12
 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 00:44

 

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e vlerësoi si përsonale dorëheqjën e përfaqësues amerikane në Bord.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv”, Rexha deklaroi se ka pasur qëndrime të ndryshme me amerikanën Berndadete Roberts e cila dha dorëheqje duke akuzuar se AKP-ja nuk po udhëheqej si duhej.

“Përkulem para kontributit të këtij shteti për vendin tim. Jemi për bashkëpunim me SHBA-të, por me zyrtaren e cila ka dhënë dorëheqje kemi pasur divergjenca rreth disa vendimeve”, deklaroi Rexha.

Ndërkaq për dorëheqjën e Dardane Peja, një anëtare tjetër e bordit, Rexha deklaroi se ajo është infleuncuar nga Behxhet Pacolli. Lideri i AKR-së Pacolli një ditë më herët akuzoi se mënyra se si po qeveriset AKP-ja ka bërë që vendi të prish raportet e mira dhe të humb mbështetjën për zhvillim ekonomik nga SHBA-ja.

Dardane Peja ishte propozuar në bord nga partia e Pacollit raportojnë mediat në Kosovë. Kryetari i bordit Rexha, dorëheqja e të cilit është kërkuar nga Pacolli, deklaroi se do ta bëjë një gjë të tillë vetëm nëse i kërkohet nga Kuvendi i Kosovës. 

 

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 10:01

Prishtinë – Qeveria e Kosovës duket se ka hequr dorë nga lista e emrave të propozuar për anëtar të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Lista e emrave të propozuar është kthyer mbrapsht nga Kuvendi.

Sekretari i përgjithshëm i Zyrës së kryeministrit, Fitim Krasniqi, ka thënë se Kuvendi e ka dërguar kërkesën në Kryeministri. Ai ka thënë se kërkesa e Kuvendit ka shkuar në kabinet të kryeministrit dhe se do të procedohet për mbledhje të qeverisë për ndërrim të vendimit.

“Nëse kërkesa kishte të bënte vetëm për plotësimin e CV-ve atëherë ajo ka qenë punë teknike dhe kërkesa për një gjë të tillë do të vinte këtu tek ne, por fakti që ka shkuar në kabinet tregon se me siguri do të ketë ndërrim të emrave”, ka thënë ai. (K.D/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 18:13

Prishtinë – Është shtyrë votimi i anëtarëve të bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Kjo u bë pasi që deputetët kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat morrën mbështetje edhe nga partia në pushtet, PDK, ku anëtari i komisionit për këtë çështje e ka pranuar se në CV-të e kandidatëve ka mjaft pak të dhëna për ta. Opozita e ka kundërshtuar një listë të tillë të kandidatëve, duke e quajtur edhe si të politizuar, pasi që në atë listë kishte edhe anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së, ish-zëvendësministër dhe po ashtu edhe kandidat për deputet nga kjo parti.

Zenun Pajaziti, kryesues i komisionit për çështjen e CV-ve të kandidatëve për anëtarë të bordit të AKP-së, e ka pranuar se ka mungesë mjaftueshme të të dhënave për kandidatët dhe ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të mos hedhet në votim, duke kërkuar që të votohet mocioni i PDK-së për ta shtyrë këtë çështje.

“Ka qenë një vendim dhe një qëndrim i të gjithëve që në ndërkohë të plotësohet lista e këtyre anëtarëve me CV-të dhe informatat shtesë, të cilat ju mungojnë. Dhe rrjedhimisht kjo nuk ka ndodhur në ndërkohë dhe rrjedhimisht Grupet Parlamentare të vendosin vet se çka të bëjnë. Meqenëse ne e kemi prezentuar qëndrimin e komisionit në Grupin Parlamentar është një vendim i Grupit Parlamentar të PDK-së se meqenëse nuk janë plotësuar këto CV, meqenëse ndërkohë nuk kanë arritur këto informata shtesë për këta kandidat, të mos aprovohet sot dhe rrjedhimisht të kërkohet nga Qeveria që sa më shpejt të plotësohen emrat ose CV-të e tyre me informatat shtesë të cilat duhet t’i kenë të gjithë deputetët në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ky bord është i politizuar, edhe pse, sipas ti, Thaçi ishte zotuar se nuk do të jetë politizim të tij, duke shtuar se LDK-ja do të votojë kundër.

