën për marrjen e statusit në BE.

“Statusi nuk është çështje date, rruga e integrimit nuk është rrugë që ne të shkojmë drejt Brukselit, por një rrugë brenda nesh, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Sfida është zgjimi i një shteti krejtësisht të përgjumur”, tha kryeministri.

Ndërkohë nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi, në një intervistë për Shekullin, akuzon qeverisjen e djathtë se ka shkatërruar administratën publike.

“Nëse ka një forcë politikë që ka shkatërruar administratën publike në këto 8 vjet, është opozita e sotme. Mijëra punonjës të administratës publike janë dëbuar, pa motivacion, nga institucione qendrore dhe vendore, sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet në 2005 dhe me pas në 2009, madje edhe pas humbjes së thellë të 23 qershorit. Sesa dëm njerëzor dhe financiar ka shkaktuar kjo opozitë, ju lutem shihni vendimet gjyqësore të dhëna, dëmshpërblimet e paguara dhe të papaguara për largimet e padrejta të njerëzve nga puna. Akuzat e opozitës së sotme janë një alibi ndaj luftës pa kompromis që mazhoranca do bëjë kundër korrupsionit në administratën publike,” tha Hysi.

E pyetur në lidhje me ligjin e ri, ku numri i nëpunësve civilë shtohet nga 6 mijë në 20 mijë, Hysi tha se qeveria e re nuk kishte parashikuar në buxhet asnjë fond për zbatimin e këtij ligji. Madje Hysi thotë se aktualisht arka e shtetit është bosh dhe nuk ka paga as për administratën ekzistuese.

“Ky është një nga problemet kryesore që e bën ligjin e ri të pazbatueshëm për momentin, përveç vakumit ligjor që do të krijohej me shfuqizimi e ligjit të vjetër dhe mungesën e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit të ri. Në buxhetin e viti 2013, Qeveria e kaluar nuk kishte parashikuar buxhetin për zbatimin e ligjit të ri, madje ka boshatisur arkën e shtetit edhe për pagesën e administratës ekzistuese. Që nga miratimi i ligjit, asnjë akt nënligjor që do të rregullonte emërimet, lëvizjet dhe promovimet e administratës publike nuk është përgatitur”./tema/ 

 
Lajme Shqip Friday, 06 September 2013 11:09

Tiranë- Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste e cila ka zgjatur vetëm 20 minuta ka rikonfirmuar emrin e Gramoz Ruçit në krye të grupit parlamentar të kësaj partie. Pas mbledhjes, në një njoftim zyrtar PS ka konfirmuar këtë propozim i cili do ti shkojë për miratim mbledhjes se grupit parlamentar që do zhvillohet mesditen e sotme.

“Kryesia u njoh, gjithashtu, edhe me kalendarin e aktiviteteve të javës që vjen, kur edhe qeveria e re do të nisë zyrtarisht punën”, thuhet në njoftimin zyrtar të PS.

Ndërkohë sipas raportimit të gazetarit të News24 nga selia e PS, Arber Hitaj në mbledhjen e sotme të kryesisë është diskutuar edhe për hapjen e garës për zgjedhjen e kreut të PS pas përfundimit të mandatit të zotit Rama.
Por zyrtarisht mësohet se ndërkohe kryesia e PS ka vendosur që sipas statutit të hapë dhe garën për kreun e PS.

“Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do të zhvillohen zgjedhjet në parti”, njoftoi zyra e shtypit te PS pas mbledhjes se kryesise.

U tha se në këtë mbledhje do të diskutoheshin edhe emrat për postin e nenkryetarit të kuvendit, nënkryetareve të grupit të PS dhe krerëve të Komisioneve Parlamentare që drejtohen nga PS, por këto çështje do të shqyrtohen javën e ardhshme pas seancës së parë të kuvendit, ditën e hënë./bw/

 
Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 14:21

Vlorë – Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama njoftoi nëpërmjet” Facebook” mbylljen në Vlorë të takimit të parë informal të qeverisë së re.

