Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 10:00

TIRANË –Cilat janë pikat ku ndalet progres-raporti për Shqipërinë? Në dokument vlerësohet se Shqipëria ka bërë një progres të mirë drejt përmbushjes së kriterit politik, por Brukseli i kërkon qeverisë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit të angazhimeve të marra.

Zgjedhja e njëanshme e presidentit nga mazhoranca vlerësohet se frenoi bashkëpunimin mes palëve. Dokumenti po ashtu nënvizon problematikën në fushën e gjyqësorit, administratës, anti-korrupsionit dhe ekonomisë.

Në progres-raport kërkohet që proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjen e 21 janarit duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besuar gjyqësor.

Citimi:“Në përgjithësi Shqipëria ka bërë progres të mirë drejt përmbushjes së ‘kriterit politik’ për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash nga masat kyçe të Opinionit të 2010-ës të Komisionit. Progres i mirë u arrit në reforma kyçe politike”.

Zbatimi: “Në të gjitha fushat që mbulohen nga prioritetet kyçe të paplotësuara deri në fund, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar qëndrueshmërinë e zbatimit të angazhimeve që janë ndërmarrë dhe më shumë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit”.

Politika: “Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogu i përmirësuar politik në Parlament, si dhe klima më konstruktive në komisione dhe seanca plenare mundësoi progres të mirë në një numër fushash, pavarësisht disa periudhave të shkurtra të një retorike politike konfrontuese dhe një ngadalësimi të përkohshëm të reformave”.

Presidenti: “Më 11 qershor 2012, një President i ri u zgjodh në raundin e katërt të zgjedhjeve vetëm me votat e shumicës qeverisëse. Megjithëse në përputhje me Kushtetutën, zgjedhjet presidenciale nuk përmbushën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje dhe frenuan forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik”.

Qeverisja lokale: “Në lidhje me qeverisjen lokale, decentralizimi i përgjegjësive të shtetit nuk u ndoq me transferimet e duhura të burimeve financiare dhe administrative nga qeverisja qëndrore drejt asaj lokale. Ekzistenca e dy shoqatave të ndara të qeverisjes lokale nuk çon në përmirësimin e mardhënieve institucionale mes qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale në kuadër të një procesi decentralizimi transparent dhe të suksesshëm”.

Administrata: “Ka patur progres në reformën e administraës, një prioritet kyç i Opinionit, më shumë nëpërmjet miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative dhe për Organizimin dhe funksionimin e Administriatës Publike, si dhe nëpërmjet zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Është tashmë thelbësore të miratohet ndryshimi i ligjit për Shërbimin Civil. Duhet përforcuar zbatimi i akteve administrative dhe ligjeve të miratuara. Kuadri ligjor dhe institucional për administratën publike vazhdon të preket nga parregullsi që duhen adresuar, me synimin për të përforcuar profesionalizmin, depolitizimin, meritokracinë, transparencën dhe llogaridhënien”.

Gjyqësori: “Sa i përket gjyqësorit, është shënuar progres i moderuar në plotësimin e reformës gjyqësore që është prioritet kyç i Opinionit. Megjithatë, ligje të rëndësishme për të forcuar llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit presin akoma për t’u finalizuar, miratuar dhe zbatuar. Në këtë kuadër është tashmë thelbësore që ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë të miratohen. Organizimi i gjykatave, transparenca dhe zvarritjet, si dhe statusi i administratës gjyqësore vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për efikasitetin e gjyqësorit”.

21 Janari: “Proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011 duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besueshëm gjyqësor”.

Anti-korrupsioni: “Në fushën anti-korrupsion, një prioritet kyç i Opinionit, progresi ishte i moderuar, për shembull nëpërmjet kufizimit kushtetues të imunitetit për zyrtarët e nivelit të lartë dhe për gjykatësit. Megjithatë, mungesa e qasjes proaktive dhe mungesa e burimeve dhe pajisjeve vijon të pengojë hetime të vërteta. Nuk ka gjurmë të përshtatshme provash në hetimin, ndjekjen dhe dënimin në të gjitha nivelet. Korrupsioni mbizotëron në shumë fusha dhe vijon të përbëjë një problem veçanërisht serioz”.

Bashkëpunimi rajonal: “Në lidhje me çështjet rajonale dhe detyrimet ndëkrombëtare, Shqipëria vijoi të luajë një rol konstruktiv duke i ndihmuar stabilitetit të rajonit duke konsoliduar mardhëniet pozitive me fqinjët dhe partnerët rajonalë”.

Ekonomia: “Ekonomia shqiptare vijoi rritjen, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë dhe pavarësisht kushteve të vazhdueshme të pafavorshme tek partnerët kryesorë tregëtarë. Gjithësesi, defiçiti fiskal u rrit në 2011, duke çuar në një rritje edhe më të madhe të borxhit relativisht të lartë publik që vijon të tregojë një anim afat-shkurtër. Mbetja në nivele të larta e deçfitit të llogarisë korente është një burim dobësie. Papunësia vijon të mbetet vazhdimisht e lartë”.

Detyrimet e anëtarësimit: “Shqipëria ka bërë progres të moderuar në përmirësmin e aftësisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në veçanti në fushat e konkurrencës, taksave, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, edukimit dhe kulturës dhe unionin e doganave. Progresi ka qenë i kufizuar në fusha të tjera si liria e lëvizjes së punëtorëve, prokurimet publike, e drejta e autorit, siguria ushqimore, peshkimi, energjia, ambienti dhe ndryshimet klimatike”.(T.Ch)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 15:07

TIRANË- ‘Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”…Zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, pritet një garë e egër, përparimi për shtetin e së drejtës i pakët”, janë disa nga pikat që përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka nënvizuar në raportin për Shqipërinë të prezantuar sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 20 shtator 2012. 

Në përgjithësi, përfaqësuesi i zyrës së OSBE në vendin tonë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.

“Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të PS në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit”.

Por, sic theksohet në raport, gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh.
“Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”.”

ZGJEDHJET 2013-DO JENË TË EGRA
E ndërsa bën analizën për 12 muaj që u lanë pas, ambasadori Wollfarth në raport bën dhe një parashikim për vitin 2013. Në fokus, thekson ambasadori, do të jenë zgjedhjet parlamentare. Klima? E egër, Fitorja? Qeveria e re nuk do të arrijë të konstituohet para seancës së parë plenare.

“Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re” 

NISHANI DO VIHET NË QENDËR TË DEBATEVE
Ambasadori i OSBE në vendin tonë parashikon gjithashtu se Presidenti nuk do t’u shpëtojë debateve politike.
“Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit”.

BEFASI ZGJEDHJA E DISA MINISTRAVE
“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”, nënvizon raporti i OSBE për Shqipërinë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Raporti vë në dukje se ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
Duke përshkruar këtë proces, Wollfarth thekson se mbi të gjitha procesi ishte kushtetues edhe pse nuk coi në një konsensus.
“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”.

REFORMA ZGJEDHORE
Zyra e OSBE në vendin tonë përshëndet arritjen e një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend, por nuk harron bllokimin që i solli politika kësa reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike”.

Rëndësi sipas Wollfarth, tani ka zbatimi në praktikë. “Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

REFORMA PARLAMENTARE
“Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar”.

SHTETI I SË DREJTËS
Zyra e OSBE në Shqipëri thekson se hezitimi për të vepruar në përputhje me ligjin sjell dobësi të institucioneve shtetërore. Klientelizmi, thekson raporti është kërcënimi në vazhdim. “Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues”. 

VENDIMET E GJYKATAVE-GËRDECI DHE PËRGJIMI META-PRIFTI
Gjyqi i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimit e gjykimit të drejtë. Kështu citon raporti üër Shqipërinë në OSBE. “Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë”.

Ambasadori i OSBE theksoi në veçanti, kohëzgjatjen e tepruar të gjyqit. “Shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi”, ndërsa raporti shton se shqetësim ishte mosparaqitja në gjyq e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”.

Kurse në lidhje me gjyqin e përgjimit Meta-Prifti, OSBE thekson shpalljen të pafajshëm të ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe rrëzimin e provave. “Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 August 2012 08:15

Tiranë  – Në një intervistë për televizionin Klan, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha se emërimi dhe shkarkimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) është një nga kompetencat ligjore të Kryeministrit dhe jo të tijat, ndërsa shtoi se akuzat e opozitës janë të pabaza.

Detyra e Presidentit, vijon Nishani, – nuk është që të pengojë Kryeministrin në ushtrimin e kompetencave të tij.

Në lidhje me nivelin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh se duhen akte të tjera ligjore dhe vendime nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa sqaroi se emërimi i Elvis Cefës si nënkryetar i KLD-së u votua në mënyrë unanime nga anëtarët e KLD-së dhe jo nga vetë presidenti.

Ndërkaq, presidenti foli edhe për referendumin popullor për çështjen e imunitetit duke e vlerësuar atë si ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë, ndërsa shtoi se ndërhyrja e tij në këtë proces do të ndodhë atëherë kur e përcakton Kushtetuta.

I pyetur në lidhje me letrën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste e cila kërkonte ndërhyrjen e tij në bisedimet e fshehta sipas saj, të një marrëveshjeje kufitare me Greqinë, Bujar Nishani tha se letra nuk ka mbërritur ende, por megjithatë sqaroi se nuk po bëhet asnjë negociatë në hije lidhur me këtë fakt.

LEXONI INTERVISTEN E PLOTE

Z. President një nga vendimmarrjet e para pas betimit tuaj në postin e kreut të shtetit ishte edhe shkarkimi i kryetarit të SHISH. Opozita pas këtij vendimi ju akuzoi ashpër dhe tha se, po i shërbeni interesave të partisë në pushtet. Në fakt pse e shkarkuat ish-kreun e SHISH?
Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna apo detyra e Presidentit të Republikës është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Pa diskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pa ndërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj se ato duhet të jenë të fokusuara gjithmonë në mënyrën sesi funksionojnë institucionet.

Opozita thotë se nuk ka pasur konsultë me aleatin kryesor SHBA, ju thjeshtë e firmosni shkarkimin e tij nuk merrni informacion më tej?
SHBA përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë kanë treguar gjithmonë qartë se, marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen më institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën sesi funksionojnë këto institucione të respektimit të kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve dhe besoj se ky standard ka qenë është dhe do të mbetet i pacenueshëm.

Z. President, sistemi i drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit, a është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë korrupsioni?
Ne duhet ta nisim përballjen e kësaj sfide që është sfida e çdo qytetari në radhë të parë duke rritur besimin e vetë gjyqtarëve ndaj sistemit. Nëse gjyqtarë të shumtë, të cilët janë brenda sistemit me një nivel të admirueshëm profesional, me një integritet moral dhe qytetar të atyre standardeve që kërkojnë qytetarët tanë, shohin se në pjesën e promovimit dhe karrierës nuk promovohet ky model, pra i atyre që shërbejnë me dinjitet, por promovohen persona, të cilët nuk e kanë këtë integritet atëherë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet tek vetë sistemi, tek vetë shërbimi, që do të marrin qytetarët tek shërbimi i drejtësisë dhe kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë tek mungesa e besimit që kanë qytetarët tek sistemi i drejtësisë.