“Ky bord është i politizuar, e kemi thënë shumë qartë edhe në paraqitjet tona, edhe sot po e themi, ndërkaq nga vetë zotëri Thaçi, këtu në seancë më 2 tetor ka thënë se ‘ne si qeveri nuk do të politizojmë bordin’, në këtë rast të Agjencionit për Privatizim dhe në propozim ndodh e kundërta. Sepse, pa keqkuptim, mund të ketë përgatitje, por këtu kemi propozimin për vetë kryesuesin që është eksponent, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, ish-zëvendësministër dhe po ashtu edhe kandidat për deputet. Prandaj, këtu s’ka të bëjë me kurrfarë pavarësie të agjencioni dhe ne do ta votojmë kundër këtij propozimi ”, ka thënë ai.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje, po ashtu e ka kundërshtuar listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të AKP-së.

“Edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes konsideron se kjo listë, e cila na është paraqitur me kandidatë për anëtarë të bordit të AKP-së është e papranueshme për shumë arsye që u thanë këtu, por edhe për disa arsye tjera. Me këtë listë të kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë kundër ”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe AAK-ja e ka parë të arsyeshme që kjo çështje të shtyhet. Ardian Gjini nga Grupi Parlamentar i AAK-së, ka thënë se derisa dimë fare pak për kandidatët e propozuar, atëherë do të ishte më mirë të shtyhet kjo çështje.

“Mendoj se praktikisht kish me qenë jo në rregull që ne të votojmë qoftë ‘për’ qoftë ‘kundër’ emrave të njerëzve për të cilët nuk kemi marrë asnjë CV, që mendoj se duhet të kompletohet dhe të bëhet në seancën e parë të radhës sa më shpejtë që të jetë e mundshme”, ka thënë ani.

Edhe koalicioni i AKR-së e ka kritikuar këtë çështje. Myzejene Selmani nga Grupi Parlamentar i koalicionit të AKR-së, ka thënë se vendimi i Qeverisë i vonshëm, duke shtuar se çdo vonesë në këtë drejtim do të ketë pasoja.

“Tash është krejt me vonesë, ata është dashur kaherë t’i sjellin para se me dalë emrat e tyre në seancë, ndërsa edhe kësaj radhe vendimi i Qeverisë është shumë i vonshëm dhe na qet para aktit të kryer duke e ditur se bordi i AKP-së është dashur më herët të kompletohet dhe çdo vonesë e votimit të këtij bordi sjell pasoja”, ka thënë ajo.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, është hedhur në votim mocioni i PDK-së që kjo çështje të shtyhet, kjo është votuar me shumicë votash në Kuvend, duke i dhënë udhë që kjo çështje të plotësohet dhe në seancat e ardhshme të Kuvendit të votohet.(K.P)

 
Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 15:52

PRISHTINE – Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dorëzuan sot një padi penale në Prokurorinë e Prishtinës kundër Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kundër Ilir Qapallekut – truprojë e Kryeministrit, kundër truprojave tjerë të kabinetit qeveritar, policëve të njësisë speciale dhe kundër eprorit të njësisë speciale – përgjegjës për njësinë speciale që ka ndërhyrë gjatë protestës së 17 tetorit.

