Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 18:23

Burime brenda klubit të Real Madrid kanë zbuluar skenat e panikut në dhomat e zhveshjeve të kësaj skuadre gjatë pushimit të ndeshjes me Valencian, pas pasojave që i la mbrojtësit Pepe përplasja me Iker Kazijas pak minuta para fundit të pjesës së parë të ndeshjes. Ndonëse lojtari luajti me kokën e fashuar për 5 minuta, në momentin që është kthyer në dhomat e zhveshjeve, situata është përkeqësuar në mënyrë drastike, duke shkaktuar panik dhe kaos në radhët e madrilenëve.

Simptomat e para ishin të vjellat dhe një dhimbje e fortë e kokës, që detyruan drejtuesit e klubit të kërkonin menjëherë ndihmën e mjekësve të urgjencës që gjenden zakonisht në stadium. Këta të fundit filluan të kontrollonin gjendjen e lojtarit dhe zbuluan që praktikisht ai kishte humbur kujtesën.

Futbollisti ishte krejtësisht i çorientuar, aq sa nuk po kuptonte ku gjendej dhe i pyetur nga një prej doktorëve nëse dinte se si quhej, ai dha një përgjigje që alarmoi më shumë situatën. “Unë quhem Pablo… Çfarë po bëj këtu?”, ishte fraza e lojtarit që solli edhe vendimin e menjëhershëm të mjekëve për ta dërguar në spital.

Futbollisti më pas filloi të nervozohej pasi nuk po i kthehej kujtesa, duke detyruar mjekët që t’i bënin një qetësues ndërsa e futnin në ambulancë, ndërsa shokët e tij të skuadrës shihnin të gjithë skenën të tronditur.

Lojtari është qetësuar vetëm pasi ka mbërritur në spital dhe sipas asaj që raportuan doktorët atje, është qetësuar gjatë natës dhe është lënë i lirë gjatë paradites të së hënës, por me kusht që këtë javë të qëndronte pushim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 09:20

Ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka treguar se është ende shumë herët për të bërë parashikime për titullin kampion në Spanjë, ku janë luajtur vetëm ndeshjet e para të kampionatit në këtë vend.

41 vjeçari, që siguroi 14 trofe për katalanasit në vetëm 4 vite punë me këtë skuadër, beson se do të duhen të paktën 10 ndeshje para se të mund të bëhet një parashikim për luftën mes skuadrave dhe kush është e favorizuar për të marrë trofeun.

“Do të na duhet të presim të paktën 10 ndeshje para se të japim konkluzionet tona mbi ata që mendojmë se janë favoritë. Si Barça, ashtu edhe Reali, kanë skuadra të mëdha”, tha ish-tekniku i katalanasve para gazetarëve në Nju Jork, ndonëse Barcelona ka që tani 2 pikë avantazh ndaj Realit që nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 ndaj Valencias në ndeshjen e hapjes.

Guardiola ka vendosur të jetojë në SHBA gjatë vitit të pushimeve, ndonëse ka pranuar se nuk është shkëputur nga futbolli dhe sheh sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur.

“Vazhdoj të ndjek ndeshjet me interes. Kur bëhesh trajner, je gjithmonë një i tillë. Këtë vit shpresoj të mësoj më shumë për mënyrën amerikane të jetesës. Gjithashtu shpresoj të përmirësoj anglishten time dhe atë të fëmijëve të mi. Kjo është ajo që kam vendosur të bëj në këtë vit”, tha trajneri spanjoll që mbetet një nga më të kërkuarit në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 10:01

Kristiano Ronaldo ka deklaruar se Real Madrid i vërtetë do të shihet kur e gjithë skuadra të jetë në formë të mirë fizike, pasi të kalojnë ditët e fundit të përgatitjeve parasezonale që ndikuan në barazimin 1-1 përballë Valencias në ndeshjen e parë të kampionatit.

“Nuk jemi në formën më të mirë fizike, por kjo është normale. Ne do të mundohemi të jemi më mirë në të ardhmen. Ndjejmë keqardhje për këtë barazim, pasi bëmë maksimumin për të fituar. Kishim shumë raste për gol por nuk ishte e thënë që të shënonim përsëri”, u shpreh lojtari që në këtë ndeshje ishte shumë larg formës së tij të zakonshme.

Ndërkohë, një shqetësim shumë i madh për madrilenët ka qenë shtrimi me urgjencë në spital i mbrojtësit Pepe, pas goditjes që ka marrë në kokë në një përplasje me portierin Kazijas në momentin e shënimit të golit nga Valencia.

Lojtari ka kaluar gjithë natën në spital, ndërsa gjatë ditës së sotme do t’i nënshtrohet vizitave të tjera pasi madrilenët duan të sigurohen që ai nuk ka pësuar tronditje.