Si do ta bëni këtë z. President, është vetëm çështje vullneti apo ka mungesë legjislacioni në këtë drejtim?
Padyshim që vullneti është hapi i parë, por do të jetë e nevojshme që i gjithë infrastruktura ligjore që ekziston që nuk është e dobët është e mirë të plotësohet me akte të tjera dhe vendime të tjera të KLD, i cili ka mundësinë për të kompletuar këtë set ligjor.

Lidhur dhe me funksionin tuaj si kryetar i KLD-së, opozita ka akuzat e veta, duke iu referuar mënyrës sesi u zgjodh nënkryetari i KLD-së, ai është një propozim i Kuvendit. Pse Cefa nënkryetar?
Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës, pra institucioni i presidencës përfaqësohet me kryetarin në KLD-së. Komuniteti i gjyqtarëve përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse, qeveria përfaqësohet me ministrinë e drejtësisë dhe parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij dhe praktika e të gjithë kohërave ka qenë i tillë dhe në respekt të balancimit të pushteteve. Posti i nënkryetarit i është ofruar përfaqësuesit të Kuvendit. Së dyti z. Cefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e KLD-së.

Z. President a është pengesë imuniteti për korrupsionin në drejtësi?
Heqja, kufizimi i imunitetit në drejtësi është mesazhi më i mirë që i jepet shoqërisë porsa i takon ruajtjes së konceptit të barazisë para ligjit.

A po bën mirë mazhoranca që po ndërmerr iniciative për një referendum popullor për çështjen e imunitetit në mungesë të konsensusit të opozitës, duhet zgjidhur në parlament apo me referendum popullor?
Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjeja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike, në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejt për drejtë, por edhe në rastin konkret të referendumit presidenti është pjesë e vendimmarrjes, është e përcaktuar nga kushtetuta momenti kur presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimet e tij, që do të jetë pas një gjykimi që vjen nga gjykata kushtetuese.

Në të shkuarën pa pasur diskutime të ashpra mes institucionit të presidencës dhe kuvendit lidhur me dekretet e presidentit për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë, si do ta zgjidhni këtë konflikt me Kuvendin?
Do të parapëlqeja dhe do të ofroja të gjitha konsultat paraprake me grupet parlamentare për përcaktimin e kritereve për të profilizuar kandidaturat, që duhet ti ofrohen Kuvendit për nivelet e këtyre gjykatave kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe nga pikëpamja procedurale presidenti është predispozuar për të ndjekur apo hapa që janë përcaktuar në kushtetutë.

Opozita ju ka akuzuar ashpër dhe ju ngarkon ju me përgjegjësi edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të SHIU, a keni përgjegjësi ju ?
Policia ushtarake është pjesë e administratës publike, procedura e emërimit të kreut të këtij institucioni nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës. Është një çështje që nuk kalon në asnjë rast nga Presidenti i Republikës.

Z. President ka kaluar një muaj nga betimi juaj në krye të institucionit më të lartë dhe marrëdhëniet tuaja me opozitën janë shumë te tensionuara. Çfarë garancish i jepni ju opozitës se, do të jeni president mbi palët dhe se nuk do të jeni noter i partisë në pushtete apo ministër i partisë në pushtet siç ju akuzon opozita?
Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend, por nga ana tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim, që Presidenti i Republikës nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij. Presidenti i Republikës duhet të funksionojë me gjithë kapacitetin që parasheh kushtetua e vendit.

A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon mandati Prokurorit të Përgjithshëm?
Në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në agjendë mandatin e prokurorit, natyrisht edhe në konsultë me këshilltarët e tij juridik dhe specialistët ligjor do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhura. Për momentin ne kemi një Prokuror të Përgjithshëm në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës në përmbushje të misioneve të saj ligjore dhe kushtetuese.

Do të riemëroni Ina Ramën apo do ketë një emër të ri?
Dhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht se institucioni i prokurorisë ka nevojë për një rritje të madhe të profilit të tyre profesional për një rritje të forcës dhe integritetit të të gjithë pjesëtarëve të prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, unë personalisht e shoh institucionin e prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional dhe angazhimin dhe kurajën e saj.

Grupi parlamentarë i PS-së bëri publike se ju ka dërguar një letër në të cilin ju kërkon të ndërhyni për disa çështje kryesore, ndër të tjera edhe lidhur me marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Grupi i PS pretendon se po bëhen negociata në hije lidhur me këtë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke dhe se opozita nuk është në dijeni të kësaj marrëveshje dhe kërkon që ju të ndërhyni. A e keni marrë këtë letër?
Përsa i takon çështjes së marrëveshjes për ujërat, unë jam informuar edhe nga autoritetet shqiptare, që nuk ka asnjë negociatë asnjë nisje bisedimesh apo procedurë të hapur rreth kësaj çështje, por gjithsesi edhe njëherë në respekt të plotë, që meriton opozita me mbërritjen e letrës, sepse nuk ka mbërritur ende, ajo do të ketë përgjigjen e saj.

Z. President a keni një apel për forcat politike nisur nga fakti se në tetor do jepet vendimi për statusin dhe nëse do të jete një përgjigje pozitive kjo ndodh për herë të tretë për vendin tonë?
Kjo kohë që ka mbetur deri në momentin që KE dhe BE do të kenë një vendim lidhur me statusin për Shqipërinë është një kohë, që ende ka nevojë për kontribute dhe mund të përmbushet me angazhime. Ndaj nëse e quaj se është një e drejtë që ju takon qytetareve shqiptarë po me atë forcë e shoh si një detyrim që kanë partitë politike dhe institucionet për të përmbushur detyrimet e tyre.

Ju për herë të parë do të vizitoni Kosovën, pse vizita juaj e parë në Kosovë?
Ka të bëjë me çështjen e vlerësimit dhe respektit të bashkombasve tanë që jetojnë në Kosovë, së dyti është një vizitë e cila do të shprehë të gjithë respektin dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë, dhe Kosova është një nga kontribuueset e rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit, ndaj dhe për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 July 2012 09:56

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, gjatë emisionit “Debat”, të gazetarit Alfred Peza se grupi parlamentar i PS-së do të votojë pro heqjes së imunitetit, pasi ai është varianti i PS-së, por thekson se ky votim nuk do të bëhet me 6 gusht.

Rama zbardh bisedat dhe mesazhet që ai ka këmbyer me ish-presidentin Topi dhe presidentin e ri, Bujar Nishani, gjatë ceremonisë në Presidencë. Ndërkohë, kreu socialist shprehet se do të jetë një nga kandidatët për deputetë në listën e PS-së, në 2013 dhe se në PS nuk do të ketë hapësirë për asnjë lëvizje që kërkon ta përçajë atë. 

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim? 
Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit. 

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni… 
Sigurisht sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë Kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës. 

Çfarë i thatë zotit Nishani në ato pak sekonda? 
Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

Po presidentit në ikje çfarë i thatë? 
Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

Meqë jemi tek ndryshimet Kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo? 
Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për t’u shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është i mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.

Do ta votoni më 6 gusht apo jo? 
Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet Kushtetuese të bëhen si një proces i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim Kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë. Tani kemi edhe një sërë propozimesh të tjera që presin të kalojnë në sitën e një diskutimi të hapur, transparent dhe me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë drejtpërdrejt lidhur me Kushtetutën, ekspertizë vendase, ekspertizë ndërkombëtare, institucione të drejtësisë dhe pastaj do të vijmë tek votimi i të gjithë këtyre propozimeve të marra sëbashku. 

A nuk do të ishte në ndihmë të statusit të vendit kandidat, votimi në 6 gusht i ndryshimeve të arritura deri tani dhe mos pengimi në shtator pastaj? 
Absolutisht 6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë të vendosur në mënyrë arbitrare nga njëra palë.

Në datën 6 gusht, grupi juaj parlamentar do të jetë në seancë? 
Ne, pa asnjë diskutim nuk do të lëmë asnjë rast pa vazhduar të ndaj me publikun vizionin dhe pikëpamjet tona për këtë proces ndryshimesh Kushtetuese, i cili duhet të jetë një proces me një fillim dhe me një fund. Fillimi është diskutimi tanimë i përfunduar për imunitetin dhe fundi është kryerja e të gjithë procesit të diskutimit për të gjitha ndryshimet e propozuara. Dhe pastaj, procesi përmbyllet me një votim për secilin prej ndryshimeve të propozuara. 

Dhe kjo nuk do të ndodhë në 6 gusht, dhe ju do të jeni në sallë? 
Ne do të jemi për të diskutuar në rast se ashtu siç e kërkon edhe logjika më e thjeshtë, 6 gushti mbetet në fuqi si një seancë që normalisht nuk ka pse të zhvillohet në kushtet kur nga njëra anë çështja e imunitetit është mbyllur dhe nga ana tjetër opozita ka thënë se nuk do të votojë më 6 gusht.

Shtatori është koha e mundshme që të bëhen të gjitha dhe të mos pengohet marrja e statusit? 
Absolutisht. Për sa i përket marrjes së statusit kjo është një çështje tjetër. Ne nuk e dimë kurrsesi që a do të mjaftojnë të gjithë këto për të marrë një reagim pozitiv nga Brukseli. Por, ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka është e mundur që ta marrim këtë reagim pozitiv. 

Pra, do të votoni pro edhe për heqjen e imunitetit pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese? 
Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera. Por, ndërkohë, publiku duhet të ndjekë këtë debat për të parë se në fakt këtu kemi një ballafaqim dy vizionesh krejt të ndryshme për shtetin dhe krejt të ndryshme për të nesërmen e këtij vendi. Kemi nga njëra anë vizionin tanimë të mishëruar në një shtet i cili jo vetëm po merr të gjitha konturet e një partie, por po shfaq dhe simptomat e një shteti policor me përgjimin e opozitës, madje edhe të diplomatëve të huaj, në një njësi ilegale përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes…

Përgjimet janë të vërteta të gjitha? Keni prova? 
Ne jemi absolutisht të mirinformuar dhe thjesht e vetëm fakti që Ministri i Mbrojtjes dhe qeveria refuzojnë të kontrollohen në rrugën Kushtetuese dhe ligjore nga parlamenti i Shqipërisë, nga deputetët e opozitës dhe nuk provojnë dot ndërkohë të kundërtën, mjafton për të vërtetuar se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Përgjohet opozita që prej shkurtit të vitit 2011 nga një njësi përgjimi të ngritur ilegalisht në Ministrinë e Mbrojtjes me një aparaturë të blerë në mënyrë korruptive. Madje se edhe kur bëjnë diçka të fshehtë edhe atyre duan që përveçse të bëjnë të pabërën si në rastin konkret, por edhe të fitojnë lekë. Janë përgjuar edhe diplomatë të huaj të nivelit të lartë. Ka pasur përgjime edhe në periudhën kur negociohej për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Zoti Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013. E shikoni si shqetësim? 
Jemi një vend demokrat, ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por nuk ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS. 

