Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 20:02

Samir Nasri është i sigurt se do të fitojë trofe me Mançester Sitin para se Arsenali ta bëjë një gjë të tillë. Mesfushori u vërshëllye nga tifozët në “Emirates Stadium”, ku deri vitin e kaluar ishte idhull në radhët e “topçinjve”.

Por ai vendosi që gjatë verës të bashkohej me Sitin, i cli pagoi 19 milionë paund për të siguruar shërbimet e tij.

Në atë periudhë, francezi deklaroi se vendimi për të ndërruar skuadër ishte marrë pasi te Arsenali nuk kishte më shanse për të fituar trofe dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse po largohej.

Por pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Arsenal me rezultatin 1-0, shumë tifozë kanë filluar të tallen në Twitter me lojtarin duke e pyetur se si i dukej rafti i boshatisur i trofeve, për t’i kujtuar se çfarë kishte thënë kur po largohej nga “topçinjtë”.

“Jam i ndërgjegjshëm për atë që kam thënë rreth titujve dhe jam i sigurt se do të ngre një trofe me Mançester Sitin para Arsenalit”, ishte kundërpërgjigja e lojtarit.

Këto thumbime kanë tensionuar më shumë situatën mes klubeve ku pas ndeshjes, trajneri Venger deklaroi se nuk kishte më shanse që sheikët të blinin lojtarë nga “topçinjtë”. Ndërkohë, vetë futbollistët e Arsenalit bënë të qartë se në javët e mbetura të kampionatit do të bëjnë të pamundurën për të shkurtuar diferencën me ekipin që aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e kampionatit anglez ndonëse ka harxhuar qindra milionë paund. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 08:38

Roberto Mançini ka lënë të kuptohet se në fund të këtij sezoni, Mario Baloteli do të largohet nga Mançester Siti. Në konferencën për shtyp pas humbjes me Arsenalin, trajneri italian tha se ai nuk do ta aktivizonte më lojtarin që mori karton të kuq, por më vonë ishte vetë klubi që saktësoi se këto fjalë ishin thënë sepse pritet një pezullim i gjatë për futbollistin nga Federata Angleze.

“Sa durim më ka mbetur për Balotelin? Ka mbaruar! Na kanë mbetur gjashtë ndeshje për të luajtur dhe ai nuk do të luajë në to. A do ta shes në fund të sezonit? Me shumë mundësi po. Por unë nuk e di ta them me saktësi, pasi ai është një lojtar i aftë për të shënuar edhe në minutën e fundit”.

“Ai nuk është një djalë i keq, është një futbollist fantastik. Por në këtë moment më vjen keq për të pasi vazhdon të çojë dëm talentin dhe cilësitë e tij. Shpresoj që ai ta kuptojë që është në një rrugë të keqe për të ardhmen e tij dhe se është ende në kohë të ndryshojë sjellje”.

Në fund edhe një batutë për mediat angleze, ku Mario Baloteli është kthyer në një personazh të rëndësishëm me veprimet e tij brenda dhe sidomos jashtë fushe. “Çfarë do të bëni ju nëse Mario largohet nga Anglia? Ju duhet të jeni të lumtur nëse Mario qëndron këtu. Në këtë mënyrë mund të shkruani 2-3 faqe gazete rreth tij”, tha trajneri.

Situata e fundit ka detyruar agjentin e lojtarit, Mino Raiola, të fluturojë me urgjencë drejt Anglisë për të bindur Mançester Sitin që të mos largojë futbollistin, gjë të cilën e ka pranuar edhe në një deklaratë për mediat italiane. Përveç kësaj, Baloteli tani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë kombëtares italiane të futbollit, pasi tekniku Çezare Prandeli ka vendosur një kod të rreptë etike, të cilën lojtari e ka shkelur disa herë vetëm gjatë javës së fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 19:15

Mançester Junajtid thuajse ka hipotekuar titullin kampion në Angli kur ka vetëm 6 javë nga fundi i kampionatit, duke çuar në 8 pikë avantazhin ndaj Mançester Sitit. Fitorja e “djajve të kuq” ndaj QPR, e kombinuar me humbjen e Sitit në fushën e Arsenalit, ka sjellë edhe rritjen e diferencës mes skuadrave, një distancë që tashmë duket e  parikuperueshme. 