Kjo padi ka të bëjë me faktin se deputetët e VV-së, Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Albana Gashi, Afrim Hoti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca, janë ndaluar për të hyrë në hapësirat e kompleksit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Fillimisht, deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë mundur të hyjnë në Kuvend, pasi që dyert ishin të mbyllura dhe zyrtari policor tek dyert e Kuvendit iu ka thënë: ‘Shkoni nga hyrja tjetër’. Më pas, deputetët janë nisur në drejtim të hyrjes e cila është e dedikuar për veturat zyrtare të Kuvendit të Kosovës, kështu që duke hyrë brenda objektit të Kuvendit kanë dalë në oborrin e Kuvendit, ku është një hapësirë e përbashkët pa ndarje fizike me objektin e Qeverisë. Deputetët e Vetëvendosjes janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë, duke pasur qëllim të jenë prezent në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës së Privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. Grupi i deputetëve, me të afruar pranë hyrjes së objektit të Qeverisë, janë ndaluar nga truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, që janë të angazhuar për sigurimin fizik të institucioneve publike. Deputetët, pasi kanë prezantuar kartelat e deputetëve me qëllim për të hyrë në objektin e qeverisë dhe shpjegimit të së drejtës së tyre ligjore për të pasur qasje në institucionet publike, truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë lejuar hyrjen e deputetëve. Deputetët e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë respektuar të gjithë procedurën për identifikim dhe janë thirrur në të drejtën për qasje në hapësirat e institucioneve publike, janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga sigurimi personal i anëtarëve të kabinetit të qeverisë dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës”, u tha në një konferencë për shtyp të VV-së.

Sipas Vetëvendosjes, në pajtim me Nenin 11, Paragrafi 1, të Ligjit për drejtat dhe përgjegjësit e deputetëve, në këtë dispozitë u garantohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që, Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet e shtetërore dhe të administratës publike.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, shkeljet e rënda ligjore të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi nuk mbarojnë me këto që përshkruhen në padinë e sotme.

“Kemi dëgjuar së fundi Ministrin Bajram Rexhepi duke paragjykuar qëllimet e aksioneve tona protestuese. Pra, ai ndër të tjera ka thënë që urdhrat janë të tillë pasi që ‘informatat tona i bazojmë te Njësia e inteligjencës’. Janë dy momente kur ai ka përmendur Njësitin e Inteligjencës brenda policisë së Kosovës. E para ka ndodhur në 18 tetor 2012, Ditën e rrethimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga policia me urdhër të Bajram Rexhepit. Kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën deri në tërheqjen e policisë. Dhe, kur u pyet Bajram Rexhepi në lidhje me këtë, tha: ‘Kemi pas informata nga Njësia e Inteligjencës brenda policisë se Vetëvendosje do të ndërmarrë veprime që do të pengojnë votimin e rezolutës’. Dhe i dyti deklarim i Ministrit Rexhepi është në aksionin tonë protestues kundër takimit Thaçi-Daçiç të datës 22 tetor 2012. Ministri për këtë tha: ‘I kemi ne disa informata të inteligjencës dhe e kemi ditë që ata do t’i sulmojnë institucionet e Republikës së Kosovës’. Nga informata e parë Bajram Rexhepi organizoi agresion Kuvendit, dhe nga e dyta shkaktoi gati gjenocid urban në rrugët e Prishtinës. Ndërkohë, këto deklarata nënkuptojnë që Ministri Rexhepi po urdhëron që të mbikëqyrë, monitorojë, e përgjojë Lëvizjen Vetëvendosje! Njësia e inteligjencës për të cilat flet ministri janë të parashikuara në strukturën e policisë në drejtorinë e analizës së krimit, në departamentin e hetimit të krimit”- thuhet në deklaratë.

VV thekson se janë të vetëdijshëm që brenda policisë së Kosovës ekziston drejtoria e analizës së krimit, në departamentin e hetimit të krimit, mirëpo “ai departament merret me krimin, me ata të cilët janë në hetim për vepër penale dhe jo me përgjimin e një organizate politike”.