Po si do t’u përgjigjeni atyre zërave që bashkëpunoni me Milon, bashkëpunimi me Ngjelën, bashkëpunoni apo uluni në tryezë dhe me Berishën, por nuk bashkëpunoni dot me Nanon? 
Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Kocin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleat opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cënon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët, e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme në bashkëpunim me të gjitha partitë dhe të gjitha lëvizjet që janë krijuar dhe që mund të krijohen, dhe që janë të mirëpritura në një koalicion të madh opozitar.

 Pra, mirëprisni edhe Nanon? 
Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që nuk mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar. Ndërkohë që e përsëris, asnjë lëvizje përçarëse brenda PS-së nuk do të gjejë as kohë dhe as vend në PS.

Dakord, por si do t’ju thoni atyre që akoma kanë jo vetëm nostalgji për ish kryetarin…? 
Ky është një kapitull i mbyllur. Sqarimet janë dhënë të plota dhe unë besoj që sot PS s’ka as kohë dhe as arsye t’u referohet nostalgjive, por duhet të shfrytëzojë çdo sekondë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme duke parë nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.

A jeni penduar zoti Rama për darkën në Gjirin e Lalzit?
Unë as nuk jam penduar dhe as nuk kam arsye të pendohem për asgjë që kam bërë dhe bëj në shërbim të aspiratave të mia dhe të aspiratave të forcës politike që unë kam nderin e madh të udhëheq, që përputhen me aspiratën e madhe të vendit. Përpjekja ime ishte një përpjekje e bërë me zemër dhe mendje të kthjellët për të ndërtuar një proces dialogu me të gjithë kundërshtarët. Për sa i përket kryetarit të LSI-së, historia e përbashkët me dritë dhe me hije e bënte të mundur edhe një takim informal jo në një mjedis publik. E shfrytëzova këtë mundësi për t’i dhënë gjithçka mundesha dhe mundeshim procesit që synonim të ndërtonim dhe që shpresonim të realizohej për të mirën e vendit dhe jo për interes të Partisë Socialiste.

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013? 
Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim. 

Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës KuqeZi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion? 
Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.

PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat? 
Nuk e kam këtë informacion. Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike, sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar dhe për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate. 

Ju a do të kandidoni këtë herë. Do të jeni i pari i listës? 
Nuk kam asnjë arsye që të mendoj për vendin në listë, jo se jam kryetari i partisë, por se nuk mendoj që numrat në listë janë renditje sipas vlerës. Për më tepër po të shikoni eksperiencat e vendeve që kanë procese zgjedhjesh me lista rajonale vendosin në fillim edhe njerëz krejt të rinj për arsye të ndryshme. Por, sigurisht që do të jem një nga kandidatët, patjetër si të gjithë të tjerët.

Çfarë do të bëni me lotarinë kombëtare, kur të vini në Qeveri? 
Lotarinë kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Është një e drejtë e publikut e cila i grabitet publiket dhe nga një lojë që e organizon shteti për të nxjerrë përfitime që kthehen në investime për publikun, kryesisht në ato fusha ku interesi publik është shumë i madh dhe qëllimi nuk është fitimprurës, në kuptimin financiar. Ne kemi identifikuar dy fusha, sportin për të gjithë dhe sportin në tërësi, dhe rininë. Ndërkohë që këta e kanë kthyer në një bixhoz ku fusin të gjithë popullin në lojë, populli do të nxjerrë lekët dhe përfitimet do t’i marrin këta. Do t’i marrin ortakët në biznes të kryeministrit, të Ministrit të Financave dhe të gjithë atyre të tjerëve që janë mbrapa kësaj historie. Kjo është një gjë e pashembullt, është një rrjepje e publikut, është një piramidë pa interesa, as në fazën e parë. Hidhni lekë ju shqiptarë për këtë bixhoz se lekët do t’i marrim ne. Ata që janë para dhe prapa skenës së këtij grushti të fortë ndaj interesit publik. Jo, nuk ka! Qeveria do të marrë mandat nga populli për të reaguar ndaj kësaj poshtërsie dhe për të vënë në vend këtë të drejtë.

Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me ambasadorin amerikan, Arvizu? 
Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 18:00

Tiranë (PLOTESUAR 24 Korrik 19:50)– Bujar Nishani u betua sot si Presidenti i 6-të i Republikës së Shqipërisë. Me dorën në Kushtetutë, Nishani u betua se do t’i bindet  ligjeve të vendit. 

Në fjalën e parë të tij, ai premtoi reformimin e drejtësisë, bashkëpunimin me të gjitha forcat politike që vendi të marrë statusin kandidat në BE. “Ta bëjmë jetën tonë më të lirë”, deklaroi ai, duke thënë se do jetë një president mbi palët. Nishani: Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë dhe interesat e qytetarëve dhe vendit tim.

Fjalimi zgjati rreth 30 minuta, ndërsa ceremonia u zhvendos në presidencë ku Bamir Topi i dorëzoi detyrën në prani të 500 të ftuarve. Gjithçka nisi me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit. Pas fjalës së presidentit të ri, Bamir Topi u largua përfundimisht nga Presidenca, por me protokollin e ndryshuar ai nuk mbajti fjalim lamtumire.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës ndryshe nga 2007, u mbajt në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia u përmbyll me një kokteil në ambientet e brendshme të presidencës. Në ceremoni edhe kreu i PS-së Edi Rama.

TROKITJE GOTASH, URIME PER PRESIDENTIN NISHANI
Ora 19:50- Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zunë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali, duke pasur kështu mundësi për foto. Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizën drejt sallës ku u mbajt pritja me rastin e marrjes së detyrës. Të ftuarit u priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndesin dhe urojnë Presidentin e Republikës.

LARGOHET BAMIR TOPI NGA PRESIDENCA
Ora 19.44- Pas fjalës së Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Bamir Topi përshëndetet me Bujar Nishanin me shtrengrim duarsh. Bamir Topi sipas protokollit të ndryshuar nuk mbajti fjalim. Sh.T.Z.Bamir Topi u përcoll deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit. Shoqërohej nga bashkëshortja. Makina e ish-Presidentit shoqërohej nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndeti me dorë të gjithë të ftuarit.

NISHANIT I DOREZOHET KUSHTETUTA
Ora 19:35– Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dolën nga zyra dhe u drejtuan drejt hyrjes kryesore të Presidencës. Të dy Presidentët zunë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse. Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndroi i ngritur. Truproja e Nderit parakaloi para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëvizi drejt Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

NISHANI NE PRESIDENCE, TAKON TOPIN
Ora 19:32 Presidenti i Republikës Bujar Nishani mbërrin në Presidencë. (Hyrja u bë nga krahu i zyrave të Presidencës). Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me ish-Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

NISHANI: TA BËJMË JETËN TONË MË TË LIRË
Ora 18:50- Në fjalën e tij të parë si Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u shpreh se do jetë President i shtetit 100-vjeçar, ndërsa konfirmoi vullnetin për të zbatuar me përpikëri ligjet e vendit. Reforma në drejtësi, ishte një pikë kyce, ku kreu i ri i shtetit, njëherësh edhe kreu i KLD, premtoi se do ta bënte sistemin e drejtësisë funksional dhe transparent. 

“Nga ky podium i nderuar më lejoni të shpreh mirënjohje për mesazhet dhe përshëndetjet për zgjedhjet e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares Amerikane Klinton, presidenti i BE-së Barroso dhe homologët e tjerë. Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, mbrojtur liritë dhe interesat e qytetarëve të vendit itm. Këtë detyrë po e marr përsipër në 100 vjetorin e pavarësisë. Rruga jonë nuk ka qënë e lehtë, por e mbushur me sakrifica dhe pengesa. Ja kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur…Gjatë 20 viteve të fundit përpjekjet e bëra kanë sjellë një Shqipëri më të lirë, më demokratike dhe më të zhvilluar. Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa. Shqipëria ka mjaft sfida me të cilat duhet të përballemi, detyrimin parësor e kanë institucionet”, tha ai.

Marrja e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, ishte një nga prioritetet e presidentit të ri, Bujar Nishan. “Do jem i angazhuar për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat në BE”, tha ai.

Bashkëpunimi me të gjitha palët politike ishte një nga premtimet e kreut të ri të shtetit.  “Dyert e presidencës do jenë të hapura në 5 vite si për mazhorancën edhe për opozitën. Misioni im është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë e më demokratik, më të zhvilluar. Ta bëjmë jetën e fëmijëve tanë më të qetë e më të sigurte. Zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët”, tha ai. (LajmeShqip.com)

****************************************

Tiranë – Betohet me dorë mbi Kushtetutë e Shqipërisë, Presidenti i ri i Republikes zoti Bujar Nishani. “Betohem! Zoti më ndihmoftë!”, ishin fjalet e para te zotit Nishani si kreu i ri i vendit.

Presidenti Nishani, ne fjalen e rastit ne podiumin e Kuvendit shprehu kenaqesine per marrjen e postit pikerisht ne 100-vjetorin e Pavaresise. “Shqiperia ka mjaft sfida qe duhen zgjidhur. Detyrimi kryesor u perket institucioneve tona. Presidenti i Republikes ka nje angazhim te rendesishem per te realizuar reformen ne fushen e drejtesise. Per fat te keq nje raport te theksuar mosbesimi mes qytetareve dhe sistemit te drejtesise. Vendosja e ketij besimi do te jete hapi me i mire”, tha Nishani.

Me pas ai do t’i drejtohet Presidences, per t’u takuar me Presidentin në detyrë Bamir Topi. Takim që do të zgjasë disa minuta në zyrën e këtij të fundit, për të dalë së bashku dejt hyrjes kryesore të presidencës.

Rreth orës 19:30 të dy presidentët do të zënë vënd në krye të shkallëve të presidencës të shoqëruar nga kreu Protokollit të Shtetit. Pas dëgjimit të himnit kombëta, dhe 21 të shtënave me top, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja lëviz në drejtim të presidentit Nishani për t’i dorëzuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Protokolli i Shtetit nuk ka përfshirë në ceremoni një fjalim lamtumire për presidentin Topi, ndërsa fjalimi i parë si president i Republikës nga Bujar Nishani pritet të mbahet në orën 19:44 minuta.

