Lajme Shqip Sunday, 27 October 2013 12:45

Tiranë- Prokuroria e Përgjithshme pretendon se disponon provat e nevojshme që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në falsifikimin e procesverbaleve për favorizimin e dy ndërtimeve pa leje në qytetin bregdetar. Për këtë arsye, organi qendror i akuzës ka kallëzuar penalisht kryebashkiakun e Vlorës.

Në një konferencë për mediat, Drejtoresha e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri bëri të ditur se Shpëtim Gjika akuzohet se ka falsifikuar, në bashkëpunim me shtetasen Eleni Dardhaj, procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë, për të favorizuar dy ndërtime në Vlorë.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj 8 të pandehurve, ndër të cilët edhe për Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, të gjithë të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Pas një hetimi, të nisur në shkurt 2013, prokuroria e Vlorës arriti të provonte se i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.”- deklaroi Ballauri.

Sipas Prokurorisë, është dhënë leje ndërtimi për pallate në zona që rezultojnë të jenë vende ku nuk lejohet të ndërtohet.

“Në bazë të të dhënave të rreme, të prodhuara nga të pandehurit, është dhënë leje ndërtimi: – për kompleks banimi dhe shërbimi 13-kate me parkim nëntokë me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj. Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm, ndodhet në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Rasat”, Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet. Po ashtu, në bazë të të dhënave të rreme, është dhënë leje ndërtimi:
– për një godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papagingo, me një kat nëntokë, në lagjen Pavarësia, me pronar trualli të pandehurin Gëzim Feta e subjekt ndërtues EN-BJO sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj. Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në lagjen “Pavarësia”, brenda territorit të Portit Detar Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.”- thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Përveç kallëzimit për Shpëtim Gjikën, prokuroria ka dërguar në gjykatë një padi edhe për shtetasen Eleni Dardhaj, e dyshuar si bashkëpunëtore e kryebashkiakut në falsifikimin e procesverbaleve të KKRT-së. Ndërkohë mësohet se të pandehurit e tjerë janë: “Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “ndërtimi i paligjshëm” të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 186/1, 199/a/1 e 25 të K.Penal. Ndërsa, të pandehurit Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “ndërtimi i paligjshëm” të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të K.Penal.”

Kallëzimi penal për kryebashkiakun e Vlorës vjen në të njëjtën ditë, kur në qytetin bregdetar pritet të shembet me eksploziv një ndërtesë pa leje 7-katëshe./ballkanweb/ 

 
Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 11:40

TIRANË–  Adriatik Llalla nis sot zyrtarisht detyrën si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 11:00 në Prokurorinë e Përgjithshme, ku Ina Rama do t`i dorëzojë në mënyrë simbolike detyrën pasardhësit të saj Adriatik Llalla.

Më 3 dhjetor Presidenti Nishani dekretoi Adriatik Llallën në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në relacionin shoqërues të dekretit presidencial, Nishani vlerësonte eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme. Opozita kundërshtoi dekretin, megjithëse u shprehën se ishin dakort me emrin, pasi e cilësuan procesin antikushtetues.

Adriatik Llalla, duke e quajtur detyrën e re sfidë dhe përgjegjësi të madhe, ka garantuar se do të luftojë korrupsionin edhe brenda Prokurorisë. 

DEBATI PËR MANDATIN 
Ashtu siç ishte parashikuar mandatit të kryeprokurores Ina Rama po i vjen fundi, pas dekretimit të Adriatik Llallës, i cili pritet të zërë vendin e saj në krye të organit të akuzës. Ishte vetë Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, i cili pas konsultave me partitë politike paralajmëroi se mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor, duke formalizuar edhe qëndrimin e mazhorancës për këtë çështje, ndërkohë që opozita kundërshtoi vendimin duke theksuar se mandati i kryeporkurores përfundon më 23 maj 2013-të, datë kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit.

KUVENDI MIRATON LLALLËN KRYEPROKUROR, TOPALLI NUK VOTON
Me 75 vota pro dhe 54 abstenim, Kuvendi miratoi dje dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Adriatik Llallës në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, nuk mori pjesë në votim. Zyra e shtypit e Kuvendit sqaroi dje zyrtarisht për mediat se “mosvotimi i zonjës Topalli është plotësisht i ndërgjegjshëm dhe një zgjedhje e saj personale”, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.  

Votën pro kryeprokurorittë ri e dha ndërkohë deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS, Kastriot Islami, të cilët edhe më parë e kishin deklaruar publikisht mbështetjen për Adriatik
Llallën. Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar zgjodhi të abstenonte në bllok.

