Lajme Shqip Sunday, 06 May 2012 21:21

Mançester Siti fiton 2-0 në fushën e Njukasëll dhe është vetëm një hap larg fitores së titullit kampion. Tani, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së kundërshtarëve të Mançester Junajtid, skuadrës së Mançinit i mjafton të fitojë ndeshjen e fundit të sezonit, në program të dielën, në shtëpi kundër QPR. 

Sfidën me Njukasëll e vendosi mesfushori Jaja Ture, i cili shënoi të dy golat në pjesën e dytë të ndeshjes, duke treguar se është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Sitit.

Ndërkohë, Mançester Junajtid vazhdon të mbajë gjallë shpresën për një përmbysje në javën e fundit, duke mundur 2-0 me lehtësi Suonsin. Por “djajtë e kuq” vazhdojnë të mbeten prapa me diferencë golash dhe vetëm një hap i gabuar i Sitit mund t’i japë titullin ekipit të Ferguson.

Në zonën Champions, Totenhemi nuk ka përftuar nga hapi i gabuar i Arsenalit një ditë më parë, duke barazuar 1-1 me Aston Vilën. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Njukasëll-Mançester Siti       0-2

70′, 89′ J. Ture

Fullhem-Sandërlend              2-1

12′ Dempsi, 35′ Dembele / 34′ Bardsli

Ulvërhempton-Everton        0-0

Bolton-Uest Bromuiç             2-2

24′ (p) Petrov, 72′ (ag) Xhons / 75′ Brant, 90′ Morrison

QPR-Stouk                              1-0

89′ Cize

Aston Vila-Totenhem            1-1

35′ Klark / 61′ Adebajor

Mançester Junajtid-Suonsi   2-0

28′ Skols, 41′ Jang

Renditja

Mançester Siti 86, Mançester Junajtid 86, Arsenal 67, Totenhem 66, Njukasëll 65, Çelsi 61, Everton 53, Fullhem 52, Liverpul 49, Uest Bromuiç 47, Sandërlend 45, Suonsi 44, Stouk 44, Noruiç 44, Aston Vila 38, Uigan 37, QPR 37, Bolton 35, Bllekbërn 31, Ulvërhempton 25.

 
Lajme Shqip Saturday, 05 May 2012 15:30

Arsenal rrezikon që të mbetet jashtë Ligës së Kampioneve, pas gabimit që ka bërë në ndeshjen e parafundit të kampionatit duke barazuar 3-3 me Noruiç, ndonëse takimi luhej në “Emirates”. 

Skuadra e Venger ka kaluar e para në avantazh me Josi Benajun, që në minutën e 2-të të ndeshjes. Por reagimi i ekipit mik ishte i menjëhershëm dhe që në minutën e 12-të, Holahan vendosi barazpeshën falë edhe një gabimi të Shzhesnji, ndërsa Holt në minutën e 27-të kaloi në avantazh Noruiç me një gjuajtje të devijuar nga Gibs.

Në pjesën e dytë, Robin Van Persi u kthye në protagonist absolut, duke shënuar dy gola brenda 8 minutash, për të çuar në 30 golat e shënuar këtë kampionat me fanellën e Arsenalit.

Por “topçinjtë” nuk iu gëzuan dot një suksesi, pasi 5 minuta para përfundimit të sfidës ishte Morison që arriti të mposhtë portierin e vendasve për të vulosur rezultatin historik 3-3 të skuadrës së tij.

Tashmë Arsenali, që ka luajtur një ndeshje më shumë se rivalët e tij, ka 67 pikë, vetëm 2 më shumë se Totenhem dhe Njukasëll që luajnë nesër. Ekipi i Venger duhet të shpresojë që një nga këto dy skuadra të gabojë në mënyrë që të mbeten mes katër më të mirëve në Angli. (LajmeShqip.com)