11 minuta më vonë Bamir Topi do të shtërngojë duart me Bujar Nishanin, duke u përcjellë deri në fund të shkallëve të Presidencës nga kreu i Protokollit të Shtetit. Momenti largimit të Bamir Topit nga Presidenca do të kryhet nën shoqërimin e 4 motorçkletave dhe nga makina me xhama të hapur ai do të përshëndesë me dorë të ftuarit në tribunën A. Dhe në fund presidenti Nishani sëbashku me bashkëshorten dhe fëmijët do të qëndrojnë për pak minuta përpara hyrjes Presidencës për të kryer fotot e rastit. Sa kaq përgatitje po kryhen edhe në bulevardin përpara presidencës ku gjatë kohës së kryerjesë së ceremonisë nën masa të rrepta sigurie do të ndalohet lëvizja e automjeteve.

Nishani për AFP: Prioritet sistemi i drejtësisë

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dhënë një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, pak përpara betimit si presidenti i ri i Shqipërisë.

“Sistemi i drejtësisë do të jetë prioriteti im. Kam vendosur të angazhohem plotësisht në favor të reformave në sistemin e drejtësisë, që mbetet një faktor kyç për integrimin e Shqipërisë në BE,” tha Nishani.

“Ka shumë akuza për korrupsion, disa gjykatës dhe prokurorë janë akuzuar se nuk kanë integritet moral dhe profesional,” vijoi Nishani.

Ndërkohë në lidhje me integrimin, Nishani u shpreh: Pavarësisht ndarjeve aktuale, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që është dëshirë e 90 për qind të shqiptarëve, duhet të bashkojë të gjithë forcat politike.

“Jam optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë këtë vjeshtë statusin e kandidatit. Është e qartë se integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që na detyron të punojmë të gjithë shumë për të merituar anëtarësimin”, theksoi presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani.

Nishani është shprehur ndër të tjera, se do të jetë jashtë çdo ndikimi të çdo force politike, duke theksuar si shumë të rëndësishëm për të,  bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 15:30

Tiranë – Sot, një president ikën dhe një tjetër vjen. Në listën e të ftuarve janë 500 veta dhe dy institucionet respektive parlamenti dhe presidenca sot kanë një dekor feste. Bamir Topi dorëzon presidencën 5 vjeçare tek pasardhësi i tij Bujar Nishani.

Në orën 18:30, në sallën e seancave plenare do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të zgjedhur të Republikës. Pas betimit dhe këndimit të Himnit Kombëtar, Presidenti i Republikës do të mbaj para Kuvendit një fjalë përshëndetëse. Në këtë seancë plenare është i ftuar Trupi Diplomatik si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare të vendit. Në sallën e zbukuruar do të ketë ushtarë roje nderi, si dhe solist dhe kori i Operas për të kënduar Himnin Kombëtar. Në monitor do të shfaqet Flamuri kombëtar dhe logoja e “100 Vjet Pavarësi”. 

Më pas gjithçka do të zhvendoset në presidencë ku një orë më pas, pikërisht në 19:30 të ftuarit mbërrijnë në selinë presidenciale të cilët i pret Bamir Topi për momentin e dorëzimit të detyrës. Mësohet se ka një ndryshim të disa riteve të ceremonisë tradicionale siç është parakalimi i Presidentit para Gardës së Nderit të Republikës apo gjuajtja me top në momentin e dorëzimit të mandatit. Gjithçka nis me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit. 

Mësohet se presidenti në largim Bamir Topi do t’i dorëzojë z. Nishani dosjet e mbetura pezull për t’i përmbyllur gjatë presidencës së re 5-vjeçare. Më pas kreu i ri i shtetit do të përshëndesë të ftuarit e shumtë të vendosur në të dy krahët e presidencës, njërën anë trupi diplomatik dhe tjetri përfaqësuesit politik në vend. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetët e PS do të jenë të pranishëm në ceremoninë e Presidencës. Lajmi konfirmohet nga selia rozë.

Në ceremoninë e mbrëmjes së sotme janë të ftuar dhe ish presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu ndërkohë që sot pothuajse e gjithë PD-ja do të jetë e pranishme në ceremoninë që do të zhvillohet në Presidencë. Axhenda e ceremonisë se dorëzimit tashmë ka marrë dorën e fundit bashkë me përgatitjet për këtë event që ndryshe nga 2007, këtë radhë do të bëhet në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia do të përmbyllet me një kokteil që do të zhvendoset në ambientet e brendshme të presidencës.

Zoti Nishani u zgjodh nga Kuvendi më 11 qershor, në postin e Presidentit të Republikës, pasi pro kandidaturës së tij votuan 73 deputetë, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme. Ndërkohë që deputetët e Partisë Socialiste të opozitës, të pranishëm në sallën e parlamentit, nuk morën pjesë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit. 

PROGRAMI I CEREMONISË
18.30 Ceremonia e betimit të Bujar Nishani, Presidentit të Zgjedhur të Republikës.
19.00-19.25 Mbërritja e të ftuarve dhe sistemimi i tyre në tribunat përkatëse. Tribuna A rezervohet për titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa Tribuna B dhe ajo qendrore C për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë e ftuar. Protokolli i Shtetit bën pritjen e të ftuarve në hyrje te Presidencës të cilët ecin në këmbë dhe vendosen ne secilën nga tribunat A, B si dhe tribuna qëndrore C, sipas skemës përkatëse.

19.15 Mbërritja e Presidentit të Republikës Bujar Nishani në Presidencë. (Hyrja do të bëhet nga krahu i zyrave të Presidencës)
Takimi i Presidentit te Republikës, Bujar Nishani me ish Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
19.29 Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dalin nga zyra dhe drejtohen drejt hyrjes kryesore të Presidencës.
19.30 Të dy Presidentët zënë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse.
19.35 Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndron i ngritur.
19.38 Truproja e Nderit parakalon para Presidentit të Republikës,  Bujar Nishani.
19.40 Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëviz drejt Presidentit të Republikës  Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë  simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës  Bujar Nishani.
19.44 Fjala e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. (e përkthyer në anglisht është shpërndarë për Trupin Diplomatik).
19.55 Largimi i ish-Presidentit të Republikës, Bamir Topi nga Presidenca. Bamir Topi dhe Bujar Nishani pershendeten me shtrengrim duarsh. Sh.T.Z.Bamir Topi përcillet deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit.
Makina e ish-Presidentit shoqërohet nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndet me dorë të gjithë të ftuarit e Tribunës A, kryesisht të Trupit Diplomatik.
20.00 Presidenti i Republikës  Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zënë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali. Mundësi për foto.

Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizin drejt sallës ku do të bëhet pritja me rastin e marrjes së detyrës. (Të ftuarit priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndeten dhe urojnë Presidentin e Republikës). (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 June 2012 12:19

Tiranë -Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, kritikon ashpër procesin e zgjedhjes së presidentit Bujar Nishani. I pranishëm sot në mëngjes në emisionin “Wake up” të Top Channel, Ambasadori deklaron se zgjedhja e presidentit ishte një proces kushtetues por u humb shansi i konsensusit. Ambasadori shkon më tej duke thënë se presidenti u zgjodh vetëm nga tre persona dhe pranon se SHBA është zhgënjyer nga një proces i tillë. Gjatë emisionit Arvizu i cili ndjen se ka gjak shqiptari shton se: Ambasada do monitorojë procesin e verifikimit të firmave që po bën KQZ.

SHBA: ZGJEDHJA E PRESIDENTIT SHANS I HUMBUR, SHBA E ZHGENJYER
“Zgjedhja e presidentit ishte një proces kushtetues por kanë qenë tre persona që vendosën të bëhet ose të mos bëhet. Kjo ndoshta mund të mos jetë e qëndrueshme …Ka qenë e kushtetuese por duke folur me disa njerëz ka pasur boshllëk.”- deklaroi Ambasadori Arvizu.

I pyetur se cfarë i zhgënjeu në procesin e zgjedhjes së presidentit meqë nuk mori pjesë në raundin tretë dhe të katërt, Arvizu u përgjigj:  “Raundi i parë ishte i qartë që do digjej. Raundi i dytë e tretë kur ka pasur një mundësi, ndoshta shumë e vogël për të arritur një konsensus, e ndjeva që mund të ishte rast historik, dhe e ndjeva që mund të përfaqësohej në nivelin tim. Në raundin e katërt nuk ishte rasti.. Nuk kisha pse të ndryshoja axhendën time të punës, që ishte shumë e rëndësishme, dhe vendosa që të përfaqësohesha me sekretaren e sektorit politik të ambasadës. Megjithatë procesin e ndoqa në tv .. ka qenë një shans i humbur.

I pyetur nëse ishte zhgënjim apo cështje axhende? U përgjigj “Pak nga të dyja”

REFERENDUMI: PO MBAJME NEN KONTROLL PROCESIN E VERIFIKIMIT TE FIRMAVE 
Arvizu komentoi dhe në lidhje me deklaratën e tij mbi KQZ për vonesën në dhënien e përgjigjes mbi referendumin për importin e plehrave dhe replikat nga kjo e fundit se ambasadori duhej të ishte informuar më parë në KQZ sa i takon afatit kohor.  Ambasadori bëri të qartë se po ndjek nga afër çështjen  dhe “do të ishte një marzh i madh gabimi nëse do të ishin 50 mijë firma të falsifikuara”. Ai shtoi se punonjës të ambasadës do të bashkëpunojnë të shikojnë provat në laboratorin shkencore për të parë si po ecën procesi i verifikimit të firmave.

“Informacioni që kam pasur dhe biseda me shumë persona të informuar rreth kësaj çështje më kanë treguar se afati kohor ka qenë 13 qershori. KQZ tha që do të ishte afati 30 qershor.. kjo është cështje ligjore. Ajo që është kritike është si do të zhvillohet çështja e referendumit. Është një nismë shumë impresionuese. Dua ta bëj të qartë se SHBA nuk marrin një pozicion sa i takon importimit të mbetjeve por është e drejtë e qytetarëve të kërkojnë të ndryshojnë ligjin. KQZ qartësisht ka detyrimin të verifikojë. Ne i njohim organizatorët, kemi bashkëpunuar me ta. Na kanë thënë se duke ditur që mund të nxirren firma të falsifikuara kanë mbledhur 62 mijë firma nga 50 mijë firma që duhen për të kërkuar një referendum. Është një marzh i madh gabimi nëse do të ishim 50 mijë firma të falsifikuara. Kam kuptuar se laboratori shkencor me polinë shkencore po verifikojnë firmat. Jemi kuriozë, do bashkëpunojmë dhe do shikojmë provat “- tha Arvizu.

