Lajme Shqip Wednesday, 25 June 2014 13:15

Një kërcënim ka marrë deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi nga një i burgosur ditën e diel, i cili e ka kryer telefonatën nga kabina e Burgut 302, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Personi mendohet se është i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Laç, Altin Piroli. 

Ngjarja është konfirmuar nga tri institucione, nga Policia e Tiranës, Prokuroria, si dhe nga Burgu 302, ku janë kryer verifikimet për identifikimin e autorit të telefonatës kërcënuese.

Kërcënimi ka ndodhur paraditen e së dielës, dhe është denoncuar menjëherë në Komisariatin nr.3 të kryeqytetit. Denoncimi është bërë nga deputeti Abazi, i cili bëri padi në polici për telefonatën nga Burgu 302 në Tiranë.

Ndërkohë  grupi hetimor ka nisur procedimin penal me akuzën “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Ndërsa vetë deputeti Abazi nuk ka pranuar të komentojë ngjarjen, madje edhe e ka mohuar atë, me pretendimin se nuk ka bërë asnjë kallëzim të kësaj natyre. 

 
Lajme Shqip Thursday, 19 June 2014 14:11

Derisa ish Kryeministri Sali Berisha mund tashmë të deklarohet edhe legalisht i çmendur, në Partinë Socialiste kanë filluar të thonë se nëse flitet për ‘kurva’ atëherë Berisha duhet të shoh tek pragu i tij i shtëpisë.

Për shkak të gjuhës së përdorur në Kuvendin e Shqipërisë, duke e quajtur ‘kurvë dhe prostitutë’ gruan e një ministri, Sali Berisha është dënuar me 10 ditë mospjesëmarrje në Kuvend.

Por si duket vetëm kjo masë e ndërmarrë nuk e ka kënaqur Partinë Socialiste, që janë ndier të ofenduar rëndë me gjuhën që ish Kryeministri shqiptar ka përdorur për gruan e një kolegu të tyre.

“Nëse qeni të ha, tash nuk do të thotë se duhet të kthehesh e ta hash qenin, por megjithatë Berisha e meriton t’i thuhet troç. Ai është mirë të sheh në rrethin e tij të ngushtë të krushqisë. Ai aty mund të gjej kurvat”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë i PS’së.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:22

Tiranë- Zgjedhja e kryetarit të PS-së pritet të bëhet në fillim të vitit të ri. Mandati i kryetarit aktual, Edi Rama, që tashmë është edhe kryeministër i vendit, mbaroi në 26 shtator. Megjithëse po shkon 2 muaj nga kjo datë, asnjë procedurë s’ka nisur. Burimet nga PS bënë të ditur se në muajt janar ose shkurt pritet të procedohet për një gjë të tillë.
Kjo konsiderohet një proces formal për socialistët, pasi Edi Rama e ka të garantuar mandatin e tij të ri në krye të PS-së, tashmë pasi u fituan edhe zgjedhjet e 23 qershorit. Por, kjo është një procedurë të cilën e detyron statuti i partisë. Këto zgjedhje nuk janë bërë ende sipas afateve, për shkak të angazhimeve që ka pasur Rama si kryeministër dhe qeveria e re, për të vënë në vijë së pari situatën në vend. Për të ndjekur këtë procedurë që e dikton statuti, u ngarkuan nga grupi parlamentar tre përgjegjës, Bashkim Fino, Blendi Klosi dhe Tualant Balla, të cilët do të hartonin një raport, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të partisë, por edhe për zgjedhjet në organizata, të cilat përsëriten çdo dy vjet, sa herë pas zgjedhjeve.

Deri tani nuk ka asnjë raport, por nuk ka pasur asnjë mbledhje kryesie për këtë, edhe pse ishte parashikuar që në 15 nëntor të mbahej një e tillë. Rama ka përfunduar kështu, mandatin e tij të tretë në krye të PS-së. Në zgjedhjet e fundit, Rama kishte përballë Maqo Lakrorin, në garën për kreun e PS-së.

Zgjedhja e kryetarit bëhet sipas parimit “një anëtar-një votë” dhe në garën e fundit Rama fitoi me rreth 90% të votave të socialistëve që morën pjesë. Rama erdhi në krye të PS-së pas largimit të Fatos Nanos, i cili dha dorëheqjen edhe si kryetar i partisë, pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës. /G.SH/BW/

 
Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 17:28

Tiranë- Përkujtohet 69 vjetori i çlirimit të Tiranës nga ushtria naziste. Aktiviteti përkujtimor është mbajtur në sheshin e “Ushtarit të panjohur” në kryeqytet. 