Qeveria e re, e cila pritet të marrë detyrën në shtator ka zhvilluar takime prej ditës së djeshmë në qytetin bregdetar.
Në mesazhin e tij në Facebook, Rama nënvizon, “Detyrat janë tonat, pushteti i popullit”
Kryeministri Rama, njëkohësisht deputet i qarkut të Vlorës, do t’ia kushtojë ditën e sotme këtij qarku.
Ai gjatë paradites do të takohet me të gjithë deputetët socialistë të këtij qarku, me të cilët do të diskutojë rreth nevojave dhe prioriteteve që ka ky qark, për t’u bërë më pas projekte të qeverisë së ardhshme.
Rama do të takojë dhe të zgjedhurit vendorë në këtë qark, kryetarët e bashkive dhe komunave të këtij qarku.
Mësohet se në fokus të këtij takimi do të jetë aksioni i madh që pritet të nisë në shtator për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe abuzive, të cilat shtrihen në të gjithë vijën bregdetare të këtij qarku.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 12:38

Tiranë- Organi zyrtar i Rilindjes Demokratike ka ngritur një teori të tërë për kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, duke u bazuar vetëm nga fakti se ai ka ndjekur finalen e Superkupës së Italisë, Lacio-Juventus. Sipas RD-së, Rama është oligarku i fshehtë i ekipit të Lacios.

“Edi Rama është një nga aksionerët e Lacios? Kjo nuk mund të jetë një rrufe në qiell të hapur. Prej kohësh burime sportive deklarojnë nën zë se Rama është një prej aksionerëve të fshehtë tek Lacio.
Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të zyrtarizuar, por për një marrëveshje të mirëkuptuar për të cilën sistemi ynë është disi i paqartë, amatoresk dhe i pafuqishëm për të investiguar ngjarje të tilla, ndërsa ai italian ka provuar se tek Lacio marrëveshje të tilla kanë ndodhur edhe më parë dhe i ka ndëshkuar aksionerët kryesorë të këtij klubi”, shkruan “RD”.
Sipas kësaj të fundit, edhe pse Juventusi, ekipi me të cilin Rama është tifoz, shënoi katër gola, ai u pa i mërzitur në të katërt golat e shënuar, çka tregon “lidhjet” e Ramës me Lacion,raporton Tema.
“RD” shkruan se Rama ka paguar 600 euro për biletën e takimit, ndërkohë që në fakt ai ishte ftuar nga ana e drejtorit sportive të Lacios, Igli Tare.
Pikërisht miqësinë me këtë të fundit, “RD” e ka shfrytëzuar për të ngritur teorinë konspirative.
“Janë të njohura rastet ku oligarkë rusë si Abramoviç tek Çelsi dhe shumë të tjerë shpenzojnë milionat e fituara nga kaosi ekonomik më Rusi në futbollin anglez e gjetkë. Nën shembullin e oligarkëve rusë, tani kanë nisur të hyjnë në futboll edhe oligarkët e rinj kinezë, arabët dhe pse jo edhe një shqiptar si Edi Rama.
Në ndryshim nga të gjithë oligarkët e tjerë, Rama ka një problem tjetër. Nëse Abramoviç dhe të tjerë nuk kanë ambicie për karrierë politike, Rama do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, ndaj ai nuk mund të bëjë publike shumat të cilat ai pastron përmes sportit të futbollit”, shkruan “RD”./b.l

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 13:07

Tiranë – Artan Hoxha, duke komentuar vendimin e Edi Ramës për të mbledhur qeverinë në Vlorë, shprehet se ai është bërë si xha Sulo, se Rama është i fiksuar pas formës, duke akuzuar se Rilindja është rrëzuar përderisa është në një bashkëjetesë në qeverisje me ish-patericën e atij që ai e quan regjim.
“Edi Rama është fiksuar në ekstrem pas formës. Shkroi Kurban-in para Rilindjes, shpalli Rilindjen, evokoi përmbysjen e regjimit, kandidoi në emër të saj në Vlorën e Pavarësisë dhe po kështu mbledh kandidatët për ministra në Vlorë. Por e gjithë kjo simbolikë, sado insistuese, nuk mbulon faktin që Rilindja mbeti në vendnumëro dhe i duhet të bashkëjetojë me ish-patericën e regjimit dhe pjesën e politikës së vjetër.
Ndaj të gjitha këto që bën Edi Rama më kujtojnë ëndrrën e xha Sulos tek filmi Kapedani, i cili në ëndërr lufonte kundra turkut, grekut, italianit e gjermanit bashkë…”, deklaroi për gazetën “Shqiptarja.com”, Artan Hoxha.

