Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 22:21

Një gol me kokë i kapitenit Vinsent Kompani ka dërguar Mançester Sitin në kreun e kampionatit anglez të futbollit dhe ka vënë skuadrën e drejtuar nga Roberto Mançini në një pozicion të favorshëm për të fituar titullin kampion pas suksesit 1-0 ndaj Mançester Junajtid në stadiumin “Etihad”. 

Ndeshja nuk kishte shumë ritëm por Siti arriti të merrte kryesimin në kohën shtesë të pjesës së parë. Kompani u tregua më i shkathët në lojën në ajër duke mundur Kris Smalling për të dërguar me kokë topin në rrjetë pas një goditje nga këndi të David Silvas.

Tensioni i lartë i kësaj sfide u përjetua edhe nga pankinat ku fillimisht Ferguson protestoi ashpër për një faull të Kompani ndaj Runit, e më pas u zu me Roberto Mançinin pas një ndërhyrje të De Jong ndaj Uellbek. U desh ndërhyrja e stafeve teknikë të dy skuadrave dhe e gjyqtarit të katërt që dy trajnerët të ndaheshin nga njëri-tjetri, ndërsa nuk kursyen fyerje të rënda.

Pavarësisht tentativave të Junajtid, situata nuk ndryshoi dhe Mançester Siti fitoi ndeshjen dhe kreun e kampionatit. Tashmë ekipi i Mançinit ka dy ndeshje që duhet të fitojë për të shpresuar që të sjellë në shtëpi titullin që i mungon prej sezonit 1967-68. (LajmeShqip.com)

Situata

Mançester Siti: 83 pikë, diferenca e golave +61

Ndeshje të mbetura: Njukasëll-Mançester Siti (06/05), Mançester Siti-QPR (13/05)

Mançester Junajtid: 83 pikë, diferenca e golave +53

Ndeshje të mbetura: Mançester Junajtid-Suonsi (06/05), Sandërlend-Mançester Junajtid (13/05)

 
Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 20:49

Totenhem është kthyer përsëri në vendin e katërt në renditjen e kampionatit anglez pas një fitoreje të lehtë 2-0 ndaj Bllekbërn. Ndonëse kishin fituar vetëm 1 nga 9 ndeshjet e tyre të mëparshme, skuadra e Herri Redknap ishte superiore gjatë takimit duke mos lejuar ekipin kundërshtar të bënte qoftë edhe një gjuajtje të vetme në portë, gjë që nuk ndodhte në nj ndeshje të kampionatit anglez që prej vitit 2004. 

Rafael Van Der Vart shënoi golin e avantazhit, por vendasve iu desh një supergol i Kail Uolker me goditje dënimi në minutën e 74-t për të siguruar përfundimisht 3 pikët në suksesin 2-0.

Ndërkohë, Çelsi ka festuar me tifozët e saj arritjen në finalen e Ligës së Kampioneve duke shkatërruar 6-1 ekipin e QPR dhe duke u kthyer në garë për vendin e katërt në kampionat.

Pas golit të shënuar kundër Barcelonës në mesjavë, duket se Fernando Torres është zgjuar nga gjumi duke u kthyer përsëri në ditët më të mira. “El Nino” arriti të shënonte tre herë në këtë sfidë, ndërsa golat e tjerë për skuadrën vendase u shënuan nga Starrixh, Terri dhe Maluda. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 09:22

Stiven Xherard ka pranuar se ishte gati të fillonte të shante Luis Suarez kur ky i fundit shënoi një supergol nga 50 metra për të kompletuar një tregolësh në ndeshjen ndaj Noruiç. 

Lojtari kishte humbur më parë një rast të pastër duke dërguar topin mbi traversë dhe Xherard tregoi se ishte mërzitur shumë dhe po bëhej gati ta kritikonte shokun e skuadrës.

“Humbi raste, por unë vazhdoja të isha bindur se do të shënonte golin e tretë. Isha bërë gati t’i jepja një mësim të mirë me kritika, por në atë moment, ai bëri atë gjuajtje spektakolare. Kjo tregon qartësisht çfarë lojtari është. Ai është një futbollist elitar, ndër më të mirët në botë dhe kjo ishte dita e tij”, u shpreh kapiteni i Liverpulit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 21:07

Uigan ka bërë surprizën e javës duke shënuar 4 gola që në pjesën e parë për të mundur 4-0 Njukasëllin, duke rritur shanset për mbijetesë në Premier dhe njëkohësisht duke i dhënë një goditje të rëndë ekipit të Alan Pardju në luftën për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Ekipi i Roberto Martinez ka realizuar ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit, duke u ngjitur përkohësisht tre pikë sipër zonës së rënies nga kategoria. 

Arsenali nuk ka arritur të përfitojë nga ky gabim i ekipit që e ndjek më afër në renditje, duke marrë vetëm një barazim 1-1 në fushën e Suonsi. Ishte Piter Krauç që kaloi vendasit në avantazh që në minutën e 10-të të ndeshjes, por më pas ishte Van Persi që vendosi barazpeshën në shifra për të shënuar golin e tij të 35-të sezonal. Tani Arsenali është 4 pikë para Njukasëllit që mban vendin e katërt, ndërsa ka luajtur një ndeshje më tepër. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Everton-Fullhem                      4-0

7′ (p), 40′ Jelaviç, 15′ Fellaini, 60′ Kahill

Stouk-Arsenal                           1-1

10′ Krauç / 15′ Van Persi

Sandërlend-Bolton                    2-2

37′ Bendtner, 55′ MekKlin / 26′, 70′ Deivis

Suonsi-Ulvërhempton              4-4

1′ Orlandi, 4′ Alen, 15′ Dajer, 31′ Graham / 28′ Fletçer, 33′, 69′ Xharvis, 54′ Eduards

Uest Bromuiç-Aston Vila         0-0      

Uigan-Njukasëll                        4-0

13′, 15′ Moses, 36′ Maloni, 45′ Di Santo

Noruiç-Liverpul                        0-3

24′, 28′, 82′ Luis Suarez

Renditja

Mançester Junajtid 83, Mançester Siti 80, Arsenal 66, Njukasëll 62, Totenhem 59, Çelsi 58, Everton 51, Liverpul 49, Fullhem 46, Uest Bromuiç 46, Sandërlend 45, Suonsi 44, Noruiç 43, Stouk 43, Uigan 37, Aston Vila 37, QPR 34, Bolton 34, Bllekbërn 31, Ulvërhempton 24.