ARVIZU: KAM GJAK SHQIPTARI
Ambasadori Arvizu i cili e ndjen se ka “gjak shqiptari” shtoi se është e rëndësishme të inkurajojmë ndryshimin e mendësisë së qytetarëve mbi zyrtarët. “Ka një opozitë por është qeveria llogaridhënënesë ndaj njerëzve jo anasjelltas…. unë kam përshtypjen se njerëzit nuk mund ta ndjejnë që zëri i tyre dëgjohet. Ky është qëllimi ynë, me nismën “Vepro tani” që zëri i tyre të dëgjohet.”

ARVIZU: SHFAQJA E AK E FRD E RENDESISHME, PUNONI TE MERRNI QEVERINE QE MERITONI

Duke komentuar situatën politike, Arvizu vlerësi si “të rëndësishme” hyrjen në politikë të partive si Aleanca Kuq e Zi dhe FRD e Gazmend Oketës si elemente të rinj, që megjithëse “mënyra si është krijaur Kushtetua nuk favorizon partitë e vogla, prirjet e nejrëzve janë rritur, sidomos tek të rinjtë që janë të pavendosur dhe më të gatshëm të ndryshojnë votën dhe të mos jetë e njëjtë me familjarët e tyre. “Ekonomia është më e mirë nga rajoni, por nuk është aq mirë, ka disa cështje të rëndësishme që duhen zgjidhur. .të shohim si do të vendoset në zgjedhjet e 2013.

 A është e përshtatshme për shqiptarët shprehja ”Cdo popull meriton qeverinë që ka”. Arvizu mendon kështu: “Thënia është e vërtetë deri në një farë mase. Një fakt i rëndësishëm është sa kohë ka ky popull në procesin demokratik. Në shqipëri në 21 vite nuk është një periudhë e gjatë kohe, dhe nuk është e drejtë ta krahasojmë me SHBA. ..Shqipëria duhet të jetë më konkuruese në ekonominë globale dhe shqiptarët të punojnë për të marrë sistemin politik që meritojnë”. (Sh.C)

 
Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 14:16

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Z.Ilir Meta dha mbrëmë një intervistë në emisionin “Top Story”  nga gazetari Sokol Balla. 

Zoti Meta ju keni qenë në këtë studio kur sapo jeni kthyer nga Uashingtoni duke sjellë një diapazon të ri në debatin politik, pasi brenda mazhorancës u fol për herë të parë nga numri dy i koalicionit qeverisës për një proces konsensual për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Së  fundmi pamë që votuat kandidatin e mazhorancës. A mos duket sikur u bë shumë zhurmë për asgjë?
Nuk është aspak kështu. Unë mendoj se zgjedhja e presidentit të ri i cili tani quhet Bujar Nishani nuk ka qenë një zgjedhje aspak arrogante e mazhorancës, as e paramenduar dhe as e paragjykuar. Ka qenë rezultat i një procesi i cili pati edhe të papriturat e tij, një proces i cili njëkohësisht lidhej edhe me afatet kushtetuese që përcaktojnë zgjedhjen e presidentit por edhe me pasojat që jep nga moszgjedhja që janë pikërisht zgjedhjet e parakohshme, gjë që nuk i duhej aspak vendit. Për më tepër kur ende nuk ka përfunduar reforma zgjedhore dhe kur vendi është në proces për të marrë statusi ne vendit kandidat, shpresoj në fund të këtij viti. Pra, unë e kam votuar zotin Nishani dhe jam shumë i qetë për këtë gjë, jo sepse kam votuar një anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike apo një ministër të saj në momentin përpara se të ndodhte ky proces , por sepse unë në fund të fundit kam votuar një koleg, të cilin e kam shumë në konsideratë sepse është një politikan shumë korrekt, shumë institucional dhe është shumë njerëzor dhe jam i sigurt që duke hequr kostumin e ministrit, apo edhe fanellën blu të PD-së dhe duke veshur kostumin e presidentit të Republikës, ai do të dijë ta përballojë me dinjitet këtë detyrë dhe do të dijë të ndërtojë të gjitha urat e domosdoshme të bashkëpunimit me opozitën dhe me të gjithë aktorët e tjerë për të qenë një president sa më bashkëpunues dhe përbashkues dhe për të qenë një president që do t’i shërbejë në radhë ta parë vendit.

Zoti Meta ju keni qenë një figurë determinant në këtë muaj të zgjedhjes së presidentit, por një koment i zotit Rama thotë se në pjesën e parë luajtët një rol shumë pozitiv sepse kërkuat një president konsensual dhe pjesën e dytë të lojës, në raundin e tretë dhe të katërt kishit një rol negativ. Çfarë ndodhi që e ktheu qëndrimin tuaj? 
Qëndrimi im ka qenë në koherencë të plotë përgjatë të gjithë kësaj kohe. Unë kam qenë vazhdimisht i qartë për një proces sa më konstruktiv dhe sa më konsensual. Unë kam qenë tërësisht i motivuar në këtë proces duke pasur në konsideratë faktin që zgjedhja e presidentit nuk duhet të shërbente si një  burim tensioni midis palëve duke qenë se kemi dhe shumë reforma të tjera të cilat kërkojnë dhe e bëjnë të domosdoshëm këtë bashkëpunim. Ndaj edhe pse mazhoranca e kishte shumicën, ajo nuk duhet që këtë shumicë ta konfirmonte në një mënyrë arrogante. Qëllimi ishte për të ndërtuar një proces ku duhet të kishin parasysh që kishim një mazhorancë por kishim dhe një opozitë. Në këtë drejtim besoj se duhej punuar për të gjetur një zonë të ndërmjetme ku mund të arrihej ky konsensus, sepse duket e vështirë pavarësisht nga konsideratat që secila palë mund të kishte për një kandidat të caktuar që mund të ishin të pranueshëm, por mjafton fakti që dikush mund të ishte anëtar i kryesisë së një partie apo ish kryeministër i një partie tjetër, për mos e pranuar jo individin, por për të mos pranuar përkatësinë partiake  sepse do quhej si një humbje përpara përkatësve të çdo force. Dhe kjo ka qenë një pengesë për të arritur një konsensus për një figurë politike. Ndaj, u këmbëngul më shumë që figura e zotit Zaganjori të promovohej brenda mazhorancës por edhe të pranohej dhe nga opozita sepse për bindjen time të plotë e të palëkundur ishte një figurë shumë e gjetur që i takonte pikërisht një zone të ndërmjetme e cila mund të bënte të mundur për të gjitha palët që të kishin disa garanci tek ajo figurë, Për shkak të pozitës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për shkak të karrierës akademike dhe për shkak edhe të një përvoje diplomatike që unë do ta konsideroja të suksesshme për atë periudhë. Të gjitha këto, kishte disa elementë përveç faktit që ishte votuar në të kaluarën nga të dyja si anëtar i Gjykatës Kushtetuese do të bënte të pranueshëm. Humbën një rast ideal tek figura e zotit Zaganjori për konsensus sepse do ta kishim të vështirë për të gjetur figurë tjetër. Jo se nuk ka në Shqipëri, ka dhe figura të tjera, por duhet të kemi parasysh që ditën që do të del emri për president republike dhe që beson që mund të bëhesh, atë ditë fillojnë dhe sulmet, atë ditë fillojnë dhe shpifjet, atë ditë fillojnë të dalin histori që kurrë s’të kanë ndodhur një jetë.

Opozita u njoftua nga media për emrin e Zaganjorit !

Kjo nuk është aspak e rëndësishme.

Ju gjatë këtyre javëve dhe muajve ndërtuat një kanal komunikimi me zotin Rama. Ky kanal komunikimi i rigjetur nuk u përdor për përçimin e emrit të Zaganjorit?
E vërteta është kjo, nëse do të flasim për të vërtetën e vërtetë. Dihet që kishte shumë emra që përmendeshin, që promovoheshin nga media dhe kështu me radhë. Gjithashtu edhe emrit i Zaganjorit ishte promovuar. Emra nga përfaqësues të shoqërisë civile. Ishte një person që nuk e kishte kërkuar këtë detyrë dhe as nuk kishte lobuar pranë politikanëve të caktuar dhe praktikisht edhe kur e pranoi, sepse pati edhe të tjerë që nuk e pranuan, e pranoi me idenë për t’i shërbyer konsensusit dhe jo thjesht se iu dha mundësia për t’u bërë president. Vetë dorëheqja e tij pas raundit të tretë tregoi  që ai kishte pasur gjithë këtë integritet dhe të gjitha cilësitë për të qenë konsensual. Tani çfarë ndodhi. Praktikisht, ideja ishte për t’i paraqitur një listë përfaqësuesit të opozitës zotit Ruçi nga zoti Patozi. Ne dëshironim që të çonim një listë, por jo shumë të gjatë, se nuk është mirë që të përfliten emra të nderuar të cilët nuk i ke pyetur. Zoti Berisha, zoti Mediu, zoti Idrizi dhe unë së bashku selektuam disa emra. Duhet të kemi parasysh që këto diskutime bëheshin pasdite vonë, ditën tjetër ishte raundi i parë dhe qëllimi ishte për të shkuar në raundin e parë me një figurë konsensuale sa më të gjetur. Në këto kushte, ne ndjetëm rreth orës 20:30 ose 21 të darkës. Pasi kemi bërë disa telefonata me disa emra që unë nuk dua t’i përmend, të cilët nuk e pranonin për arsye të ndryshme sepse jo të gjithë duan që të bëhen presidentë. Kemi edhe rastin Kuko para 10 vitesh. Në këto kushte, ne mbetëm në një rreth shumë të kufizuar dhe duke qenë çështja e kohës një problem tjetër sepse duhej komunikuar po atë natë me opozitën. Në momentin që ne ramë dakord për emrin e zotit Zaganjori si një emër që kishte të gjithë elementët më përbashkues, menduam që duke paraqitur këtë emër dhe duke qenë se votimi bëhej të nesërmen, dhe palës tjetër i duhej komunikuar po atë mbrëmje, me idenë dhe me vullnetin më serioz për të treguar vërtet vullnetin më të mirë është komunikimi nga ora 9 e mbrëmjes. Pak më pas zoti Patozi ka kërkuar zotin Ruçi, ata nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë sepse kanë qenë nëpër studio të ndryshme  dhe e kanë lënë për ditën tjetër. Por, ky emër u mor vesh.