Kjo ditë e shënuar për kryeqytetin ka mbledhur bashkë drejtuesit vendorë të cilët kanë përkujtuar Dëshmorët e Atdheut. Dhjetëra veteranë, qytetarë, kryetari i Bashkisë së Tiranë Lulzim Basha dhe prefekti Sadi Vorspi kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjatë kësaj ceremonie, fjalën përshëndetëse e mbajti, prefekti, Sadi Vorpsi dhe më pas kryetari i organizatës së veteranëve, Rustem Peçi. Të pranishëm ishin edhe disa nga familjarët e viktimave. Më pas fjalën e mori kreu i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili theksoi se sot është dita e reflektimit për të mos i lënë të tradhëtohen vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat shqiptarët kanë paguar shumë shtrenjtë, raporton shekulli.

“Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër”, -tha Basha. 

 
Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 10:56

Tirane- Mbështesim kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika.Jemi të bindur se është i pafajshëm”. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Socialiste të Vlorës, Edmond Leka, në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”.

Ndërkaq, vetë Gjika, vijon të heshtë që prej ditës kur u vu përballë akuzës “Falsifikim i dokumenteve”, nëpërmjet të cilave ka lejuar ndërtime shumëkatëshe në qendër të qytetit. Kryebashkiaku i Vlorës nuk ka dashur që të prononcohet në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, ndërkohë që sipas burimeve brenda PS-së së Vlorës, mësohet se ky qëndrim është vendim i avokatit të tij. Sipas këtij vendimi që Gjika ka marrë pas konsultës me avokatin e tij, ai do të prononcohet për çështjen vetëm ditën që do të paraqitet në gjykatë. E duket se ajo ditë nuk do të jetë shumë e largët. Kjo, pasi pasditen e së martës, në Gjykatën e Vlorës është hedhur shorti për caktimin e gjyqtares së çështjes. Anastasi Shehu duket se do të jetë gjyqtarja që do të vendosë fajësinë apo pafajësinë e kryebashkiakut të Vlorës. Pas shqyrtimit të dosjes nga ana e Shehut, pritet të caktohet edhe data e seancës së parë, ndaj Gjikës dhe 7 personave të tjerë të akuzuar.

Shorti
Megjithëse kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika kishte vendosur të reagonte në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij që prej ditës së hënë, duket se deklaratat e kreut të qeverisë Edi Rama, kanë bërë që ai të tërhiqet nga dalja publike. Të martën, në orën 15:00, është hedhur dhe shorti për gjykimin ndaj kryebashkiakut, që i është caktuar gjyqtares Anastasi Shehu, së cilës i ka shkuar dosja mëngjesin e djeshëm. Nuk dihet ende kur do të jetë seanca e parë, por zakonisht kjo vendoset brenda 10 ditësh nga marrja e dosjes, ku gjyqtari ka kohë për ta shqyrtuar atë. Në bazë të procedurës, kryebashkiaku Gjika do të dalë para gjyqit brenda datës 10 nëntor. Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Vlorës ka mbrojtur numrin një të bashkisë, duke e konsideruar madje atë të pafajshëm. Edmond Leka, kreu i PS-së Vlorë deklaroi se Gjika ka mbështetjen e tij, pasi janë të bindur në pafajësinë e tij. “Jemi në mbështetje të kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Jemi të bindur se është i pafajshëm”, – u shpreh Leka. Ndërkohë, asnjë prej punonjësve të bashkisë nuk kanë komentuar këtë situatë dhe i gjithë qyteti qëndron të terr informativ për sa u përket reagimeve nga ky institucion. Mësohet se Gjika ka vijuar normalisht punën këto ditë dhe është gjendur në bashki.

AKUZAT
Hetimi ndaj kryebashkiakut ka nisur që në muajin shkurt të këtij viti. Prokuroria e Vlorës akuzon Gjikën se, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja. Lejet e ndërtimit janë dhënë për dy komplekse banimi,13 dhe 6-katësh

 
Lajme Shqip Thursday, 26 September 2013 14:47

 

Ish- Kryeministri Sali Berisha, përsëriti në seancën e Kuvendit faktin se statusi i vendit kandidat për në BE po pengohet për shkak se po preket ligji për shërbimin civil.

 

Berisha tha se është duke u përgatitur një akt normativ për të rrëzuar konsensusin e arritur për këtë ligj.

