Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 20:33

Mançester Siti është kthyer në kreun e kampionatit anglez falë fitores 1-0 ndaj Aston Vilës. Ekipi i drejtua nga Mançini ka marrë një sukses të rëndësishëm në një sfidë që pritej dhe rezultoi e vështirë. Trajneri italian vendosi të hidhte në fushë një formacion me vetëm Aguero në sulm, duke lënë jashtë Xheko. Por gjithsesi Siti arrin të dominojë përballë Aston Vilës që vendos të luajë vetëm në mbrojtje, duke mos rrezikuar asnjëherë portën kundërshtarë. Si rrjedhojë, pjesa e parë dhuron vetëm shtyllën e goditur nga Xhonson dhe 2-3 iniciativa të Silvas. Siç ndodh shpesh në ndeshje të tilla, goli vjen vetëm falë një goditje standarde. Leskot shënon golin e vetëm pas një goditje këndi në minutën e 63-të duke ndezur entuziazmin e tifozerisë që kishte udhëtuar për të ndjekur kryesuesit e kampionatit. Aston Vila provon të zgjohet dhe në minutën e fundit të ndeshjes ka mundësinë të barazojë, por Hart arrin të devijojë me refleks gjuajtjen e Bent për të shpëtuar rezultatin. Në ndeshjen tjetër të të dielës, Uest Bromuiç ka shkatërruar Ulvërhempton në fushën e këtij të fundit me rezultatin 5-1.(LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 19:07

Liverpuli ka bërë të ditur se është gënjyer nga Luis Suarez, i cili kishte siguruar se do t’i shtrëngonte dorën Patris Evra, por nuk e ka bërë këtë gjë në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Mançester Junajtid. Uruguaiani kërkoi falje publike për gjestin e ti, por detyroi edhe klubin nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Ian Aire të bënte një gjë të tillë, bashkë me trajnerin Dalglish.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që Luis Suarez nuk i shtrëngoi dorën Patris Evra para ndeshjes. Lojtari na kishte thënë që do ta bënte një gjë të tillë, por pastaj zgjodhi të bënte të kundërtën. Ai kësisoj gaboi dyfish, duke na gënjyer dhe duke mos i shtrënguar dorën kundërshtarit të tij. Ia kemi bërë të qartë që sjellja e tij është e papranueshme dhe ai ka kërkuar falje”, u shpreh Aire.

Si rrjedhojë, në faqen e internetit të klubit është shfaqur një deklaratë e Suarez, ku ky i fundit kërkon falje për atë që ka bërë. “Kam folur me trajnerin dhe e kuptoj që kam gabuar. Kam zhgënjyer jo vetëm atë, por edhe klubin dhe atë që përfaqëson ndaj kërkoj falje, kam bërë një gabim dhe më vjen keq për atë që ka ndodhur. Duhej të kisha shtrënguar dorën e Evra ndaj kërkoj ndjesë për veprimet e mia”, ishte deklarata e Suarez.

Nuk ka vonuar dhe ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Mançester Junajtid, që ka pranuar kërkesën e uruguaianit po nëpërmjet një komunikate për shtyp të shfaqur në faqen e internetit të klubit.

“Mançester Junajtid falënderon Liverpulin për ndjesën pas ndeshjes së të shtunës. Çdokush në “Old Traford” dëshiron të lërë pas krahëve këtë çështje. Historia e dy klubeve tona të mëdha është ajo e suksesit dhe rivalitetit të pakrahasueshëm në futbollin britanik. Ky duhet të jetë objektivi në të ardhmen për të gjithë ata që i duan këto klube”, shkruhej në deklaratën për shtyp.

Shfajësimet erdhën pasi çështja Suarez-Evra mori ngjyrime politike, aq sa kryeministri britanik Devid Kameron vendosi që të mbante një tavolinë të rrumbullakët me Ministrinë e Kulturës, mediat dhe përfaqësues të sportit për të luftuar gjestet raciste në sport. Në të njëjtën kohë, aksionarët e kompanisë amerikane “Fenway Sports Group”, që është pronare e Liverpul, kanë kërkuar urgjentisht që të zgjidhet çështja për të mos dëmtuar më tepër imazhin ndërkombëtar që kishte krijuar kjo kompani. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 09:35

Tierri Henri ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme kthimin e tij te Arsenali duke shënuar golin e fitores në minutën shtesë të takimit kundër Sandërlend. Tashmë futbollisti francez mund të luajë vetëm në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Milanit në mesjavë, për t’u kthyer më pas drejt MLS te Nju Jork Red Bulls. 

“Mu duk vetja si fëmija që shënon golin e parë për skuadrën që pëlqen. Nëse Arsenali do të ketë nevojë për mua, mund të kthehem përsëri ndonjë ditë”, ishin fjalët e sulmuesit 34 vjeçar i cili shënoi në këtë ndeshje golin e tij të 176 në kampionatin anglez, ku ka luajtur 258 takime me fanellën e “topçinjve”.