“Siç e dini, hetimet për çfarëdo dyshimi për vepër penale është individuale e jo kolektiv. Për më tepër, Ligji për Policinë e Kosovës, në Nenin 3, Paragrafi 5 thotë: ‘Policia nuk duhet të mbledh dhe të ruaj informata dhe të dhëna personale për personat me qëllim të mirëmbajtjes së regjistrave që kanë të bëjnë me bindjet apo anëtarësimet politike, religjioze apo filozofike’. Ne edhe tani jemi duke u vëzhguar; veturat me policë civilë qëndrojnë të parkuar afër zyrave tona duke përcjellë çdo lëvizje të çdo aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe personat që takohen me ne. Ministri Rexhepi duhet ta dijë që vetëm organet e drejtësisë kanë të drejtë të japin urdhër për përgjimin e një personi dhe atë kur ekziston dyshimi i bazuar që ai person ka kryer krim, vepër penale”.

Vetëvendosje shprehet se Rexhepi është fytyra e shpërfytyruar e shtetit të së drejtës.

“Ai po keqpërdor maksimalisht instrumentet shtetëror të ngritur për mbrojtjen e qytetarëve kundër tyre. Ai dhe shefi i tij Hashim Thaçi po përpiqen të na heshtin e kërcënojnë me rrethime policore. Por, protestën e mospajtimin qoftë për privatizimin e dëmshëm apo për bisedimet politike me Serbinë nuk ka polici që i ndal dot. Ata nuk mund të na arrestojnë apo përgjojnë, të gjithëve. Për me tepër një shoqëri qoftë dhe një si kjo e jona ka më shumë Protestues sesa përgjues”.

Në fund të konferencës, VV i bënë thirrje oficerëve të policisë dhe çdo polici në detyrë, që të zbatojë ligjin duke e mbrojtur të drejtën.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 17:04

Prishtinë – Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID, vazhdimisht ka kundërshtuar privatizimin e egër që po u bëhet kompanive publike, në këtë rast, edhe privatizimin e distribucionit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, thuhet në një komunikatë të këtij konsorciumi, të lëshuar pas nënshkrimit të kontratës nga naa e autoriteteve kosovare me konzorciumin Çalik & Limak për shitblerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

KOSID ka përmendur disa nga arsyet pse kunfërshton këtë kontratë.

“Ky privatizim vazhdimisht ka kaluar në një proces tërësisht jotransparent nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik; shoqëria civile asnjëherë nuk është lejuar të ketë çasje në dokumentet publike; në emër të liberalizimit të tregut, MZHE, vazhdon të monopolizojë tregun; ky proces medoemos është dashur të presë vendimin e Ombudspersonit të IFC-së për rezultatin e auditimit që po i bëhet IFC-së për shkeljen e standardeve të punës në procesin e privatizimit të KEDS-it; çmimi me të cilin shitet KEDS, është tejet i ulët dhe ofendues: 26.3 milionë euro, në ndërkohë që për 5 vjet (2007-2012) vlera e investimeve është 55 milionë euro”.

KOSID ka bërë thirrje që të ndërpritet ky model i privatizimit.

“Është momenti i fundit t’i themi JO – mostransparencës, vendimeve të rrezikshme për qytetarin dhe veprimeve në emër të qytetarit- pa e pyetur qytetarin dhe në dëm të qytetarit. Privatizimi i KEDS-it, përmban të gjitha këto elemente dhe KOSID edhe njëherë fuqishëm kundërshton këtë proces dhe ndihet i ofenduar nga sjellja e institucioneve qeveritare për përmbylljen e tij në këtë formë”, thuhet në deklaratë.

Kundër privatizimit të KEDS-it sot kanë protestuar edhe pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët edhe janë përleshur me policinë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 14:34

PRISHTINË- Autoritetet e Kosovës kanë nënshkruar kontratën me konzorciumin Çalik & Limak për shitblerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të konzorciumit Çalik &Limak kanë theksuar se privatizimi i KEDS-it do të ndikojnë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) është bërë në qershor të këtij viti. Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP) ka shpallur konsorciumin“Limak &Çalik”, ofertuesin e preferuar.

“Limak&Çalik” ka dhënë ofertën prej 26.3 milionë eurosh.