 

“Statusi është i sigurt. Është gabim fatal nëse ne ndërmarrim veprime për ta shtyrë atë. Ju garantoj që dënojmë vendin në këtë mënyrë. Ministri i Jashtëm, bashkë me Kryeministrin, kanë mashtruar 100 përqind në Bruksel. Korpusi i nëpunësve civilë është një pasuri e madhe,” tha Berisha.

 

Ai akuzoi se në krye të Departamentit të Administratës Publike është vënë një i Bashkisë së Ramës.

 

Berisha shkoi më tej kur tha se po hiqen nga puna edhe socialistët, pasi kjo drejtori e ka pasur gjysmën me socialistë.

 

Fjalës së Berishës iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që e quajti Berishën bashkëkryetar të opozitës. Më herët Berisha e kishte quajtur Metën bashkëkryetar të mazhorancës.

 

“E vlerësoj shumë shqetësimin tuaj zoti bashkëkryetar i opozitës, që do të ndalësh socialistët që kanë ardhur në pushtet, për të larguar socialistët që ishin në punë,” tha Meta.

 

Ai shkoi edhe më tej kur tha se nuk do e zbatojë rregulloren e Kuvendit për Berishën, që nënkupton se ai do të flasë sa herë të dojë.

 

Pas këtij debati, Sali Berisha u largua nga salla e Kuvendit.

 

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Berisha tha se “ecjen dhe notin i bëj pa asnjë përtesë”.

 

I pyetur nga gazetarët nëse Berisha është bashkëkryetar i PD-së, përgjigja e ish- Kryeministrit ndaj gazetares ishte arrogante: “Je zëdhënëse e zotit Meta”.

 

Ndërkohë në Kuvend u hoq nga rendi i ditës diskutimi për lirimin nga detyra të dy ish-anëtarëve të KQZ-së, Denar Biba dhe Albana Shtylla.

 

“Kjo pikë nuk ka qenë në rendin e diskutuar prej nesh. Konferenca e Kryetarëve nuk është njoftuar, por edhe ditën e mbledhjes kemi lënë vetëm miratimin e komisioneve dhe këshillave”, tha Paloka.

 

Opozita shkoi më tej kur akuzoi se ky ishte një shpërblim për dy ish- anëtarët e KQZ-së për veprimet e tyre.

 

Kurse Ilir Meta tha se nuk mund të mbahet me pahir në detyrë dikush që kërkon të largohet.

 

“Kjo ka të bëjë me vetë kërkesën e të interesuarve, të cilët nuk mund t’i mbajmë me pahir si anëtarë të KQZ-së. Nëse ju mendoni se kjo është shkelje e rregullores, mendoj se do ishte mirë të respektohen të drejtat e njeriut, se nuk mund të mbash me pahir një njeri në një detyre kur kërkon të largohet prej saj”, tha Meta.

 

Opozita e ndezi debatin për këtë çështje për shkak se Albana Shtylla, një nga anëtarët e dorëhequra të KQZ-së, përflitet se do të shkojë si Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit.

 

Pavarësisht debatit, kjo kërkesë e opozitës gjeti konsensusin e maxhorancës dhe u vendos heqja nga rendi i ditës së kësaj pike.

 

Seanca u mbyll me votimin e Vangjel Dules si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Dule mori 104 vota pro.

 

Po ashtu u miratuan me 120 vota pro dhe asnjë kundër përbërja e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Gjithashtu është miratuar edhe përbërja e sekretarive të Kuvendit të Shqipërisë, me 117 vota pro.

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 September 2013 13:53

Tiranë- Jo pak njerëz janë shtangur sot në oborrin e Spitalit Ushtarak, kur nga makina e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u shfaq një djalë i vogël rom.

Me këmbën në allçi, ai u drejtua për nga dera e spitalit për herë të dytë brenda pak ditësh.

Elidoni i vogël, 2 vjeçar, është fëmija i aksidentuar më 31 gusht në rrugën përballë pallatit me shigjeta, aty ku prej më shumë se pesë javësh familjet rome kanë ngritur çadrat pasi u dëbuan nga trualli i ish-Dekorit, ku edhe jetonin prej vitesh.

Veliaj e kishte njohur Elidonin gjatë vizitës që kreu në ditën e tij të parë të punës tek 37 familjet e shpërngulura rome.

Nëna e Elidonit i qe ankuar se e kishte çuar djalin për vizitë në spital, por që andej kishte dalë e përbuzur dhe pa mjekim.

Dy ditë më pas, Veliaj duket se e ka mbajtur premtimin.

Ai e ka marrë në makinën e tij Elidonin dhe e ka shoqëruar personalisht në Spitalin Ushtarak, ku fëmija mori trajtimin e munguar mjekësor.

