Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 11:46

Roberto Mançinit nuk i ka pëlqyer mënyra se si Mançester Siti e lëshoi veten pas avantazhit të dy golave, duke i dhënë mundësinë Totenhemit të kthehej në garë dhe të barazonte rezultatin.

Ndonëse skuadra e tij fitoi me rezultatin 3-2, në vend që të përgëzonte lojtarët, Mançini i ka kritikuar ata në dhomat e zhveshjes.

Zëvendës-trajneri David Plat ka treguar se çfarë ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. “Trajneri tha se ne duhet ta kishim mbyllur ndeshjen pas 2-0. Ai nuk ishte i lumtur me dhuratën që i bëmë në golin e parë që na shënuan dhe që i dhanë mundësinë të ktheheshin në lojë. Ishte një mungesë përqendrimi dhe trajneri ua bëri këtë të qartë disa lojtarëve”, tregoi Plat.

Mançini ka refuzuar të dalë në konferenca për shtyp gjatë javës së fundit me justifikimin se e ka të pamundur të flasë për shkak se i është ngjirur zëri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 19:30

Mançester Junajtid vazhdon garën në distancë me Mançester Sitin për dominimin në kampionatin anglez. “Djajtë e kuq” kanë mundur 2-1 Arsenalin në fushën e këtyre të fundit, duke konfirmuar krizën e ekipit të Venger që ka pësuar 3 humbje radhazi dhe e sheh veten edhe më larg vendit të katërt që të çon në Ligën e Kampioneve.

Pjesa e parë ka qenë një dominim i skuadrës së drejtuar nga Aleks Ferguson, i cili kishte instruktuar ekipin e tij të kërkonte të vinte sa më shumë nën presion mbrojtjen kundërshtare. Falë dominimit në mbajtjen e topit, në fundin e pjesës së parë vjen edhe avantazhi i merituar i Mançester Junajtid me Valencia, i cili shfrytëzon një harkim perfekt të Gigs nga e majta për të dërguar topin në rrjetë.

Pjesa e dytë fillon nën ritmin e ekipit vendas që kërkon me çdo mënyrë të gjejë rrugën e rrjetës. Van Persi gabon dy herë para portës kundërshtare, para se të shënojë golin e barazimit në minutën e 71-të.

Por entuziazmi i tifozerisë vendase zgjat vetëm 10 minuta pasi Valencia gjen të lirë në zonë Uellbek, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin pas krahëve të portierit të Arsenalit. Rezultati nuk ndryshon më dhe Mançester Junajtid i gëzohet fitores 2-1 që e sheh atë të ndjekë hap pas hapi kushërinjtë e Sitit. (LajmeShqip.com)

Renditja

M. Siti 54, M. Junajtid 51, Totenhem    46, Çelsi 41, Arsenal 36, Njukasëll 36, Liverpul 35, Stok 30, Noruiç 29, Sandërlend 27, Aston Vila 27, Fullhem 26, Suonsi 26, Everton 26, Uest Bromuiç 25, QPR 20, Bolton 19, Bllekbërn 18, Ulvërhempton 18, Uigan 15.

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 17:19

Totenhem ka humbur mundësinë për t’u bërë protagonist në luftën për titull pasi është mundur 3-2 nga Mançester Siti në një sfidë të vendosur në minutën e fundit shtesë të takimit nga një 11-metërsh. Londinezët shiheshin si rivalët e vetëm të dy skuadrave të Mançesterit por humbja i ka larguar ata 8 pikë nga kreu.

Pjesa e parë e takimit ka qenë e balancuar, ndërsa të dy skuadrat janë përpjekur të mos pësojnë gol. Ndonëse Siti krijon më shumë lojë, e ka të pamundur të çajë mbrojtjen e ngjeshur të Totenhem që mundohet të organizojë kundërsulme të shpejta.

Pjesa e dytë është më e ndezur dhe janë vendasit të cilët arrijnë të rrezikojnë disa herë derisa gjejnë golin e avantazhit me Nasri në minutën e 55-të, falë një pasimi të artë të David Silva. Francezi është protagonist edhe 3 minuta më vonë, kur pas një goditje nga këndi të tij, Leskot shënon golin e dytë për Mançester Sitin.

Ndeshja duket e mbyllur por Totenhem bën të pabesueshmen dhe falë aftësive të Defo e Beil arrin të vërë baraspeshën në shifra brenda 6 minutave për të rihapur sfidën. Totenhem i shkon shumë pranë mrekullisë në minutën e 90-të kur Defo gjuan jashtë një  harkim perfekt të Beil. Megjithatë, ëndrra e londinezëve shuhet në minutën e 94-t kur Baloteli, i futur në fushë si zëvendësues, kthen në gol një 11-metërsh të cilin e kishte fituar vetë, duke vulosur fitoren 3-2 të Mançester Sitit që vazhdon i  qetë rrugën drejt titullit. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 21:07

Çelsi ka humbur mundësinë për t’u rikthyer në garën për titullin kampion në Angli, pasi ka barazuar pa gola në fushën e Noruiç. “Fajtori” kryesor për këtë barazim ishte padyshim Fernando Torres, sulmuesi i cili prej 15 ndeshjesh nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës.

Londinezët kanë krijuar shumë raste para portës kundërshtare, plot 18 të tilla, por Torres e Mata kanë gabuar edhe të pagabueshmen, ndërsa portieri i Noruiç, Xhon Rudi, u shpall lojtari i ndeshjes.

Tani Çelsi gjendet 10 pikë larg Mançester Sitit të vendit të parë dhe vështirë se do t’i jepet një shans tjetër për të luftuar për titull. Sikur të mos mjaftonte kjo, lojtari më në formë i bluve, mesfushori Frenk Lampard, u dëmtua në kofshë dhe u detyrua të zëvendësohej që në pjesën e parë të ndeshjes.

Në ndeshjet e tjera, bie në sy disfata e Liverpulit në fushën e Bolton. Tani “reds” kanë humbur mundësinë për t’iu afruar më shumë vendit të katërt dhe rrezikojnë që sezonin e ardhshëm të luajnë në Europa League. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

21.01.2012

Noruiç-Çelsi                   0-0

Everton-Bllekbërn        1-1

Fullhem-Njukasëll         5-2

QPR-Uigan                      3-1

Stok-Uest Bromuiç        1-2

Sandërlend-Suonsi         2-0

Ulvërhempton-Aston Vila   2-3

Bolton-Liverpul               3-1

Renditja

M. Siti 51, M. Junajtid 48, Totenhem 46, Çelsi 41, Arsenal 36, Njukasëll 36, Liverpul 35, Stok 30, Noruiç 29, Sandërlend 27, Aston Vila 27, Fullhem 26, Suonsi 26, Everton 26, Uest Bromuiç 25, QPR 20, Bolton 19, Bllekbërn 18, Ulvërhempton 18, Uigan 15.