“A do të luajë Pepe të enjten? Unë shqetësohem për Pepe, jo për Superkupën. Ajo është thjesht një ndeshje, ndërsa unë mendoj për një lojtar që të jetë mirë me shëndet”, tha Zhoze Murinjo pas përfundimit të ndeshjes.

Edhe Kazijas nuk ka kaluar pa pasoja në këtë incident, ndërsa ka pranuar se nuk kujtonte asgjë nga momenti i përplasjes me shokun e skuadrës.

“Të them të drejtën, nuk mbaj mend asgjë nga ajo që ndodhi. Di vetëm që dola për të kapur topin dhe asgjë tjetër, të shohim se si është Pepe. Normalisht që duhej çuar në spital pasi dëmtimet në kokë janë gjithmonë serioze”, tha portieri i Realit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 22:18

Real Madrid ka gabuar që në ndeshjen e parë të kampionatit, duke u ndalur në një barazim 1-1 përballë Valencias, dukë i dhënë menjëherë mundësinë Barcelonës të krijojë dy pikë avantazh në renditje pas suksesit 5-1 të katalanasve përballë Real Sociedad.

Zhoze Murinjo kishte bërë të qartë që objektivi këtë vit nuk ishte të bënin rekorde por të rifitonin titullin kampion. Por madrilenët nuk i janë përgjigjur me lojë apelit të trajnerit, duke u ndalur në një barazim 1-1 edhe pse mund të kishin marrë më shumë nga kjo sfidë. Higuain kaloi në avantazh Realin pas vetëm 9 minutash lojë por Jonas vendosi barazpeshën në minutën e 41-të, në një aksion ku u përplasën në mënyrë të frikshme Kazijas e Pepe, me këtë të fundit që braktisi fushën e lojës pas tronditjes së pësuar.

Kristiano Ronaldo ishte krejtësisht në hije, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës la shumë për të dëshiruar, fakt të cilin e pranoi edhe Murinjo pas përfundimit të takimit.

Ndërkohë, Barcelona ka bërë gjithçka mirë në ndeshjen e hapjes, duke regjistruar goleadën e parë sezonale me fitoren 5-1 përballë Real Sociedad. Një fillim i vrullshëm i lojës bën që ndeshja të jetë në rezultatin 3-1 kur kanë kaluar vetëm 15 minuta, me Pujol e Kastro që shënuan dy golat e parë ndërsa Mesi më pas që shtoi dy të tjerë nga repertori i tij.

Goli i Pedro në fundin e pjesës së parë çoi rezultatin në 4-1, ndërsa për të vulosur këtë fitore në ndeshjen e parë në kampionat mendoi David Vija, i kthyer në fushën e lojës pas 8 muajsh mungesë për shkak dëmtimi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 08:01

Futbollisti 16 vjeçar, Fabris Olinga, hyri në librin e rekordeve të shtunën, duke u bërë futbollisti më i ri i të gjithë kohërave që shënon në kampionatin spanjoll, pasi ishte protagonisti i suksesit 1-0 të Malagas në fushën e Selta Vigo. 

Sulmuesi me origjinë nga Kameruni, u aktivizua në minutën e 58-të të takimit si zëvendësues, ndërsa në minutën e 84-t shënoi golin e vetëm të kësaj sfide që hapi sezonin për ekipin e tij që po kalon probleme të mëdha financiare.

Duke qenë vetëm 16 vjeç e 98 ditë, Olinga është 191 ditë më i ri në moshë se sulmuesi aktual i Atletik Bilbao, Iker Muniain, i cili mbante rekordin e mëparshëm në kampionatin spanjoll.

Sevilja arriti të fitonte 2-1 në fushën e saj në ndeshjen e parë, duke mposhtur Getafen me golat e  Fazio dhe Negredo që në pjesën e parë dhe i bëri një fillim të mbarë sezonit ku skuadra pritet të luftojë për vendet që çojnë në Kupat e Evropës.

Në ndeshjen e darkës që u luajt në orën 23:00, një orar që do të përsëritet edhe në javët e ardhshme dhe që ka ngjallur diskutime mes skuadrave, izraeliti Hemed, shënoi dy herë për të ndihmuar Majorkën të kalonte Espanjol me rezultatin 2-1. (LajmeShqip.com)

 

Primera Division

Rezultatet

Selta Vigo-Malaga        0-1

84′ Olinga

Sevilja-Getafe               2-1

34′ Fazio, 38′ (p) Negredo / 50′ Aleksis

Majorka-Espanjol        2-1

2′, 85′ Hemed / 6′ Mubarak