Veliaj u shoqërua edhe nga deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti, ish- shef i Urgjencës.

Ministri i MSR-së ka premtuar zgjidhje të shpejtë për sistemimin e familjeve rome, të cilat ende sot jetojnë në kushte jo normale./tema/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 01 September 2013 13:02

Tiranë – Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ne nje interviste per “Panorama” u përgjigjet akuzave të bëra nga Kryeministri Berisha për lidhjen e afërt familjare që ka me kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Harito shprehet se është fis i largët me Ramën, nga ana e nënës së saj, por që nuk kanë shkuar mes tyre. Madje, sipas zonjës Harito, me Ramën nuk njihej fare deri në vitin 1992, kur janë takuar për herë të parë jashtë vendit.

Ajo, në vend të akuzave, priste një qëndrim më dinjitoz nga Kryeministri në detyrë pas humbjes. Harito shprehet se ka qenë një maturante e shkëlqyer, me “Medalje të artë”, që zgjodhi degën e re të Informatikës në atë kohë, ndërsa në Francë, pas studimeve të plota dhe doktoraturës, punoi si menaxhere në kompaninë e njohur në Europë, “Orange”.

Harito vlerëson zhvillimin e internetit në Shqipëri pas vitit 2009 dhe shprehet se qeveria ka projekte ambicioze për ta shtrirë atë në të gjitha shërbimet, duke minimizuar korrupsionin dhe shërbyer sa më mirë qytetarëve. Edhe projekti për përdorimin e Tablet-ave në shkolla, edhe pse i vështirë, mbetet një sfidë që do të arrihet.

 

Zonja Harito, ju ishit një nga prurjet e reja në PS si për programin, ashtu dhe për listën e deputetëve apo dhe si pjesë e kabinetit. Sa e lehtë ishte për ju të linit Parisin dhe jetën akademike dhe t’i përkushtoheshit politikës?
Së pari, diçka më konkrete për karrierën time, e cila kishte një komponent të vogël akademik, pra mësimdhënie në universitet. Pjesa kryesore e saj është karriera menaxheriale në një korporatë të madhe, “ORANGE”, operatori i dytë në Europë. Për t’i vendosur gjërat në kontekst, “ORANGE” ka një xhiro vjetore rreth 50 miliardë euro, mbi dyfishin e PBB së Shqipërisë. Karriera brenda një kompanie të këtyre përmasave dhe në një vend si Franca, me konkurrencë shumë të lartë në cilësinë e kuadrove që prodhon, kërkon shumë punë dhe një sërë aftësish. Gjithë kjo hyrje për të shpjeguar se angazhimi në politikën aktive në Shqipëri është vërtet diçka e re për mua, por konteksti ku kam jetuar më ka përgatitur për të përballuar vështirësitë. Për t’u kthyer te pyetja juaj konkrete, asnjë zgjedhje në jetë nuk është e lehtë. Çdo herë që zgjedh diçka detyrohesh të lësh mënjanë diçka tjetër. Çdo herë që ndërron profesion ose vend, diçka do të sakrifikosh e të tjera sfida të presin. Edhe kjo zgjedhje ka vështirësitë e veta, por është edhe një fat dhe besim i madh për të kontribuar në nivel të lartë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ju keni studiuar për Informatikë, një degë që e fitonin ose ata maturantë që ishin absolutë, me “Medalje ari” (term i asaj kohe), ose që kishin mbështetje të fortë politike. Si e fituat këtë degë?
Shumë thjesht. Kam mbaruar gjimnazin “Sami Frashëri” me medalje ari, që do të thotë me notat maksimale në të gjitha lëndët dhe gjatë gjithë viteve. Sipas rregullave të kohës, kjo të jepte të drejtë të zgjidhje degën që dëshiroje. Meqenëse dëshira më kish shtyrë gjithnjë drejt atyre që quhen shkenca ekzakte dhe Informatika e sapohapur ishte shumë tërheqëse si shkencë e së ardhmes, pata fatin ta ndiqja në Fakultetin e Shkencave, me një cilësi të jashtëzakonshme pedagogësh të asaj kohe. Pikërisht ky nivel shumë i lartë i universitetit tonë ma bëri të thjeshtë integrimin e menjëhershëm në ambientin profesional në Francë sapo mbërrita atje në vitin 1991. Sidoqoftë, dy vjet më vonë vendosa të vazhdoj deri në fund ciklin shkollor në Paris, duke bërë doktoraturën në universitetin “Pierre et Marie Curie”, të aplikuar pranë qendrës së Inovacionit të France Telecom.