 
Lajme Shqip Friday, 02 August 2013 13:16

Tiranë – Në mbledhjen e parë me ministrat e rinj, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, u ka kërkuar atyre që të heqin dorë nga bizneset e tyre, për të mos pasur konflikt interesi.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Shekulli.
Një gjë të tillë bëri edhe kryeministri Sali Berisha kur mori detyrën në vitin 2005, duke detyruar ministrat që të heqin dorë nga bizneset e tyre.
Por cilët janë ministrat e qeverisë së re, që kanë në pronësi biznese?
E përditshmja Shekulli sjell një listë.
Lefter Koka, ministri i ardhshëm i Mjedisit është aksioner në të paktën dy biznese, sipas të dhënave të QKR-së. Ai është një ndër 186 aksionerët e Kantinës së Pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me seli në Durrës. Koka është edhe përfaqësues ligjor i shoqërisë “Sucralba”, regjistruar si biznes që në 1999, dhe që merret me ndërtimin e linjave të prodhimit dhe vënien në shfrytëzim i impianteve prodhuese, përpunim dhe shitje e sheqerit të konfeksionuar dhe me thasë të gjitha përpunimet plotësuese të domosdoshme ose të nevojshme në varësi të llojeve të ndryshme të prodhimit.
Ilirjan Celibashi, që do të jetë ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas largimit nga detyra e kryetarit të KQZ-së, hapi studion Ligjore “Celibashi & Associates” dhe në QKR firma e regjistruar me emrin “Ilirjan Celibashi” në 2006 dhe që ende e ka statusin “aktiv”.
Arben Ahmetaj, ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, vijon të jetë prej vitit 2001 përfaqësues ligjor i firmës “H– COMMUNICATIONS”, me seli në Rrashbull të Durrësit. Firma ka për objekt telekomunikacione, konsulencë financiare, software, brokers, çdo operacion financiar, tregtar, industrial, me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi me një nga objektet e shoqërisë. Ahmetaj, që është edhe drejtor ekzekutiv, ka 65 për qind të aksioneve me firmën “Hermes”, ndërsa 35 për qind i ka ortaku tjetër, Vilma Nushi.
Ilir Beqaj, i zgjedhur si ministër shëndetësie, vijon të jetë përfaqësues i firmës “INTECH +”, regjistruar në tetor 2001. Objekti i saj janë tregtimi i sistemeve kompjuterike për përpunim informacioni dhe transmetim, prodhim i programeve aplikative, instalimi i sistemeve të informacionit dhe të ndërlidhjes, shërbim dhe tregtim i sistemeve elektronike në çdo fushë të ekonomisë. Përfaqësues ligjor ishte Sokol Sinani që kishte 49 për qind dhe Ilir Beqaj 51%, por më pas Beqaj ka mbetur ortaku i vetëm. Beqajt iu hoq mandati i deputetit me akuzën e ngritur nga PD-ja në 2010 se kishte marrë fonde shtetërore me anë të firmës private.
Damian Gjiknuri, i caktuar si ministër i Energjisë dhe Industrisë, i ka çregjistruar me kohë aktivitetet e tij private. Ai kishte 25 për qind të aksioneve te firma AB – GROUP, regjistruar në 2007 dhe që kishte për objekt import-eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industrial, konfeksione, tekstile, prodhime lëkurë, tregtim të lëndëve të para për prodhimin e mobilieve dhe elementëve te tyre, artikuj shkollor, kozmetike, higjieno- sanitare, etj dhe që u çregjistrua në dhjetor 2009. Gjiknuri ka çregjistruar edhe zyrën e tij të avokatisë të regjistruar në shtator 2008. Po ashtu Gjiknuri ka mbyllur aktivitetin e firmës “IMMOAIR”, regjistruar në mars 2007, ku ishte pronar i vetëm i firmës që merrej me shitblerje të pasurive të patundshme, aktivitetet e ndërmjetësimit dhe zhvillimit të turizmit, shërbime ndërmjetësimi për aktivitete të ndryshme tregtare.