Ndërsa deputeti i PS-së, Tom Doshi dhe ai i pavarur, Dritan Prifti, megjithëse kishin deklaruar votën pro Llallës, nuk ishte prezent në Kuvend, gjatë momentit të votimit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 13:51

TIRANE– Komisioni i Ligjeve miratoi sot dekretin e presidentit Bujar Nishani që kryeprokurori i ri të vendit të jetë Adriatik Llalla. Pasi u dëgjua në komision kandidatura e Llallës mori miratimin e shumicës, ndërsa opozita abstenoi.

Në argumentin e tij, Sajmir Tahiri tha se opozita e abstenoi kandidaturën e Lallës, pasi e quan dekretin antikushtetues. Sipas, tij, dekreti nuk duhet të vinte në këtë kohë.

Adriatik Llalla gjatë seancës së sotme dëgjimore deklaroi përpara Komisionit të Ligjeve se sot përpara Prokurorit të Përgjithshëm ka disa sfida të cilat ai duhet t’i kalojë.

 “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përballet sot me disa sfida të rëndësishme ndër të cilat do të vecoja rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni, si një nga organet përgjegjëse për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë në arritjen e këtij objektivi, duke parë gjëndjen aktuale, por kam besim se është një objektiv tërësisht i mundshëm. Natyrisht për të pasur sukses në këtë sfidë prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda instituciontit të akuzës. Ky do të jetë hapi i parë dhe më i rëndësishëm që do të jap për forcimin e besimit të publikut ndaj aktivitetit të Prokurorisë”, tha Llalla.

Ai shtoi më tej se prokurori duhet t’i marrë vendimet në mënyrë të pavarur nga krimi e politika, ndërsa vecoi integritetin, si armën kryesore të suksesit. 

Më 3 dhjetor presidenti Nishani dekretoi Adriatik Llallën në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në relacionin shoqërues të dekretit presidencial, Nishani vlerësonte eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme.
Kreu i shtetit gjithashtu shprehte vlerësimin për zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi në postin e kryetarit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një institucion, që sipas presidentit Nishani, ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë për pavarësinë dhe mënyrën e konsoliduar të funksionimit. 

Tashmë kandidatura e dekretuar nga kreu i shtetit dhe e miratuar nga Komisioni i Ligjeve do t’i përcillet Kuvendit për miratimin në seancë plenare.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 13:40

TIRANE- Kreu i Inspektoriatit te Larte te Deklarimit te Pasurive, Adriatik Llalla eshte dekretuar nga kreu i shtetit, Bujar Nishani per Prokuror te Pergjithshem, duke u zgjedhur keshtu si emri qe do te pasoje kryeprokuroren aktuale, Ina Rama.

“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar,  dekretoj; Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë”- thuhet ne dekretin e Presidentit, publikuar sot ne faqen zyrtare te Presidences.

Sipas presidentit zgjedhja e tij eshte bere ndërmjet disa kandidaturave. “Përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prukurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.

Emri i Llalles, vjen pak kohe pas konsultimeve te kreut te shtetit me perfaqesuesit e partive parlamentare, te cilat nuk rezultoi te kishin dale me nje propozim konkret per emrin e kryeprokurorit.

Vetem pak dite me pare, Nishani deklaroi per mediat se kureshtja per kryeprokurorin e ri do te shuhej shume shpejt.

Procesi eshte shoqeruar me debate, pasi PS e FRD ka kembengulur per mbyllje te mandatit te Ina Rames vitin 2013 e jo ne nentor, nderkohe qe maxhoranca ka theksuar se nentori shenon edhe fundin e mandatit te saj.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 08:00

TIRANE – Presidenti i Republikes Bujar Nishani ka njohur partitë parlamentare me vendimin për të emëruar Prokurorin e ri të përgjithshëm në 22 nëntor.

Pas konsultimeve me krerët e grupeve parlamentare me kreun e shtetit, Presidenca zbardhi detajet e takimeve ku theksohet qëndrimi i Presidenti gjatë takimeve të kryera paraditen e sotme. 

“Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij. Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj”,- thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. 

Gjatë konsultave që ka zhvilluar me krerët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e partive politike kryesore në vend, kreu i shteti ka diskutuar me ta kriteret që duhet të përmbushe kreu i ri i organit të akuzës por jo emra te përvecshëm. 

RUCI LETËR NISHANIT: PO SHKARKONI INA RAMËN KUNDRA LIGJIT
Ora 20:00 Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Rucit i bën apel presidentit Bujar Nishani që të mos shkelë Kushtetutën me “konsultimet” e ndërmarra për zgjedhjet e kryeprokurorit të ri të vendit. 

“Cdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të kryeprokurores Ina Rama, do ishte i kundërligjshëm. Ky do ishte de facto një shkarkim! Por, për një hap të tillë ju dhe mazhoranca duhet të faktoni shkeljet në Kushtetutë”, thuhet në letrën e Rucit. 

