Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 16:36

Andre Vijas-Boas po bën maksimumin të bindë Roman Abramoviç se ai vazhdon të jetë personi i duhur për stolin e skuadrës së Çelsit, ndonëse miliarderi rus ka bërë të qartë se nuk është më në pozita të sigurta gjatë takimit të dy palëve ditën e shtunë.

“Daily Mail” ka bërë të ditur se Abramoviç ka bërë një vizitë surprizë në kampin stërvitor të Çelsit ditën e shtunë, duke çuditur edhe teknikun portugez. Rusi pa i veçuar rreth 35 minuta stërvitje, ndërsa më pas ka folur rreth 30 minuta të tjera me trajnerin portugez duke i kërkuar shpjegime për formacionin që do të përdorej ndaj Mançester Junajtid.

Te dielën, pas përfundimit të ndeshjes, ku pa skuadrën e tij të kalonte nga suksesi 3-0 në barazimin 3-3, ai hyri në dhomat e zhveshjes për t’u bërë leksion lojtarëve, ndërsa ka shprehur pakënaqësinë edhe për zgjedhjet taktike.

Sipas gazetës angleze, ajo që ka shqetësuar më shumë Abramoviç ishin raportet në media rreth përçarjes në dhomat e zhveshjes dhe këtë ia ka bërë të qartë Vijas Boas. Nëse ky i fundit nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kapioneve dhe të rifitojë besimin e të gjithë lojtarëve, atëherë ai do të largohet në fund të sezonit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 19:43

Një barazim spektakolar 3-3 ka qenë rezultati i prodhuar nga supersfida e javës në kampionatin anglez, mes Çelsit dhe Mançester Junajtid. Ndonëse “djajtë e kuq” kanë humbur përsëri terren në luftën për titull, duke mbetur dy pikë pas Mançester Sitit, ata të paktën janë të lumtur me faktin që kanë rikuperuar në një ndeshje që cilësohej e humbur.

Çelsi ka dominuar pjesën e parë dhe e ka mbyllur me meritë në avantazh, ndonëse goli është shënuar nga Xhoni Evans në portën e vet. Në fillimin e pjesës së dytë, blutë shënojnë dy gola të tjerë, të parin me goditje spektakolare të Mata, ndërsa atë të avantazhit 3-0 me anë të një gjuajtje të David Luiz të devijuar në rrjetë nga Ferdinand.

Ndeshja duket e mbyllur por nuk e mendojnë kështu “djajtë e kuq” të cilët falë dy 11-metërshave të fituar me zotësi nga Evra dhe Uellbek, të transformuar saktësisht nga Runi, arrijnë të rihapin ndeshjen. Në minutë e 84-t, Hernandez, i futur në fushë si zëvendësues, gjen rrugën e rrjetës me një gjuajtje me kokë për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-3.

Tashmë Mançester Junajtid është 2 pikë pas Mançester Sitit në garën për titullin kampion, ndërsa Çelsi mbetet në vendin e katërt, por tani ndjen më afër ndjekësit e saj. Rivali më i afërt është Njukasëll që ka fituar 2-1 përballë Aston Vila dhe është vetëm 2 pikë larg londinezëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 21:44

Mançester Siti ka krijuar një tjetër distancë prej 3 pikësh në kreun e renditjes duke mundur 3-0 Fullhemin. Serxho Aguero kaloi në avantazh me penallti skuadrën e drejtuar nga Roberto Mançini, ndërsa më pas ishte mbrojtësi i Fullhem, Kris Baird që devijoi në rrjetën e tij një harkim të Xhonson. Vetëm 18 minuta para përfundimit të takimit, Edin Xheko vulosi rezultatin përfundimtar me golin e tretë. 

 

 

Në ndeshjet e tjera, për t’u veçuar është suksesi i jashtëzakonshëm 7-1 i Arsenalit ndaj Bllekbërn. Tierri Henri shënoi një nga golat për “topçinjtë” por heroi i ditës ishte padyshim Robin Van Persi që gjeti tre herë rrugën e rrjetës, duke çuar në 22 numrin e rrjetave të tundura këtë sezon në kampionatin anglez. Oksleid-Çambërlein (2 gola) dhe Arteta plotësuan listën e shënuesve për ekipin e Venger që nuk fitonte prej 4 ndeshjesh radhazi.

Ndërkohë, ndeshja që do të përcaktojë shumë për vazhdimin e sezoni do të jetë ajo e të dielës, ku përballë vihen Çelsi dhe Mançester Junajtid, me këta të fundi që e kanë të deyrueshme fitoren për të rikapur kushërinjtë e Sitit në kreun e renditjes. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

04/02/12

Arsenal-Bllekbërn        7-1

Noruiç-Bolton                2-0

QPR-Ulvërhempton     1-2

Stok-Sandërlend           0-1

Uest Bromuiç-Suonsi   1-2

Uigan-Everton              1-1

M. Siti-Fullhem            3-0

05/02/12

Njukasëll-Aston Vila    14:30

Çels-M. Junajtid           17:00

06/02/12

Liverpul-Totenhem       21:00

Renditja

M. Siti 57, M. Junajtid 54, Totenhem 49, Çelsi 42, Arsenal 40, Njukasëll 39, Liverpul 38, Sandërlend 33, Noruiç 32, Suonsi 30, Everton 30, Stok 30, Aston Vila 28, Fullhem 27, Uest Bromuiç 26, QPR 21, Ulvërhempton 21, Bolton 20, Bllekbërn 18, Uigan 16.