Fillimisht ishte Junajtid që zbriti në fushë përballë QPR, në një ndeshje e cila u bë më e thjeshtë për ta falë ndihmës që gjyqtari i dha duke akorduar një penallti inekzistente që në minutën e 14-të dhe duke larguar me karton të kuq edhe mesfushorin e miqve, Derri. Runi shënoi qetësisht nga pika e bardhë ndërsa rezultati përfundimtar 2-0, u vulos në pjesën e dytë nga goli i Pol Skols në minutë e 68-të.

Mançester Siti nuk arriti të mbajë hapin e kryesuesve pas një humbje zhgënjyese në fushën e Arsenalit që thuajse u ka shuar çdo shpresë për titullin kampion. Ndeshja u vendos nga një gol i spanjollit Arteta në minutën e 87-të të ndeshjes ku të dy palët patën shumë raste për të shënuar por nuk arritën të tregoheshin të saktë para portës kundërshtare. Për t’u shënuar edhe kartoni i kuq i radhës për Mario Balotelin, i cili la skuadrën e tij me 10 lojtarë në minutat e fundit të ndeshjes. Pas kësaj humbje, situata bëhet shumë me komplikuar edhe për trajnerin Roberto Mançini i cili rrezikon seriozisht që të shkarkohet nga detyra pasi po mbyll këtë sezon pa asnjë trofe të fituar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 18:44

Skuadra e Çelsit vazhdon ecurinë e saj pozitive në kampionat duke regjistruar një tjetër fitore që afron me vendin e katërt, tashmë në distancë prej vetëm tre pikësh nga Arsenali që mban aktualisht këtë pozicion. 

Ndeshja ndaj Uiganit që lufton për mbijetesë ka qenë shumë e komplikuar edhe falë rezistencës së ekipit kundërshtar. Ivanoviç kaloi në avantazh skuadrën londineze në minutën e 62-të por ky ishte një gabim i rëndë i vijërojtësit që nuk pa pozicionin e dukshëm jashtë loje të mbrojtësit serb. Diamo barazoi në minutën 83-të duke ngjallur shpresat për në rezultat pozitiv të ekipit që është në vendin e parafundit në renditje. Por në minutën e 93-të të ndeshjes, Mata u tregua i aftë të devijonte në rrjetë topin e kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Torres, për t’i dhënë 3 pikët Çelsit.

Blutë janë vetëm 3 pikë larg vendit të katërt, që aktualisht mbahet nga Arsenali, i kapërcyer përkohësisht në renditje nga Totenhem falë barazimit pa gola të këtyre të fundit përballë Sandërlend. Ndonëse Bejl, Adebajor dhe Van Der Vart krijuan raste të shumta para portës kundërshtare, ata nuk arritën të dërgonin topin në rrjetë, duke u dhënë mundësinë vendasve të merrnin këtë pikë që i mban në mesin e renditjes së kampionatit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Sandërlend-Totenhem          0-0

Bolton-Fullhem                      0-3

30′, 45′ Dempsi, 81′ Diarra

Çelsi-Uigan                              2-1

62′ Ivanoviç, 90+3′ Mata / 83′ Diame

Liverpul-Aston Vila                  1-1

82′ Suarez / 10′ Herd

Noruiç-Everton                        2-2

39′ Houson, 76′ Holt / 22′, 62′ Jelaviç

Uest Bromuiç-Bllekbërn           3-0

7′ Olson (ag), 69′ Fortun, 85′ Rixhuell

Stouk-Ulvërhempton                2-1

37′ Huth, 61′ Krauç / 26′ Kaitli

Renditja

Mançester Junajtid 76, Mançester Siti 71, Totenhem 59, Arsenal 58, Çelsi 56, Njukasëll 56, Everton 44, Liverpul 43, Sandërlend 42, Fullhem 42, Stouk 41, Noruiç 40, Uest Bromuiç 39, Suonsi 39, Aston Vila 34, Bolton 29, QPR 28, Bllekbërn 28, Uigan 28, Ulvërhempton 22.