Ndërkohë mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në mesin e të cilëve edhe disa nga deputetët e partisë, e kanë rrethuar objektin e qeverisë sot duke kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes për privatizimin e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 11:14

Prishtinë (PLOTESUAR 17 TETOR) – Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se  Policia e Kosovës ka arrestuar 62 aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, që po protestonin  kundër privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. Po sipas njoftimit të kësaj Lëvizjeje, në mesin e të arrestuarve janë edhe katër të lënduar.

Urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për të larguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri qeveritar është kritikuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ministri, Rexhepi nuk i ka rënë pishman duke thënë se policia është dashur jetë më rigoroz në këtë rast. Për këtë deklaratë të tij, ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti i cili ka kërkuar që të përdoret gjuha parlamentare nga ministri Rexhepi.

Edhe pse në seancën plenare e të mërkurës ishte në rend të ditës debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Alma Lama lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, ai ‘rrëshqiti’ në një temë tjetër, atë të largimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri i qeverisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se sot kur është pritur të nënshkruhet kontrata për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur të hyjnë në objekt qeveritar, pasi që, siç ka thënë ai, është e lejueshme. “Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndaluar me urdhër të ministrit të rendit, i cili ishte deri tash këtu e tash nuk është dhe policia na ka nxjerrë dhunshëm nga objekti qeveritar dhe na ka mbyllur derën. Prandaj, jemi vonuar sot në këtë seancë, për shkak se policia tha: ‘kemi urdhër të mos ju lëmë të hyni’. Në kundërshtim me ligjin. Deputi ka të drejt me hy në objektet qeveritare kur të dojë dhe si të dojë duke treguar kartën e identifikimit”, ka thënë Ymeri.

Por më pas ka ardhur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se urdhri i policisë ka qenë dashur të jetë edhe më rigoroz në këtë rast. “Nuk e kam ndërmend për me fol për insinuata patologjike dhe boshe sot, por me qenë se u thirra. Po është e vërtet se unë kam dhënë urdhrin dhe urdhri është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze edhe dua të ju informojë se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohet as deputetët e Vetëvendosjes as deputetët e Kuvendi, as kryesia e Kuvendit, as kryetari i kuvendit deri te presidenca me i blloku institucionet. Në këtë vend, në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kushtetutës do të sundoj rendi, ligji dhe jo anarkia edhe kjo është derisa janë të vlefshme këto dokumente”, ka thënë ai.

Sërish ka replikuar, deputeti Ymeri, duke thënë se ministri në këtë rast s’po e thoshte të vërtetën. “Së pari një qartësim që prapë po gënjen ministri. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar për të hyrë në objektin qeveritar. Nuk janë nisur me bllokuar atë. Bllokimin e ka bërë policia. Edhe ndërhyrjen policia e ka bërë me urdhër të ministrit, në kundërshtim me ligjin, i cili na lejon neve hyrjen në objektet qeveritare në institucionet publike të Kosovës, sa herë kemi nevojë”, ka thënë Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se ministri nuk duhet me i dhënë urdhra policisë, pasi që, siç ka thënë ai, ekziston zinxhiri komandues. “Paska dhënë urdhër edhe me na rreh se po thotë më rigoroz është dashtë me qenë”, ka deklaruar Ymeri.

Për deklaratën e ministrit Rexhepi ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se ministri Rexhepi po përdor deklarata kërcënuese. “Kjo gjuhë nuk është gjuhë që na nevojitet hiq as ministrit as Vetëvendosjes. Replikat u harxhuan. Unë nga ky vend ju thërras ta përdorni gjuhën parlamentare. Kjo vlen në rend të parë, kjo vlen në radhë të parë për ministrin, gjuha e tij kërcënuese, ndoshta e ka gjuhë nuk dinë ndryshe këtu në foltore të kuvendit që u tha në replikën e parë jo në të dytën, se e dyta ishte jo parlamentare, e para ishte kërcënuese le ta marr mirë le ta lexoj dhe dëgjoj dhe do të shoh që ajo është gjuhë e hymjes në shtet policor. Unë mendoj se nuk jemi shtet policor dhe nuk do të varemi”, ka theksuar Hamiti.