Kjo sms që erdhi medias nuk shkonte dot tek edhe Edi Rama nga ju?
Kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë ju shpjegova një rrethanë e cila ka të bëjë me kohën. Kjo nuk përbënte një element esencial për të penalizuar kandidaturën e zotit Zaganjori nga pala tjetër sepse ishte një kandidaturë shumë e goditur dhe shumë e gjetur. Ne nuk mund të sajonim mra të tjerë në listë kur dikush nuk pranonte apo të çonim emra politikë kur ne ishim të bindur se nëse do të dërgonim emra politikë, kjo do të konsiderohej si një lloj provokimi nga pala tjetër. Partia Socialiste pretendon se nuk pati proces për të realizuar zgjedhjen e një presidenti konsensual. Ndërsa ju u nisët me procesin dhe përfunduat me emër, a është kjo e vërtetë që ndryshuat qëndrim ?
Nuk dua të bëj avokatin e askujt. Por për gjërat për të cilat unë kam qenë prezent, dua t’ju konfirmoj seriozitetin për zgjidhje, edhe nga ime, por edhe nga ana e mazhorancës. Çfarë kritere do të vendoseshin një nate, përpara agimit të ditës tjetër kur në orën 09:00 do të mblidhej Komisioni parlamentar i Ligjeve. Në takimin që u bë midis zotit Ruçi dhe zotit Patozi kohë më parë, opozita me të drejtë kishte renditur katër çështje, sepse ato çështje qëndrojnë edhe sot për reformën zgjedhore, parlamentare dhe çështje e imunitetit, por në fakt në atë takim mund të ishin diskutuar kriteret apo mund të ishin shkëmbyer emra. Nuk mund të marr përgjegjësinë për këtë gjë. Kur flasim për paraqitjen e emrit të zotit Zaganjori kjo ka ndodhur pikërisht në këto rrethana dhe emri i tij i propozuar nga ana e mazhorancës ka qenë vetëm tregues i seriozitetit për të gjetur një figurë që mund ta bënte atë detyrë shumë mirë, për shkak të kualiteteve që unë përmenda më parë, një fivgurë që ishte votuar më parë nga ana e opozitës sotme për pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Një figurë që janë shprehur shumë mirë, përveçse përfaqësuesve të shoqërisë civile, janë shprehur shumë mirë edhe figura të tjera si ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shkrimtari i njohur, zoti Dritëro Agolli dhe një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste gjatë gjithë kësaj kohe dhe shumë e shumë të tjerë të cilat nuk ka nevojë për publikim.  Pati një problem në komunikim që kishte të bënte vetëm me rrethanat e kohës. Unë kam thënë edhe më parë në këtë studio, që duhet të kemi një takim Berisha- Rama dhe mundësisht pa kamera. Pati disa defekte ky proces, por pati një proces dhe patëm  shumë emra që mund të ishin zgjedhur, mund të mos ishte zgjedhur zoti Nishani, siç erdhën rrethanat. Por procesi pati defekte, pasi ne e pranojmë që jeta politika është ngarkuar me tensione maksimale nga më të ndryshme.   

Kandidimi i zotit Zaganjori dogji tre raundet kur konsensusi ishte edhe një kurorë kushtetuese, dikush mund ta interpretojë edhe si një taktikë politike për të shkuar në raundin vendimtar siç ishte raundi i katërt ?

Nuk është kështu për arsye sepse patëm dy takime midis zotit Berisha dhe zotit Rama pas daljes së emrit të zotit Zaganjori. Në takimin e parë mazhoranca ka qëndruar tek emri i Zaganjorit. Opozita nuk ka propozuar emra të caktuar. Mazhoranca pasi doli me emrin e zotit Zaganjori, kur persona të tjerë, që kishin një profil të ngjashëm jashtë politikës nuk kishin pranuar.

Është e vërtetë që ndër ta ka qenë edhe zoti Artan Hoxha që nuk ka pranuar në këtë periudhë që është propozuar zoti Zaganjori ? 

Fillimisht nuk ka pranuar. Sipas informacionit tim nuk ka pranuar në periudhën e parë. Në këto kushte mazhoranca nuk mund të dilte me një emër tjetër. Mazhoranca priste kundërpropozim nga opozita. Nëse mazhoranca do të dilte me një tjetër konadidaturë natyrisht z. Zaganjori do jepte menjëherë dorëheqjen për shkak të integritetit pasi nuk mund të pranonte të përdorej.

Megjithatë ju e bëtë fakt të kryer apo jo?

Në rast se z. Patozi dhe z. Ruçi do të ishin takuar menjëherë, atëherë situata do ishte ndryshe. Opozita kishte të drejtën e saj sovrane të propozonte një kandidaturë nëse nuk pranonte kandidaturën e mazhorancës. Nuk u paraqit asnjë arsye e qenësishme për mosparaqitjen. Unë bëra një autokritikë për mënyrën e komunikimit por nuk mendoj se kjo duhet të ishte esenciale.

Ju jeni shprehur se ku filluat procesin nuk kishit në mendje kandidatura konkrete apo jo?

Po, nuk ka qenë e vendosur se kandidati do të ishte z. Zaganjori. Ai ka ardhur si rezultat i një procesi që është shoqëruar me biseda dhe kandidatë të tjerë të potencialë në kualitete të përafërta. Ne ishim në një krizë kohë. Nuk mendoj se ky difekt duhet të shërbente si një pengesë për realizimin e konsensusit për këtë figurë.

Z. Rama ka thënë që kërkonte thjeshtë që të certifikonte një kandidaturë të ardhur nga mazhoranca. Është kjo një nga arsyet që në raundin e katërt ju paraqitët 4 emra krejtësisht personazhe të mazhorancës? Kjo pasi u hoq dorë nga standardi Zaganjori apo jo?

E vërteta e vërtetë ka nevojë për disa detaje. Ngjarjet u zhvilluan të premtën për të hënë. Kjo për arsye se ditën e premte, pas djegies së raundit të tretë, të dyja palët ranë dakord që të zhvillohej seanca të hënën. Mazhoranca e propozoi z. Zaganjori sepse shpresonte tek arritja e një konsensusi. Së dyti, mazhoranca ishte e bindur për të vendosur këtë lloj standardi. E gjitha mazhoranca ku r hyri në këtë proces hyri me bindje që t’i shërbente këtij procesi. Kjo është e vërtetë absolute. Pra, djegies së raundit të tretë në e kishim vendosur që të shkonim përsëri me figurën e z. Zaganjori. Edhe pse shpresonim që të kishte një reflektim nga ana e opozitës. Por edhe në rast se nuk do kishte një reflektim kjo figurë kishte gjetur një konsensus. Edhe fakti që ai shkoi të takonte z. Rama, në një mënyrë shumë të qetë dhe qytetare, tregoi se ai i kishte të gjitha parametrat e duhur për të qenë konsensualë dhe për t’i shërbyer konsensusit edhe në të ardhmen, edhe në rast se nuk do të zgjidhej me konsensus. Tërheqja e tij, e cila ishte si rezultat i një mendimi sovran të tij por në fakt edhe si rezultat i sulmeve politike në adresë të tij. Arsyeja kryesore ishte bindja që “unë u ofrova për konsensus, nuk po e gjej, atëherë le të zgjidhet me një mënyrë tjetër. Pra ne nuk kishim shumë kohë dhe nuk ishte e lehtë për të gjetur në atë moment persona të tjerë me ato kualitete sepse në fund të fundit persona të tjerë edhe nuk kishin pranuar. Në këto kushte, ne vlerësuam që do të ishte më mirë të qëndronim tek disa figura që mund të ishin të pranueshme dhe që kishin edhe eksperiencë politik dhe publike. Njëri nga kandidatët ishte z. Imami, i cili ka qenë disa herë ministër me qeveritë socialiste dhe që është edhe ministër në qeverinë aktuale. Pra ka punuar me të dyja palët dhe i njeh nga afër ato.

Mund të na shpjegoni ju lutem se çfarë ndodhi me z. Hoxha?

Z. Hoxha është një njeri shumë simpatik sipas vlerësimit dhe gjykimit tim. Kjo vjen që nga koha kur ka qenë ministër në moshë fare të re por edhe për shkak të njohjes së vazhdueshme. Gjithmonë kam vlerësuar nacionalitetin dhe logjikën e tij dhe faktin që është një njeri i programuar. Absolutisht që nuk ka pasur asnjë interes z. Hoxha për këtë post. Mesa di unë i janë ofruar edhe poste të larta në qeveri dhe nuk ka pranuar. Por në kushtet kur z. Zaganjori ishte tërhequr atëherë pati një insistim ndaj z. Hoxha që ai ta rivlerësonte këtë histori dhe ai e rivlerësoi, pa ndonjë dëshirë të madhe, por për përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit. Ndërsa për çështjen e tërheqjes së tij, mendoj se ai ka shpresuar se nuk do të kishte arsye që të kundërshtohej seriozisht nga Partia Socialiste. Kishte marrë disa mesazhe urime dhe vlerësimi nga përfaqësues të caktuar të saj. Ndërkohë që kur pritej të fillonte Kuvendi ai ishte denigruar, shantazhuar në forma fare të ulëta për çështje spekulimesh. Në momentin kur ai ishte i hapur për të shkuar në Parlement drejt zgjedhjes por edhe i hapur për tu tërhequr edhe në kushtet kur edhe kjo figurë sillte polarizim, pra nuk arrihej qëllimi i të gjeturit konsensus. Thelbi i propozimit tonë të kësaj kandidatura ishte përsëri që të ecnim me një figurë  jopartiake dhe për t;i dhënë edhe një mundësi opozitës për të reflektuar. Megjithatë përderisa situata vazhdonte të ishte agresive, kjo kandidaturë nuk po sillte konsensus, atëherë ai mendohej se a do të sillte kjo kandidaturë ndonjë gjë më të madhe se sa një figurë politike.

Mendoni se në të gjithë këtë telenovelë mazhoranca, përveçse me opozitën dhe publikun, luajti pak edhe me ju?
Aspak për arsye sepse të gjitha ngjarjet por edhe emrat e tjerë që u përfshinë në këtë proces kanë qenë rezultat i një procesi të vërtetë, i cili u zhvillua në një kohë të caktuar dhe në rrethana të caktuara. Këtu kemi një produkt i cili vërtet nuk ishte konsensual në Parlament por pas zgjedhjes së tij kemi më shumë qetësi. Unë jam i bindur që dhe vetë përfaqësues të PS-së, pavarëisht nga deklaratat e tyre dhe pakënaqësitë e tyre, përsëri figura e z. Nishani është një figurë që nuk sjell konflikte. Sjell paqe dhe një ekuilibër në të gjithë jetën politike të vendit.

Ku e gjen veten LSI-ja në të gjithë këtë histori sepse përderisa zgjodhët z. Nishani mund të zgjidhnit edhe znj. Topalli?
E theksoj edhe një herë që ky proces nuk ka qenë i lidhur dhe i kushtëzuar me emra të caktuar. Po flas për mua dhe për LSI-në. Për ne mund të ishte znj. Topalli dhe përderisa është kryetare e Kuvendit nuk kishte asnjë arsye që të mos ishte presidente. Mendoj se është anatemuar padrejtësisht ndërkohë që nuk e ka kërkuar këtë gjë. Për këtë jam shumë i bindur. Ne nuk kemi përjashtuar asnjëherë as z. Nano dhe askënd tjetër. Qëndrimi ynë ka qenë cilido që mund të ishte konsensual.