Edhe trajneri Arsen Venger e lavdëroi publikisht sulmuesin për ndihmën që i kishte dhënë skuadrës në këtë periudhë, duke e kthyer përsëri në garë për kualifikimin në Ligën e Kampioneve. “Ai sot mbylli historinë e një legjende në kampionatin anglez. Por shpresoj që të shtojë disa gola të tjerë për ne të mërkurën në Ligën e Kampioneve. Talenti i jashtëzakonshëm mbijeton te lojtarë të këtij kalibri. Ishte një luks të kishim një lojtar të tillë në stolin e rezervave”, ishin fjalët e Venger. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Man. Junajtid-Liverpul  2-1

Bllekbërn-QPR                3-2

Bolton-Uigan                    1-2

Everton-Çelsi                   2-0

Fullhem-Stok                   2-1

Sandërlend-Arsenal        1-2

Suonsi-Noruiç                  2-3

Totenhem-Njukasëll       5-0

12.02.2012

Ulvërhempton-Uest Bromuiç     14:30

Aston Vila-Man. Siti                      17:00

Renditja

Man. Junajtid 58, Man. Siti 57, Totenhem 53, Çelsi 43, Arsenal 43, Njukasëll 42, Liverpul 39, Noruiç 35, Sandërlend 33, Everton 33, Suonsi 30, Stok 30, Fullhem 30, Aston Vila 28, Uest Bromuiç 26, Ulvërhempton 21, QPR 21, Bllekbërn 21, Bolton 20, Uigan 19.

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 16:53

Aleks Ferguson e ka cilësuar uruguaianin Luis Suarez si “një fatkeqësi për Klubin e Futbollit Liverpul”, duke shtuar se ai nuk duhej të lejohej të luante më me këtë skuadër pas refuzimit të shtrëngimit të duarve me Patris Evra në fillimin e ndeshjes në “Old Traford”.

Kapiteni i “djajve të kuq” i zgjati dorën uruguaianit, i cili kthehej nga dënimi prej 8 ndeshjesh për fyerje raciste ndaj mbrojtësit, por ai e injoroi francezin dhe kaloi direkt te portieri De Gea.

Evra nuk e pranoi këtë gjest dhe u përpoq të kapte nga krahu Suarezin për të plotësuar formalitetin, por sulmuesi vazhdoi i pashqetësuar. Si rrjedhojë, ishte Rio Ferdinand që refuzoi më pas të shtrëngonte dorën e uruguaianit.

Sipas mediave angleze, tensioni ka vazhduar në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjeve ku lojtarë të të dy skuadrave janë përplasur njëri me tjetrin si gjatë pushimit të ndeshjes, ashtu edhe në fundin e saj.

Si rrjedhojë, Aleks Ferguson, dënoi rëndë gjestin e Suarez. “Nuk mund ta besoja, thjesht nuk mund ta besoja”.

“Ai është një fatkeqësi për Klubin e Futbollit të Liverpulit, ai lojtar nuk duhet të lejohet të luajë më për Liverpulin”.

“Me historinë që ka ky klub, ai bën një gjest të tillë, në një situatë si e sotmja ku mund të shpërthente një revoltë. Unë jam zhgënjyer shumë nga ai, sepse bëri diçka të tmerrshme”, deklaroi trajneri i Mançester Junajtid.

Të shumta kanë qenë edhe komentet në “Twitter” nga futbollistë të ndryshëm, ku thuajse të gjithë kanë akuzuar Suarez për veprim josportiv dhe kanë sugjeruar që ai meriton një tjetër dënim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 16:07

Mançester Junajtid ka fituar 2-1 përballë Liverpulit në një sfidë shumë të tensionuar ku nuk kanë munguar gjestet antisportive mes të dy palëve. Dihej që të vëzhguarit e ndeshjes do të ishin Patris Evra dhe Luis Suarez, pasi ky i fundit u pezullua 8 ndeshje për fyerje racore ndaj futbollistit me ngjyrë. Asnjë prej të dyve nuk ka zhgënjyer, duke vazhduar serinë e gjesteve antisportive. I pari ishte Suarez, i cili në hyrjen në fushë nuk i shtrëngoi dorën Evra, ndërsa ky i fundit tentoi ta kapte me forcë nga krahu. Kundërpërgjigja e kapitenit të Mançester Junajtid ka ardhur pas përfundimit të takimit, kur ka shkuar të festojë para fytyrës së Suarez, duke shkaktuar një zënkë në fushë me lojtarët e tjerë të Liverpulit. 

Atmosfera e tensionuar është pasqyruar edhe në ndeshje, ku skuadrat janë shfaqur shumë të kujdesshme për të mos pësuar gol gjatë të gjithë pjesës së parë. Vendimtar do të ishte fillimi i pjesës së dytë ku brenda 3 minutave është Runi që shënon dy gola njëri pas tjetrit për të qetësuar skuadrën e tij. Liverpuli pëson një goditje të rëndë, ndërsa e ka shumë të vështirë të reagojë. Shpresat e skuadrës së drejtuar nga Dalglish ringjallen në minutën e 80-të kur pikërisht Suarez devijon në portën e De Gea një goditje dënimi. Megjithatë, portieri spanjoll shpëton skuadrën e tij nga një barazim i mundshëm me një ndërhyrje vendimtare ndaj gjuajtjes të Xhonson në minutën e fundit shtesë, duke siguruar 3 pikët që e ngjitin Mançester Junajtid në kreun e renditjes. (LajmeShqip.com)