Deputetët e Vetëvendosjes nuk lejohen të hyjnë në seancën e Kuvendit

Njësia Speciale ka larguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga hyrja zyrtare e Qeverisë. Sipas Vetëvendosjes, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me pas u nisën për të shkuar në Kuvendin e Republikës Kosovës ku do të mbahet seanca parlamentare, por policia nuk po i lejon të hyjnë as në Kuvend.

Ndërsa, Njësia speciale ka arritur t’i largojë edhe aktivistët tjerë të Vetëvendosjes deri para teatrit kombëtar, ku njësia special po në ballë të tyre në gjendje gatishmëri.

Protestojnë kundër privatizimit

Deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin, kanë filluar të protestojnë kundër nënshkrimit të kontratës të kontratës për shitblerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Siç transmeton Kosovapress, Aktivistët e Vetëvendosjes janë duke tentuar të hyjnë në objektin e qeverisë, ndërkohë kane ndërhyrë pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë përdorur sprej dhe lotsjellës dhe kane arrestuar disa prej protestuesve.

Vetëvendosje ka njoftuar se autoritetet e rendit kanë arrestuar deputeten e kësaj lëvizjeje Albana Gashi.

Deri më tani, siç njofton Lëvizja Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsejtë 62 persona, aktivistë e deputetë të Vetëvendosjes, të cilët dolën për të protestuar kundër privatizimit të distribucionit të KEK-ut.(LajmeShqip.com)

Ata janë:

1. Abdyl Gashi,

2. Abdyl Osmani,

3. Agron Kabashi,

4. Alban Krasniqi,

5. Ali Krasniqi,

6. Alisa Hasani,

7. Alket Zeqiri,

8. Anita Shabani,

9. Arben Emini,

10. Arbënor Dehari,

11. Arianit Sadiku (I lënduar),

12. Avdi Musa

13. Beskim Gashi,

14. Besnik Bytyqi,

15. Boiken Abazi,

16. Brikenë Ramabaja,

17. Dardan Molliqaj,

18. Daut Rama,

19. Deni Rakoci,

20. Denis Ibërdemaj,

21. Drenushë Xhemajli,

22. Drilon Ramabaja,

23. Durim Jashari,

24. Egzon Balaj,

25. Egzon Kongjeli,

26. Etleva Malushaj,

27. Flamur Pireva,

28. Flamur Shahini,

29. Florent Ramqaj,

30. Frashër Krasniqi,

31. Genitan Topalli,

32. Gentian Sala,

33. Gerolld Nikoliqi (I lënduar),

34. Gëzon Kastrati (I lënduar shumë në kokë dhe fytyrë),

35. Hysen Durmishi,

36. Ilir Metushi,

37. Ismet Dibrani,

38. Labinot Beqaj (I lënduar),

39. Leonora Sylejmani,

40. Lirim Gashi,

41. Luan Hoti,

42. Marigonë Drevinja,

43. Masar Shala,

44. Mentor Kabashi,

45. Muhamet Bytyqi,

46. Naim Jakaj,

47. Nol Nushi,

48. Pajtim Demaj,

49. Petrit Bajraktari,

50. Pleurat Thaçi,

51. Premton Ibërdemaj,

52. Qazim Jashari,

53. Rrahman Bislimi,

54. Shkodran Hoti,

55. Shpend Hasani,

56. Skënder Llugiqi,

57. Skënder Merturi,

58. Valon Hoti,

59. Veton Dragusha,

60. Xhelal Sveçla,

61. Xhevat Sefaj,

62. Zgjim Hyseni.

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 12:04

Prishtinë – Me 53 vota kundër, 45 për dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi sot mocionin e Vetëvendosjes dhe partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, kundër procesit të privatizimit.

Mocioni i Vetëvendosjes dhe partive opozitare kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, nuk merr mbështetjen e Kuvendit.