Mund të ishte një figurë e LSI-së konsensuale?
Një figurë e LSI-së mund të ishte perfekte për konsensus por për shkak të investimit tonë në këtë proces ne i qëndruam deri në fund ndërtimit dhe kurorëzimit të procesi përndryshe do të ishim paragjykuar për të kundërtën.

Sa e vërtetë është hamendësimi që është bërë që ju pas kësaj keni një mirëllogaritje të aleancës me PD-në edhe në pikëpamje të posedimit të institucioneve?
Për tu kuptuar pozicionin e LSI-së në të gjithë këtë proces duhet të kemi parasysh edhe marrëveshjen që LSI ka me PD-në ku bëhet e qartë që do të vendosim me konsensus edhe për Presidentin. Pra të gjitha idetë që u hodhën, sidomos pas takimit tim me z. Rama, se tani ekziston mundësia për shumicë tjetër, apo një mocion etj, të gjitha nuk qëndronin. Ajo që për mua dhe për LSI-në është shumë e rëndësishme është që t’i qëndrojmë marrëveshjeve kur të tjerët nuk i respektojnë ato. Fakti që LSI e kishte këtë marrëveshje me PD-në për presidentin përcaktonte një hapësirë relativisht të kufizuar pasi nëse nuk do të ishte ne mund të bashkëpunonim me PS-në në Kuvend për të zgjedhur një president të LSI-së, për të zgjedhur po themi zotin Nano, zotin Mejdani, zotin Pëllumbi që mund të ishin figura të dëgjueshme për opinionin publik. Marrëveshja është marrëveshje. Por, përpjekja jonë për të dalë me emrin dhe me figurën e zotit Zaganjori ka qenë tepër serioze dhe ka qenë një përpjekje për të arritur një konsensus maksimal. Askush nuk duhet të priste që PD do të pranonte, duke qenë se është forca kryesore në Parlament, që t’i dhuronte presidentin opozitës. E rëndësishme është të ndërtohej një proces për të ofruar figura sa më të pranueshme nga ana e opozitës të cilat ajo të mos i konsideronte si humbje, pra figura të një profili shumë të lartë.

Nga kjo marrëveshje rrjedh fakti që prokurorin e ri do ta kërkojë ta propozojë LSI-ja?
Absolutisht që jo. Kur filluam këtë proces, jemi paragjykuar shumë. Absolutisht LSI-ja ka qenë dhe është e bindur që ky proces ishte i rëndësishëm dhe për mua pavarësisht se nuk ishte një proces perfekt, përsëri solli dy takime mes Berishës dhe Ramës. Takimet sjellin rezultate.

Takimi juaj me zotin Rama ishte i rëndësishëm zoti Meta?
E rëndësishme është që zoti Rama që prej nëntorit të vitit të kaluar ka një kurs më konstruktiv, më evropian dhe është treguar i interesuar për të kontribuar për të zhbllokuar proceset integruese dhe për këtë kemi disa raste, kemi disa votime në Parlament.

Ju u futët në këtë takim me zotin Rama që ta përfshinit dhe opozitën në zgjedhjen e presidentit.
Së pari opozita ka qenë dhe shpresoj se do të vijojë të mbetet aktive në një proces dialogu dhe bashkëpunim për reformat e kërkuara për integrimin evropian të vendit dhe ky është një fakt. Në këtë kuptim edhe votimi për çështjen e presidentit ka qenë në këtë frymë që edhe ky proces t’i shërbejë sa më shumë kësaj klime pozitive.

Ju doni të thoni që në takimin tuaj u fol për zgjedhjen e presidentit më shumë?
Unë mund t’iu them që kjo çështje është përmendur vetëm në këtë kontekst, që çështja e presidentit është një çështje e rëndësishme, por më e rëndësishme është që të ketë një proces sa më konstruktiv, por absolutisht që nuk është përmendur asnjë emër.

Ishte editoriali pika e kthesës suaj nga aleanca presidenciale me zotin Rama, sepse pas atij editoriali ju keni mbajtur qëndrim tjetër?
Nuk kemi pasur asnjë aleancë presidenciale. Madje mund t’ju them që në këtë kontakt apo edhe në kontakte të tjera sepse unë nuk kisha  diskutuar akoma me zotin Berisha për çështjen e presidentit. Unë e kam bërë të qartë  përpara se unë të kem një qëndrim për çështjen e presidentit dhe para se të diskutoj me aktorë të tjerë në radhë të parë do të diskutoja me atë me të cilin kamë një marrëveshje konkrete.

Ju e detyruat mazhorancën që të ndryshonte qëndrimin për moratoriumit e skafeve, duke deklaruar se ju do të votoni pro çlirimit të moratoriumit. Qëndrimi juaj vazhdon t’i japë sërish mundësi opozitës.
Kjo tregon që mazhoranca nuk është refraktare.

Po e detyroni ju me votat tuaja?
Nuk është çështje detyrimi. Është çështje argumentesh dhe sidomos me zotin Berisha dhe unë kam vënë re nga kjo eksperiencë tashmë gati 3 vjeçare, që zoti Berisha nuk është një politikan që nuk reflekton kur dëgjon dhe bindet për argumentet e një çështjeje të caktuar.

Kur t’i afrohemi qershorit tjetër të zgjedhjeve, LSI-ja do të jetë një parti në koalicion më vete, një koalicion me PD-në, apo me PS-në, cili do të jetë qëndrimi juaj?
Llogaria që duhet të bëjmë të gjithë pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së presidentit, unë do të bashkohesha me vlerësimin e ambasadorit italian të bërë dje, për një proces pozitiv, ku u mor një notë e mirë. Nuk u mor nota 10 por u mor një notë pozitive. Unë shpreha një vlerësim timin. Unë mendoj se tani duhet të përqendrohemi tek reforma zgjedhore, tek mbyllja e reformës së procedurave parlamentare sepse këto duhet të ishin përmbyllur përpara çështjes së presidentit.

Tek reforma zgjedhore, LSI-së i takon anëtari i shtatë i KQZ-së?
Kjo është një çështje tjetër. Është vendimtare që ne të bëjmë gjithçka  për ta ruajtur këtë frymë dialogu. Edhe reflektimi për c çështjen e moratoriumit të skafeve është pozitiv.

A tenton LSI ministrinë e Brendshme?
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka kërkuar ministrinë e Brendshme, për më tepër që ajo ka qenë një ministri që ajo i ka takuar Partisë Demokratike. Nuk ka kërkuar asnjë institucion dhe asgjë tjetër. Lëvizja Socialiste për Integrim nga Partia Demokratike ka kërkuar që të jetë sa më fleksibël për çështjen e presidentit në mënyrë që të kishim një proces sa më konstruktiv për të mos vendosur shumica dhe arroganca.

Nëse vendosin t’u japin ministrinë e merrni?
Së pari, nuk të jep dikush diçka që nuk e pranon. Këto janë histori pa asnjë rëndësi për ne. Nuk është e rëndësishme aspak  raporti  i ministrave, zëvendësministrave në këtë koalicion. Prioriteti ynë kryesor ka qenë dhe mbetet të fitojmë sa më shumë nga koha e humbur e proceseve integruese të vendit.

A fituat gjë nga ky proces zoti Meta?
Absolutisht që fituam një dialog, fituam një ç’tensionim dhe mund të kishim fituar më shumë.

Statusi i vendit kandidat është më afër apo më larg?
Duhet të nënvizoj në bindjen time se nuk është se zgjedhja e presidentit me një konsensus më të madh do të zëvendësonte mungesën e bërjes së reformave të cilat janë përfshira në 12  prioritetet. Por kërkohej përmes një procesi sa më konstruktiv të mos konfliktohej pas zgjedhjes së presidentit situata politike dhe unë jam i sigurt që presidenti i ri do ti kontribuojmë pajtimit midis palëve dhe jo konfliktualitetit midis tyre. 

Z. Rama i pyetur dje se si ju konsideronte ju një mik apo një ish-mik ka thënë ish-mik. Ju si do ta konsideronit ju z. Rama?
Raportet e mia me z. Rama orientohen nga fakti që ai është kryetar i PS-së. Po t’i kthehemi historisë ajo ka gjëra të ndryshme në kohë të ndryshme por kjo është e parëndësishme. Për qytetarët është e rëndësishme që politikanët të bashkëpunojnë. Në këtë drejtim unë kam treguar në mënyrë të qartë që jam i hapur për të bashkëpunuar për gjithçka që është në interes të vendit dhe ajo që është që është më e rëndësishme sot është që t’i japim një stad të ri reformave. Integrimi evropian është një synim i demokratëve, i socialistëve, i LSI-së, i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Për këtë duhet bashkëpunuar, kontaktuar dhe dialoguar. Është çështje tjetër ajo e koalicionit qeverisës dhe çështje tjetër ajo e bashkëpunimit që duhet një normë e të gjithë politikanëve.

Pra ju do të qëndroni në koalicion me Partinë Demokratike?
Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes që kemi.

Z. Meta kush ka përgjegjësi më të madhe për çështjen e korrupsionit në vend, PD apo LSI?
Këtu flasim për një fenomen dhe njëkohësisht për vullnetin për ta pranuar dhe për ta luftuar këtë fenomen, në ato dimensione që ai ekziston. Nuk jam këtu për të bërë gjykatësin pasi në fund fare e bëjnë qytetarët me votën e tyre dhe e bëjnë çdo katër vite por është një mëndësi e artë që të gjithë të hedhim një hap përpara në luftën kundër këtij fenomeni që të zgjidhim një herë e mirë çëhstjen e imuniteteve. Kjo do t’i jepte një mundësi shumë të madhe organeve të drejtësisë për të proceduar shumë më mirë se sa tani dhe njëohësisht për të frenuar këtë fenomen.

Ka nevojë për ndryshime kjo qeveri?
Kjo qeveri dhe e gjithë shoqëria jonë ka nevojë të ecë më shpejt. Kur flasim për ndryshime nuk dua të kem në konsideratë emra por kërkohet një axhendë edhe më dinamike dhe kërkohet një ritëm akoma më i shpejtë dhe më i lartë. E dimë se e gjitha bota po ndeshen me një krizë financiare dhe ekonomike. Edhe Shqipëria është prekur nga këto pasoja pavarësisht se ka rezistuar dhe vazhdon të rezistojë. Kryesore për mua mbetet që në javët që vijnë ne të zgjidhim me shpejtësi 2-3 çështjet kryesore që do të kenë edhe peshë të rëndësishme në vendimmarrjen për statusin, sidomos reforma zgjedhore.

