Lajme Shqip Sunday, 06 October 2013 11:57

Prishtinë- Disa nga ndërtesat e reja shumëkatëshe në Prishtinë janë të konstruktuara dhe ndërtuara nga persona që nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale dhe kjo rrit dyshimet në cilësinë e objekteve të banimit, ka thënë inxhinieri i ndërtimtarisë i specializuar në studimet gjeomekanike, Qani Kadiri.

Duke marrë shembullin e lagjes “Arbëria” (ish Dragodanit) në Prishtinë, ku së fundi janë regjistruar shembjet e dheut, ai thotë se përgjegjësit komunalë duhet të reagojnë.

Ndërtimet e larta në Arbëri, sipas Kadirit kanë nisur mbrapshtë. Ai insiston që të respektohen të gjitha kriteret profesionale para se të nisë një objekt dhe që analizat të kalojnë nëpër të gjitha filtrat institucionalë.

“Kemi raste kur elaboratet gjeometrike i bëjnë njerëz që e kanë të përfunduar shkollën e mesme. Nuk mundet një person me shkollë të mesme, apo nivel bachelor të konstruktojë një ndërtesë me 10 kate. Nuk mundet të konstruktohet e t’i bëhet arkitektura vetëm pse dikush ka kompjuter, sepse nevojitet të ketë studime master, por edhe të ketë provojë që të merret kompetenca për ndërtime të larta”, ka vlerësuar ai në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Kadiri vlerëson se, përveç cilësisë së ndërtimit, problematike mbeten edhe zonat specifike ku ndërtohen objektet kolektive të banimit.

 
Lajme Shqip Friday, 27 September 2013 21:14

Kishte organizuar një takim për Ditën e Rinisë me nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës, por kryetari i Prishtinës nuk u prit mirë nga një pjesë e tyre.

Në kohën kur kryetarit Mustafa iu kishte dhënë fjala, njëra nga nxënëset e quajtur Erza nga “Xhevdet Doda” e kishte marrë fjalën duke i thënë se ai po bën fushatë me nxënës pasi që koha kur po mbahet ky takim është shumë afër zgjedhjeve lokale.

“Ky takim po mbahet një javë para se të filloj fushata, ndërsa problemet tona janë të kahmotshme”, ka thënë ndër të tjera Erza.

Duke iu kundërvënë nxënëses, Mustafa i kishte thënë se “kush të ka dërguar këtu”, derisa i kishte urdhëruar nxënësit se “kush do le të qëndroj e kush do le të dalë jashtë”.

Më pas një pjesë e nxënësve e kishin lëshuar sallën.

Videoja po qarkullon në Youtube ndërsa është shpërndarë nga të ashtuquajturit “Nxësëit aktivë”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 09:41

Prishtinë – Kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka vazhduar kritikat në drejtim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Pacolli i ka sugjeruar Mustafës që të zgjidh sa më shpejt që mundet problemin dhe kaosin në Prishtinë dhe dështimet e tij dhe paraardhësve për t’u siguruar një jetë më të mirë qytetarëve të Prishtinës.

“Nuk është hera e parë i nderuari Kryetar që JU ofroni si zgjidhje të problemeve tua largimin e kritikëve. Lagjet e Prishtinës të cilat duken si rrugë të Kabulit, pa asfalt, pa ujë, me gropa dhe pluhur nuk mbulohen nga ikja ime. Puna ime flet pa folur unë dhe ashtu do të duhej të ishte edhe për JU, por ju doni të na verboni të mos shohim paaftësitë e administratës tuaj apo të na largoni të mos flasim për shëmtinë e Prishtinës”, ka shkruar Pacolli në një status të tij në facebook.

“Për dallim nga shumica e bashkëqytetarëve tonë, unë kam ku të shkoj, POR nuk kanë ku të shkojnë ata të cilët nuk kanë ende sot ujë, asfalt dhe vend ku mund të ndihen të sigurt për jetën dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. Ato janë dështimet tua dhe të administratës tënde Kryetar dhe përkundrejt respektit njerëzor që ka për JU më befasoni me verbërinë për të parë shëmtinë për të cilën JU keni kontribuar për dy mandate të plota”, ka thënë Pacolli.