“Asnjë lloj doktrine Kushtetuese nuk e njeh apriori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përvecse ku vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së tranzitore pas ndryshimeve Kushtetuese më 2008, por ende nuk e ka bërë deri më sot. Norma Kushtetuese që kufizoi mandatin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet, i fillon efektet jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual, (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës së re kushtetuese në fuqi, pra më 23 Maj 2013”,- thuhet ndër të tejra në letrën e Rucit.

NISHANI KONSULTOHET ME PARTITË, ATO SHFAQIN QËNDRIME KUNDËR
Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. Ky veprim i presidentit u ka dhënë fund polemikave për përfundimin e mandatit të kryeprokurores Ina Rama.

Pas takimeve në Presidencë me kreun e shtetit palët politike shfaqën qëndrimet e kundërta për këtë çështje, të parashtruara dhe më parë, dhe që lidhen me afatin e qëndrimit në detyrë të kreut të organit të akuzës. 

Maxhoranca i qëndron mendimit se mandati i Ina Ramës përfundon në 22 nëntor 2012, pikërisht ditën kur ajo u zgjodh nga Kuvendi më 22 nëntor 2007, ndërsa opozita e majtë shprehet për qëndrimin e saj në detyrë deri më 23 maj 2013, kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit. 

Në takimin e sotëm me Kreun e shtetit, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi propozoi që kandidati për këtë post të jetë i fushës së drejtësisë, të ketë integritet moral dhe profesional. 

Kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi përfundoi takimin me Presidentin Nishani duke u shprehur se për PS-në mandati i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama përfundon në 23 maj 2013 dhe jo më 22 nëntor 2012, siç pretendon maxhoranca qeverisëse dhe vetë Kreu i shtetit, tha ai. 

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes kreut të grupit parlamentar, Lefter Koka i propozoi Presidentit të përcaktojë kriteret që duhet të gëzojë kandidatura për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që kjo figurë të ketë integritet moral, profesional, të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të ketë eksperiencë në drejtësi.

NISHANI TAKON IDRIZIN: DUAM PROKUROR JO PARTIAK
Ora 15:30 Presidenti Bujar Nishani përfundoi takimin edhe me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi, duke mbyllur kështu axhendën e takimeve me krerët kryesore të grupeve parlamentare. Rreth orës 15:00 Idrizi iu drejtua Presidencës ku u takua me kreun e shtetit, për të shprehur propozimin e partisë PDIU për cështjen e kreut të ri të organit të akuzës. 

Pas takimit Idrizi deklaroi se Prokurori i ri duhet të ketë integritet te lartë moral e profesional. PDIU kërkon një kryeprokuror të ri që nuk bën pjesë në asnjë forcë politike, ndërkohë që kërkoi që ai të marrë përgjegjësitë e duhuara.

PERFUNDON TAKIMI I NISHANIT ME DULEN E MEDIUN
Ora 14:00
– Presidenti Nishani përfundoi takimet me pjesën më të madhe të krerëve të grupeve parlamentare, përveç kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi, që pritet të mbërrijë në Presidencë në orën 15:00. Rreth orës 14:00 përfunduan edhe takimet me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe me përfaqësuesin e Republikanëve, Fatmir Mediu.

Pas takimit, kryetari i PBDNJ-së theksoi rëndësinë që klasa politike të maturohet dhe të gjejë konsensus edhe për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

LSI: VENDOSIN FORUMET NËSE MANDATI MBARON NË MAJ APO NË NËNTOR
Ora: 12:40 -Edhe takimi i Presidentit me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka ka zgjatur rreth 40 minuta. Pasi theksoi rëndësinë që kandidatura e re të ketë integritet moral dhe profesional, Koka komentoi edhe çështjen e përfundimit të mandatit të kryeprokurores aktuale, duke nënvizuar se vendosim forumet nëse mandati mbaron në muajin maj apo në nëntor. 

LEFTER KOKA NE PRESIDENCE
Ora 12:00- Sapo Gramoz Ruçi ka dalë nga selia e Presdiencës, kreu i shtetit priti kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka. Pak minuta më parë, LSI-ja bëri të ditur se në këtë takim, zoti Koka do nënvizonte rëndësinë e kritereve që duhet të ketë kryeprokurori i ri. Sipas LSI-së, kandidatura e re duhet të ketë integritet moral dhe profesional, eksperiencë në drejtësi dhe të mos ketë prapavijë politike dhe as implikime në të shkuarën.

