Tag Archives: progresraporti
|

TIRANË – Ambasadori i SHBA-së pranë OSBE-së, Ian Kelly ka reaguar ndaj raportit që kreu i OSBE-së Eugen Wollafarth prezantoi dje në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së .
Në një komunikatë për shtyp, ambasadori amerikan thekson se Shqiperia ka parë shumë suksese në vitet e fundit dhe raportimi për këtë vit nuk përbënte përjashtim, ndërkohë që vihet në dukje se lufta politike e vitit të kaluar zbehu këtë përparim. SHBA i bën apel partive politike në vend që gjatë fushatës zgjedhore të 2013, të përqëndrohen në interesat e vendit dhe të bëjnë fushata konstruktive.
“Jemi të shqetësuar se mos njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Lufta politike që u bë vitin e kaluar për fat të keq zbehu pikëpamjen e botës për Shqipërisë dhe shërbeu të lihej në hije përparimi i madh që ka bërë vendi në 20 vitet e kaluara. Drejtuesit politikë të Shqipërisë duhet të kenë në mendje interesat më të mira të vendit gjatë fushatës zgjedhore që po troket, në mënyrë që të sigurojnë që përparimi i reformave të mos lihet mënjanë për 12 muajt e ardhshëm”,- thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan.
SHBA paralajmërojnë se nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim, miratimi i reformave nuk do të jetë domethënes. Ndërkohë, kërkon që kreu i ri i KQZ të realizohet në process konsultimi, për të mos u përsëritur i njëjti skenar në zgjedhjet e 2013.
“Afirmimi i mekanizmave të demokracisë kërkon akoma shumë punë përtej zgjedhjes së një presidenti të ri. Për këtë qëllim, shprehim përgëzimet tona për miratimin e reformave të kodit zgjedhor, dhe në veçanti për ekspertët dhe bashkëdrejtuesit nga dy partitë kryesore të cilët punuan fort në këto përpjekje. Megjithatë, paralajmërojmë se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”,- thekson ambasadori amerikan
Në përfundim të reagimit të tij, ambasadori Kelly përshëndet zgjedhjen e Avokatit të Pupullit si dhe përgëzon praninë e OSBE-së në Shqipëri. “Populli shqiptar ka meritë të madhe për përparimin që ka parë vendi në vitet e kaluara. Tani është koha që ata të dyfishojnë përpjekjet dhe të realizojnë në maksimum potencialin e vendit të tyre”,- përfundon reagimi i SHBA-së. (LajmeShqip.com)
|

Bruksel – Në muajin tetor Shqipëria do të përballet për të tretën herë me publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, i cili do të shprehet nëse vendi i ka përmbushur 12 prioritetet kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE. Peter Stano, zedhenes i eurokomisionerit Stefan Fule ne nje interviste per Deutsche Welle thekson se KE po ndjek me vemendje cdo hap te progresit dhe reformat qe po behen ne vend ne kuader te integrimit.
Z.Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?
Peter Stano: Në njëfarë pike Shqipëria do ta marrë statusin, kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment, nuk mund t´ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjithë prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.
A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?
Peter Stano: Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështu që muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Evropian herën e fundit.
Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Evropian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mosmarrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?
Peter Stano: Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit unë mund t´i referohem asaj çka Komisioneri Stefan Fyle diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar Panariti gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.
Në këtë takim, z.Fyle ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit. A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?
Peter Stano: Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Evropian, Komisioneri Fyle vazhdon t´u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëvëshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën evropiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe Komisionieri (Fyle) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Evropës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.
Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?
Peter Stano: Siç ju thashë, Komisioni Evropian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Evropian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negociimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenëi gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t´i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.
Së fundmi z. Stano, duhet të presim për një raport pozitiv apo negativ të Shqipërisë në tetor?
Peter Stano: Unë nuk mund të shprehem para se të dalë progres-raporti. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë po e shohin se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre politikë. Qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë pret Bashkimi Evropian nga liderët kryesorë politikë, dhe qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë presin ata vetë nga liderët politikë. E kam fjalën, që qytetarët shqiptarë jetojnë atje, po i votojnë dhe po i ndjekin nga afër çdo ditë dhe unë mendoj se ata e kanë ndjesinë se si po performojnë liderët e tyre. Por siç thashë, muajin e ardhshëm publikohet raporti vjetor dhe progres-raporti është shumë objektiv dhe jep një vlerësim të ndershëm se çfarë është bërë, çfarë është bërë mirë, ku ka mangësira. Ne do të themi qartësisht se ku ka nevojë për t´u bërë më shumë. Nuk dua të flas para kohe, para publikimit të progres-raportit. Dua të inkurajoj çdo njeri që të presë për të, dhe në tetor gjithkush mund ta lexojë atë dhe se si i sheh Brukseli përpjekjet e bëra, në mënyrë që të përmbushet perspektiva evropiane. Sepse siç e thashë, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të politikanëve shqiptarë që të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë kriteret e nevojshme, si dhe plotësimin e 12 prioriteteve kyçe!
Peter Stano është zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Stefan Fyle.(LajmeShqip.com)
|