Por për sa i përket lëvizjes së fundit të z. Nano, ai e prek ajo elektoratin tuaj të majtë?
Nuk mund të bëj një vlerësim i nisur nga mesazhet që përcillen përmes medias. Kjo është një çështje që i takon z. Nano. Është një çështje e Partisë Socialiste dhe unë nuk dëshiroj të shprehem apo të pozicionohem sepse nuk dua të ndikoj në këtë raporte.

Mendoni që vetë-kandidimi i z. Nano u keqpërdor nga të gjithë ju?
Nuk është kështu. Zoti Nano u vetëofrua publikisht në mos gaboj në emisionin këtu tek ju në Top Story. Me argumentet që ai ka renditur dhe me bindjen se ishte një figurë që mund të pranohej nga të gjitha palët për arsye dhe të faktit se vinte nga PS si eksperiencë dhe si histori, përveç faktit që në momente të caktuara kishte arritur të bashkëpunonte me kundërshtarin e tij historik, zotin Berisha. Partia Demokratike, në qoftë se do t’i referohemi takimit të zotit Berisha me zotin Rama, ka bërë të qartë që nuk e mbështeste këtë kandidaturë për arsyet që ajo i kishte bërë publike, pra për arsye që e konsideronte si një figurë të socialistëve. Nuk ka qenë diversion për shembull fakti që zoti Idrizi e ka përmendur disa herë.

Ju vetë a ju ka kërkuar që ta propozonit për ta kandiduar?
Po ju sqaroj më në detaje. Zoti Idrizi, i cili ka pasur një raport njerëzor me zotin Nano, e ka ngritur vazhdimisht edhe në tryezën e mazhorancës, por edhe në tryezën e fundit që u zhvillua me zotin Rama. Zoti Berisha ka mbajtur atë qëndrimin e tij që në qoftë se kandidohej Nano, edhe ne do të kandidojmë një figurë të lartë të PD-së.

Cili ka qenë qëndrimi juaj?
Qëndrimi ynë ka qenë ky. Në qoftë se zoti Nano pranohej, ne do e mbështesnim atë.

Pra, në rastin kur zoti Idrizi propozoi në tryezë zotin Nano, ju u shprehët dakord për këtë propozim. Pra, në rast se PS  do ta propozonte, a do t’i kishte votat e LSI-së?
Kjo ishte një çështje tjetër, në rast se PS do ta propozonte apo jo. Unë e theksoj se përsa i takon LSI-së, ne kishim një marrëveshje me PD-në dhe pa një konsensus edhe nga Partia Demokratike, për ne do të ishte e vështirë për të mos thënë e pamundur, sepse ne do të prishnim gjithë marrëveshjen.

Në rast se ju do ta propozonit mendoni se do të merrte kundërshtimin e menjëhershëm, aq më tepër duke ditur se ju ishit një faktor tepër i rëndësishëm në partneritetin me PD për zgjedhjen e presidentit?
Ne nuk duam të mbivlerësojmë rolin dhe mundësitë tona. Protagonizmi ynë ka pasur një qëllim, për t’i shërbyer një procesi dhe për të krijuar sa më shumë konsensus. Qëllimi ynë nuk ka qenë për të kushtëzuar as PS-në, as PD-në me një figurë të caktuar, qoftë kjo edhe nga LSI-ja.

Zoti Berisha pati thënë që presidenti i republikës do të jetë një figurë e lartë e PD-së dhe në fund ashtu ndodhi. Për mënyrën sesi shkuan ngjarjet, besoni se zoti Berisha ka qenë i sinqertë edhe me ju? Ka pasur dhe aludime se ka pasur dhe mosmarrëveshje mes jush dhe PD për propozimin e emrit.
Të gjitha këto kanë qenë spekulime dhe qëllimi i vetëm ka qenë për të arritur një konsensus maksimal me çdo lloj figure, me një figurë politike të nivelit të lartë, me një figurë jashtë politikës, me një figurë të nivelit të lartë të PD-së, të PS-së. Një personalitet që unë mendoj se mund të ishte një kandidat konsensual për shembull po them këtu publikisht mund të ishte zoti Mejdani sepse ai ka bërë një mandat 5-vjeçar në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe ka treguar integritet, personalitet, ka marrë vendime të rëndësishme që nuk i interesonin PS-së në atë kohë, sikurse ishte dhe konfirmimi i vendimit të Parlamentit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pra që nuk ishte në interes të partisë që ai kishte zgjedhur.

Ju e dini shumë mirë se kush e shkarkoi zotin Rakipi.
Zoti Rakipi nuk mund të shkarkohej pa firmën e presidentit të Republikës. Nuk ishte interesi i partisë që përfaqësonte presidenti i partisë që e kishte zgjedhur.  Pra, kishte treguar që ishte një njeri që merrte vendime me integritet të pavarur. Por kuptohet që çështja e konsensusit nuk ishte kaq e thjeshtë. Unë edhe një herë e nënvizoj se angazhimi ka qenë i sinqertë, ka qenë shumë i rëndësishëm . në rast se takimi Berisha- Rama do të ishte realizuar dy javë para se ky proces të fillonte ne do të kishim pasur një president konsensual. Mazhoranca duhet të kishte vepruar më shpejt, duhet të kishte hyrë më shpejt në këtë proces, megjithatë për kohën në të cilën u zhvilluan ngjarjet, u bënë përpjekje të sinqerta dhe përpjekje pozitive. Tani është e rëndësishme që një frymë dialogu dhe mirëkuptimi për aq sa u arrit të vazhdojë dhe të çohet më tej.  Për kohën kur u zhvilluan këto bisedime, kur u bënë këto negociata dhe për vetë të papriturat që pati procesi, të cilat nuk ishin të programuara, aq më tepër në bashkëpunim me zotin Rama. Nëse  këto janë të vërteta që ne nxorëm këto dy figura me qëllim që të tërhiqeshin dhe të nxirrnim zotin Nishani atëherë i bie që ne kemi rënë dakord edhe me zotin Rama që ai të mos i pranonte edhe këto të dyja dhe pastaj të zgjidhnim zotin Nishani. Por kjo nuk është e vërtetë.

Keni rënë dakord me PD-në që ta merrni ju anëtarin e shtatë të KQZ-së?
Për këtë çështje duhet të flsini me zotin Manjani dhe zotin Braho sepse ata merren me çështjet zgjedhore. Edhe një herë e nënvizoj se më e rëndësishme është që të vazhdoj kjo frymë bashkëpunimi dhe dialogu sepse nuk mendoj se këto çështje kur individualizohen, vërtet mund të sjellin atë progres që kërkon vendi. 

Në 2013 do të hyni me PD-në në zgjedhje?
Unë kam qenë i qartë se ne do ta respektojmë këtë marrëveshje. Përsa i takon koalicionit të ardhshëm apo strategjisë elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim absolutisht që do të duhet shumë kohë për të menduar dhe aq më tepër për të vendosur kur ti vijë koha jo nga unë si indidvidë, por nga forumet e kësaj force politike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 17:51

Bruksel – Brukseli reagon për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Komisioni Europian përmes zëdhënësit të Stefan Fyles , Petër Stanos, deklaroi se BE ka ndjekur më vëmendje situatën në Shqipëri.

I pyetur nëse ky proces do ndikojë në vlerësimin e KE në vjeshtë për statusin kandidat të vendit tonë, Stano tha që është e vështirë të shohësh shenja pozitive që do çonte Shqipërinë përpara drejt anëtarësimit.

“Mund tju them se në këtë moment është e vështirë të shohësh ndonjë shenjë apo moment pozitiv që do të çonte Shqipërinë, liderët e saj politikë dhe popullin në fazën tjetër të procesit për anëtarësim”.

Stano shtoi se 12 rekomandimet mbeten prioritet për Shqipërinë për të cilat sipas tij Komisioni Europian pret që të përmbushen dhe për të cilat do ketë vlerësim në raportin e vjeshtës.

Reagime jo shumë optimiste për zgjedhjen e Presidentit vijnë dhe nga ana e Parlamentit Europian. Eduard Kukan kreu i delegacionit për Ballkanin Perëndimor në Parlamenti Evropian, raporton “Shekulli” ta ketë cilësuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë “një shans të humbur”.

Eurodeputeti mësohet se i ka uruar Bujar Nishanit detyrën e re dhe është shprehur se shpreson që të mund të jetë në gjendje për të unifikuar dhe prezantuar në mënyrë të pavarur dhe mbrojtjen e interesave të të gjithë qytetarëve.

“Zgjedhja e presidentit ishte një mundësi për të gjitha forcat politike në Shqipëri për të konfirmuar fjalët e tyre për dialog dhe bashkëpunim politik. Fatkeqësisht, ky proces ishte një mundësi e humbur. Kam frikë se pa rezultate të prekshme në përmirësimin e jetën politike, vendi gjithashtu mund të humb edhe mundësi shumë të rëndësishme”, shprehet Kukan.

“Sfidat me të cilat po përballet Shqipëria kërkojnë bashkëpunim politik për çështjet e brendshme dhe ato evropiane. Shpresoj që presidenti i ri do të ndërmarrë të gjitha hapat për ta bërë këtë pjesë të realitetit politik”, citohet të ketë deklaruar kreu i delegacionit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 16:57

Tiranë – “Sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak në rolin e presidentit, duke i dhënë familjes europiane mesazhin më të gabuar para provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel”, komentoi zgjedhjen dje të presidentit të ri të Republikës, kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në punimet e Konventës Zgjedhore të FRESSH-t.

“Ne bëmë gjithçka mundëm që t’i jepnim vendit një shtytje të fortë në rrugën ende të përpjetë të bashkimit me Evropën, u investuam deri në fund për një konsensus politik që do t’i jepte vendit, jo thjesht një president të palëve, por shans real për statusin e BE-së në vigjiljen e 100 vjetorit të pavarësisë”, theksoi Rama, duke shtuar se “politika e verbër e dasisë dhe kacafytjeve u imponua mbi politikën e dialogut dhe të mirëkuptimit për  çështjet e mëdha të Shqipërisë”.

Sipas tij, çështja  e madhe e Shqipërisë ajo e bashkimit me Europën, mori dje një goditje të rëndë. “Europa sot është më larg se dje, Shqipëria sot është më larg se dje nga familja europiane, ndërsa ne vetë socialistët jemi ende më të vetëdijshëm sot, për domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të sjellim medoemos në politikën shqiptare dhe qeverisjen e vendit, për ta rilindur Shqipërinë”, tha Rama.

“Detyra jonë sot është t’u tregojmë njerëzve rrugën e re të ndryshimit të gjërave që shkojnë keq, t’u flasim se si do ta rilindim ekonominë dhe si do ta bashkojmë Shqipërinë me gjithë Europën, t’u ofrojmë njerëzve një alternativë të qartë për problemet që mundojnë sot vendin”, theksoi kryetari i PS-së. (Lajmeshqip.com)