RUÇI: PO SHKELET LIGJI, MANDATI I INA RAMËS MBARON NË MAJ
Ora 12:00 –
Pas takimit me Presidentin Nishani, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, dha një deklaratë të shkurtër për mediat, ku bëri të ditur qëndrimin e socialistëve për zgjidhjen e kryeprokurorit të ri. Sipas Ruçit, emërimi i prokurorit të ri në nëntor, siç kërkon mazhoranca, përbën shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, në bazë të së cilës mandati i kryeprokurores aktuale mbaron në muajin maj të vitit 2013-të.

“Respektuam ftesën e presidentit për kryeprokurorin e përgjithshëm. Dhe ajo që na ndan është pikëpamja që ne kemi lidhur me kushtetueshmërinë e mandatit të prokurores aktuale. Lidhur me zbatueshmërinë e amendimit të ndryshimit të Kushtetutës që ka të bëjë me mandatin e kufizuar të prokurorit të përgjithshëm. PS ka pikëpamjen se mandati i prokurores nuk mbaron në 22 nëntor, por në 23 maj të 2013-ës, pikërisht në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm”,- u shpreh Ruçi. Sipas tij, edhe presidenti ka pikëpamjen se mandati i kryeprokurorit mbaron më 22 nëntor.

RUÇI MBËRRIN NË PRESIDENCË
Ora 11:00 – Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka mbërritur në selinë e Presidencës në orën 11:00, në përputhje me axhendën e kreut të shtetit.

PËRFUNDON TAKIMI, PATOZI: ME RENDESI KRITERET, JO EMRI 
Ora 10:45 – Ka zgjatur rreth 41 minuta takimi konsultativ mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, në selinë e Presidencës. Sipas Patozit, demokratët nuk i kanë propozuar kreut të shtetit ndonjë emër konkret, për postin e kryeprokurorit të ri të vendit, pasi sipas tyre, me rëndësi është që kryeprokurori i ri të ketë integritet moral dhe përvojë në sistemin e drejtësisë. Patozi nënvizoi se për demokratët është thelbësore që kreu i organit të akuzës të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të emërohet brenda nëntorit.
Ndërkohë takimi i ardhshëm i presidentit është me kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i parashikuar për në orën 11:00.
NISHANI NIS TAKIMET, PATOZI NË PRESIDENCË
Ora 10:00- Ashtu siç e parashikon axhenda e kryetarit të shtetit, Presidenti Nishani e ka nisur turin e konsultimeve për kryeprokurorin e ri të Republikës, me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka mbërritur i përpiktë në Presidencë rreth orës 10:00.

AXHENDA E TAKIMEVE
Ora: 07:10 –
Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi sot axhendën e takimeve të kryetarit të shtetit, në kuadër të turit të konsultimeve që pritet të zhvillojë sot për emrin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

“Presidenti Nishani, ditën e martë, dt. 20 nëntor 2012, do të organizojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ora 10:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z. Astrit Patozi
Ora 11:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Gramoz Ruçi
Ora 12:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Z. Lefter Koka
Ora 13:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu
Ora 14:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Z. Vangjel Dule
Ora 15:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi

Takimet me përfaqësuesit partiak do të zhvillohen në mjediset e Presidencës, dhe vijnë vetëm pak ditë pasi kreu i shtetit u konsultua me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve të ardhshme.(B.W/LajmeShqip.com))

 
Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 12:51

Tiranë – Presidenti Bujar Nishani i jep fund debatit politik mbi mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke e konsideruar atë të përfunduar më 22 nëntor. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje se në fillim të javës së ardhshme Nishani do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e partive parlamentare për të evidentuar, si thuhet në njoftim, vlera që kryeprokurori i ri duhet të ketë.

“Ju njoftojmë se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ditën e martë, datë 20 nëntor 2012, do të zhvillojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të Përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Takimet do të zhvillohen në mjediset e Presidencës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti nuk ishte shprehur asnjëherë më parë qartë se në çfarë momenti i përfundonte mandati kryeprokurores. Maxhoranca ka deklaruar se mandati i Ina Ramës mbaron më 22 nëntor, ndërsa për opozitën, përfundimi i mandatit është në maj 2013, kohë kur pesë vite më parë është bërë edhe ligji i Prokurorisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka qëndruar larg këtij debati, duke u shprehur se ka besim te Presidenti lidhur me këtë çështje.

“E kam theksuar se në Kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë e ekskluzive e Presidentit të Republikës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bindjen se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet apo personalitete me integritet, me eksperiencë, dhe natyrisht, të fushës së pushtetit gjyqësor. Po të ishte për mua, unë do të kisha bërë zgjedhjet e mia. Unë jam Kryeministër. Nuk më përket mua ajo”, ka deklaruar Berisha.(LajmeShqip.com)