Ndonëse në rend dite, krahas mocionit ishte futur edhe rezoluta e partisë në pushtet, pro privatizimit, ajo u kundërshtua nga iniciuesi i debatit të privatizimit, kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Ymeri kërkoi që të votohet vetëm mocioni i Vetqëvendosjes dhe partive opozitare, duke theksuar se kur është debatuar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Vetëvendosje kishte paraqitur një rezolutë alternative, që nuk ishte hedhur në votim, për shkak të respektimit të rregullores. Por kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se janë për respektimin e procedurave, por kërkoi që të votohen të dy dokumentet, duke thënë se vendimi për këtë është marrë në kryesi të Kuvendit.

Duke replikuar Visar Ymeri tha se në bazë të rregullores nuk mund të jenë dy mocione, dhe se rregullorja nuk duhet të shkelet për shkak të transkriptit të Kryesisë. Por Grabovci insistoi që të votohen të dy dokumentet, duke theksuar se asnjëri nuk është paraqitur me kohë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pavarësisht që për privatizimin është diskutuar mbi kërkesën e grupit të VV, dhe për rezolutën nuk është diskutuar, kryesia në mbledhje u ka dhënë hapësirë të dyja dokumenteve.

Hydajet Hyseni nga PDK-ja, propozoi që të harmonizohen qëndrimet për aq sa është e mundur, që të dilet me një qëndrim unik, se mund të krijohet huti. Por zëvendëskryeministri Hajredin Kuci, tha se të dy dokumentet e kanë bazën e njëjtë juridike, dhe që debati ose duhet të përfundojë pa rezolutë ose të vihen të dyja në votim.

Por Visar Ymeri ritheksoi se në rregullore përcaktohet qartë kush ka të drejtë për mocion, dhe se PDK-ja nuk ka të drejtë. Pas këtij debati, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, hodhi nevotim mocionin e Vetvendosjes dhe tha se nwse nuk shkon e para, nuk ka nevojë e dyta.

Dhe me 53 vota kundër, 45 për dhe 3 abstenime, nuk u miratua mocioni i Vetëvendosjes dhe partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, kundër procesit të privatizimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 11:57

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës nuk votoi sot asnjërin nga dokumentet e paraqitura nga pozita dhe opozita për vazhdimin apo jo të privatizimit.

Mospajtimet ndërmjet zyrtarëve të PDK-së kanë qenë edhe më të dukshme sot në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci kërkoi nga Kuvendi që të votohen rezoluta e partive në pushtet për vazhdim të privatizimit dhe mocioni i partive opozitare kundër këtij procesi, në të kundërtën tha se kuvendi nuk mund të zhvillojë punimet.

Por kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kuvendi ka një rregullore të punës, e cila saktëson se rezolutat apo mocionet duhet të paraqiten në Kuvend për përkthim dhe harmonizim tetë ditë para seancës, kurse deputetëve t’u dërgohet pesë ditë përpara seancës. Ndërkaq anashkalimi i rregullores duhet të bëhet me votimin e dy të tretave të deputetëve të pranishëm. Kryetarët e Grupeve parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk u pajtuan që të shmangen nga rregullorja, prandaj me kërkesë të Grabovcit, Kuvendi shkoi në pauzë. Pas pauzës deputetët e PDK-së e bojkotuan sallën, me përjashtim të  dy deputetëve.

Ismet Beqiri nga LDK-ja, tha se bojkotimi i seancës nga Grupi i PDK-së, bëhet dy herë radhazi me qëllim të caktuar. Ndërkaq kryeparlamentari Krasniqi tha se problemet e paraqitura në kuvend nuk janë probleme të brendshme të PDK-së, dhe se cështjet e ngritura dje nga ai nuk janë personale. “Jam i bindur që ajo që kam thënë është në interes të të sotmes dhe të së ardhmes së demokracisë në Kosovë”

Ndërkohë Sabri Hamiti nga LDK-ja vlerësoi se bojkotimi është problem shumë i madh dhe se në këtë mënyrë kuvendi po bëhet servis i qeverisë.