Kundërshtari juaj politik, vetë Kryeministri në detyrë Sali Berisha, ju ka akuzuar se ngjitja juaj në politikë ka ardhur vetëm pse jeni kushërira e kryetarit të PS, Edi Rama. Keni ju një koment për këto deklarata?
Pas së ashtuquajturës dorëheqje dhe pranim të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, mendoj se do të kishte qenë më mirë për Shqipërinë nëse zoti Berisha do t’ia kishte dalë të mbante një qëndrim më dinjitoz.

Në të vërtetë, cila është lidhja juaj familjare me zotin Rama?
Zotin Rama e kam fis të largët, të gjashtë ose të shtatë. Madje, në këtë nivel, besoj se askush nuk i njeh më kushërinjtë. Por, nga ana e fisit të nënës sime, dikush ka qenë i pasionuar pas gjenealogjisë dhe e ka ndjekur e krijuar pemën e familjes deri në vitin 1560/Panorama/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:37

Tiranë – Një nga çështjet më të nxehta të këtyre ditëve të nxehta të verës është edhe droga e Lazaratit.
Policia bën sikur bllokon ujin që shkon në Lazarat, por duket se nuk ka ndërmend që të ndërmarrë një aksion direkt në fshatin problematik, që sipas italianëve prodhon deri në 4.5 miliard euro hashash.
Deputeti socialist, Erion Braçe, thotë se janë 7- 8 bosë të drogës në Lazarat, që e dirigjojnë gjithçka nga larg, transmeton Tema.
“Kjo që policia po bën rreth e qark Lazaratit nuk ka as kuptim e as duk. E di gjithë jugu se në Lazarat ka 7- 8 bosë të drogës. Ata dirigjojnë çdo gjë, madje në më të shumtën e kohës jashtë e larg Lazaratit. Ata janë problemi, ata drejtojnë organizatat,” shkruan Braçe në FB.
Lazarati do jetë një sfidë për qeverinë e re socialiste, që është angazhuar për të sjellë rend dhe siguri në 300 ditët e para.

 
Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 14:11

Tiranë – Ish-deputeti socialist, Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverisjen e fundit socialiste, kërkon nga ministrat e rinj që të mos merren me ftesa në Facebook, por me strategji konkrete për programin e ri qeverisës.
“Dokumente konkrete, si draft-programi i qeverisë dhe draft-strategjitë sipas prioriteteve dhe ministrive, mund të ndihmojnë për kontribute më të plota dhe të vlefshme, sesa ftesat nëpërmjet fb”, shkruan Malaj.
Sipas tij, qeveria dhe ministrat e saj duhet të studiojnë mirë të gjitha strategjitë aktuale, raportet e ndërkombëtarëve, për të ndërtuar një program qeverisës sa më realist.
“Duhet të studiohen strategjitë aktuale sipas prioriteteve dhe ministrive; duhen studiuar raportet ndërkombëtare për këto prioritete, për luftën kundër krimit të organizuar, për trafikun e drogës dhe njerëzve, për korrupsionin, për pronat, për administratën publike; duhen studiuar raportet e projekteve ndërkombëtare sipas ministrive konkrete, raportet vjetore sipas donatorëve, ku mund të gjenden analiza edhe të vlefshme për të qartësuar problematikën dhe rivendosur prioritetet”, shkruan Malaj.
Ai nënvizon dhe nevojën e partive politike për të pasur ekspertët e tyre kur janë në opozitë, për t’i pasur ata të identifikuar për në qeverisje kur fitojnë zgjedhjet.
“Partitë politike duhet, nëpërmjet komisioneve (që vlerësohet të jenë simetrike me strukturën e qeverisë), që në opozitë të identifikojnë ekspertët e fushave përkatëse, rendit, energjisë, shëndetësisë, arsimit, financave, bujqësisë, turizmit etj., të cilat mund të jenë ekipe të bërthamave këshilluese për strategjitë dhe implementimin e tyre. Shoqëria civile ka ekspertët e saj publikë, që kanë bërë studime apo janë përfshirë në mënyrë profesionale në debatet publike për fushat dhe prioritetet përkatëse”, shkruan Malaj në adresën e tij në Facebook.
Pas shpalljes së emrave të ministrave të rinj nga ana e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, disa prej tyre kanë hapur një debat publik për të marrë sugjerimet dhe ekspertizën e qytetarëve, për të përmbushur më mirë misionin e sektorëve që ata do të mbulojnë me ministritë e tyre.