Rreth mesditës së të mërkurës Komisionieri Europian për Zgjerimin prezantoi paketën e zgjerimit dhe progresin e vendeve kandidate për integrimin në BE-së, para anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian.
Duke folur për Shqipërinë, komisioneri Fyle deklaroi se “do të kisha dashur të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga staniacioni politik e bojkoti parlamentar, Pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive. Është urgjente të nisin dialogun e të mbanjnë një nivel bashkëpunimi që lejon progresin në BE”.
Mali i Zi përfiton zyrtarisht nisjen e negociatave
Suksesi i arritur nga Podgorica zyrtare në plotësimin e 7 kushteve të kërkuara nga Bashkimi Europian i ka hapur dyert e nisjes së negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Komisioneri Fyle në vlerësimin e tij u shpreh se Mali i Zi, “ka punuar shumë. Kemi parë progres të vërtetë, duke përfshirë reformat gjyqësore, ligjin e medias, elektoral, antidiskriminimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Propozoj sot të hapen negociatat me Malin e Zi, por duhet të vazhdojë me reformat dhe të konsolidojë progesin”.
Në vlerësimin për Serbinë, Fyle propozoi që këtij vendi, t’i jepet statusi kandidat, por ajo duhet të normalizojë mardhëniet me Kosovën .
Serbia duhet të normalizojë mardhëniet me Kosovën që t’i mundësojë vetes mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Bisedimet do nisin “në momentin kur Serbia të arrijë progres, kur të normalizojë marëdhëniet me Kosovën” – ka nënvizuar më konkretisht komisioneri Fyle.
Fyle tha se BE lidhur me Maqedoninë po shikon hapjen e negociatave më këtë shtet, por natyrisht ka probleme me reformat dhe ka bërë një progres të kufizuar. Sipas Fyles Maqedonia ka probleme me reformat në administratën publike, lirinë e shprehjes dhe korrupsionin.
Fyle tha për Kroacinë se respektohen të drejtat themelore dhe se Kroacia duhet të vazhdojë përgatitjet.
Fyle tha se në Bosnjë disa reforma kanë penguar vendin. “Duhet dialog në sistemin gjyqësor në Bosnjë”, tha Fyle
|

Në krye të raportit që do të prezantohet këtë të mërkurë nga Komisioni Europian thuhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kritereve te Kopenhagenit.
Qeveria ka bërë përpjekje për të ecur përpara me axhendën europiane kryesisht permes planit të aksionit për të plotësuar 12 rekomandimet, por ngërci politik ka mbajtur peng kryerjen e reformave të nevojshme në vend.
Sipas raportit të progresit të Komisionit Europian ka patur disa përmirësime të kufizuara në rregullat e parlamentit shqiptar.
“Shqipëria ka aprovuar një reformë të sistemit të drejtësisë dhe një plan aksioni që përbën një bazë të mirë për kryerjen e reformës”-thuhet më tej në këtë progres-raport.
Po ku kërkohen më shumë përpjekje? Sipas progres raportit të Komisionit Europia skena politike është ajo që përbën problemin pasi demokracia dhe shteti ligjor, vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e tjera konfliktuale midis forcave politike janë ato që kanë cënuar progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e reformave të rëndësishme.
Raporti i Progresit i Komisionit Europian vlerëson pozitivisht zgjedhjet lokale të 8 majit. Por sipas këtij dokumenti klima e polarizimit preku edhe këto zgjedhje.
Zgjedhjet e 8 majit ishin pozitive dhe procesi i numërimit ishte përgjithësisht i mirë ndërsa ka patur disa probleme me procedurat e postapelimit për zgjedhjet lokale në Tiranë. Dokumenti i vlerësimit i Komisioni Europian thotë se refoma elektorale për momentin ka ngecur.
Ka një vlerësim pozitiv të procesit por është e rëndësishme që reforma zgjedhore të kryhet dhe i kërkohet të dy forcave politike që ato të bashkëpunojnë sa më shpejt për kryerjen e kësaj reforme.
Vlerësimi më pozitiv për Shqipëria vjen përsa i përket ekonomisë. Kështu në progres-raport thuhet se në aspektin ekonomik Shqipëria ka njohur një stabilitet makroekonomik në një konteskt krize globale. Kjo është arritur falë politikave monetare të shëndosha që ndiqen vlerësohet më tej nga Komisioni Europain.
Eksportet shqiptare janë rritur shumë dhe kjo ka ndikuar në rritjen ekonomike të vendit. Por edhe këtu ngërci politik ka cënuar reformat strukturore të nevojshme.
Së fundi duke bërë një krahasim me vendet e tjera të rajonit tone, Komisioni konsideron që Mali i Zi ka përmbushur 7 kriteret që janë kërkuar dhe është i gatshem për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Serbia ka bërë progres dhe është e gatshme për të marrë statusin e kandidatit. Ndërsa për Shqipërinë Komisioni Europian thotë se vendi ynë ka bërë progress, por në këtë moment, Komisioni nuk është në gjendje të thotë nese Shqipëria është e gatshme për të hapur negocitat për të marrë statusin e vendit kandidat.
I gjithë problemi është ngërçi politik i cili sic cileson raporti ka frenuar zhvillimin e duhur që i duhet Shqipërisë gjatë një viti.