Nga ana tjetër Donika kada bujupi nga AAK-ja kërkoi që gratë deputete të marrin pjesë në samitin e gruas dhe që seanca të shtyhet për të hënën. Pas kësaj kryetari i Kuvendit vlerëoi se nuk ka kushte për vazhdim të seancës, prandaj tha se vazhdojnë javën e ardhshme..(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 13:01

Prishtinë – Ligjvënësit e Kosovës, pas disa shtyrjesh, kanë nisur sot debatin rreth privatizimit në Kosovë. Vënia në rend të ditës të Kuvendit të këtij procesi u bë me kërkesën e deputetit Visar Ymeri të Vetëvendosjes, dhe përkrahjen e deputetëve të grupeve të tjera parlamentare, të nevojshme sipas Rregullores së Kuvendit.

Deputeti Visar Ymeri, duke arsyetuar motivin për të debatuar rreth kësaj çështjeje, ai renditi shumë dështime dhe dëme që i ka shkaktuar vendit ky proces. Po ashtu e quajti burim keqpërdorimesh nga grupe e individ të të gjithë atyre që e patën këtë mundësi nga viti 2001, kur filloi privatizimi. Sipas tij në kohën kur filloi ky proces, i konsideruar shpëtimtar për zhvillimin e Kosovës, ishin aktive 86 për qind e kapaciteteve prodhuese dhe ndërmarrjeve të trashëguara nga periudha e socializmit, që u shkatërruan gati të gjitha dhe lanë pa punë dhjetëra mija të angazhuar dikur në to.

As debatuesit e tjerë rreth kësaj teme nuk u shprehen me tone pozitive për procesin dhe efektet e deritashme të privatizimit. Ministri i Zhvillimit, Besim Beqaj, me gjithë vërejtjet, tha se sektori privat në Kosovë është potenciali më i fuqishëm i zhvillimit, duke iu kundërvënë kështu kritikuesve të privatizimit, ani pse ata kanë vërejtje jo pse po ndodhë privatizimi, por si po zhvillohet dhe për keqpërdorimin e tij. Ai “amnistoi” qeverinë për dëmet e eventuale, meqë kjo ishte punë e AKM-së, përkatësisht AKP-së.

Ishte shumë kritike edhe deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, e cila e konsideroi të dështuar dhe me shumë pasoja për zhvillimin e Kosovës.

Kryekuvendari Jakup Krasniqi  akuzoi të gjitha qeveritë e vendit për politika të dështuara e keqpërdorim të privatizimit. Ai përkujtoi sekserët, për të cilët u bë fjalë muajve të fundit, që flasin për atë që ndodhi gjatë këtij procesi. Ai kërkoi bosin e keqpërdorimeve gjatë privatizimit dhe u bëri thirrje gjyqësisë e organeve të ndjekjes që të merren me seriozitet me këtë çështje dhe të përmirësojnë shkeljet eventuale.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kundërshtuar sot mënyrën e këtij privatizimi, duke thënë se autoritetet nuk kanë denjuar as të bëjnë përpjekje për të përmirësuar mangësitë e shënuara. Krasniqi madje ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend. “Mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi i liderëve mbi ligjin së bashku me krimin e organizuar, janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk po bëhet për të mirën e publikut”, ka thënë Krasniqi.

Kjo legjislaturë, sipas tij, ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, institucionet pastaj kanë dalë prej atyre zgjedhjeve dhe si të tilla nuk e kanë legjimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike. Duke përmendur edhe rastin e përfolur për afera korruptive në privatizimin e hotelit “Grand”, siç raporton ndërkohë Rel, Krasniqi tha se ky rast ka dëshmuar se “ka pasur sekserë, të cilët kanë kërkuar miliona para, por tash duhet kërkuar kush është boss-i privatizimit”.

“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pas truproja, që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia dhe hetuesia”, ka thënë Krasniqi. Debati që po zhvillohet dëshmon më së miri arsyeshmërinë e vënies në rend të ditës të Kuvendit çështjen e privatizimit në Kosovë. (LajmeShqip.com)

12